Isufi: Gratë fisnike çame, misionare të pajtimit e mbrojtëse të identitetit

Kujtim Boriçi October 4, 2013 11:30

Isufi: Gratë fisnike çame, misionare të pajtimit e mbrojtëse të identitetit

Në vite e dekada, populli çam në trojet e tij të lashta, u detyrua të përballoj me një qëndresë heroike shovinizmin grek. Përballë këtij realiteti, banorëve të Çamërisë iu desh të forconin unitetin mes tyre, ti gjendeshin pranë njëri-tjetrit në çdo situatë, të ruanin me fanatizëm gjuhën e bukur shqipe e traditat shekullore, por dhe të kapnin armën për mbrojtjen e dinjitetit. Sipas historianit Hajredin Isufi, një rol të rëndësishëm në këto situata të rënda, ka luajtur gruaja fisnike çame. Ajo u kthye në ‘Ambasadore’ e pajtimit pas hasmërive e konflikteve, por dhe luftëtare për mbrojtjen e lirisë, nderit e dinjitetit. Lidhur me këto, në vazhdim, historiani Isufi sjell dëshmi konkrete dhe interesante…

 

DOKET DHE ZAKONET

Doket dhe zakonet në Çamëri, si pjesë e dokeve dhe zakoneve të shqiptarëve, kishin të përbashkëtat e tyre, por dhe të veçanta. Këtë, e kanë vënë në dukje studiues të njohur shqiptarë, por dhe shumë të huaj. “Doket dhe zakonet e myslimanëve dhe të krishterëve në Çamëri, shkruan Vasil Krapsiti, janë të njëjta dhe këto ishin në vazhdim të një tradite të lashtë”.(Burimi: Vas Krapsites, Oi mousulmanoi…vep. f. 22-23). Ato nuk ndryshonin fare nga ato të shqiptarëve dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me ato të grekëve.

Në radhë të parë dua të ve në dukje një veçori karakteristike që e has në çdo shtëpi çamë: furrën tipike, të ndërtuar me baltë për pjekje. Atë furrë në vitin 1990 e gjeta edhe në një qoshe të kullës së Marko Boçarit në Sul, ndërtuar rreth 200 vjet më parë.

 

BESA

Institucioni i besës, që është një veçori karakteristike e shqiptarëve, luajti një rol të madh në rregullimin e marrëdhënieve shoqërore edhe në Çamëri. Çdo i huaj që shkel tokën çame, turk, evropian, grek apo kushdo qoftë, që guxonte të kalonte në territorin çam, do ti sigurohej mbrojtje kur i jepej besa. Ai, shkruan Bartholdy, do të gjente mikpritje dhe siguri.(Burimi: Bartholdy, vep. e përm.,f. 260). Sipas zakonit shqiptar, edhe në Çamëri, asnjë çam, qoftë ky mysliman apo i krishterë, nuk guxonte ta prekte jabanxhiun, që ishte në besën e një çami tjetër. Në emër të besës, në të gjithë hapsirën çame, hasim edhe të drejtën e strehimit. Azilin, për një person që ndiqej nga qeveria turke, ishin të detyruar ta respektonin jo vetëm bashkësia e fisit ku ishte strehuar, por gjithë fshati. Cënimi i të drejtës së mikut a të azilantit ishte një rast tepër i rrallë në Çamëri dhe kur ndodhte kjo, shoqërohej me pasoja deri në konflikte të hapura. Se sa të fortë e kishin çamët besën, po sjellim nëj shembull: Foto Xhavella, kapedan i Sulit, në një rast që ishte rob tek Ali Pasha në Janinë, nën presione të forta të Pashait, u detyrua të shkonte nga Janina në Sul, duke i lënë peng të birin Aliut. Ai u dërgua kundër vullnetit të tij nga Pashai i Janinës për të bindur suljotët me autoritetin që gëzonte, ti dorëzoheshin Aliut pa qëndresë. Foto Xhavella, sapo arriti në sul, mblodhi kuvendin e Sulit dhe u tha:”Jam dërguar nga Ali Pasha t’ju bind ju të dorëzoni Sulin. Propozimin e tij unë e pranova tua përcjellë ju, por unë nuk do ta pranoj kurrë atë që dëshiron Valiu i Janinës, me gjithë se për mua është e rëndë se nuk e mbajta besën, fjalën e dhënë. Por është hera e parë që e shkel këtë dhe e bëj ndaj një tirani që na ka mashtruar në besë disa herë!” (Burimi: K.Kristovasili, Ta iroika thaimata ton Soulioton kai Souliotidhon, En London-1887, faqe 182)…

