Irani dhe Turqia forcojnë lidhjet ekonomike në një klimë të nderë politike

April 7, 2015 20:24

Irani dhe Turqia forcojnë lidhjet ekonomike në një klimë të nderë politike

Turqia dhe Irani kanë rënë dakord dje që të forcojnë lidhjet ekonomike, financiare dhe doganore gjatë vizitës zyrtare që presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, i bëri homologut të tij iranian, Hasan Rohani, në Teheran. Ata theksuan nevojën për t’i dhënë fund konfliktit në Jemen, por pa hyrë në detaje, për të shmangur fërkime të reja për çështjen, për të cilën ata mbajnë qëndrime të ndryshme.

Në vizitën e zhvilluar janë trajtuar më shumë çështje ekonomike se sa ato politike, siç e tregon fakti që përveç Ministrit të Jashtëm, Erdogan u shoqërua nga krerët e ekonomisë, tregtisë, turizmit, energjisë dhe zhvillimit. Megjithatë takimi gjithashtu kërkoi të sheshonte mosmarrëveshjet në politikën e jashtme. “Ne besojmë se duhet të ndalet sa më parë të jetë e mundur lufta dhe gjakderdhja në këtë rajon (duke iu referuar Jemenit) dhe të vendoset një armëpushim”, pohoi presidenti iranian në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij turk në fund të vizitës.

Në këtë linjë Erdogan shtoi se Lindja e Mesme po digjet dhe “duhet të bashkohemi me njeri-tjetrin, të negociojmë dhe parandalojmë këtë gjakderdhje”. Kjo vizitë zhvillohet në një kohë tensionesh mes dy vendeve për shkak të deklaratave të ashpra nga ana e Turqisë kundër vendit persik. Presidenti turk akuzoi më 26 Mars Teheranin se “po përpiqej të dominonte në Lindjen e Mesme”, dhe tha se përveç Turqisë, “edhe Arabisë Saudite dhe Gjirit Persik i është sosur durimi” për veprimet e Iranit.

Marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Teheranit janë ftohur për shkak të qëndrimeve të tyre të kundërta në lidhje me konfliktet në Siri, Irak dhe Jemen. Disa ditë pas këtyre akuzave, Mohammad Javad Zarif, ministri i jashtëm iranian, në mënyrë të heshtur i atribuoi paqëndrueshmërinë e rajonit mbështetjes së Ankarasë ndaj xhihadistëve dhe rebelëve në Siri.

Ai tha, “ata që kanë shkaktuar dëme të pariparueshme me gabimet e tyre strategjike dhe politike ambicioze, do të ishte mirë që të miratonin politika të përgjegjshme për të përdorur kapacitetet ekzistuese në funksion të qetësisë dhe unitetit në rajon”. Pavarësisht dallimeve politike, vëllimi i tregtisë midis dy vendeve në 2014 arriti 14 miliardë dollarë, një shifër e sinjifikative duke pasur parasysh sanksionet që vuan Teherani. Të dyja palët kanë për qëllim të dyfishojnë vëllimin tregtar deri në 30 miliardë dollarë gjatë vitin 2015.

Të dyja fuqitë rajonale kanë nevojë për njëra-tjetrën. Erdogan ka nevojë për praninë e Turqisë në tregun iranian për të shpejtuar ekonominë, ndërsa qeveria e Hasan Rohanit kërkon të mbajë Turqinë si një nga klientët e saj më të mirë të naftës dhe gazit dhe i hap Ankarasë dyert e tregut të saj me qëllim për t’u përgatitur për një ri-integrimin më të shpejtë në komunitetin ndërkombëtar.

Udhëtimi i Erdoganit është paraprirë nga një shkëmbimi akuzash. Disa deputetë iranianë i kërkuan qeverisë që të pezullojnë udhëtimin e presidentit turk. Mohammad Esmail Kosari, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Parlamentit kërkoi që qeveria e Presidentit Rohani të pezullojë vizitën e Erdoganit dhe i cilësoi deklaratat e tij “të papërshtatshme”.

Mansur Haghighat Pour, nënkryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikë të Jashtme të Parlamentit, tha se presidenti turk është një ndjekës i “osmanizmit të ri, por këto ide janë të vjetërsuara”. Mohammad Hassan Asafari, një tjetër deputet, akuzoi presidentin turk se mbështet “terroristët në Irak dhe Siri. Turqia u blen naftë dhe ata me ato para po vrasin të pafajshëm”. Përballë kritikave të autoriteteve iraniane dhe sidomos të parlamentarëve, Erdogan përsëriti javën e kaluar në Stamboll se “nuk vendosin deputetët iranianë nëse duhet të udhëtojë në Iran, apo jo”. /DITA

April 7, 2015 20:24
Komento

1 Koment

  1. fred April 7, 22:09

    O Xhepo nuk e ka me Perandoria Osmane Meken…Arabia nuk eshte province turke…gjithsesi mire ke bo qe ke normalizo marrdheniet…vetem mos i kujto Sulejman Pashe Ballgjinin…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim