ISHP: Ajri i ndotur shton rrezikun për ishemi cerebrale

July 18, 2018 17:29

ISHP: Ajri i ndotur shton rrezikun për ishemi cerebrale

 

Ajri i ndotur është një ndër faktorët më të shpeshtë që po ndikon në shtimin e sëmundjeve neurologjike, e veçanërisht të rasteve me ishemi cerebrale. Studimet e kryera nga ekspertët e shëndetit gjatë viteve të fundit tregojnë gjithnjë e më tepër rrezikun që shfaqet në shëndetin e trurit tek personat që janë të ekspozuar për një kohë të gjatë në kushtet e një ajri të ndotur.

Ndonëse moshat e treta rezultojnë të jenë ndër më të rrezikuarat nga këto ndërlikime, vëzhgimet tregojnë se së fundmi rreziku për sëmundje neurologjike po shfaqet edhe tek moshat më të reja.

Në prag të “Ditës Botërore të Trurit” (22 korrik), ekspertët e shëndetit publik vënë në dukje ndikimin që ka ndotja e ajrit në shëndetin e trurit, teksa apelojnë për më shumë kujdes në diagnostikimin e hershëm të këtyre sëmundjeve.

“Tema e këtij viti është: “Ajër i pastër për një mendje të shëndetshme” dhe ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për sëmundjet neurologjike të shkaktuara nga ajri ndotur. Vitet e fundit, efektet e ndotjes së ajrit në shëndetin tonë kanë krijuar një interes në rritje, sidomos nga institucionet ndërkombëtare të cilat japin të dhëna mbi sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë”, bëjnë me dije ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik.

Vdekshmëria e shkaktuar nga ndotja e ajrit
Referuar të dhënave të bëra publike në lidhje me vdekshmërinë të cilat i atribuohen ajrit të ndotur, strukturat ndërkombëtare të shëndetit konfirmojnë se bëjnë fjalë për rreth 12 milionë vdekje çdo vit në mbarë botën.

Këto vdekje shkaktohen nga sëmundjet e zemrës, siç është infarkti i miokardit apo insuficienca kardiake kongjestive, shkaqet neurologjike, si: ishemia cerebrale, sëmundjet e mushkërisë dhe kanceri. Përveç ishemisë cerebrale, ndikimi i ajrit të ndotur në tru përbën një shqetësim gjithnjë e më shumë në rritje, situatë e cila e cila kërkon vëmendje më të madhe.

Ndotja e ajrit më shpesh ndodh nga grimcat e pluhurit, si dhe nga gazrat që çlirohen nga karburantet e automjeteve, të cilat ndikojnë negativisht në sistemin nervor të njeriut. Bluzat e bardha thonë se niveli i lartë i ndotjes së ajrit lidhet me një sërë sëmundjesh degjenerative të trurit, të cilat jo vetëm janë shtuar në vendin tonë, por kanë prekur edhe moshat më të reja.

Ndikimi i ajrit të ndotur në shëndetin e trurit
Po sipas ekspertëve të shëndetit, studimet e fundit kanë treguar se ajri i ndotur është një rrezik për shtimin e ishemisë cerebrale, që ka të bëjë me atë që në gjuhen e përditshme njihet si goditje e trurit, e cila shkaktohet nga mungesa e furnizimit me gjak dhe oksigjen të trurit. Ndërkohë që pasojat e kësja sëmundjeje janë tepër të rënda.

“Studimi i fundit mbi ‘Barrën e Sëmundjeve në Botë’ pasqyron një hulumtim të të dhënave ndërmjet viteve 1990 deri në vitin 2013 nga 188 vende ku vërtetohet se, ajri i ndotur ndikon në 30 për qind të të barrës (shkaqeve) të ishemisë cerebrale. Efektet e dëmshme të ndotjes së ajrit janë më të theksuara në vendet me zhvillim të ulët dhe të mesëm, në pacientët vulnerabël me faktorë të tjerë rreziku për sëmundje të zemrës, si dhe në pacientët me episode të mëparshme ishemie cerebrale”, bëjnë me dije ekspertët e ISHP-së.

Më tej këto burime vënë në dukje se ishemia cerebrale është shkaku kryesor i handikapeve motorike. Ajo renditet e dyta në shkaktarët e vdekjeve të personave mbi 60 vjeç, është një nga shkaqet kryesore të shtrimeve në spital dhe një faktor rreziku për zhvillimin e sëmundjes së demencës.

Për të reduktuar mundësitë e ndodhjes së aksidenteve cerebrovashkulare, mjekët thonë se krahas ndotjes së ajrit ju duhet të kontrolloni edhe faktorë të tillë si: hipertensioni arterial, diabeti, duhanpirja, të reduktoni konsumimin e alkoolit, si dhe të mbani nën kontroll peshën trupore. Këta faktorë që mund të modifikohen mirë përmes një stili jetese të shëndetshëm dhe një kujdesi të mirë të ndjekur vazhdimisht nën vëzhgimin e mjekut të familjes.

“Lista e efekteve të shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe ambientit është gjithnjë në rritje. Çrregullimet neurologjike dhe neurodegjenerative, ndoshta edhe sëmundjet neuroinflamatore, mendohet se shkaktohen si pasojë e ndotjes së ajrit”, bëjnë me dije ekspertët e ISHP-së.

Nga se ndodh ndotja e ajrit
Ajri i ndotur ndodh si pasojë e ndotjes së tij nga mikrogjallesa të dëmshme për organizmin tonë, të tilla si: polenat, bakteret dhe toksinat, si dhe nga përbërës kimikë të krijuar nga njeriu, ose me origjinë natyrore.

Ekspozimi afatgjatë ndaj niveleve relativisht të larta të disa kimikateve, që janë të pranishme në ajër në ambientet e punës, kanë shkaktuar dëmtime të sistemit nervor gjatë shekullit të fundit. Krahas ajrit të ndotur në ambientet e punës (ekspozimi i personelit shëndetësor ndaj kimioterapisë) është rritur shqetësimi ndaj ajrit të ndotur edhe në natyrë (kontaminimi biologjik i sipërfaqeve ujore në botë).

Lidhur me pyetjen se cilët janë ndotësit e ajrit, autoritetet e ISHP-së thonë se natyra kimike e ndotësve të ajrit është komplekse dhe e ndryshueshme. “Disa gazra, si dioksidi i karbonit dhe metani, emetohen në mënyrë të natyrshme nga shpërbërja e plehrave organike. Shumica e përbërësve të ndotjes së ajrit krijohen nga njeriu”, vënë në dukje ekspertët e ISHP-së.

Burimet parësore të ndotjes së ajrit
Ndërkohë që janë disa burime natyrale që ndotin ajrin, të tilla si: shpërthimet vullkanike apo zjarret, shumica e ndotjes shkaktohet si pasojë e aktiviteteve njerëzore.

Burimi kryesor i ndotjes ndodh si pasojë e përdorimit të gjerë të hidrokarbureve për prodhimin e energjisë për industrinë, transportin, kontrollin e temperaturave atmosferike (ngrohje dhe ftohje). Aktivitete të tjera, të tilla si puna në agrokulturë, mbarështimi i gjësë së gjallë, shkatërrimi i pyjeve, janë faktorë shtesë në ndotjen e ajrit. /DITA

 

 

p.k/dita 

July 18, 2018 17:29
Komento

1 Koment

  1. Arben July 19, 05:21

    E gjetet vete, apo u tha njeri kete???!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*