Ismet Toto, intelektuali kryengritës

November 5, 2017 10:30

Ismet Toto, intelektuali kryengritës

Prof. Dr. Nasho Jorgaqi

I projektuar në historinë e kulturës sonë kombëtare midis dy luftërave, emri i Ismet Totos i ngjan një meteori që vezulloi nëpër qiellin e murrëtyer shqiptar të viteve 30 vetëm për pak kohë. Bile për shumë pak kohë, po të mendojmë që jeta e tij nuk i kapërceu tre dekada dhe vepra që krijoi u shtri në kufijtë e shtatë viteve. Iku tepër i ri dhe mbeti përgjithnjë i ri. Kështu vjen dhe imazhi i tij këtë vit, kur mbush 80 vjetorin e ndarjes nga jeta.
Bir i Labërisë trime, Ismet Toto lindi në Progonat të Kurveleshit, në një familje të njohur patriotike. I mëkuar dhe i brumosur nga ky mjedis, ai do të hynte me guxim në rrugën e jetës e të diturisë. Do të kryente shkollën teknike amerikane në Tiranë dhe do të ndiqte studimet ekonomike në Universitetin e Romës. Por më shumë se sa nga studimet shkollore, ai do të formohej si intelektual, brenda një kohe shumë të shkurtër, falë punës vetjake, mençurisë dhe vullnetit, etjes së pashuar për dije dhe guximit për të çarë drejt shtigjeve të pashkelura. Edhe detyrat administrative që kreu, apo misionet që iu ngarkuan kur shkoi në Gjermani e Itali, i shërbyen për të njohur jetën e për të zgjeruar horizontin intelektual. Frytet e kësaj pune këmbëngulëse dhe e synimeve serioze të talentit dhe aftësive të tij do të duken në mozaikun e shkrimeve që boton në shtypin e kohës si “Arbënia”, “Illyria”, “Minerva”, “Ora”, etj.

Krah mendimtarëve të rinj
Emri i tij do të lidhet me lëvizjen e re mendore të viteve 30, që u shfaq në botën intelektuale shqiptare. Ai do të bëhet pjesë e plejadës së atyre mendimtarëve të rinj si B. Merxhani, V. Koça, etj. që do të frymëzonin dhe hidhnin themelet e neoshqiptarizmës. Kjo lëvizje me theks iluminist, më shumë se me probleme të drejtpërdrejta politike të ditës u mor me çështje filozofike e sociologjike, etike dhe estetike, parë këto të lidhura ngushtë me synimin për të krijuar një mendim dhe kulturë të mirëfilltë shqiptare. Në këtë frymë, u ndërmorën studime serioze dhe u zhvilluan polemika, u krijuan vepra letrare, u bënë përkthime nga literatura filozofike dhe sociologjike, u hodhën ura të reja me metropolet e qytetërimit evropian. Nga gjiri i kësaj lëvizjeje dolën publicistë e analistë të thukët, kritikë letrarë e shkrimtarë, që brenda një kohe të shkurtër u shquan, jo vetëm për talent e përgatitje profesionale, por dhe për interesa të gjera dhe erudicion, për guxim qytetar dhe prirje drejt dukurive të reja. Ismet Toto do të ishte më i riu në mes kësaj plejade,

Prof. Dr. Nasho Jorgaqi

madje nga më të guximshmit dhe më prodhimtarët. Nuk është e rastit, që ai do të bëhet zëdhënës i brezit të ri, që do të flasë në emër të djalërisë e të inteligjencës së re, që duke i kthyer shpinën së kaluarës, guxon të shikojë përpara. Shqipëria do të shpëtojë, mendon ai, vetëm në qoftë se e merr në dorë djalëria dhe se vetëm ajo është në gjendje të investojë realisht “për të ndërtuar shtëpi me dritare të mëdha”. Edhe sot tingëllojnë aktuale fjalët e tij se “…punët e Shqipërisë t’i marrin në dorë krejt të rinjtë e pastër, të pakorruptuarit, ata që janë intansigjentë në parimet morale të shtetit dhe të individit”.

