Ish-shefi im shëtit me kone

August 22, 2018 13:21

Ish-shefi im shëtit me kone

 “Zot, na ruaj nga bijtë e shefave tanë, shefat e ardhëshëm të bijëve tanë…”

Nga  Naun  Kule                                                

Ja, pra; ish shefi im shëtit. Vazhdon (çuditërisht…!?) të parfumos trotuaret duke përcjellë tek të  njohurit  buzëqeshjen babaxhane, e cila bashkë me kostumin “Firmato”, ia fshehin  disi të tetëdhjetat.  Shefi im ka shëtitur gjithë jetën.

Veçse dikur e shoqëronin para-mbrapa plot sejmenë, çirakë dhe këpucëfshirës që e shlodhnin, e freskonin, e… thoshnin se shpesh shëtiste   dhe me koketa. Prapa perdeve të trasha të makinës së zezë a zyrave komode, ato kakarisnin dhe betoheshin për kokën e shefit tim…

Por koketat vanë dhe bashkë me to, edhe koha kur  i ndiqte, edhe koha kur e ndiqnin.  Tani e ndjek vetëm…koneja.! E gjora kafshëz! Sikur ta dijë cilin shoqëron, cilin gëzon e ndjek pas…Do kish marrë vrapin e zagarit dhe, me të katra, do sulej drejt qenërisë së vet për t’i çuditur dhe ata me  hatanë që e kishte zënë…T’u rrëfente e rrëfente bëmat e të zot, për gjithë ata njerëz që kthenin kokën dhe përqeshnin sa herë këta dilnin rrugëve të qytetit. Cilin përqeshnin ata? Qenin apo të zotin? Të dy?…Ç’faj kishte qeni?

Të zotit le t’i  shfryheshin e t’i zbrazeshin me gulçë e shkumë, mor po edhe me  grusht a shqelm, siç e kishte hak…! Veçse ashtu vëngër dhe urrejtëshëm të mos i shihnin më…! Ato s’i duronte dot qeni…Sa herë sytë e dikujt mbeteshin mbi ta, qenushi mbante këmbët. Ia xixëllonte sytë dhe i skërmitej, si t’i gatitej për sulm.

Por zinxhirka e të zot e tërhiqte si ta merrte me të mirë dhe në mbrojtje nga kalimtarët inatçorë…I zoti, as që e vret mendjen të kujtojë njeriun apo ngjarjen që skërmiti qenin. E ç’të kujtojë më parë? Por, edhe në i kujton, kujt mund t’ia thotë? Shumë nga bëmat  e tij s’i thuhen as vetes… Se, nuk i beson njeri; çudisin të madh e të vogël…

I ulur në lokalin e tij të preferuar, shefi frruq kafenë tërë lezet dhe karshillëk. Punëmbaruar, mendjembledhur dhe i kënaqur në gjithçka. Me buzëqeshjen e babaxhanit, përkëdhel me dorë dhe fjalë mikluese qenushin. E ushqen me përkujdesje dhe aq dashuri sa kafsha e urtë ia shpërblen qenërisht; i lëpin duart…!

Klientët i shkelin syrin shoshokut dhe…Kujtesa e secilit shkon larg. “Ky xhahil i njerëzve, kaq i dashur me qentë…!?” Ndonjeri kujton edhe filozofin:”…Kur njoha mirë njerëzit, desha më shumë kafshët”

Më thuaj me kë rri, të them  cili je…!

Është e vërtetë që shefi im i ka njohur mirë njerëzit. Qindra njerëz kanë shkelur  majë gishtave në zyrat e kadifenjta të këtij njeriu.  Dhe ky i dëgjonte…(apo bënte sikur…?), i mashtronte, i shante, i fyente sa i bënte të qanin me ulurimë, me kuje dhe oiii!  Kurse ata…!? Çuditërisht prap e nderonin. Besonin të gjorët, besonin tek…Çudi e madhe punë e njeriut! E pra, mes gjithë këtyre njerëzve, shefi im kërkoi atë, shokun e vet…vetveten. Mezallah se e gjeti. Në tërë ata njerëz që njohu ndër vite, që priti e përcolli në zyrat e shumta nga hyri e doli, s’e gjeti që s’e gjeti një si veten… Një që t’i ngjante në gjithçka donte dhe bënte ky njeri. Në çka dha e mori mes njerëzve nga erdhi, nga soji dhe sorolloipi që e polli dhe e mburri gjer në sëmundje.

S’gjeti që s’gjeti  të dytë si veten…!

Tani duket i kënaqur, i gëzuar sepse ndjehet i tëri, (edhe djemtë po i shkelin në gjurmë…Zot, na ruaj nga bijtë e shefave tanë, shefat e ardhëshëm të bijëve tanë…!) Ndaj ndjehet i qetë e i sjellshëm, terë edukatë dhe mirësi. As shan më, as kërcënon, as burgos njeri…

I dashur dhe i urtë si i shënjtë. Ndaj ka arsye të shëtisë, të gëzohet të luajë e përkëdhelet me aq  dhimbsuri me mikun e vetëm që i ka mbetur…konen!

Kërkoi e kërkoi dhe ja, e gjeti veten në sojin e qenërisë.

I gjori qen…! Fale o zot; është kafshë dhe s’di ç’bënë…!

 

August 22, 2018 13:21
Komento

6 Komente

  1. Bashkekohesi August 22, 15:48

    Eshte kenaqesi kur shihesh ne pasqyre- VETEN.
    Shkrim per cmim…
    Bashkekohesi.

    Reply to this comment
  2. brahimi August 22, 16:52

    ooooo Naun po moshe ke ti te shkruash te tilla idiotizma ,

    Reply to this comment
  3. kujtese August 22, 17:08

    shkrim prej bythelepiresi ky Naumi qe ska lene pa lepire e pa i shkuar pas ketyre qe pershkruan ne kete qelbsillik

    Reply to this comment
  4. shipska August 23, 16:03

    ME SHUME SE ÇDO GJE ME TREMB INJORANTI, QW MENDON SE BEN GJERA INTELIGJENTE!

    Anatol Franc

    Reply to this comment
  5. Mehmet Metaj August 23, 18:06

    Gete qe ai qe tha: “sa me shume i njoh njerezit aq me shume i dua kafshet”…urime i dashur Naun per shkrimin semantik

    Reply to this comment
  6. Alban August 24, 13:49

    Naun Myzeqari eshte akoma i traumatizuar nga ish-shefi i tij, sa as tani nuk guxon t’ia permende emrin…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*