Ish të përndjekurit fajësojnë Berishën: Liraku vdiq nga indiferenca

November 4, 2012 19:19

Ish të përndjekurit fajësojnë Berishën: Liraku vdiq nga indiferenca

Spartak Ngjela kërkon ndihmën e PS-së për ta kthyer në protestë homazhin për Bejkon

Ish të përndjekurit që zhvilluan grevën e urisë pak ditë më parë, janë të revoltuar me kryeministrin duke e bërë përgjegjës për vdekjen e shokut të tyre Lirak Bejko. Ata kërcënuan me akte të tjera vetëmohuese për shkak të shurdhërisë së qeverisë, ndërsa kanë qenë për ngushëllim në familjen Bejko. “Na ka tronditur dhe na ka dërmuar kjo ngjarje. Edhe kjo qeveri. Kjo është një politikë e papërgjegjshme, po tregon indiferencën e saj”, ka thënë një ish-i përndjekur. “Kjo është një humbje për të gjithë shqiptarët, pasi Lirak Bejko ishte një njeri i përgjegjshëm dhe protestoi për të drejtat e tij. I themi kryeministrit Berisha, se ti je përgjegjësi numër 1 për vdekjen e Bejkos”, ka thënë kreu i shoqatës, Skënder Tufa. Miqtë e Lirak Bejkos, mes shprehjes së dhimbjes për humbjen e tij kujtojnë torturat e rënda në kohën e komunizmit. Ata i krahasojnë torturat çnjerëzore të komunizmit të kryera ndaj tij si të njëtrajtshme me mungesën e dëmshpërblimit të punës apo të një jete më të mirë, për të cilën ai ndërmori aktin e vetëflijimit. Por ndërsa trupi pritet të vijë të martën në mbrëmje, vetë të përndjekurit janë duke u përballur me një tjetër rezistencë nga komiteti i integrimit. Kreu i Institutit të të Përndjekurve Simon Miraka është shprehur se do të vendos kryesia nëse do të lejohet që ceremonia mortore të bëhen në ambientet e institucionit që ai drejton.

 

Ngjela: Bëj thirrje për protesta

Një ish i burgosur politikë i cili tashmë është kryetar i një partie ka bërë thirrje për protesta popullore për të kundërshtuar qëndrimin e qeverisë. Spartak Ngjela ka kërkuar dhe ndihmën e Partisë Socialiste të mbështesë protestën e të përndjekurve politikë. “Lirak Bejkos duhet ti bëhet një funeral gjigant. Duhen marrë të gjitha masat ti tregohen forcat një qeverie kriminale. Cila ka qenë arsyeja e urrejtjes që paraqiti qeveria aktuale kundrejt një proteste demokratike që kërkonte të drejtat e saj. A ka lidhje mes të vrarëve të 21 janarit dhe vdekjes me vetëflijim të të përndjekurit Lirak Bejko? I bëj thirrje opozitës të mbështesë frymën popullit opozitar dhe të marrë në dorë seriozisht këtë çështje e cila nga rrethanat e shkaktuara është nj fakt historik i pakontestueshëm”, u shpreh kreu i PLD-së.

 

BBC, kronikë për vdekjen e Bejkos

BBC i kushton një kronikë vdekjes së Lirak Bejkos. Në lajmin e gjigantit britanik thuhet se ai ishte ndër 20 ish-disidentët që filluan një grevë urie në lidhje me kompensimet në muajin shtator.
Në datën 10 tetor, 47 vjeçari Lirak Bejko u vetëdogj dhe u dërgua në një spital në Bari të Italisë. Pasi përmend ligjin për kompensimin e ish-të përndjekurve, BBC shkruan se qeveria shqiptare nuk pranoi të bisedonte me protestuesit, duke thënë se veprimi i tyre ishte i motivuar politikisht. Përpara vdekjes së tij, zoti Bejko, shkruan BBC, i cili pati djegie trupore në 50 për qind, në një intervistë nga spitali kërkonte që ish-disidentët të vazhdonin protestën e tyre, por të mos ndiqnin  shembullin e tij. BBC citon edhe Skënder Tufën, kryetarin e Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë të ketë thënë se vetësakrifikimi i Bejkos dhe i ish-grevistit tjetër të urisë Gjergj Ndreca, ishin akte dëshpërimi nga njerëz që ai i cilësoi si “kufoma që ecnin në këmbë të privuara nga çdo dinjitet”. Greva e urisë u mbyll pasi gjendja e shëndetësore e disa prej pjesëmarrësve u rëndua së tepërmi, shkruan BBC që thekson se dhjetëra mijëra vetë u ekzekutuan dhe burgosën nëpër kampet e punës gjatë sundimit komunist prej disa dekadash të udhëheqësit stalinist Enver Hoxha.