Idetë perëndimore
Ismeti i ri shtronte alternativën historike në se Shqipëria do të bëhej Zvicër apo Afganistan. Zgjidhja për të dalë populli nga prapambetja shekullore, sipas tij do të ishte “diktatura e ndritur” dhe shembull për këtë sillte Turqinë e Ataturkut, me të cilën hiqte paralele historike e sociale në mes saj dhe atdheut të tij. Pra, ishte fjala për oksidentalizimin e Shqipërisë ndaj ai dhe plejada e tij, të frymëzuar e të mbrujtur me idealet e perëndimit, kërkonin që shqiptarët të ndaheshin pa humbur kohë nga e kaluara orientale dhe të ndërtonin jetën dhe shtetin e tyre mbi themele evropiane. Këtë ideal fisnik, si i vetmi imperativ i drejtë historik, kish përqafuar Ismeti. Dhe brenda një jete të shkurtër, por tepër intensive, me një natyrë liridashëse e të revoltuar, me zigzage, por dhe me iluzione utopike, ai do të përpiqej e do të guxonte, përmes fjalës së mençur e të guximshme, të sillte kontributin e tij për emancipimin e shoqërisë së prapambetur shqiptare. Në shembullin e kulturës së ndritur të Perëndimit, në kulturën shqiptare duhej të përftohej, në kushtet e reja, një filozofi e moral kombëtar, një qytetërim shqiptar. Dhe për t’ia arritur kësaj, Ismeti me shkrimet e polemikat e tij u kundërvihet koncepteve dhe politikave anadollake, mentalitetit oriental, realitetit të përgjumur të kohës. Kryefjala e tij do të ishte ajo e një jete shoqërore dinamike, e zgjimit dhe vitalizmit shpirtëror të popullit, e lartësimit “të qytetërimit tonë të lashtë”.

Antikonformisti
Ndonëse tepër i ri, ai manifeston një personalitet të admirueshëm, njeri me karakter të fortë e të paepur, antikomformist dhe i vendosur e në të njëjtën kohë intelektual i një stature të re, në kërkim të vazhdueshëm të burimeve të dijes dhe të ideve, nga të cilat merr energji e forcë për aksionet emancipuese që lyp progresi i shoqërisë shqiptare. Në këtë përpjekje ai përdor të gjitha armët e kulturës e të artit me frymëzim oksidental, duke iu drejtuar bashkatdhetarëve herë nga pozita e filozofit e herë nga ajo e sociologut, herë nga pozita e publicistit e herë nga ajo e shkrimtarit. Gjithnjë i hapur e serioz, kurajoz e i qartë, gjithë nerv, me vështrim nga e ardhmja.

Krijimtaria
Dhe duke qenë se punoi në disa fusha dhe trashëgimia që la pas i takon thuajse viteve të rinisë, nuk është e lehtë që vlerat e Ismet Totos t’i vesh në një emërues të përbashkët. E vërteta është se ai bëri emër të nderuar si gazetar e letrar, biograf e përkthyes, mendimtar dhe veprimtar aktiv. Shkroi artikuj me problematikë të gjerë, botoi prozë e poezi, zhvilloi polemika të rrepta, përktheu vepra filozofike, hartoi një biografi me vlerë. Një trashëgimi që mbeti në pjesën më të madhe e shpërndarë në shtypin e kohës dhe në dorëshkrim. Të vetmet libra që mbajnë emrin e tij janë polemika “Grindje me klerin” (1934), biografia origjinale “Gazi – Kemal Ataturku (1935) dhe përkthimi “Heronjt’ e mendimit: Platoni” (1936). Një përmbledhje e shkrimeve publicistike-letrare dhe dokumentare, e përgatitur nga i vëllai, Selaudini, nën titullin “Bota e një djali kryengritës”, fill pas çlirimit nuk arriti të shohë dritën e botimit, por u botua në vitet e demokracisë.
Kjo është e gjitha ç’la Ismet Totoja, jeta e të cilit u këput në prag të moshës së burrërisë. E megjithatë, e mjaftueshme për të përvijuar qartë personalitetin e tij, i cili meritueshëm i qëndroi kohës, aq të trazuar. Një individualitet, që rri në mes krijuesit dhe mendimtarit, një vepër ku shprehen harmonishëm tharmi filozofik me idealin kombëtar, mendimi qytetar me shprehjen artistike dhe publicistike. Dhe këto, të përshkuara nga fryma e humanizmit, me tone herë të buta e herë të serta, prapa të cilave ndjehet qëndresa dhe vendosmëria e paepur, një natyrë e fortë, që nuk zmbrapset para pengesave e rreziqeve të çfarëdollojshme.

