Ismet Haxhia: Haklaj po priste Berishën, jo Azem Hajdarin

May 11, 2016 12:00

Ismet Haxhia: Haklaj po priste Berishën, jo Azem Hajdarin

Ismet Haxhia ka vetëm pak muaj që ka dalë nga burgu (20.01.2016) ku kaloi 15 vite burg i dënuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, akuzën të cilin ai nuk e pranon sot e kësaj dite. Burri me trup të gjatë, të kërcyer, nuk e ka fort të lehtë të flasë për 15 vitet e fundit të jetës së tij, madje, as nuk do t’i kujtojë. Kur u burgos, la pas gruan dhe dy fëmijët, ndërsa tani që ka dalë, ka fatin të gëzojë vetëm një djalë; i vogli, në moshën 22 vjeçare, pësoi infarkt dhe vdiq.

“Nuk e përballoj dot këtë që më ndodhi mua. E vuajti shumë dhe më iku në moshën më të bukur të jetës, në kulmin e rinisë” –thotë Ismeti në këtë bisedë me Dita-n. Këto muaj në liri i kalon mes qytetit të Bajram Currit, ku ka prindërit në moshë të thyer dhe Tiranës, ku ka djalin dhe familjen e  tij. “Po kaloj shumë kohë me nënën dhe babën, u kam munguar shumë këto vite dhe ndjej detyrim të kaloj ditë me ta. Nuk e kanë patur të lehtë, të përballojnë trazirat familjare të 20 viteve të fundit, për të cilat nuk kanë asnjë faj. Më e pakta që mund të bëj është që t’u qëndroj pranë” – shprehet Ismet Haxhia.

I rritur në një familje të madhe (9 fëmijë, 6 vëllezër, 3 motra), sot shumica janë shpërndarë, dhe asgjë nuk është më si dikur.

Të rritur në Tropojë, në një qytet  i cili në fillim të viteve ’90 është njohur për trazira, jeta e vëllezërve Haxhia, mori një rrugë që as ata vetë nuk e kishin menduar.

Në këtë intervistë me të, nuk pretendojmë të zbardhim ngjarjet e Tropojës, as vrasjen e Azem Hajdarit, e as probleme të tjera që kanë të bëjnë me këtë mbiemër dhe me emra të njohur të politikës (kur nuk e ka bërë as drejtësia?!).

Kemi folur me 62 -vjeçarin Haxhia, dhe sjellim rrëfimin e tij të parë pas lënies së qelisë.

 

Vijon nga numri i kaluar

-Meqë erdhëm në këtë ngjarje, si e motivoni vrasjen e A.Hajdarit?

Vrasja e Azem Hajdarit është vrasje e pastër politike, e inskenuar nga brenda e jashtë partisë së tij, sidomos e kundërshtarëve të tij politikë, të cilët ia kishin frikën e prirjeve të tij për organizime kriminale kundër pushtetit. Të tjerët më pas e përdorën dhe akoma vazhdojnë ta përdorin për qëllime e përfitime politike.

 

-Është krijuar ideja që vrasësit u pozicionuan afër selisë së PD pasi donin të vrisnin Berishën. Ç’mendim keni ju?

Vëllai im Izeti më pati thënë se Azemi, ditën me makinë dhe jo natën me këmbë, kalonte në atë rrugë ku u vra. Andej, pas orës 8 të mbrëmjes kalonte Berisha për në shtëpi, orë që korrespondon edhe me orën e pozicionimit të vrasësve aty. Besoj se Haklaj donte të vriste Berishën, gjë që e kishte deklaruar jo njëherë dhe ai ishte i prirur edhe për më shumë se aq. Njëherë ai i pati deklaruar Izetit se “Berisha nuk do të ishte gjallë po të mos ishe ti pranë tij”. Në fakt, sa herë që Izeti nuk ka qenë në eskortën e tij për arsye familjare, atij i kanë ndodhur probleme. Kujto 20 qershorin 1997, kohë kur ish-presidentin Berisha e kanë penguar të hynte në B.Curri grupi i F.Haklajt dhe kjo pasi janë siguruar se në eskortën e tij mungonte Izeti. Nga të gjitha ato që ka bërë dhe që vazhdon të bëjë kundër nesh, më bindin që ai është thjesht një mosmirënjohës për besnikërinë e vëllezërve të mi ndaj tij.

