Ish-kufitari Servet Tartari: Ju rrëfej si u arratis në Jugosllavi Gjenerali Panajot Plaku

Kujtim Boriçi March 18, 2013 13:06

Ish-kufitari Servet Tartari: Ju rrëfej si u arratis në Jugosllavi Gjenerali Panajot Plaku

75-vjeçari Servet Tartari rrëfen arratisjen e bujshme të gjeneralit më 17 maj 1957

 

“Tentoi të mashtrojë peshkatarët për një shëtitje në liqenin e Ohrit, por ata këmbëngulën se për këtë duhej leje nga drejtuesit e kufirit”

 

Arratisja e bujshme e Gjeneralit Panajot Plaku në vitin 1957 në Jugosllavi nëpërmjet kufirit tokësor në Qafë Thanë, që më vonë do të merrej si ‘provë’ për akuzën e ‘Tradhtisë ndaj Atdheut’ për Kadri Hazbiun e bashkëpunëtorët e tij, është përfolur e shkruar gjatë për më shumë se 5 dekada në vazhdim… 75-vjeçari Servet Tartari, ish-kufitar në postën kufitare të Linit, dëshmitar i ngjarjes së 17 majit të vitit 1957 rrëfen për ‘Dita’ detajet e arratisjes së Gjeneralit Panajot Plaku…  

 

Zoti Servet! Ju jeni dëshmitar i arratisjes në Jugosllavi në maj të vitit 1957 të gjeneralit Panajot Plaku, atë kohë Ministër pa portofol?

-Po. Kam qenë dëshmitar i asaj ngjarje tepër të bujshme për kohën, ose më saktë, kam qenë një nga personat që di me hollësi pikënisjen drejt kufirit, vendin dhe mënyrën e kalimit të Gjeneralit Panajot Plaku në afërsi të piramidës 49.

 

Ku ishit dhe çfarë detyre kryenit ju në atë kohë?

-Unë isha ushtar i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në postën e kufirit. Ekzaktësisht isha efektiv i postës kufitare të Linit dhe kam qenë në atë natë një nga pjesëtarët e njësitit që ka verifikuar informacionin e shkeljes së kufirit nga toka jonë në tokën jugosllave(sot Maqedoni). Dua të shtoj se për Gjeneral Panajot Plakun, që ishte njohës i mirë i asaj zone e kufirit të vendit pasi kishte qenë Drejtor i Përgjithshëm i Kufirit të Shqipërisë, atë kohë, ekzistonte një respekt maksimal. Ndërsa unë kisha një respekt të veçantë.

 

Ju personalisht kishit njohje me Panajot Plakun?

-Nuk mund ta quaj njohje personale, por një kujtim tjetër i veçantë. Thashë më lart që unë isha ushtar i shërbimit në kufi dhe në atë kohë, para se të besohej shërbimi përgjatë kufirit, duhet të kryeje një kurs përgatitje profesionale. Këtë kurs, unë dhe shokët e mi e kryem në qytetin e Përrenjasit, nga ku u shpërndamë dhe në pikat kufitare të zonës Librazhd-Pogradec-Korçë. Në dhënien e dëshmive të përfundimit të kursit, në ceremoninë përkatëse, ishte i pranishëm dhe Gjenerali Panajot Plaku. Një në 2-3 kursantët që Gjeneral Panajot Plaku u dha dëshmitë e përfundimit të kursit, isha dhe unë… Ishte koincidencë që unë të isha me shërbim në atë postë kufitare, në postën e Linit, sektor në të cilin u arratis dhe Panajot Plaku. Janë thënë e shkruar shumë për atë arratisje të bujshme të Panajot Plakut… Shumica nuk qëndrojnë, nuk janë të sakta…

 

Si është e vërteta sipas jush?

-Thashë se janë shkruar shumë për këtë ngjarje, janë publikuar dhe gjyqe ku gjeneralë të ndryshëm e ministra, janë akuzuar si ‘armiq’, bashkëpunëtorë të Panajot Plakut dhe se e kanë ndihmuar të arratisej. Unë nuk i di këto, por di mirë si është arratisur Panajot Plaku në zonën e Qafë Thanës, atë mbrëmje të majit të vitit 1957.

 

Të kthehemi tek nata e arratisjes së Panajot Plakut?

