Ismail Qemali dhe themelimi i Bankës Kombëtare Shqiptare

February 11, 2018 19:40

Ismail Qemali dhe themelimi i Bankës Kombëtare Shqiptare

Dr.Hasan Bello*

 

Një angazhim serioz për Ismail Qemalin dhe për pjesën më të madhe të kabinetit të tij ishte edhe krijimi i një Banke Kombëtare Shqiptare që do të ndihmonte për zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Kjo bankë do të ishte hapi vendimtar për krijimin e sistemit monetar dhe të kreditit në Shqipëri.

Ismail Qemali mendonte se pa një bankë shtetërore, qoftë edhe me kapitale të huaja, zhvillimi i shpejtë i vendit nuk mund të bëhej. Aq rëndësi i jepte ai kësaj nisme sa që në një fjalim që mbajti përpara popullit të Vlorës deklaroi se “Puna e Bankës, për Shqipërinë, është i dyti fitim pas lirisë. Edhe nga pikëpamja ekonomike edhe politike”. Sipas Ismail Qemalit çdo njeri sado i pasur që të ishte kishte nevojë për kredi.

Kjo gjë vlente edhe për popujt dhe kombet e fuqishme të botës. Si shembull ai sillte anglezët, të cilët megjithëse ishin një nga kombet më të pasur të botës, përsëri nuk mund të jetonin dot pa kredi. Mundësia e vetme sipas tij për ta praktikuar këtë element kaq të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit ishte banka. “Shqipëria,-vijonte më tej ai,-që atë ditë kur kishte patur fatin e bardhë të bëhej një shtet midis shteteve të Ballkanit dhe të Evropës, kishte të drejtë të kishte një edhe më tepër banka për të siguruar kreditin e jashtëm si popull dhe kreditin e veçantë për seicilin shqiptar, si individ”.

Por, krahas dëshirës dhe nevojës së shtetit të ri shqiptar për themelimin e një Banke Kombëtare, interes të veçantë treguan edhe Fuqitë e Mëdha. Qeveritë europiane, grupe të ndryshme interesi të kapitalit të huaj dhe sidomos Italia me Austro-Hungarinë bën çmos që të zotëronin aksionet kryesore të kësaj banke. Tashmë është bërë e njohur një batutë e Ismail Qemalit, i cili gjatë një vizite në Itali i deklaroi ministrit të Jashtëm San Xhuliano, kur ky i fundit këmbëngulte mbi çështjen e bankës me kapital të përbashkët austro-italian se: “ne lindorët kemi parë një burrë me dy gra, por jo një grua (duke nënkuptuar bankën) me dy burra”.

Presione të tilla mbi Ismail Qemalin ushtruan edhe përfaqësues të shteteve të tjera. Në nëntor të 1913, gjatë një bisede që zhvilloi me delegatin francez pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, ai e hodhi poshtë akuzën se qeveria e Vlorës në dhënien e koncensionit për Bankën Kombëtare, ndërsa vinte në diskutim kapitalin francez, favorizonte atë të Austro-Hungarisë dhe Italisë.

Ismail Qemali i deklaroi përfaqësuesit francez se, ai nuk kishte asnjë preferencë të paravendosur dhe se kishte bërë përpjekje si në Londër ashtu edhe në Paris për të marrë kredi për shtetin e ri shqiptar, por që kishin rezultuar të pasuksesshme. Bile, është ironik fakti se në Paris, Drejtoria e Bankës Perandorake Otomane e kishte quajtur Ismail Qemalin të marrë kur guxonte të kërkonte hua për një shtet që nuk ekzistonte akoma. Këto qëndrime skeptike e kishin shtyrë Ismail Qemalin që t`i drejtohej për ndihmë shteteve të predispozuara për ta “ndihmuar”, ose thënë më saktë atyre shteteve (Italisë dhe Austro-Hungarisë) që kishin interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri.

Si rezultat i këtyre përpjekjeve, më 4 tetor 1913, qeveria e Vlorës përfundoi një marrëveshje me dy grupe financiare të huaja: me Viner Bank Ferain (Winer Bank Verein) dhe me Bankën Tregtare Italiane (Banca Commerciale Italiana). Në këtë marrëveshjeje parashikohej krijimi i Bankës Kombëtare Shqiptare nga kapitali austro-italian me një afat 60-vjeçar që mund të zgjatej me pëlqimin e të dy palëve.

Banka do të kishte të drejtën ekskluzive për të nxjerrë bankënota shqiptare dhe do të kryente funksionet e kreditit. Në krye të saj do të ishte një këshill administrativ i përbërë nga përfaqësues të të dy grupeve të lartpërmendura dhe nga një përfaqësues shqiptar. Raportet e bankës me shtetin shqiptar do të rregulloheshin nëpërmjet një komsioni të lartë, i cili do të ngrihej nga qeveria e Vlorës me qëllim për të shqyrtuar veprimtarinë e saj.

Rregullorja dhe kontrata koncencionare e funksionimit të Bankës Kombëtare Shqiptare u botua në disa numra të gazetës zyrtare të qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqypnies”. Në këtë rregullore pasqyrohen të gjitha detyrimet dhe mekanizmat mbi mënyrën e funksionimit të saj.

Ismail Qemali e mirëpriti një hap të tillë, për arsye se themelimi i një banke shqiptare, ndonëse me kapital të huaj do të krijonte kushte lehtësuese për fshatarin shqiptar. Sipas tij, ky i fundit tani e tutje do të kishte mundësi të merrte kredi me një interes që shkonte nga 4,5 ose 6%, kur ajo deri atëherë kishte qenë 20-30%.

Por krahas atyre që mendonin se krijimi i Bankës Kombëtare Shqiptare do të krijonte kushte dhe premisa për zhvillimin e ekonomisë e të bujkut shqiptar, nuk munguan edhe shkrime që e kundërshtonin ashpër një veprim të tillë. Bile, aq larg shkonin këto akuza sa që këtë akt të qeverisë së Vlorës e quanin antikombëtar. Për këtë akuzë ata mbështeteshin në faktin se dhënia me koncension e një aseti kombëtar nuk ishte e drejtë legjitime e asnjë qeverie, por e parlamentit shqiptar. Në kushtet e mungesës së një institucioni të tillë, ku të kishin përfaqësinë e nevojshme të gjitha krahinat e Shqipërisë, askush nuk duhet të jepte me koncension pasuri që i përkisnin të gjithë kombit.

Një arsye tjetër ishte edhe fakti se, krijimi i një banke me kapital të përbashkët austro-italian do të mbarte farën e kontradiktave të këtyre fuqive. Në rast të një konflikti të mundshëm midis tyre, vihej në rrezik e gjithë veprimtaria e këtij institucioni financiar, me ndikim në ekonominë e vendit.

Megjith përpjekjet e Ismail Qemalit dhe më vonë edhe të Princ Widit për të themeluar një Bankë Kombëtare Shqiptare, rrethanat politike rajonale dhe ndërkombëtare që u krijuan për shkak të Luftës së Parë Botërore nuk e lejuan një hap të tillë.

Gjithësesi, këto përpjekje ishin ndërmarrje serioze që pasqyronin nevojat e vendit dhe tentativat e para drejt ndërtimit të institucioneve bazë të shtetit të sapo krijuar shqiptar.

*Studiues-Instituti i Historisë, Tiranë

February 11, 2018 19:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*