Ish-yjet e televizionit bëhen bashkë, arsyeja madhore që i bëri të heqin dorë nga ekrani

October 30, 2017 12:04

Ish-yjet e televizionit bëhen bashkë, arsyeja madhore që i bëri të heqin dorë nga ekrani

Ish yjet e televizionit janë bërë të gjitha bashkë në studion e “Pasdite në Top Channel” dhe kanë treguar arsyen e vërtetë se përse hoqën dorë nga ekrani dhe me çfarë po merren tani.

Shumë prej tyre i janë përkushtuar mëmësisë, dhe shprehen se televizoni nuk u linte hapësirë për të shijuar rritjen e fëmijëve të tyre.

Dhe bëhet fjalë për Jona Kuken, Esmeralda Mulën, Fatjona Hysin, Estela Ujkën, Eriona Shehun dhe Jeta Toçilën.

Bukuroshet shiptare për vite me radhë kanë qenë imazhet që i shikoje në televizor çdo ditë, por prej disa kohësh janë larguar nga ekrani.

Esmeralda Mulaj ka 6 vite që është shkëputur nga ekrani, por pas lindjes së vajzës së parë ajo vendosi të ndryshonte. “Zgjodha prapë lajmin, por në një këndvështrim tjetër të lajmit, që të kisha pak më shumë kohë për rritjen e vajzës”, tha Esmeralda. “Është një përkushtim shumë i madh, është një angazhim shumë i madh të merresh dhe ta ndash kohën me fëmijën tënd. Televizioni nuk më linte shumë kohë sepse përveçse gazetares së terrenit, jepja edhe edicionet e lajmeve”, shton ajo.

 “Të vjen shumë mirë kur njerëzit të njohin, shumë njerëz më thonë që duhet të kthehesh direkt në ekran”, thotë Esmeralda. Ajo tani është një mami me kohë të plotë, dita e saj është me të njëjtën ngarkesë, fëmijët në shkollë, punët e shtëpisë, kurset e tyre, aktivitetet e argëtimit etj. Ndërkohë që ruan kujtime shumë të bukura nga koha e punës në televizion. “Kur një ditë të bukur shikoj që qëndroj afër Tefta Radit dhe gjithë spikereve të tjera, ndjehesh mirë”, thotë Esmeralda.

Jona Kuke, pas 20 vitesh eksperiencë televizive, tani ka 5 vite që është mami me kohë të plotë. “Vij nga një karrierë e përmbushur dhe kur u bëra nënë, thashë që dua t’i përkushtohem fëmijëve të mi”, tha Jona.

Ndërkohë, duket se çdo moment i saj është i mbushur me emocione. “Ndjeva shumë emocione edhe për ftesën sot dhe kam ndjerë emocione nga transmetimi i parë deri te i fundit”, tregon Kuke. Ajo e provoi edhe pas lindjes së djalit të vijonte punë në televizion, por pas ardhjes së vajzës tha se nuk ia dilte dot.

Eriona Shehu, një ndër folëset e lajmeve më të vjetra, u largua nga Top Channel disa vite më parë për t’iu përkushtuar profesionit të saj, mjekësisë. Në bisedë me Jonida Shehun, ajo tregoi se në punën e saj e pyesin njerëzit kur do të kthehesh në televizion.

“Mbaj mend një rast, një zotëri më pyeti, “po ti, kur do të kthehesh në TV për të dhënë lajmet?”  Po të pyes sepse babai im nuk dëgjon mirë, por vetëm ty të kuptonte kur jepje lajmet”, tregoi me humor ish-folësja e lajmeve në Top Channel. Tashmë ajo është mjeke me kohë të plotë, megjithëse televizioni për të vazhdon të jetë një dashuri e madhe.

Jeta Toçila ka qenë një spikere lajmesh në Koha TV, Shijak TV dhe Vizion Plus.

“U tërhoqa nga televizioni sepse doja të isha në profesionin tim si psikologe, por mua nuk më mungon televizioni sepse edhe si profesioniste dal në televizion”, thotë Jeta.

“Nuk është se e lashë televizionin prej fëmijëve, por prej profesionit, punoj si koordinatore në Prokurorinë e Përgjithshme dhe është një pozicion që është hapur për herë të parë në Shqipëri, ndaj kam shumë sfida përpara”, tregoi Toçila.

Fatjona Hysi, është ajo që të gjithë e mbajnë mend si “Pipiçorapegjata”. Sot, ajo ka një jetë krejt tjetër, larg televizionit dhe e përkushtuar te familja e saj. “Unë kam nisur të dal në televizor që në moshën 6-vjeçare. Jam rritur në televizion dhe e kam dashur shumë gjithmonë”, tha Fatjona.

Fatjona e braktisi televizionin në vitin 2000 për t’iu përkushtuar karrierës dhe familjes, megjithëse thotë se ndonjë ofertë mund ta rikthente sërish. “Unë kam dy vajza. Aktualisht jam edhe pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale. Nëse do të kisha një ofertë, pse jo mund ta konsideroja për tu rikthyer sërish në ekran”, rrëfen Fatjona.

Estela Ujka kujtohet me shumë nostalgji nga emisioni “Netë Vere”, spektakël që shoqëronte dikur të shtunat. Ajo ishte vetëm 19 vjeç kur nisi prezantimin në televizion. “Në atë periudhë ndiqja studimet pranë Fakultetit të Ekonomisë. Si pa kuptuar, kaluan plot 5 vite në ekran”, thotë Estela, e cila u bë një ndër vajzat më të dashura për publikun.

Më vonë, vendosi të shkëputet dhe nuk u rikthye më. Sot ajo punon në bankë dhe  është një zonjë që influencon shumë femra për stilin që ka. Blogu i Estelës “Sharminstyle” përditësohet me veshje dhe shkrime gati çdo ditë. Përveç punës dhe blogut, ajo kalon shumë kohë pranë familjes që, siç thotë, është pasuria e saj.

October 30, 2017 12:04
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim