Istikamet e përbaltura të fjalës

July 27, 2016 17:51

Istikamet e përbaltura të fjalës

 

Çapajev Gjokutaj

 

Një nga kryelajmet e ditëve të fundit ka qenë edhe djegia në repartin e hemodializës së Spitalit Amerikan. Nuk ishte djegie nga ndonjë defekt teknik, apo ndonjë parrregullsi në lidhjet elektrike. Difekti ishte në komunikim.

Dy pacientë gjatë seancës së kurimit hahen me fjalë për një problem a tjetrin. Njeri prej tyre, sa mbaron seancën, spërkat me benzinë tjetrin dhe i vë zhizhën. Por flakët e benzinës, që janë po aq të paparashikueshme sa flakët e fjalës, përfshijnë në çast, veç kundërshtarit edhe dy paciente që kuroheshin aty pranë.

Rezultati deri tani është tre të vdekur dhe një i djegur që lufton për jetën. E gjithë kjo batërdi për një fjalë goje, për të mos u tundur nga istikamet e përbaltura të fjalës tënde.

Në shqip shprehja frazeologjike “për një fjalë goje” shënon diçka të parëndësishme, diçka që shqiptohet lehtë dhe nuk ka thuajse asnjë vlerë siç e dëshmojnë herëpashere edhe titujt e gazetave të tillë si: “Dekriminalizimi s’është thjesht një fjalë goje”, “Burg për një fjalë goje”, “Tenton të vrasë fqinjin për një fjalë goje” etj. etj..

Të bën përshtypje se shumica e titujve që ofron Google kur kërkon lajme me shënimin “për një fjalë goje” lidhen me vrasje, krim, burg. Pra diçka fare e papërfillshme si fjala e gojës, thënë ndryshe: fjala e folur që e merr era, vjen e lidhet me dy nga gjërat më të jetike për njeriun normal: jetën dhe lirinë.

Fjala e folur, sado e lehtë dhe e papërfillshme të duket, është instrument që bën çudira. Këtë e ka artikuluar mirë shqipja kur ka krijuar metaforën ‘peshoj fjalën” dhe shprehjet që lidhen me të. Ka një urtësi të tërë popullore për të treguar kujdes me fjalën, për të komunikuar me korrektesë, modesti dhe pranim të tjetrit.

Gjithë ky investim gjuhësor ngjan se është bërë ngaqë jeta, rast pas rasti ka dëshmuar se njeriu është i prirur t’i paraqesë mendimet e veta si të vërteta të kulluara, pa lenë asnjë shteg që bashkëbiseduesi të ofrojë alternativë tjetër.

Vështirë ta gjesh se nga buron kjo prirje. Megjithatë, përbën thelbin e një difekti komunikimi që shpie deri në krime e vrasje, ndaj ia vlen t’i kërkosh rrënjët e t’i bësh të dukshme për sa më shumë vetë.

Mbase buron nga padija ose, më saktë, me dijen e kufizuar. Ka një parim që quhet ‘rrethi i injorancës’: Ajo që njeriu di është një rreth i ndriçuar, i zhytur në errësirën pafund të gjërave që s’i di. Sa më e shumtë dija, aq më i madh rrethi, aq më shumë kontakte me gjëra që s’i dimë dhe s’mundemi t’u japim përgjigje. Rrjedhimisht: sa më shumë të dish aq më shumë pasiguri ke, aq më tolerant bëhesh. Di që s’di asgjë, thoshte Sokrati i gjithëdijshëm.

Pretendimi për të thënë fjalën e fundit lidhet mbase edhe me dobësi në formimin etik. Kur bisedon me të tjerë, ballë për ballë apo në FB, duhet të pranosh disa norma etike. Një nga më baziket është: respekto tjetrin, kushdo qoftë ai, leri mundësi të flasë, të diskutojë. Ndryshe komunikimi ndërpritet. Këtu, mbase, ndihmon qasja e Niçes: egziston bindja ime dhe bindja jote, mos u lodh të gjesh të vërtetën absolute apo atë ideale, thjesht nuk egzistojnë.

Dëshira për t’i paraqitur mendimet e tua si të vërteta të padiskutueshme lidhet mbase edhe me sakatllëqe psikologjike, që i kemi brenda vetes, por nuk i dimë. Shpesh siguria e tepruar në bisedë është kompesim për pasiguri, për dobësi dhe frikëra që fshihen brenda nesh.

Duke luajtur të sigurtin, të gjithëdijshmin shijojmë iluzonin e të fuqishmit dhe sadokudo bëjmë sus pjesën tjetër të vetes, që pëshpërit të kundërtën.

Mbase këtë kishte parasysh Brehti, kur thoshte: kush është i sigurt, nuk është i sigurt.

July 27, 2016 17:51
Komento

1 Koment

  1. REZI July 27, 22:17

    Është pikërisht kjo arsyeja që duhet punuar me fëmijët që kur janë të vegjël. Më duket fare pa llogjikë, mbase dhe mund të thuash i sëmurë që për një fjalë goje t’i vësh flakën tjetrit. “T’i vësh flakën tjetrit” ka qënë një shprehje kur ngrihej zëri dhe grindeshin dy njerëz, por vërtetë grindja u shëndrrua në vënie flake dhe që i kushtoi jetë 4 vetave. Kush fitoi nga kjo? askush, përkundrazi humbëm njerëz dhe vetë shoqëria po i humbet përditë vlerat e një shoqërie njerëzore.
    Duhet marrë si shembull për komunikimin mes njerëzve për atë se si duhet bërë kjo.
    Sa të gatshëm jemi nëse bie zjarr në vëndin ku ndodhemi? (ne në vëndin e punës bëjmë cdo vit përgatitje në rast zjarri ashtu sikurse edhe në banesat ku jetojmë na kërkohet të kemi mjete fikëse zjarri) Duhet punuar në mënyrë parandaluese, jo kur ndodh por para se të ndodhë.
    Ky rast është këmbanë e fortë alarmi për të gjithë qytetarët, qofshin këta në rrugë, shtëpi, spital apo kinema…kudo.
    Analizë e shkëlqyer por jo për komentuesit e zakonshëm që sic dhe ju shkruani, kujtojnë se dijnë gjithshka.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*