Letrari
Pasqyrë e këtyre mendimeve, e dallgëzimeve shpirtërore, e baticave dhe zbaticave nëpër të cilat kalon Ismeti janë skicat dhe vizatimet letrare, poezitë e prozat meditative, të cilat i botoi në pjesën më të madhe nën pseudonimin Borealis, por dhe Arbërori, Spero, Tomorri, etj. Vështruar në tërësinë e veprimtarisë së tij intelektuale ato na duken më tepër intermexo poetike, që zbulojnë shpirtin artistik të autorit të ri. Sepse më shumë se sa me sentimente dhe mbresa nga jeta, ai do ta gatuante veprën e vet me ide dhe do të operonte me mendime që lypnin kurajë dhe angazhim qytetar. Të tilla do të jenë esetë filozofike e akoma më shumë publicistika. Kjo e dyta do të rrokë një gamë të gjerë problemesh, politike dhe sociale, kulturore dhe etike, gjë që ia ofronte realiteti i rëndë shqiptar. Mjafton përmendja e titujve që të krijohet një ide për shqetësimet e autorit: “Agonia e ideologjisë së vjetër”, “Shigjeta në erë”, “Melodia e kukuvajkave”, “Shteti dhe shtypi”, “Të heshtim?”, “Organizma qeveritare dhe buka”, “Plagët e bujkut”, etj.

Polemisti
Ismet Totoja do të bënte emër si një nga polemistët më të zëshëm të kohës për guximin dhe mprehtësinë, inteligjencën dhe alternativën e mendimeve. Ai do të ndeshej në të gjitha krahët me kundërshtarët, bile dhe me kundërshtarë të kualifikuar dhe me autoritet siç qenë ata të klerit katolik. Mjaftoi artikulli i tij “Mistika e re” që shtypi klerikal i kohës t’i përgjigjej këtij djaloshi, që guxonte të prekte disa tabu. Në polemikën që u ndez u angazhuan deri Anton Harapi dhe Gjergj Fishta, por kjo nuk e pengoi Ismetin ta zgjerojë e thellojë mendimin dhe qëndrimin e tij kritik ndaj klerit. Ai nuk ishte ateist dhe as i mohonte vlerat e fesë, por mbante një qëndrim shkencor ndaj saj. Duke u mbështetur në filozofinë iluministe dhe në arritjet e shkencës, po dhe në përvojën e vendeve demokratike, ai s’kish si të mos kritikonte shfaqje të hipokrizisë dhe të dogmave fetare. Në jetën shpirtërore shqiptare, ai çmonte harmoninë midis feve, një shembull që populli shqiptar i jepte botës, por në këtë rast nuk mund të mos bënte thirrje për rreziqet që i kanoseshin vendit të prapambetur, i varfër e plot paragjykime siç ishte Shqipëria. Nga ana tjetër, në polemikën e tij ai kritikonte klerin për qëndrimet paternaliste që mbante në kulturën shqiptare apo arrogancën që manifestonte. Libri i tij me këtë temë “Grindje me klerin” mbetet dhe sot një faqe reference e mendimit emancipues shqiptar midis dy luftërave.

Ditari
Shumë interesant paraqitet Ditari i Ismetit. Më shumë se me ngjarje të ditës, ai merret me mendimet, jeton në botën e tyre, shtegton nëpër lëmenj dhe doktrina filozofike. Vihet në kërkim të idealit të vërtetë, përpiqet të njohë vetveten. Dhe nga ky proces, që shpesh kthehet në një polemikë me veten, lindin ide dhe mendime që të habisin për thellësinë dhe mprehtësinë e tyre, aq sa tingëllojnë si sentenca (“Jeta nuk është luftë, lufta është jetë”, “Adhurimi i së kaluarës na bashkon me harmoninë qiellore”, “Jeta e natyrshme është të rrojturit në pajtim dhe në harmoni të plotë me natyrën”, “Tradita është sundimi i të vdekurve mbi të gjallët”, “Tërmetet … një çast i bukur për njeriun që të kuptojë se sa i vogël dhe i kot është”, “Të fitosh një zemër të madhe, domethënë se rron me vlerë në jetë”, “Pendimi na përcjell gjer në varr”, “Fytyra e njeriut është gjithçka. Shikoje dhe do të njohësh shpirtin”). Në ditar janë plot interes portretet që u bën N. Frashërit e Gj. Fishtës, por dhe B. Merxhanit, N. Çikës, etj. Aty zënë vend mendime për probleme si martesa, raportet me fenë e moralin, për çështje të mprehta sociale. Ndjehet gjithkund shpirti kritik dhe natyra e tij e trazuar.