 

-Teksa ju dëgjon, duket sikur po tregon një film, madje fabulë të ndërlikuar. Pse u ndodhët ju vëllezërit në këtë histori kriminale të komplikuar?

Implikimi ynë në këtë histori u interesonte vetëm skenaristëve të krimit, për të thënë se nuk jemi ne vrasësit e Azem Hajdarit, por Berisha me njerëzit e tij. Berisha nuk e pati për gjë të na viktimizonte ne për të pastruar duart e tij të pista në këtë krim të pabesë. Pse duhej nxituar Azem Hajdari të dilte e të sqaronte një situatë kriminale, shumë të rrezikshme, kur ish-presidenti kishte marrë dijeni se kush ndodhej në pritë, kur kishte mundësi të njoftonte të gjithë institucionet e sigurisë për situatën dhe që ishte më se e mundur të parandalohej krimi? Nxjerrja e Azemit në pritën e Haklajt ishte një kurth i lig, i kurdisur nga brenda selisë së PD-së, në të cilën vëllai im Izeti kishte muaj që nuk hynte dhe që e kishte të pamundur të bënte atë për të cilën u akuzova, pikërisht nga ata që inskenuan krimin.

Pse drejtuesit e PD-së fshehën celularin e Azem Hajdarit, apo se aty do të zbulohej telefonuesi i vërtetë që njoftonte Azemin dhe që ishte pjesë e skenarit të ndërtuar në pak minuta e që e çoi atë drejt vdekjes? Pse askush nuk e përmend faktin që Azemi atë natë doli me pistoletë Zastava me silenciator, e gjetur në vendngjarje, e administruar si provë materiale, të cilën e mbante pa leje? Imagjino Azemin e armatosur përballë Fatmir Haklajt. Vrasja ishte tepër e sigurt. Në këtë kuadër ka sa e sa pikëpyetje e pse-ra pa fund, të cilat edhe pse i kam shtruar para trupit gjyqësor, ranë në veshët e tërhequr fort e të shurdhët.

 

-Z.Ismet, sot që keni dalë nga burgu, jetoni i qetë apo keni frikë nga ndonjë hakmarrje?

Që të ketë hakmarrje, siç po shpreheni ju, duhet t’i kesh dikujt borxh, e unë në këtë drejtim jam shumë i pastër. Sa për borxhlinjtë në raport me të këqijat që na kanë bërë, jam i sigurt që nuk ndjehen rehat. Pasi shohin ëndrra me luftë. Për një gjë të jenë të sigurt, që ne nuk do jemi luftëtarët e ëndrrave të frikshme të tyre. Ne vëllezërit jemi të gjithë intelektualë, të ndershëm, aspak kriminelë dhe hakun për ligësitë e tyre ndaj nesh ia kemi lënë drejtësisë, në u çliroftë ndonjëherë nga politika, dhe Zotit.

 

-Ish-kryeministri Berisha, ju akuzoi se keni fituar lirinë me dokumente të falsifikuara. Si do i përgjigjeshit?

Me dokumentin origjinal që po jua dorëzoj dhe që tregon me saktësi strukturën e vuajtjes së atij dënimi të padrejtë e të pashpirt, njëlloj si deklaratat e atij, që gjënë që di të bëjë më mirë, është ajo të shpifë për çdo gjë që atij nuk i përputhet me dëshirat apo interesat e tij të pista.

 

2-Pse Berisha akuzon Ramën për flirt me ju vëllezërit? Çfarë lidhje keni ju me Ramën?

Ai këtë e bën për disa arsye. Së pari, kërkon që duke nxitur Ramën të veprojë kundër nesh e ky i fundit ta bindë atë se nuk ka asnjë lidhje me ne, siç është dhe e vërteta. Së dyti, kërkon të baltosë Ramën përpara publikut e ndërkombëtarëve se ai është i lidhur me botën e krimit. Së treti, për të fituar kapital politik në lidhje me kundërshtarin e tij.

Unë personalisht nuk e kam njohur Edi Ramën. Natyrisht, si qytetar kam vlerësimet e mia për punën e tij. Kam bindjen se ai është shumë punëtor dhe këtë e mbështes në transformimin që ai i bëri Tiranës, të cilën e mori me një grumbull kioskash, llamarinash të ndryshkura nga urinimi i pijanecëve dhe i dha fizionominë e një qyteti europian. Jam gjithashtu i bindur se është një politikan vizionar modern që synon konsolidimin e një shteti ligjor dhe kjo duket nga reformat e guximshme që po ndërmerr e që produkti i tyre do të duket më vonë, çka për të do ketë jo pak kosto.

