Akuza për “ekzekutime pa gjyq”, janë akuzat që i bëhen Kadri Hazbiut në seancën e 25-të nga vartësit e tij, oficerë të lartë të Ministrisë së Brendshme.
Përveç vrasjeve të 22 vetëve në një fshat në veri të vendit gjatë vitit 1944, Kadriu akuzohet se në vitet e mëvonshme, ka urdhëruar vrasjen pa gjyq të disa personave. Ndër të ekzekutuarit në këtë mënyrë, dëshmitarët përmendin një mirditor, një emigrant kosovar në qytetin e Beratit dhe një agjent të Sigurimit që donte të arratisej.
“Për vrasjen e Idriz Zeqirit, për të cilin morëm informacion se do të arratisej, i vajta në zyrë Kadri Hazbiut. Ai më tha që të ndiqet, e në ikje e sipër, të vritet. Kështu u bë, u vra me kombinacion, si në gjueti..”- pohon në dëshminë e tij ushtaraku i lartë Zylfi Lame…
Pjesë nga procesverbali sekret i gjyqit të ish-ministrit të brendshëm të pushkatuar (materiali tashmē është deklasifikuar) janë botuar në rubrikën Histori rë gazetës DITA dhe sillen sot për lexuesit.
Kryetari(Aranit Çela): -I pandehuri Kadri Hazbiu. Tani, në dosje, në dëshmi e deponime, së bashku me Feçorin e vartës, akuzohen se kanë vrarë dy persona pa gjyq, a kanë urdhëruar vrasjen. Tani, dëshmitari, oficeri i Sigurimit Jake Tefiku… I njeh këta këtu ti?
Jake Tefiku: -Njoh një pjesë. Njoh Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Peçinin, Gani Kodrën… Ali Çenon e Xhavit Ismailagën nuk i njoh…
Kryetari: -Të kemi thirrur ty, Jake, për çështjen e vrasjes së një mirditori në vitin 1949. Si është çështja?
Jakia: -Kam qenë në organet e Sigurimit të Shtetit nga viti 1947 deri në vitin 1950… Në vitin 1949, në bazë të të dhënave që kishin organet e Sigurimit, ishte një person, një kandidat Partie që vrau dy veta dhe u arratis. Organet e Sigurimit vepruan, morën të dhëna dhe kërkuan që ai të dorëzohej. Ai nuk u dorëzua se kishte bërë vrasjen. Si pjesëtar i kësaj pune, kam qenë dhe unë gjallë, e morëm këtë person dhe e çuam në burg. E hetuam dhe përfundimisht u njoftua Ministria e Brendshme. Dhe në fakt, ky u asgjësua pa gjyq. Urdhri për këtë vrasje është dhënë nga Kadri Hazbiu. U hap lajmi që e vranë Forcat e Ndjekjes.
Kryetari: –Kjo është e gjithë historia… Keni ndonjë pyetje ju të pandehurit?
Kadri Hazbiu: -Kam dhe këtë po e bëj që nga vendi këtu. Nga e di ky që e kam dhënë unë këtë urdhër?
Jakia: -E kam parë urdhrin me shkrim. Kam qenë shef sekretarie…
Kadriu: -Urdhër me shkrim që të vritet?
Jakia: -Po.
Kadriu: -Nuk është kjo.
Kryetari: -Ti sikur e pranove këtë, apo jo?
Kadriu: -Jo ore, nuk është kjo.
Kryetari: -S’është ky mirditori?
Kadriu: -S’është ky, është tjetër ai…
Kryetari: -Po ky thotë kështu tani, nuk e pranon…
Kadriu: -Po ky thotë… Po çfarë them unë… Mbase e gjejmë atë urdhrin për hir të drejtësisë…
*****
Kryetari(Aranit Çela): -Tani po për këto vrasjet pa gjyq që ka urdhëruar Kadriu… Të vijë dëshmitari Zylfi Lame. I njeh këta të akuzuarit ti?
Zylfi Lame(Saliu): -Njoh Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Mihallaq Ziçishtin, Llambi Peçinin e Gani Kodrën…
Kryetari: -Tani, të kemi thirrur ty Zylfi Saliu të na thuash për dy gjëra, lidhur me relatat që ke pasur me Kadri Hazbiun, për çfarë ti ke biseduar, të na i sqarosh. E kemi hallin të na sqarosh për Riza Kadrinë dhe e dyta, mbi një vrasje që është bërë në Berat, vrasja e atij Idriz Zeqirit. I ke të qarta këto dy gjëra?