Biografi
Një vend të veçantë në trashëgiminë e I. Totos zë jetëshkrimi “Gazi – Kemal Ataturku”, një vepër që dëshmon për aftësitë e tij të shquara si biograf. Traditës sonë të varfër biografike iu shtua një vepër plot merita, si për nga niveli dhe serioziteti ashtu dhe nga ndërtimi i saj dhe vlerat tregimtare. Jetën e pasur të Ataturkut ai e dha në momentet kulmore, me tone të përmbajtura emocionale, me një gjuhë të bukur e të rrjedhshme. Libri u mirëprit nga lexuesi dhe kritika, siç u përshëndet dhe u vlerësua dhe nga vetë Ataturku. Janë këto merita të veprës, që e kanë bërë atë t’i qëndrojë kohës dhe të lexohet dhe sot me ëndje e përfitim.
Figura e Ismet Totos nuk mund të konceptohet pa angazhimin e tij total në përpjekjet për një lëvizje mendore shqiptare. Një lëvizje, në të cilën ai nuk e shihte veten si njeri kabineti, po dhe si njeri aksioni. Gjithnjë i etur për dituri, në kërkim të së vërtetës, tek burimet e ideve dhe mësimet e historisë, por dhe një intelektual në veprim, për të cilin ishin të huaja heshtja, konformizmi, servilizmi. Luftëtar i lirisë së mendimit, adhurues i shkencës, armik i obskurantizmit, ai do të ishte në vijën e parë për një ndërgjegje të lartë kombëtare, për një drejtësi shoqërore dhe për një shëndet shpirtëror të popullit të tij. Këtij qëllimi fisnik do t’i shërbente puna që nisi për të përkthyer veprën “Heronjtë e mendimit” të Y. Durantit, duke e filluar me Platonin e për të vijuar më pas me Volterin e kolosë të tjerë të mendimit.

Fati tragjik
Por kjo ndërmarrje e madhe, si dhe gjithë ai përkushtim aq i devotshëm, do të ndërpritej tragjikisht. Do të qenë mendimet liridashëse dhe revolta ndaj tiranisë, ato që do ta çojnë të bashkohet me lëvizjen kryengritëse, e cila synonte rrëzimin e monarkisë. Por fati i tij do të ishte tragjik. Gjithë ato aspirata humane dhe hove shpirtërore do të shuheshin në plutonin e trekëmbëshit në burgun e kalasë së Gjirokastrës një mëngjes nëntori të vitit të largët 1937! Para se të shkonte kryelartë drejt vdekjes, ai do të shkruante letrën e fundit, “De Profundis”, ku në mes të tjerash, do të shënonte fjalët: “Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen”.
Kjo do të mbetej kredoja e këtij intelektuali kryengritës, që u përcillte brezave të rinj dhe që në 80 vjetorin e ikjes së tij na vjen po aq e fuqishme dhe me një vërtetësi që s’e ka prekur koha.
Dhe në këtë përvjetor jubilar u botua libri voluminoz “Larg dhe afër” (Saga e një familjeje), ku përfshihet publicistika, eseistika, mendimi filozofik letrar dhe social i tij në mbi 600 faqe, përgatitur dhe paraqitur nga e mbesa, prof.dr. Nevila Nika. Është ky homazhi i merituar që i bëhet këtij intelektuali kryengritës, i vili tanimë i takon denjësisht historisë së kulturës sonë kombëtare.

November 5, 2017 10:30
Komento

2 Komente

  1. koloneli November 5, 16:39

    mjaft me peralla,botoje dhe vendimin e denimit ta marin vesh gjithe shqiptaret,mor fallsifikator.

    Reply to this comment
  2. mateo November 6, 00:26

    Pse nuk e thua shqip,o shkrimtar i nderuar se kete njewri e pushkatoi satrapi Ahmet Zogolli,qe kjo mbesa e Ismet Totos, e do aq shume!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*