 

HAKMARRJA

Zakoni i hakmarrjes, si në shumë vise shqiptare, ishte mjaft i përhapur dhe në krahinëne  Çamërisë. Hakmarrja-shkruan Mit’hat Frashëri, ka shërbyer deri në një afër mase si institucion rregullues, i aftë për të ngjallur respekt për njeriun dhe për të parandaluar të keqen.(Burimi: Mit’hat Frashëri. ‘Çështja e Epirit’, Tiranë, 1998, faqe 113). Hakmarrja kishte ligjet e veta të pashkruara, por që respektoheshin plotësisht. Zakoni i hakmarrjes ose i marrjes së gjakut, ishte një detyrim që gjaksi mund t’i nënshtrohej me përulësi. Në Çamëri shpesh plasnin grindje midis dy familjeve të së njëjtës farë, një lagje me një lagje tjetër, një fshat me një tjetër. Këto grindje shpesh ndizeshin për shkak të shkeljes së besës, mos mbajtjes së fjalës së dhënë, të prekjes së kullotës, të vrasjes së një qeni, të goditjes së një personi për çështje nderi ose prekjen brenda territorit të juridiksionit të personit ku kishte bujtur. Individi a fisi që prekej, mbrojtjen e tij nuk mund ta gjente me anën e organeve të ligjit, sepse mungonte shteti i së drejtës, kështu problemi merrte rrugën e zgjidhjes me anën e vetëgjyqësisë me armë.(Burimi: Pouqueville, Voyage dans…, Vëll.Il, kap.29, f.562). Gjakmarrja në pabesi në Çamëri, si në të gjitha viset shqiptare, dënohej ashpër. Bartholdy ve në dukje se për atë që vret në pabesi, çamët kanë ligje të ashpra. Atë e dënojnë me gjobë të rëndë, shkatërrojnë madje edhe shtëpinë dhe e ndalojnë për ta rindërtuar atë”. Ky zakon ndaj vrasësit në pabesi, shkruan Pukëvili, tek çamët vazhdoi derisa Çamëria u vu nën sundimin e Ali Pashës në vitin 1813.(Burimi: Cituar më lart).

Studiuesit e huaj zakonin e egër të hakmarrjes në Çamëri, “rebelimet e tyre të shpeshta, përgjithësisht ia atribuonin shpërdorimit të besës”.

(Burimi: Hobbouse, vep. E përm., f.144). Hobhaus, që është një tjetër anglez, ndan të njejtin mendim me bashkë kombasin e tij Martin Leake, duke shtuar se “tradhtia është një ves që zor e gjen mes tyre.(Burimi: Pouqueville, Voyage…, vep. E përm., Vëll. I,f. 566-567).

 

