Islamofobia në qarqet kulturore

Redi Shehu November 11, 2012 13:30

Islamofobia në qarqet kulturore

Redi Shehu

A është Shqipëria islamofobike?

Para se t’i përgjigjemi një pyetjeje të tillë, do të duhet të saktësojmë se çfarë kuptojmë me termin “Shqipëria”, sepse termi është shumë i gjerë dhe Shqipëria është aq shumë e përbërë me shtresa e mbishtresa sociale, sa do të ishte e pamundur të mbërrinim në një përgjigje gjeneraliste. Nëse do të kuptonim shqiptarët si përbërësi kryesori termit në fjalë, do të thonim me një klikim të shpejtë të mendjes, se, edhe pse të ardhur nga një kulturë sterile fetare si pasojë e të shkuarës së afërt komuniste, fobia ndaj Islamit në nivelin e popullatës nuk arriti kurrë të ngrihej në atë masë sa të projektonte frikën ndaj një përbërësi kulturor i cili vinte trashëgueshmërisht natyrshëm në gjenetikën shpirtërore të vet. Edhe pse sendërtimi i njeriut të ri komunist kishte marrë kohën dhe energjitë e veta, përsëri ai nuk arriti të projektonte përfundimisht në psikologjinë e shqiptarëve Islamin, në vetvete të forte sociologjikisht, si armikun ndaj të cilit duhej të justifikohej frika.

 

Kështu që, është pak e vështirë të thuhet se shqiptari si prototip apo shqiptarët si masë në vetvete janë islamofobë, për arsye sepse do të na duhej të justifikonim arsyet se përse janë të tillë. Mirëpo arsyet historike dhe kulturore flasin për Islamin si identitet shpirtëror të shqiptarëve për të paktën gjysmë mijëvjeçari, çka do ta kthente në non-sens praninë e islamofobisë e cila do të përkthehej në frikë nga vetvetja apo frikë nga gjuha e shpirtit të vet. Islamofobia është një fenomen i njohur në raportet e identiteteve të tjera kulturore të ndryshme me Islamin. Është i njohur si fenomen që më së shumti është nxitur nga mosnjohja e të qënurit ndryshe kulturalisht, nga injoranca e theksuar ndaj kulturës dhe religjionit islam si dhe ndaj tjetrit si bartës i kulturës islame.

 

Është fenomen relativisht jo i ri, i cilit përpos mos njohjes i është bashkëngjitur edhe keqdashja hasur përgjatë kryqëzimeve historike, por që dekadat e fundit është instrumentalizuar në atë që quhet ndërtimin e “industrisë së frikës”. Në logjikën e ndërtuesve dhe bartësve të kësaj teorie, frika ndaj tjetrit kulturalisht është mekanizmi më i mirë për homogjenizimin, mpiksjen dhe ruajtjen e kulturës religjioze vendase. Për këtë arsye një industri e mirëfilltë në funksion të prodhimit të frikës është shpërfaqur në të gjitha infrastrukturat që i shërbejnë shoqërive respektive duke arritur edhe të përdoren politikisht kundra kulturave të tjera migratore të cilat shtrihen deri në kufizim të të drejtave të njeriut karshi emigrantëve si bartës të këtyre kulturave.

 

Por, duke iu kthyer pyetjes lidhur me realitetin shqiptar, duhet theksuar se pavarësisht sa thamë më sipër, prezenca e islamofobisë në Shqipëri ka qenë një telash i hershëm i cili ka progresuar në raport me ndërgjegjësimin ose jo fetar të popullatës shqiptare. Prezenca e islamofobisë ne Shqipëri është konstatuar në disa pjestarë të elitave kulturore të cilat projektoheshin mediatikisht më së shumti pas rënies së komunizmit dhe në vazhdim të tranzicionit shqiptar. Në ndryshim nga islamofobia që hasej në Perëndim, produkti shqiptar i islamofobisë përqendrohej në identifikimin e pothuaj të gjithë problematikës shqiptare tek thelbi i kulturëës islame të shqiptarit, çka përbënte një rast të veçantë ku tjetri kulturalisht ishte po i njëjti.

 

Pra islamofobia shqiptare nuk përbën mekanizmin e luftës së kulturave migratore siç ndodhi në vendet e tjera, por përbën mekanizmin e luftës brënda llojit. Për këtë arsye “industria e frikës” që u përdor në vendet e tjera, u përdor mediatikisht edhe në Shqipëri, por tashmë më një tipar të veçantë, atë të një frike nga vetvetja. Kjo lloj islamofobie u përfaqësua kryesisht me teza të cilat kërkonin rikthimin e identiteve të shkuara religjioze përmes mekanizmash të injektimit të sforcuar mediatik. Pra, islamofobia tek ne nuk ka si mision pëjashtimin e kulturës tjetër nga territori vendas, por shndërrimin në të njëjtin territor të kulturës aktuale fetare me një culture tjetër po fetare përmes inversionit historik. Nëse do të duam t’i përgjigjemi pyetjes së parë, mund të themi se në Shqipëri ka islamofobi dhe kjo kryesisht në disa individë të qarqeve kulturore.

 

Sfida e këtyre individëve në përpjekjet e tyre islamofobike ka qenë dhe vazhdon të jetë masivizimi i përpjekjeve të tyre. Qasje islamofobike janë vërjetur edhe në nivele të qeverisjes, ku shndërrimi kulturor është kërkuar të bëhej përmes keqinterpretimittë laicizmit duke i dhënë atributet e një “religion civil” më vete, çka u pasua me shkeljen e të drejtave bazë të individit përfshirë edhe të drejtën për arsim. Rritja e informacionit mbi Islamin, thelbin e tij, masivizimi i praktikave fetare në Shqipëri, sollën për pasojë edhe uljen e intensitetit islamofobik në qarqet kulturore shqiptare, ose thënë ndryshe të painformuarit u rehabilituan dhe ngelen vetëm keqdashësit dhe histerikët. Kjo kategori në çdo civilizim do të ekzistoje dhe do të përpiqet të prodhojë kulturën e frikës.

Redi Shehu November 11, 2012 13:30
Komento

1 Koment

  1. saimiri. November 15, 11:54

    Emrin e autorit te shkimit apo eshte redaksional ?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*