Ironia e Patozit: Pse është e padrejtë t’i kërkosh Bashës të bëjë opozitë tani

August 8, 2017 18:54

Ironia e Patozit: Pse është e padrejtë t’i kërkosh Bashës të bëjë opozitë tani

Ish-deputeti i PD-së, Astrit Patozi, në një status të tijin në “Facebook” shkruan se tani është e padrejtë që Lulzim Bashës t’i kërkosh të bëjë opozitë.

Patozi përdor ironinë kur thotë se Basha gjendet jashtë vendit. Gjithashtu, Patozi sulmon kreun e PD-së duke thënë se vendi ka mbetur pa opozitë.

Statusi i plotë:

NUK ËSHTË ME TË THËNË, ËSHTË ME TË DHËNË…

Jo thjesht meqë është verë, por edhe ngaqë është verë, ka nisur një debat i ndezur për mungesën e gjatë të kryetarit të shkrirë të Partisë Demokratike në qëndrime publike kundër qeverisë.

Në fakt, daljet e Lulzim Bashës kanë qenë gati ekzotike, që pas pllakosjes së humbjes së 25 qershorit e deri më sot që po flasim. Por deri më 22 korrik avokatët e tij ishin të justifikuar me “vetëngrirjen”, një mekanizëm hileqar, që u përdor nga përgjegjësi kryesor për humbjen e Partisë Demokratike për të mos dhënë dorëheqjen. Por pas fitores së tij “plebishitare” ndaj Eduard Selamit kanë rënë të gjitha argumentet që Lulzim Basha fliste edhe me heshtjen e tij.

Disa analistë të shtypit u përfshinë dje në një polemikë të gjatë, e cila me shumë gjasë do të vazhdojë edhe ditët në vijim. Në të nuk munguan edhe mbështetës apo vartës të Lulzim Bashës, të cilët, sipas meje, janë në të drejtën e vet të shprehen.

Replikat e tyre, pavarësisht ndonjë teprimi, i shoh si një nevojë të shoqërisë për të pasur një opozitë serioze dhe aktive, sidomos në rrethanat e një ekstrashumice si ajo, që ka dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit. E cila e ka brenda kërcënimin për t’u shndërruar në një pushtet arbitrar dhe arrogant, aq më tepër kur në krye të saj qëndron një personazh eksentrik dhe i paparashikueshëm si Edi Rama. Por nga ana tjetër, nuk mund të mos e them se ka një kontrast të thellë mes shqetësimit natyral të shtypit dhe qetësisë, me të cilën po i shtyn këto ditë të nxehta gushti Lulzim Basha.

Gazetarët dhe analistët, që po e kërkojnë prej kohësh, nuk kanë pse presin kaq shumë prej tij. Sepse Lulzim Basha ka pasur raste që ishte i paqenë edhe kur ndodhej pa ndërprerje dhe për ditë të tëra në Shqipëri. Ndaj është e padrejtë t’i kërkosh atij që të jetë më aktiv, në kushtet kur edhe fizikisht nuk gjendet në atdhe, por ndodhet jashtë shtetit.

Unë e kuptoj se gazetarët kjo mungesa fizike në Shqipëri nuk i bind fare, pasi teknologjia ka avancuar aq shumë, sa e gjithë bota, është shndërruar realisht në një fshat të vogël. Por kjo çështja e reagimit të shpejtë dhe të vendosur në politikë, nuk është me të thënë, por është me të dhënë. Ndaj do t’i ftoja shume miqesisht ata, që të mos e kërkonin asnjëherë Lulzimin aty ku ai nuk është.

Nëse do te duhet patjetër një shpjegim për këtë, kushdo e ka përpara syve. Mjafton të behet një analizë e ftohtë per zhvillimet e fundit politike, që kanë ndodhur në Shqipëri pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Edi Rama po shfaqet i relaksuar dhe i pashqetësuar, madje edhe nga zjarret, që po djegin gjysmën e pyjeve të vendit, sepse ka arritur objektivin e vet të dyfishtë, edhe me ndihmën e bashkënënshkruesit të marrëveshjes së 18 majit; të fitojë zgjedhjet dhe të mbajë i vetëm timonin.

Lulzim Bashës i janë mbaruar fjalët dhe po shijon i qetë pushimet e këtij gushti përvëlues, sepse ka arritur të vetmin objektiv, që i kishte vendosur vetes, të rimerrte edhe një herë timonin e Partisë Demokratike, edhe pse prej autobuzit të saj kishte zbritur gjysma e pasagjerëve. I pari e kishte betejën më 25 qershor, ndërsa i dyti më 22 korrik. Të dy kanë fituar në mënyrën e tyre, ndaj duhet pritur shtatori, se mbase shirat sjellin me vete jo vetëm fundin e vapës dhe shuarjen e zjarreve, por mbase edhe ndezjen e opozitës së Lulzim Bashës.

August 8, 2017 18:54
Komento

1 Koment

  1. Jevi August 9, 10:01

    z.Patozi me duket se te ka dhmbur me shume karigia qe humbe se fatet e vendit e te partis qe ke milituar deri ne rangjet me te larta.A ke bere analize ndonje moment te veprimtaris tuaj,si parti,se cfar te mirash e begatish i sollet vendit gjate qeverisjes tuaj?Perse populli u largoj nga drejtimi i vendit? Te besh opozite nuk do te thote te jesh nihilist,duke thene vetem jo,se jam ne opozite. Gjithe dy vitet e fundit bete zhurmuesin duke kerkuar te mos behej reforma ne drejtesi,te mos zbatohej reforma teritoriale e c’do gje tjeter qe kishte lidhje me perparimin e vendit.A mund te na thuash zoteri se cili eshte vizioni juaj per te ardhmen e vendit?Me sa kuptoj nga qendrimi yt ju duhet te jeni i perjetshem ne karike se pa ju nuk ka parlament,nuk ka PD e per rrjedhoj nuk ka opozite.Jepni opsionet tuaja dhe i lini njerezit te punojne.Mos vendosni shkopinj e gure ne rrugen e progresit ,por ndihmoni ne ecien perpara te vendit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*