 

-Edhe diçka, gjatë këtyre kohëve Berisha ka deklaruar se Izeti dhe vëllai i tij, pra ju, jeni dënuar me dëshminë e tij. Pse mendoni se ai deklaron pikërisht këtë gjë tani dhe jo më parë?

Berisha gënjen, pasi ai nuk ka deklaruar kurrë kundër nesh. Deklarimet bëhen para gjykatës e jo nëpër ambasada. Megjithatë unë zotëroj deklaratën e tij dhënë në Ambasadën Amerikane, të cilën, më pas këta të fundit e dorëzojnë në Prokurorinë e Përgjithshme. Në këtë deklaratë, Berisha, mes të tjerash (të cilat janë broçkulla politike), shprehet tekstualisht se: “Në vrasje morën pjesë rreth 9 persona. Ishte Adrian Kërriqi dhe I.Haxhia”. Adrian Kërriqi ishte djali i kunatës së S.Gjinushit, në atë kohë i vdekur në një burg në Itali dhe I.Haxhia, ai aludonte për Isamedin Haxhiajn, pasi me atë e kishte të ndezur luftën shpifarake.

Këtë deklaratë, më pas, me urdhër të A.Rakipit e manipulojnë duke e ndryshuar nga I.Haxhiaj, në Ismet Haxhiaj, pasi qëllimi i tyre ishte të më vinin nën presion për t’u bërë pjesë e skenarëve të tyre kriminalë që po ndërtonte në mënyrë të ethshme në bashkëpunim me Fatos Klosin dhe që nëpërmjet tyre, synonin kokën e Berishës. Berisha me deklaratat e tij se gjoja ne qenkemi dënuar me dëshminë e tij, është gënjeshtër e pastër që i serviret publikut më naiv dhe këtë e bën për të sfumuar akuzat e Izetit, si një hakmarrje e tij.

 

-Cilat ishin provat që vendosën dënimin tuaj?

Jam dënuar me dëshminë e një krimineli sharlatan, Petrit Çakrri, i cili në atë kohë, pra në kohën kur u vra Azem Hajdari, ai ka qenë në burg në Zvicër. Me atë u bënë pazare, pasi akuza ishte në pikë të hallit për të sajuar ndonjë provë kundër meje, duke i falur 10 vjet nga një dënim prej 16 vjetësh, për grabitje me armë, si dhe nuk ju regjistrua një vepër e rëndë penale, siç është pengmarrja e në fëmije me qëllim fitimi, për të cilin edhe u arrestua në atë kohë. Përzgjedhja e Çakrrit si dëshmitar nga një duzinë të pamoralshmish, që u morën me manipulimin e dosjes “Hajdari”, më kujton një shprehje të Sokratit, të cilën po e shënoj për lexuesin: “Njerëzit me dëshira të shfrenuara janë të prirur t’i plotësojnë ato, duke kryer një numër krimesh. Ata vjedhin, mashtrojnë, plaçkisin tempuj e qytetarë të ndryshëm, kthehen në hajdutë xhepash, bëhen spiunë. Kur janë të zotët e gojës bëjnë zanatin e dëshmitarit të rremë e të ligjshkelësve veçse për para”.

Cilësi këto të spikatura të Çakrrit e për të cilat me shumë kujdes u përzgjodh nga kontigjentët e Klosit dhe u përdor si dëshmitar i rremë, në procesin e shekullit, siç ju pëlqen ju gazetarëve ta quani.

 

-Z.Ismet, gjatë viteve të burgosjes tuaj ju keni shkruar libra. Pse e bënit këtë gjë, ju mbushte, apo erdhi si një nevojë për t’u rrëfyer?

Unë me letërsinë kam qenë dhe jam shumë i lidhur, së pari si lexues i apasionuar, por edhe si nevojë për t’u rrëfyer për ligësitë që na ishin bërë, sidomos në lidhje me akuzën e padrejtë që na u atribuua. Për këtë unë shkruajta dhe botova librin e parë, të titulluar “Kronika e dhimbjes”, e që flet pikërisht për këtë, pra për kushtet dhe rrethanat që çuan në vrasjen e Azem Hajdarit. Gjithashtu kam shkruar 5 libra. Një roman e kam gati për botim dhe besoj që del në treg deri në mesin e qershorit. Po përgatis një vëllim me poezi, kam në dorëshkrim edhe dy libra të tjerë dhe në proces të shkruari edhe dy romane, me tematikë interesante. Shpresoj të gjej frymëzim për t’i mbaruar, pasi deri tani nuk kam qenë dhe aq mirë në këtë drejtim.