PAJTIMI

Ndërmjetës për t’u dhënë fund konflikteve të tilla në Çamëri bëheshin edhe gratë. Shqiptaret çame, ambasadoret e paqes, të veshura me respektin publik, thotë Pukëvili, kalonin pa rrezik dhe pa frikë në frontet e luftës, vijat e zjarrit dhe nuk njihej ndonjë rast që të ishte prekur ky seks. (Burimi: Pouqueville, Voyage…, cituar më lart). Bisedimet zhvilloheshin në odat e krerëve të fiseve gra me gra dhe me lotët që rridhnin pa rreshtur nga sytë e tyre. Në vend që të bënin diskutime, ato qanin, nxirrnin në shesh mjerimin e përbashkët të familjeve të tyre, psherëtisnin për fatin e burrave të humbur që ishin pothuaj vëllezër ose të të afërmve të tyre, mbasi lidhjet e të njetit gjak ishin mjaft të përhapura mes shqiptarëve.(Burimi, ai i më  sipërmi). Duke patur të njëjtin interes, thotë më tej Pukëvili, ato dëshironin pajtimin, që do t’u mbronte atyre burrat, djemtë, vëllezërit dhe të mirat. Ato venë e nxisin për të shkuar pranë burrave të zemëruar djemtë dhe vajzat, që u drejtojnë atyre lutje të prekshme. Dhe bisedimet e tyre, të denja për qytetërim më të lartë, rrallë mbaronin pa sukses. Inatet dhe zemërimet sado të mëdha, binin ndaj zërit përulës të fëmijëve dhe palët shpërndaheshin. Vendosej paqja. Mendimi i çamëve ishte se lufta dhe paqja ishin të mira ose të këqija të përkohshme. Ky ishte një zakon çam. Pajtimi mes fiseve dhe individëve në Çamëri, bëhej shpesh atëherë kur shtrohej nevoja e kompaktësisë së fiseve për të përballuar armikun që rrezikonte vendin, nderin dhe lirinë. Në këto raste ndërhynin krerët e fiseve dhe njerëzit më me influencë për pajtim. Falja bëhej në prani të kryepleqve me emër të dy fiseve ose të dy fshatrave. Në Çamëri ndodhte shpesh që edhe vetë marrësi i gjakut ta falte gjakësorin, kur shihte se armiqësia mes tyre dëmtonte interesat e vendit, ose bëhej shkak për shuarje familjesh e fisesh të tëra. Fisi i madh i Boçarenjve në Sul, ishin në armiqësi e gjakmarrje të vjetër me fisin e Bakallenjve, sepse Gogo Bakalli i kishte vrarë të atin Marko Boçarit. Armiqësia mes dy fiseve të mëdha suljote kishte vazhduar për vite me radhë në të gjitha veçoritë e hakmarrjes të zakoneve çame. Këta dy fise ishin në armiqësi mes tyre, por secili prej tyre nuk kursente asgjë për të mbrojtur Sulin nga rreziku, madje edhe duke u flijuar për të. Në një rast, kur komanda turke në Janinë përgatitej të sulmonte Sulin me forca të shumta e ta pushtonte atë, Marko Boçari, njeri nga kapedanët kryesorë suliot, kur pa se Suli dhe jeta e nderi i suljotëve ishte në rrezik, hasmëritë e vjetra duhej t’ia linin vendin bashkimit dhe të harroheshin të shkuarat. Në këto rrethana Marko Boçari, përballë interesave të bashkësisë suliote, ndërmori një vendim sa të mençur, aq edhe burrëror: vendosi t’ia falte gjakun e babait të tij, vrasësit Gogo Bakallit. Boçari, ndërkohë me anën e dy kapedanëve suliotë, Kutuli dhe Janaq Rangon, e ftoi në një takim Gogo Bakallin, armikun e tij, dhe në prani të dy kapedanëve të tjerë, shtriu dorën për tu pajtuar. Dhe ashtu të katër, siç ishin në atë çast solemn të pajtimit, hartuan planet për të sulmuar taborret turke në kampet e Janinës. (Burimi: S. Mela, To lintari… vep. e përm.,f. 390).

 

DËSHMI ANGLEZE PËR TRIMËRINË ÇAME

Udhëtari anglez, Valentino Chirol (Çajrëll), bëri një shëtitje në vitin 1880 nëpër të gjithë krahinën e Çamërisë. Ai u gjend mes çamëve në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Udhëtimi i tij i fundit në këtë kohë ishte zona e Margëlliçit. Ai nga paria shqiptare e vendit dhe në mënyrë të veçantë nga Vesel Pashë Dino, njeri nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mësoi se në fshatin Mazrrek do të bëhej një manifestim i madh, ku do të shprehej qëndresa e vendosur e shqiptarëve për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë nga trualli shqiptar në Shqipërinë e Poshtme. Anglezi, nga kontaktet e para që pati me çamët në kazanë e Margëlliçit, krijoi bindjen e plotë se ata qëndronin si roje të vendosura në jug të Shqipërisë dhe kishin për detyrë të mbronin deri në pikën e fundit të gjakut të tyre vendin e nderit e të rrezikut, që u ishte besuar. Anglezi konstatoi se qëndresa çame, që rritej dita-ditës para syve të tij “nuk shprehte urrejtje për helenizmin, përkundrazi, shkruan ai, ata në shumë mënyra kishin ndjerë influencën e kulturës helene për të mirë. Ata ia detyrojnë asaj shumë nga edukimi i tyre që zotëronin”. Dhe më tej vazhdon: “Por nuk kanë qenë të prirë të sakrifikonin të drejtat e tyre për qëllimet e politikës së Athinës. Po t’i trajtonte Greqia ato mbi baza barazie, nuk do të kishte asgjë që t’i ndalonte nga një lidhje e ngushtë midis kombeve..(Burimi: V. Chirol, po aty). Konkluzioni që kishte arritur anglezi ishte më se i vërtetë. Çamëve nuk u interesonte të shkëmbenin sundimin e Stambollit me atë të Athinës. Dhe për të parandaluar një përfundim të tillë, çamët u mbështetën jo vetëm në armët e tyre, por edhe në ato të shqiptarëve në veri të lumit Kalama, interesat themelore të të cilëve ishin njëlloj në rrezik me të tjerët, por në drejtësi të Evropës.(Burim i mësipërm). Është e qartë se ajo që e frymëzonte këtë lëvizje të fuqishme nuk ishte fanatizmi fetar kundër fqinjëve të tyre helenë, por zgjedhja e tyre kombëtare, e cila tek shqiptarët ishte më e fuqishme sesa në të gjithë vendet e lindjes.