-Ka qenë data 17 maj e vitit 1957. Kujtoj se ajo ditë ka qenë një nga ditët më të nxehta. Për ne kufitarët, ditët e shërbimit nuk ndryshojnë nga njëra-tjetra. Kufiri kishte një regjim të rreptë, strikt, shërbim në çdo pëllëmbë të kufirit, ditën e natën, me patrulla(njësite) të lëvizshme e vendvrojtime të përhershme. Kështu dhe ajo ditë. Por duke qenë ushtarak i lartë karriere, njeriu që kishte shërbyer e kishte drejtuar shërbimin e kufirit për një kohë të gjatë, Panajot Plaku e njihte dhe zonën e Qafë Thanës-Pogradec, pëllëmbë për pëllëmbë. Ai dinte dhe hollësitë më të vogla, rrugëkalimet e njësiteve, oraret e vendet e ndërrimit të shërbimit, si dhe ato ‘zona të zbuluara’ për disa minuta gjatë natës apo ditës. Pra, ai e njihte mirë kufirin dhe e dinte shumë mirë se kalimi i kufirit tokësor drejt Jugosllavisë ishte i vështirë. Ndaj, ai, siç ka dalë më vonë, fillimisht zgjodhi një rrugë, një variant tjetër për t’u arratisur…

 

Cili qe varianti i parë që zgjodhi Gjeneral Plaku për arratisje dhe pse u tërhoq nga ky variant?

-Varianti i parë i arratisjes ishte kalimi nëpërmjet liqenit të Ohrit me varkat e peshkatarëve. Dhe këtë plan, siç u mësua të nesërmen, ai e kishte përgatitur dhe tentoi që ta zbatonte. Por me sa duket, nuhati që kjo tentativë mund t’i sillte rrezik, ndaj priti natën dhe variantin e kalimit nëpërmjet kufirit tokësor…

 

Diçka më konkretisht në këtë drejtim? 

-Gjeneral Panajot Plaku, siç doli nga analizat e ditëve pas arratisjes, ishte nisur nga Tirana rreth orës 14:00 të datës 17 maj 1957 dhe rreth orës 17:00 ka mbërritur në Pogradec. Kur i ka thënë shoferit në Tiranë se do të nisemi, shoferi i ka kujtuar se duhej të lajmërohej dhe shoqëruesi. Se kështu ishte rregulli i prerë atëherë. Por Gjeneral Plaku i ka thënë: “Duhet të lëvizim shpejt, se kemi një urgjencë në Pogradec. Nuk na pret puna që të lajmërojmë e të presim tani shoqëruesin!” Thashë më parë, e në atë kohë, ai ishte Ministër pa Portofol. Fillimisht, Panajot Plaku nuk ka shkuar në Degën e Punëve të Brendshme të Pogradecit, në postat e kufirit(siç bënte dhe më parë) apo në institucionet shtetërore, por ka qëndruar në një pushim të shkurtër në minierën e Çervenakës. Këto që po them, i dëgjuam dhe në bisedat e ditës së nesërme të arratisjes së gjeneralit…

 

Çfarë ndodhi më pas në minierën e Çervenakës?

-Atëherë në qendrën e minierës kishte popullim dhe disa lokale. Gjenerali futet në lokal për të pirë diçka freskuese, por nuk pyet dhe as kërkon që të takojë ndonjë nga titullarët e minierës apo drejtuesit vendorë. Qëndron pak këtu, e pasi i jep disa të holla shoferit që të pijë diçka në lokal i thotë: “Ti më prit këtu deri sa të kthehem pasi do të iki se kam një takim urgjent në Degën e Punëve të Brendshme të Pogradecit. Makinën po e drejtoj vetë. Do të kthehem shpejt!” Por në fakt, gjeneral Panajot Plaku iku deri në qytetin e Pogradecit, por nuk ka shkuar në Degën e Punëve të Brendshme… Tentoi të realizonte variantin e parë të arratisjes…

 

Në çfarë mënyre do e realizonte dhe me kë?