Zylfiu: -Pyetjet i kam të qarta. Për çështjen e parë, Riza Kadriun, i pandehuri Kadri Hazbiu e ka njohur nëpërmjet nesh në vitin 1944. Dhe ne pra, e kemi çuar tek Kadri Hazbiu, tek batalioni partizan i Lumës. Sepse Kadri Hazbiu, vepronte dhe ky atë kohë në atë zonë. E çuam tek ai se ky ishte njeri i rrezikshëm, ishte nga elementët kryesorë nga reaksioni që mund të na vinte pushkën atëherë, siç bëri Muharrem Bajraktari. Ky ishte kapobandë, njeri i pabesë… Kemi shkuar tek Riza Kadria, e kemi marrë me vete djalin e Rizait si dhe Arif Kadrinë. Pra peng. Dhe kemi ecur e jemi bashkuar me forcat e tjera partizane. E çuam tek Kadri Hazbiu që është marrë me atë operacionin në atë zonë, në vazhdim në zonën e Shtrecit. E ne u kthyem… Por në vend që të luftohej e të veprohej sipas parimeve të Partisë, ky Kadriu u hakmor. U dogjën shtëpi, u arrestuan njerëz jo në luftë e sipër, por mbarë. Mes të tjerëve vetëm 22 vetë nga fshati Buzëmadh janë pushkatuar në këtë zonë. Kjo ishte në kundërshtim me vijën e Partisë e porosinë e shokut Enver që ishte për të ndëshkuar elementët kryesorë që në këtë zonë ishin Ber Avdullaj, Zaim Banushi, Tasim Breca nga Buzëmadhi… Këta, ne i kemi vrarë më vonë… Ky është një krim i bërë nga Kadri Hazbiu në atë kohë në këtë zonë. Riza Kadriu, meqë ra fjala, që këtu është marrë nga Kadri Hazbiu dhe është përdorur nga ai si person, sa u armatos dhe me automatik. E quante veten major Riza Kadria. Ai ishte një tip nga më të degjeneruarit që mund të kishte. Bile, në vitin 1957, ne e kemi shtetëzuar atë, i kemi marrë bagëtitë… Unë i kam pas thënë të pandehurit Kadri Hazbiu një herë se pse merrej me këtë. Po ai, siç e kishte zakon, më tha se “po, është njeri i degjeneruar, por më ka rënë në qafë dhe nuk kam se çfarë t’i bëj”. Kjo është çështja e parë që kisha për të thënë…
Kryetari(Aranit Çela): -E dyta, në lidhje me këtë çështjen e vrasjes…
Zylfiu: -Lidhur me vrasjen e Idriz Zeqirit. Për ekzaktësi e për kujtesë, çështja është zhvilluar rreth datës 19 deri më 24 maj të vitit 1952. Unë jam ndodhur në Tiranë për arsye se zhvillonte punimet sesioni i dytë i legjislaturës së dytë të Kuvendit Popullor, aprovonte planin e parë 5-vjeçar dhe Kodin Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Njoftohem nga seksioni përkatës në Berat se një person, një objekt, në rastin e dhënë Idriz Zeqiri donte të arratisej me një njeri që ishte në marrëdhënie me ne. Ky ishte informacioni. Në këtë moment kërkoj mendime tek Mitat Zaçia që drejtonte punën e kundërzbulimit se si duhej bërë në këtë situatë. Më thonë se s’mund të arrestohet se nuk e miraton prokuroria me një të dhënë, por duhet bërë në një mënyrë tjetër. Atëherë shkuar dhe kam gjetur të pandehurin Kadri Hazbiu në zyrë. I kam thënë këtë situatë. “Në qoftë se është për t’u arratisur, në rrugë e sipër, bashkë me njeriun që është, të qërohet dhe ky agjent” -më thotë Kadri Hazbiu. I them Kadriut: ’Po ka dhe një mënyrë tjetër, ta arrestojmë me të dhënat, ta transferojmë, të transferojmë një grup njerëzish, se nuk jemi përgatitur për këtë situatë, domethënë të qërohet në rrugë e sipër!’. “Thuaju, veproni, se me u ik, u piu e zeza” -më thotë. Pas këtij takimi, unë kam njoftuar në telefon në këtë mënyrë. Kam marrë në telefon Beratin, degën dhe u thashë: ”Në bazë të situatës që më po thoni, duhet që t’i ndiqni dhe gjatë ndjekjes, rrugës, nëse largohen nga Berati, zhdukini gjatë rrugës. Kaq!”. Për kujtesë, për hollësi, i pandehuri Kadri Hazbiu ishte ngarkuar të diskutonte të nesërmen në Kuvendin Popullor për Kodin Penal. Nuk e di, qe ashtu, qe punë gjahu atëherë…
Kryetari: -Keni ndonjë pyetje ju të pandehur?
