Ish-kampioni, Zidane do stolin e Francës

March 31, 2015 13:35

Ish-kampioni, Zidane do stolin e Francës

Si futbollist Zinedine Zidane udhëhoqi Francën drejt titullit të saj të parë Botëror duke realizuar 2 gola në finalen e fituar 3-0 nga përfaqësuesja e gjelave përballë Brazilit në vitin 1998, por Zizou i cili konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë në historinë e futbollit kërkon ta bëjë diçka të tillë edhe si trajner. Pra ëndrra e Zidane është të jetë një ditë tekniku i Francës dhe të fitojë sërish një Kupë Bote me Les Blues.

Aktualisht 42-vjeçari është trajneri i skuadrës B të Realit të Madridit dhe ndihet mirë në këtë detyrë. Gjithsesi Zidane kërkon shumë më tepër në fushën e trajningut, edhe pse e di se për momentin ai e ka të pamundur të zërë në Kombëtaren e Francës vendin e një trajneri me përvojë shumë të madhe si Didier Deschamps.

“Sigurisht që do të më pëlqente të merrja drejtimin e ekipit përfaqësues, por aktualisht Franca ka një trajner shumë të mirë si Deschamps. Gjithsesi unë kam ende kohë për t’u ulur një ditë në stolin e Kombëtares franceze, më parë më duhet të mësoj akoma edhe shumë gjëra nga fusha e trajningut. Megjithatë dua tua bëj mëse të qartë. Objektivi dhe ambicia ime është të jem trajneri i Francës në një të ardhme jo shumë të largët”.

Zidane javën që lamë pas udhëtoi për 3 ditë të ndryshme në Mynih ku ishte prezent në stërvitjet e Bayernit për tu njohur nga afër me teknikat e punës së Pep Guardiolës. Ndërkohë sezonin e kaluar ai ishte zëvendësi i Carlo Ancelottit në stolin e Realit Madridit. Në intervistën e tij Zidane zbuloi se përveç Francës ai dëshiron të drejtojë edhe Realin.

 

March 31, 2015 13:35
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*