 

KUVENDI IU PAJTIMIT NË MAZRREK

Dhe tani le të kthehemi tek mbledhja e madhe e Mazrrekut dhe në një dukuri interesante të pajtimit të gjaqeve, që manifestuan personat që ishin në hasmëri mes tyre. Disa qindra malësorë çamë, mes tyre edhe figura të shquara të Margëlliçit, Mazrrekut, Karbunarit, Luaratit, Pargës dhe Prevezës, ecnin drejt vendit ku ishte caktuar mbajtja e kuvendit të madh popullor. Ata i printe Vejsel Pashë Dino, hipur në një kalë të bardhë dhe rrethuar nga paria e vendit, të cilët për nga veshja e stolitë që mbanin, dalloheshin nga të tjerët. Ndërkohë, shkruan Çajrëll, turma ecte duke lëshuar thirrje mbrojtje me luftë të territoreve shqiptare, duke shkrehur në ajër pisqollat e tyre me tytat e gjata që i ndiznin me fitil. (Burimi: V. Chirol…). Çamët manifestues, që ishin rreth dymijë vetë, shkruan anglezi, zunë vend nën hijet e ullinjve, të cilët stolisnin rreth e rrotull një lëndinë. Për anglezin ishte befasuese pamja e atyre malësoreve “të gjatë e të pashëm, të zbukuruara me fustanellat e pastra e me xhaketat e qëndisura. Qëndrimi i tyre krenar, bile më shumë se armët e tyre të ngjeshura në brez, tregonte qartë se ishin të një race të shquar luftëtarësh, të cilët as Ali Pasha nuk kishte arritur f i nënshtronte plotësisht.(Burimi: Cituar më lart).Anglezi, në veprën e tij, një vend të rëndësishëm i kushton fjalës së Vejsel Dinos para të pranishmëve, “Fjalët e tij, shkruan autori, merrnin krahë e fluturonin. Ai dukej sikur aspironte në shpirtrat e çdo njeriu që ndodhej aty, derisa erdhi fjala e fundit, kur çdo njeri prej tyre vazhdonte të përsëriste atë me gjithë shpirt: Rroftë autonomia e Shqipërisë!” Ndër skenat më befasuese për të huajt ishte pajtimi : “…ndërmjet malësorëve të mbledhur në livadh ishin edhe shumë nga ata, që u përkisnin fshatarëve e familjeve që ishin në gjakësi të vjetër. Solemnisht këta që kishin qenë aimiq të egër deri dje, iu afruan Pashait dhe e detyruan veten, që me puthjen e faqes të hiqnin dorë botërisht nga hasmëria e tyre përballë rrezikut kombëtar. Një gjë e tillë nuk ishte parë ndonjëherë, më tha Pashai. Dhe dëgjo këtu, shtoi ai, duke më treguar një malësor të shkurtër. Këta janë ortodoksë… sot ata kanë ardhur pa u thirrur në këtë festë. Por kur të shpërndaj armët, unë do t’u jap me të njëjtin besim si Pjetrit, ashtu edhe Ahmetit”. Nga pasazhet që përshkruam dy janë konkluzionet kryesore: Së pari, çamët nuk prireshin nga fanatizmi fetar dhe urrejtja kundër helenëve, fqinjëve të tyre. Çamët nuk i lejonin vetes të bëheshin as skllevër të Perandorisë Osmane, as grekë dhe as turq. Ata në radhë të parë, siç thotë Çajrëll, ishin shqiptarë e pastaj pasues të profetit”. Së dyti, edhe çamët myslimanë, ashtu si edhe bashkëkombasit e vet të krishterë, kur ishte në rrezik vendi, e fshinin hasmërinë me puthjen e paqes.