-Panajot Plaku niset nga Pogradeci dhe nuk shkon në minierë ku la shoferin, por ndalon në Piskupat. Në këtë kohë, peshkatarët, pas lodhjes së ditës, po mbyllnin varkat e peshkimit, e po përgatisnin mjetet për mëngjesin e nesërm, për ditën e re të punës… Panajot Plaku takon një grup peshkatarësh, u prezantohet dhe u thotë: “Unë kam ardhur të pushoj këtu në Pogradec, jam anëtar i qeverisë. Kush është përgjegjësi i juaj?” –Unë jam përgjegjësi, -i përgjigjet njëri prej tyre. “–A ka mundësi që të më japësh dy peshkatarë që të bëjmë një xhiro në liqen me varkë dhe do të kthehemi shpejt?” -i thotë Panajoti përgjegjësit të peshkatarëve.

 

Si reaguan peshkatarët?

-Me korrektesë, por i kujtuan se një gjë e tillë nuk lejohej pa urdhër. –Për të bërë xhiro në liqen, duhet që të merret leje në postën kufitare të Udenishtit, -i kujton përgjegjësi i peshkatarëve. Panajoti këmbënguli se një kërkesë e tillë, për të nuk dukej me vend, pasi ai ishte ministër! Peshkatarët i konfirmuan gatishmërinë, por duhej patjetër urdhri nga posta kufitare. Në këto kushte, Panajoti, i nevrikosur, bile pa u përshëndetur me peshkatarët u largua. Dështoi arratisja e tij në Jugosllavi nëpërmjet Liqenit të Ohrit. Ndezi makinën dhe i dha gaz… Këtu nis zbatimin e planit për t’u arratisur nga ana e kufirit tokësor, pikërisht në zonën e Qafë Thanës…

 

Si e realizoi arratisjen Panajot Plaku?

-Pas konfliktit me peshkatarët dhe dështimin e arratisjes nëpërmjet liqenit, me shpejtësi, ai arriti në pjerrësitë e Qafë Thanës. Aty, tek kthesa e tretë, devijoi makinën nga aksi në anë të rrugës, ku për shkak të terrenit, nuk binte në sy. Nga aty, niset drejt vijës kufitare me Jugosllavinë. Në afërsi të piramidës 49, jo larg mullirit, kalon kufirin. Kalimi, nga vendi ku la makinën në kthesat e Qafë Thanës deri në tokën jugosllave, zgjati nga ora 19:00 deri në orën 19:30 të datës 17 maj të vitit 1957.

 

Si ka mundësi që ai të kalonte kufirin, ndërkohë që çdo metër e tij ishte nën vëzhgimin e shërbimeve të postës?

-Dihet, që ishte tepër e vështirë, drejt pamundësisë, të kalohej kufiri, veçanërisht në atë zonë ku shërbimi ishte i përforcuar. Por Panajot Plaku, siç thashë, e njihte kufirin pëllëmbë për pëllëmbë. Ai dinte dhe oraret e ndërrimit të njësiteve, vendin ku këmbeheshin, e hollësi të tjera. Ndaj, ai, kaloi kufirin pikërisht në momentin që në atë vend ku doli në tokën jugosllave, njësitet ishin pak metra më tutje për ndërrimin e turneve…(Vijon nesër)

 

 

KUSH ËSHTË SERVET TARTARI

Foto0086Servet Tartari u lind në 13 shkurt të vitit 1938 në Bolenë të Vlorës. Është me profesion ekonomist. Prej vitesh është në pension. Ka kryer detyra të rëndësishme në institucione të rëndësishme të vendit, ku për një kohë të gjatë, ka punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përkatësisht në Drejtorinë e Shfrytëzimit të mjeteve të transportit. Njëkohësisht, ai njihet si publicist e shkrimtar me një prodhimtari të konsiderueshme. Tartari është autor i librave “Bolena në sportin shqiptar”, “Në prushin e vëllazërimit”, “Kujt i flas”, “Rritur në sytë tanë”, “Asim Aliko-legjendë”, “Petrit Murzaku, krenaria e sportit shqiptar”, etj… Njëkohësisht, Tartari është skenarist i katër  filmave dokumentar, përkatësisht, “Bolenë, trimja Bolenë”, “Aty ku lindin kampionë” dhe “Legjenda Murzaku…”. Për kontributin e tij në publicistikë, Servet Tartari ka marr një sërë mirënjohjesh zyrtare.

