Ushqyerja me gji dhe Covid-19, gjithçka duhet të dinë nënat

August 1, 2020 11:55

Ushqyerja me gji dhe Covid-19, gjithçka duhet të dinë nënat

Ushqyerja vetëm me gji në gjashtë muajt e parë të jetës njihet tashmë për përfitimet e jashtëzakonshme që ka si te nëna, ashtu dhe tek fëmija, kjo veçanërisht në drejtim të parandalimit të shumë sëmundjeve. Ekspertët e shëndetit vijojnë të vënë në dukje se ushqyerja me gji është thelbësore në rritjen e shëndetshme të fëmijës. Kjo pasi i siguron foshnjës elementet e nevojshme për mirërritjen dhe mbrojtjen nga një sërë sëmundjesh: si pneumonia, leucemia apo obeziteti, si dhe ndihmon në uljen e rrezikut për zhvillimin e kancerit të vezoreve, të gjirit dhe diabetit te nëna. Ushqyerja me gji përmirëson koeficientin e inteligjencës, siguron performancë më të mirë në shkollë dhe të ardhura më të mira në vitet mëvonshme.

Por, në këtë situatë të vështirë me të cilën po përballet e gjithë bota, janë të shumta shqetësimet që ngrejnë nënat në lidhje me rrezikun që mbart Covid-19 gjatë ushqyerjes me gji. Sa i takon këtyre shqetësimeve, ekspertët e shëndetit publik sqarojnë se edhe në këtë periudhë nënat duhet të vijojnë të ushqejnë foshnjat me gji, dhe se studimet e bëra në këtë drejtim kanë vënë në dukje se nuk ka rrezik për kalimin e virusit tek foshnja nëpërmjet ushqyerjes me gji.

Nënat këshillohet që mos të neglizhojnë masat e kujdesit të rekomanduara sa i takon higjienës gjatë kohës që ushqejnë foshnjën e tyre. Në kudër të Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji (1-7 gusht), ekspertët e shëndetit publik detajojnë gjithçka duhet të dinë nënat për përfitimet e ushqyerjes me gji, e cila nuk duhet ndërprerë as në këtë periudhë të pandemisë së Covid-19.

A mund të transmetohet Covid-19 përmes ushqyerjes me gji?

Studimet e shumta të kryera në të gjitha vendet e prekura nga Covid-19 nuk kanë izoluar virusin në qumështin e gjirit tek lehonat e dyshuara, apo të konfirmuara për Covid-19.

Në komunitetet ku Covid-19 është i përhapur, a duhet që nënat të vazhdojnë të ushqejnë foshnjat me gji?

Po. Ushqyerja me gji përmirëson mbijetesën e foshnjës, siguron shëndetin gjatë gjithë jetës dhe ka avantazhe të padiskutueshme në zhvillimin e fëmijës. Ushqyerja me gji përmirëson gjithashtu shëndetin e nënave. Nga ana tjetër, nuk është vërtetuar transmetimi i Covid-19 përmes qumështit të gjirit prandaj nuk ka arsye për të shmangur, ose për të ndaluar ushqyerjen me gji.

Pas lindjes, a duhet që i porsalinduri të vendoset menjëherë në kontaktin lëkurë me lëkurë me nënën dhe të vendoset në gji, nëse nëna është konfirmuar, apo dyshohet se ka Covid-19?

Po. Vendosja e menjëhershme në kontakt lëkurë me lëkurë duke përfshirë, jo vetëm në sallën e lindjes, por edhe në vazhdimësi, përmirëson kontrollin e temperaturës të të porsalindurve dhe ndihmon në zvogëlim të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë neonatale. Vendosja e të porsalindurit afër nënës gjithashtu mundëson fillimin e hershëm të ushqyerjes me gji, e cila gjithashtu zvogëlon vdekshmërinë neonatale. Përfitimet e shumta nga kontakti lëkurë me lëkurë dhe ushqyerja me gji i tejkalon ndjeshëm rreziqet e mundshme të transmetimit dhe sëmundjes së lidhur me Covid-19.

Nëse një nënë dyshohet se ka Covid-19, apo konfirmohet me këtë sëmundje, a duhet që ajo të vazhdojë ushqyerjen me gji?

Po, nëna duhet të vazhdojë ushqyerjen me gji, pasi studimet e bazuar në evidencë kanë vërtetuar në mënyrë të pakundërshtueshme përfitimet e ushqyerjes me gji për foshnjën  dhe nënën, dhe nuk është vërtetuar transmetimi i Covid-19 përmes qumështit të gjirit.

