ISHP: Ja si mund të parandalohet fruthi

September 7, 2018 10:13

ISHP: Ja si mund të parandalohet fruthi

 

Nga Pranvera Kola

Fruthi shkaktohet nga një virus i cili është shumë ngjitës. Ky virus infekton aparatin e frymëmarrjes dhe përhapet nëpërmjet spërklave nga hunda, goja ose nga fyti i personave të infektuar gjatë kollitjes, teshtitjes, si dhe nga kontakti i ngushtë personal ose kontakti i drejtpërdrejtë me sekrecionet e infektuara të hundës ose të fytit.

Virusi mbetet aktiv dhe ngjitës në ajër ose në sipërfaqet e infektuara deri në 2 orë. Ai mund të transmetohet nga një person i infektuar 4 ditë para fillimit të shpërthimit të puçrrave si dhe deri në 4 ditë pas shpërthimit të tyre.

Për të parandaluar fruthin, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon vaksinimin e të gjithë fëmijëve si dhe të rriturve që janë në rrezik për t’u infektuar, për të cilët kryerja e vaksinës së fruthit nuk është e kundërindikuar. Vaksinimi kundër fruthit për fëmijët, sipas Kalendarit Bazë të Vaksinimit, është mbrojtja më e mirë për parandaluar fruthin si dhe për të ulur rastet e vdekjeve nga fruthi.

Autoritetet e ISHP-së thonë se vaksina kundër fruthit është përdorur qysh në vitet 1960, dhe është e sigurt dhe efektive.  Në nivel global vdekjet nga fruthi janë zvogëluar mjaft vitet e fundit për shkak të aplikimit të vaksinës. Vaksina e fruthit aplikohet së bashku me vaksinën kundër rubeolës dhe shytave. Për të siguruar mbrojtje të sigurt dhe për të parandaluar shpërthimet rekomandohen të bëhen dy doza të vaksinës. Kjo sepse rreth 15 për qind e fëmijëve të vaksinuar nuk fitojnë imunitet nga bërja vetëm e dozës së parë.

Fakte që duhet t’i dini rreth kësaj sëmundjeje

  • Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse virale.
  • Në vitin 2016 rreth 7 milionë njerëz janë prekur nga fruthi.
  • Në mbarë botën mbetet një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve te fëmijët e vegjël. Vaksina kundër fruthit është përdorur që në vitin 1960, dhe është e sigurt dhe efektive. Gjatë periudhës 2000-2016, vaksinimi i fruthit parandaloi rreth 20.4 milionë vdekje.
  • Në nivel global vdekjet nga fruthi janë zvogëluar 84 për qind në vitet e fundit.;
  • Fruthi transmetohet nëpërmjet spërklave nga hunda, nga goja ose nga fyti i personave të infektuar
  • Forma e rëndë e fruthit ka më shumë gjasa të shfaqet te fëmijët e vegjël që janë të kequshqyer, veçanërisht ata të cilët kanë mungesë të vitaminës A ose sistem imuniteti të dobët.
  • Ndërlikimet më të rënda përfshijnë verbim, infeksion të trurit, diarre të rëndë, dehidratim dhe infeksione të rënda respiratore, si pneumonia.
  • Për të parandaluar fruthin, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon imunizimin e të gjithë fëmijëve dhe të rriturve që janë në rrezik për t’u infektuar, për të cilët kryerja e vaksinës së fruthit nuk është kundërindikuar.
September 7, 2018 10:13
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*