 

-A keni bërë miq në burg dhe çfarë ndodhi me miqtë që latë jashtë?

Kam bërë pak miq në burg, pasi për 14 vjet e gjysmë kam ndenjur vetëm në dhomë duke shmangur kontaktet, por ata që kam bërë miq i kam djem apo burra shumë të mirë, të cilët i kujtoj me shumë respekt. Sa për shokët e miqtë që lash jashtë, një pjesë e tyre më kanë qëndruar shumë pranë, duke më dhënë kurajo për përballimin e padrejtësisë që më rëndonte, të cilat dua t’i falënderoj nga thellësia e zemrës. Ka edhe nga ata që dolën shok e miq interesi e që unë nuk dua t’i kontaktoj dhe as t’i kujtoj. Ajo që më ngroh shumë është që një pjesë e shokëve të mi të shkollës së mesme apo të lartë më kontaktuan dhe më kanë dhuruar shumë ngrohtësi, duke më bërë të ndihem mirë. I falënderoj shumë dhe i siguroj edhe një herë që jam ai që më keni njohur e vlerësuar, me përjashtim të ndryshimit që sjell mosha, si për çdo krijesë të kësaj bote. Më kanë takuar pedagogë, inxhinierë dhe intelektualë nga elita e shoqërisë dhe çdo ditë bisedoj në telefon apo takohem me ndonjërin prej tyre.

 

-Tani që riktheheni në kujtime, çfarë nuk doni të kujtoni nga e kaluara dhe çfarë do donit të ndryshonit po të ktheheshit pas në kohë?

Njeriu në jetë, ndodh që jo çdo gjë e bën mirë dhe gjithmonë kërkon të bëjë më të mirën. Ajo që do doja të ndryshoja është padrejtësia e cila më rri si çekan i rëndë mbi kokë e të cilën nuk mund ta ndryshoj. Nuk mund të ndryshoj dhe as t’i kthej 15 vitet më të mira të jetës time, që m’i morën në mënyrën më të pashpirt e më të ulët, nga njerëz me moral të shkarravitur, nga të qenit vegla qorre e atyre, që gjëja e vetme që ju mungon plotësisht është morali njerëzor.

 

-Z.Ismet, tani ku po jetoni dhe çfarë keni menduar për të ardhmen tuaj?

Jetoj me djalin tim. E vetmja gjë që më duhet tani është të gjej një punë, diku në ndonjë ndërmarrje private për të mbushur kohën dhe ndonjë nevojë timen familjare, të cilat i kam me shumicë. Mbase do të dalë ndonjë për të m’u gjendur në këtë iniciativë timen duke e garantuar për të mos e zhgënjyer me punën e përkushtuar timen.

 

Intervistoi Entela RESULI– Botuar sot në DITA

May 11, 2016 12:00
Komento

6 Komente

  1. Lpl. May 11, 11:42

    Rate viktime e sigurimit shtetitt me Fatos Klosin ne krye i cili eshte njeriu me i poshter Shqiptare qe ka projektuar modelet e sigurimsave ne ate kohe edhe sot .Asnje gje nuk thate as ti as vellaj i yt ju shihet se jeni te zhytur ne pabesi por jeni penduar por prap nuk thoni te verteten por vazhdoni akoma diversjonin e sigurimit dhe funksionareve te partise Socjaliste.Azem Hajdarin e vrau Klosi dhe PS kjo dihet boterisht dhe e organizuan si sherr krahinor mjeshtra ne ndertimin e skenarit sepse jane ata qe i kane bere xhemen popullit Shqiptare 70 vjete se vazhdojne akoma .Mjere populli Shqiptare qe ju beson Komunisteve dhe sigurimsve famkeqe qe vazhdojne akoma me diversjone .Thuaje mor troc e vrau shteti pse e mbani sekret akoma a keni ndergjegje .Shqiptaret qe jetojne ne Shqiperi nje grade me lsrt se ksfsha jane dallim ben vetem se flasin se llogjik nuk kane kjo ben dallimin rreziket nuk arrijne te kuptojne ne cfare gjendjet mentale e injorancet jetojne jeni per tu qeshur por ne fakt jeni gjynah per tu tallur se nuk arrini te kuptoni gjendjen si jetoni e mendoni katastrofe .