Cilat janë rekomandimet për ushqyerjen e fëmijën me gji tek nënat e dyshuara apo konfirmuara me Covid-19?

Në këtë situatë të pazakontë me të cilën po përballet e gjithë bota, edhe nënat që ushqejnë me gji duhet të zbatojnë një sërë masash të rekoamnduara nga ekspertët e shëndetit. Kështu nëse nëna dyshohet apo konfirmohet se ka Covid-19, ajo duhet të lajë shpesh duart me ujë dhe sapun ose t’i dezinfektojë me solucione me bazë alkooli, veçanërisht para se të prekë foshnjën, të vendosë një maskë mjekësore gjatë kohës që ushqen foshnjën me gji. Edhe në këtë rast nëna duhet të bëjë shumë kujdes dhe të dijë se është e rëndësishme që të mos preket maska në pjesën e përparme të saj, të zëvendësohet maska sapo të laget, të mos përdoret përsëri e njëjta maskë, të hiqet duke u kapur tek lidhëset, të teshtijë ose kollitet në një shami, e cila hidhet menjëherë në një kosh të mbyllur dhe të lahen duart me ujë dhe sapun, si dhe të pastrojë dhe dezinfektojë rregullisht sipërfaqet brenda shtëpisë.

Nëse një nënë e konfirmuar me Covid-19 nuk është në gjendje të ushqejë foshnjën me gji sepse ajo është shumë e sëmurë, ose për shkak të një sëmundjeje tjetër, atëherë kur mund të fillojë përsëri të ushqejë foshnjën me gji?

Një nënë mund të fillojë të ushqejë foshnjën e saj  me gji kur të ndjehet mirë për ta bërë këtë. Nuk ka asnjë interval kohor të caktuar për të pritur pasi të konfirmohet negativizimi ndaj Covid-19 dhe nuk ka prova që të tregojnë që ushqyerja me gji ndryshon kursin klinik të infeksionit nga Covid-19 tek një nënë. Ajo duhet të ndihmohet që të shërohet, të rikuperojë shëndetin e saj dhe gjithashtu duhet të ndihmohet për të filluar ushqyerjen me gji.

Nëse një nënë e dyshuar apo është e konfirmuar me Covid-19 nuk është në gjendje të ushqejë foshnjën me gji, atëherë cila është mënyra më e mirë për të ushqyer foshnjën?

Alternativa më e mirë për të ushqyer një foshnje në pamundësi për ta vendosur atë në gji është : “qumështi i gjirit i shtrydhur”. Shtrydhja e gjirit mund të bëhet me dorë, ose me pompë. Mënyra sesi do të shtrydhet gjiri do të varet nga preferenca e nënës, disponueshmëria e pajisjeve, kushtet e higjienës dhe kostoja. Shtrydhja e gjirit duhet të bëhet sepse është gjithashtu e rëndësishme për të ruajtur prodhimin e qumështit të gjirit në mënyrë që nënat të mund të ushqeje foshnjën me gji pasi të shërohet. Nëna, dhe kushdo që ndihmon nënën, duhet të lajë duart para se të shtrydhë gjirin ose para se të prekë çdo pjesë e pompës apo shisheve që përdor. Sigurohuni që të bëhet pastrimi i duhur i pompës pas çdo përdorimi. Qumështi i gjirit i shtrydhur mund t’i jepet foshnjës me një filxhan të pastër, ose lugë, (që pastrohen lehtësisht) dhe nga një person që nuk ka shenja, ose simptoma të sëmundjes dhe me të cilin foshnja ndihet rehat.

Nëse nëna dyshohet apo konfirmohet se ka Covid-19 ajo duhet:

  • Të lajë shpesh duart me ujë dhe sapun ose ti dezinfektojë me solucione me bazë alkooli, veçanërisht para se të prekë foshnjën.
  • Të vendosë një maskë mjekësore gjatë kohës që ushqen foshnjën me gji.
  • Kujdes! Është e rëndësishme që të mos preket maska në pjesën e përparme të saj, të zëvendësohet maska sapo të laget, të mos përdoret përsëri e njëjta maskë, të hiqet duke u kapur tek lidhëset, të teshtijë ose kollitet në një shami, e cila hidhet menjëherë në një kosh të mbyllur dhe të lahen duart me ujë dhe sapun, si dhe të pastrojë dhe dezinfektojë rregullisht sipërfaqet brenda shtëpisë.
August 1, 2020 11:55

Njoftim

Njoftim

Njoftim