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Rrëfimin e Servet Tartarit: Njoftimi në postë i peshkatarëve lidhur me kërkesën e ‘shëtitjes me varkë’ të Gjeneral Panajot Plakut dhe alarmi i dhënë në zonën kufitare Qafë Thanë-Tushemisht për ruajtjen e vijës kufitare me fqinjët.

-Si u verifikua mënyra dhe vendi i arratisjes së Gjeneral Plakut dhe shenjat që u gjetën mëngjesin e të nesërmes në afërsi të piramidës nr. 49.

-Ardhja me urgjencë e Kadri Hazbiut në Pogradec së bashku me këshilltarin sovjetik për të analizuar ngjarjen e rëndë dhe debati mes tyre. Pse refuzoi Kadri Hazbiu dhënien e masave për oficerët e kufirit në Pogradec lidhur me këtë ngjarje.

Kujtim Boriçi March 18, 2013 13:06
Komento

6 Komente

  1. shqiptar March 18, 15:00

    Nje te tillë Panajot kemi ne ne kryeministri. Agjent ai agjent ky po e keqja qe ky eshte gjalle dhe sundone ne Shqiperia ndersa ai ka ngordhur ne Beograd si qen.

    Reply to this comment
  2. Sazani March 18, 19:35

    Duket qe Shqiptari nuk thellohet dot ne analize dhe aresyeton mekanikisht. Panajot Plaku ka qene nje personalitet i shquar i luftes Antifashiste dhe komunist i ndershem idealist-jo si felliqesira Sali,sic thua.Enveri nuk i donte keta komuniste dhe ja kishte bere gati gropen sic ja beri me pare edhe vellait te tij.Gropen P.P.SH. dhe krimet i beri Enveri me lakejte qe mbante prane…..

    Reply to this comment
    • andrea March 18, 21:54

      Ku eshte ndryshimi midis “idealistit” dhe “komunistit te ndershem” Panajot Plaku, qe gjeti strehe per “idealizmin” e vet dhe “ndershmerine” tek Jugosllavia e Titos, dhe Sali Berishes qe i sherben ne distance ish-Jugosllavise se Titos: Serbise se sotme?
      Ka plot te tille si ty Sazan, qe me qellim bejne konkluzione te deformuara, duke hedhur balte mbi figurat qendrore te asaj periudhe.
      Panajot Plaku u arratis per arsye qe nuk shkruhen ne kujtimet e kufitarit, llogjikshem sepse kaq din Ai, ndersa me plot interes pres te lexoj neser “arsyet” pse u akuzua si bashkepuntor ne kete aratisje te P.Plakut, ish ministri Kadri Hazbiu, te gatuara keq prej veglave te Ramiz Alise dhe Hekuran Isait.

      Reply to this comment
  3. Sazani March 18, 23:00

    Me tyj Andrea nuk dua polemike se e shoh qe kemi kultura te ndryshme politike.”Hidhet balte mbi figurat qendrore te kohes”..!Po ta them troc:Jane ato te ushtuquajtura figura qendrore qe varrosen idealet e luftes dhe u dorezuan celsat e shtetit pleherave si Sali Berisha.

    Reply to this comment
  4. Andrea March 18, 23:38

    Gabohesh Sazan, Ramiz Alia nuk eshte figure qendrore e Kohes, sepse ka qene gjithmone nen sqetull te Figurave te Kohes dhe kurre ne jeten e vet nuk kreu detyra per tu quajtur figure qendrore apo burre shteti. Fakti tregoi se ne rast se Ai “vuri me shpatulla pas murit” Mehmet Shehun qe me qendrimin e tij tolerant ndaj te birit donte te kthente kapitalizmin ne Shqiperi, ishte vete Ai se bashku me te bindurit e tij H.Isaj, F.Cami, Besnik Bekteshi, Pali Miska, Muho Asllani dhe me te rrinjte Sali Berisha, FatosNano, Sabri Godo, S.Gjinushi, Ilir Meta, H.Milloshi, Muharem Xhafa e tj. qe vendosen Kapitalizmin ne Shqiperi, duke kryer nje permbysje teper dinake te Pushtetit te Popullit te mare nepermjet grykes se pushkes dhe njekohesisht te varferimit shume planesh te shumices se Popullit, viktime e kesaj permbysjeje.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*