    Reply to this comment
    • Pilo Lala May 11, 16:28

      I beri Berisha , i shkerrmoqi keto dy fise te Tropojes.
      Ata dalin ne intervista.
      Krimineli do ti pergjigjesh me te njejten menyre, perndryshe je gjithmone i humbur.

      Reply to this comment
    • polua May 11, 20:39

      futja pordhes, Lpl, me ato qe shkruan apo mendon se vetem ti jeton ne kete bote? apo mos je vete Sali krimineli apo laresi i brekeve te tije te felliqura?

      Reply to this comment
  2. fteri May 11, 16:15

    ***** Lpl -ju rekomandoi të shkoni orgjent në një spital më të afërtë psikiatrik .Ju paska ikur peulla ,si i thonë kur të ikë mendja.!!! – NXITO -*************************************

    Reply to this comment
  3. Raimond vlonjati May 11, 17:43

    Ne fakt LPI duhet te jesh njecike ne i sakte

    Se Azem Hajdarin nuk e vrau PS , por kauret e PS qe jane ne sherbim te politikes greke, dhe me konkretisht :..
    Azem Hajdarin e vrau Fatos Nano , sepse Nano perfaqsonte direkt interesat greke ne Shqiperi dhe bente edhe avokatine e politikes serbe ne lidhje me Kosoven
    Ne se ju kujtohet :. kur Nano atehere deklaroi nga Lisbona se …” Kryeqyteti i Kosoves eshte Beogradi ”

    Athere Azam Hajdari foli ne miting dhe tha :.. “… Te dalim ne Rinas , dhe mos ta leme te zbrese nga avioni ate tradhetar…”

    Nese do ishte Azemi i gjalke , Januljatosi nuk vinte dot ne Shqiperi dhe sulmi i politikes kriminale greke do stopohej

    Ndaj greket kishin kohe qe kerkonin te eliminohej Azemi dhe per kete gje Nano perdori ata kriminelet e Tropojes per ta godit Azemin ne menyre qe ta paraqiste si nje lufte krahinore midis krimineleve

    Per ta vene kete plan kriminal ne jete Nano i afroi te gjithe keta krimineke dhe i futi ne strukturat drejtuese te policise se Tropojes

    Natyrisht per te gjitha keto , Nano perdori Klosin

    Por Klosi u perdor si budalla nga Nano , se Klosi esht patriot por e pekrahu Nanon se edhe nuk e kundershtonte dot , por edhe sepse Klosi ka nje mentalitet prej fanatiku komunist qe e quan kundershtarin armik

    Pra e gjithe kjo ishte loje e Fatos Nanos ne sherbim te politikes kriminale greke , sepse greket e kuptonin qe me Azemin ne politike nuk do futeshin dot ne Shqiperi , pasi Azemi ne ket drejtim nuk bente leshime dhe nuk thyhej , ndaj ata vendosen ta eliminojn Azemin, sepse Sala dukej qe mund te thyhej para presionit grek

    Nejse more ti Haxhija , ju duke u bere vegla ne vrasjen e Azemit treguat edhe nje pjese te jarakterit te shqiptarit sot , qe nqs greket duan te vrasin ndonje shqiptar , ata i thone ndonje shqiptari per te vrare shqiptarin

    Sepse shqiptari esht shum i gatshem te vrasi patriotin e tij , kur i thone te huajt

    Ndaj nuk esht ndonje gje e pa pritur kjo afera juaj kriminale . Kjo esht nje prirje qe kane shqipot ne pergjithesi dhe duhet te vije ne politike nje si Emver Hoxha qe tua presi kee ves prej akrepi

    E cudicmja esht se nje kriminel i qelbur , nje spiun i felliqur dhe nje hajdut i neveritshem si Fatos Nano , lejohet te gezoje lirine dhe te shijoje parate e vjedhura nga xhepat e taksapaguesve shqiptare

    Kjo esht e Pa Pranueshme

    Reply to this comment
  4. sadiku May 11, 20:13

    Kush ka mend duhet te tregoje respekt per kete zoteri qe ishte dhe eshte viktime e nje poshtersie qe ka emrin Sali famekeqi i cili e ka pak litarin ne fyt.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*