Kadri Hazbiu: -Dëshmitari thotë që Riza Kadria ishte kapobandë! Është e vërtetë që këta strehoheshin tek Riza Kadria? Në kohën që kam vajtur unë, edhe kur kam dalë unë nga rrethimi, ju ishit në shtëpinë e Riza Kadrisë…
Zylfiu: -Unë e thashë, ne e morëm vesh e shkuam tek Riza Kadria se ishte i rrezikshëm, në qoftë se ne nuk i merrnim peng djalin dhe vëllanë…
Kadriu: -Po dhe një gjë tjetër. Abdulla Daku është nipi i Riza Kadrisë. Meqenëse je lumjan ti, e kishit komandant skuadre në batalionin tuaj?
Kryetari: -E ke pasur ti?
Zylfiu: -Jo. Abdulla Daku nuk ishte efektiv në batalionin tonë. Abdulla Daku u mor në drejtim nga Kadri Hazbiu dhe shkoi në Shterec. Nga Shtereci bëri proçkën tjetër Kadri Hazbiu, që u nis gjoja me marrë bagëtitë dhe i la partizanët në Shishtavec, nuk u mor vesh me batalionin…
Kryetari: -Ke pyetje tjetër Kadri Hazbiu?
Kadriu: -Po, kam. Ky pse erdhi tek unë për vrasjen e Beratit, ka kryetar dege atje?
Zylfiu: -Unë isha kryetar dege.
Kadriu: -Le të shihen dokumentet. Vetë erdhe në zyrë ti? Nuk kishte njeri tjetër, ai përgjegjësi i sektorit, Mitat Zaçja, e njërën e tjetrën. Si nuk erdhi bashkë ky tek unë t’i shtronim këtë mendim?
Zylfiu: -Unë e bisedova me Mitat Zaçen e nuk arritëm në përfundim… Shkova vetë pastaj e gjeta, në zyrë e gjeta Kadri Hazbiun…
Kadriu: -Më falni, i nderuar kryetar e trupi gjykues. Ky nuk është i saktë në mendimet e tij, as në njërën e as në tjetrën…
Zylfiu: -Ky është mendimi im dhe është i saktë.
*****
Kryetari(Aranit Çela): -Mirë shkoni. Të vijë Anastas Bojaxhiu. Ju, i njihni këta të pandehur?
Anastasi: -Njoh Mihallaq Ziçishtin, Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Peçinin…
Kryetari: -Ty Anastas të kemi thirrur vetëm të na sqarosh lidhur me vrasjen e emigrantit kosovar Idriz Zeqiri. Ç’di?
Anastasi: -Idrizi me emigrantë të tjerë ishin në Berat në vitin 1951. Morëm të dhëna se ishte agjent në shërbim të UDB-së. Më pas morëm të dhëna se kishte tendencë terrori dhe tendencë arratisje. Këto materiale, ish-kryetari i degës Zylfi Saliu, shkoi dhe i diskutoi në ministri. Kur u kthye nga ministria, na tha që atje u vendos që ky Idrizi të vritet. E nxorëm në pritë dhe e vramë…
Kryetari: -Kush të tha ty që ta vrasësh?
Anastasi: -Nuri Çakërri që ishte nënkryetar. Ai ma komunikoi…
Kryetari: -Me cilin e vrave?
Anastasi: -Ishim katër oficerë dhe 5 policë.
Kryetari: -Kishte ndonjë vendim gjyqi, u gjykua?
Anastasi: -Jo, jo, nuk kishte, ishte pa vendim gjyqi.
Kryetari: -Po mirë, kush ka urdhëruar për këtë?
Anastasi: -Siç tha Zylfiu, kishte diskutuar në ministri këtë problem…
Kryetari: -Me cilin?
Anastasi: –Me cilin, nuk ma tha…
Kryetari: -Nuk e di ti kush e ka dhënë urdhrin?
Anastasi: -Nuk e di…
Kryetari: -Zëvendës kryetar i degës ishte Zylfiu apo kryetar?
Anastasi: -Zëvendës ishte Nuriu…
Kryetari: -Zëvendës ishte Nuri Çakërri, kryetar ishte…
Anastasi: -Kryetar dege ishte Zylfiu…
Kryetari: -Keni ndonjë pyetje ju të pandehur?
Kadriu: -Direkt me Zylfiun unë nuk kam biseduar, vetëm nëpërmjet Nuri Çakërrit…
Kryetari: -Gjë tjetër ke për të thënë?
Kadri Hazbiu: -Jo s’kam gjë, po të mbahet shënim….
Kryetari: -Mirë, e mbajmë shënim, e mbajmë. Mund të largohesh…
b.m/dita