Vdekja e Bejkos, partitë nisin sherrin për të fajësuar njëra-tjetrën

Ashtu siç ndodh rëndom tashmë në Shqipëri kur ka ngjarje tragjike, partitë kanë nisur të kapin podiumin e konferencave për të fajësuar njëra tjetrën. Ishte fillimisht Partia Demokratike e cila qeverisë vendin, që ka fajësuar PS-në për vdkejn e ish të përndjekurit, Bejko. Partia Demokratike ka dënuar organizimin dhe përdorimin politik të këtij akti dhe i thotë kreut të PS-së se Bejko vdiq për përfitim elektoral për partinë Socialiste. “Kjo dramë u finalizua sërish nga Z.Rama dhe kupola e PS me organizimin kundrejt pagesës për qëllime politike të grevës, vendosjes në krye të saj të kriminelëve dhe terroristëve si Tufa dhe Shqevi, djegies për së gjalli për qëllime politike nga Perikli Shqevi të Gjergj Ndrecës, selektimit mbi bazën e kartelës shëndetësore të të ndjerit Lirak Bejko dhe dërgimit direkt te ai me shishet e ujit të shishes së benzinës, duke besuar se flakët që do digjnin trupin e tij do shndërroheshin në vota për karrigen e Ramës” thuhet në deklaratën e PD-së. Ndërsa lideri i opozitës ka reaguar duke u shrehur se ndjen neveri për fjalët e kryeministrit. “Neveri për fjalët e KM mbi vdekjen tragjike të Lirak Bejkos – viktimës së pafajshme të arrogancës dhe indiferencës shtetërore. I lehtë dheu”! Ky ka qenë reagimi i kryesocialistit Edi Rama menjëherë pas deklaratës së PD lidhur me vdekjen e ish të përndjekurit politik Bejko.

 

PS: Berisha çoi në fund amanetin e komunizmit

Partia Socialiste përmes kryetares së grupit të PS-së për të përndjekurit politik, Keti Bazhdari, u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe të afërmve të ish të përndjekurit Lirak Bejko, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë. Bazhdari akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Berisha për indiferencë ndaj tij dhe privimin nga e drejta për dialog. “Është e vështirë të gjesh fjalët për të përshkruar tronditjen që ndjen çdo shqiptar përballë kësaj tragjedie që mund të ishte shmangur shumë lehtë nëse qeveria e kryeministri do të kishte bërë gjestin më elementar për një shtet që pretendon të jetë demokratik: të ulej e të dialogonte. Le ta gënjenin po t’i thoshin një fjalë të mirë që të dilte nga greva, tha dje nëna e Lirakut. Po në vend të fjalës së mirë, prej qeverisë e Kryeministrit Liraku mori veç sharje, shpifje e baltë. Liraku nuk kishte asnjë nga cilësimet e kryeministrit, e aq më pak të ishte një njeri i paguar që kish marrë përsipër misionin për të zbritur Sali Berishën nga kali,” u shpreh Bazhdari.

 

Totozani ngushëllon familjen Bejko

Me rastin e vdekjes së Lirak Bejkos ka shprehur ngushëllimet dhe Avokati i Popullit, Igli Totozani. “Avokati i Popullit mësoi për ndarjen e parakohshme nga jeta të zotit Lirak Bejko, pas një periudhe trajtimi shëndetësor ndaj plagëve të marra nga një akt dëshpërimi vetëflijues. Avokati i Popullit shpreh dhimbje dhe trishtim për këtë fund tragjik të jetës së këtij qytetari dhe në të njëjtën kohë i shpreh familjes së tij, vajzave, nënës dhe bashkëshortes ndjenjat e solidaritetit njerëzor në këtë moment të vështirë të kësaj humbjeje të madhe për ta,” thuhet në komunikatën e Avokatit të Popullit.

 

Topi nis aktivitetin me një minutë heshtje

Kreu i FRD-së takimin me strukturat në Berat e ka nisur me një minutë heshtje në nderim të ish të dënuarit politik, Lirak Bejko, i cili humbi jetën dy ditë më parë pas plagëve të marra nga vetëdjegia me benzinë. Topi tha se Bejko ishte i përndjekur në kohën e komunizmit, po ashtu edhe në tranzicion.

 

 

 

 

Erion Habilaj

November 4, 2012 19:19
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*