 

ORGANIZIMI FISNOR

Organizimi fisnor tek shqiptarët e Shqipërisë së Poshtme, ishte i njëjtë me atë të viseve të tjera shqiptare. Pukvili ndarjen e

shqiptarëve të Sulit në fise e merrte si një zakon mbarëshqiptar me origjinë të vjetëR. (Burimi:Pouqueville, vep e përm, vëll. lI,f.211).

Mendim të njëjte me historianin francez ndanë edhe studiuesi i njohur Milto Kurtinianni në veprën e tij. (Burimi:Milto Kurtinianni, Topasaliki tou Joaninou stin epohi tou Ali Tepelena, (1788-1822), f 112). Remerand thotë se Çamëria, megjithëse ra nën sundimin osman, ajo nuk ndryshoi asgjë nga organizimi fisnor i saj i mëparshëm. Feudalët e rinj të islamizuar, ecën në traditën e paraardhësve të tyre të krishterë, të cilët jetonin si sovran të vegjël e të pavarur. Ata nuk njihnin autoritetin e pashallarëve të emëruar prej Portës së Lartë, por nga ana tjetër, për sa kohë që nuk kishin prej tyre ngacmime, nuk shfaqnin ndonjë qëndresë armiqësie. Por kur pashai ngatërrohej në punët e tyre, të gjithë këta të fundit formonin një front të përbashkët kundër të njëjtit armik.

 

‘LIDHJA ÇAME’

Duke krijuar frontin e përbashkët kundër të njëjtit armik, në Çamëri formohej ajo që quhej ‘Lidhja Çame”. Burimi: G. Remerand, “Les grandes figuresdelorient”, Tom II, Paris). Milto Kurtinianni kur ndalet tek organizimi fisnor në Çamëri, thekson se komuniteti ishte i ndarë në fise, por udhëheqësit e tyre nuk mungonin të bashkoheshin me të tjerë të jashtëm për fuqizimin e pozitës së tyre dhe për të rritur influencën në zonën e tyrE. (Burimi:M. Kurtinianni, Topasaliki…. vep e përm.f.122). Fiset në Çamëri, si në mbarë viset shqiptare, ishin të lidhur me njëri-tjetrin. Çdo familje mbronte shtëpinë dhe pronën e tij. “Në Paramithi, shkruan Bartholdy, çdo fis ka juridiksionin e tij. Fiset e mëdha kanë dhe influencë më të madhe në çështjet publike”. (Burimi:Bartholdy, Voyage… vep e përm, f.245). Familja ishte baza e shoqërisë. Kryetari i familjes ishte burri. Ai drejtonte familjen e vendoste për çdo gjë. Ai mbronte jetën, nderin dhe pasurinë e familjes. Gruaja kishte pozitë inferiore. Ajo lindte fëmijë, merrej me rritjen dhe edukimin e tyre e me punët e shtëpisë. Gruaja ishte nën urdhrat e dyfishtë të burrit dhe të vjehrrës. Kjo dukuri transmetohej nga brezi në brez.

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Arkiva dhe dëshmi: Si ishte e ndarë dhe si funksiononin klasat shoqërore në Çamëri, lidhjet mes tyre në funksion të ruajtjes së identitetit dhe vendit nga pushtuesit.

-Lidhjet martesore në Çamëri, rregulli i lidhjes së krushqive dhe roli i familjeve të mëdha në jetën e banorëve të Çamërisë.

-Çfarë ishte Vëllamëria dhe si funksiononte ajo në Çamëri dhe ndikimi në forcimin e unitetit. Ritet e çamëve në beteja.

 

 

 

 

Kujtim Boriçi October 4, 2013 11:30
Komento

3 Komente

  1. opinion. October 4, 20:44

    QAMERIN e te gjitha ishe provancat e SHQIPRIS SE MADHE te DIKURSHME i SHKATTROJE se pari TURKU 540 vite ROBERI DHUNE VRASJE e MASAKRRA,pastaj MURTAJE e ZEZ per QAMET e te gjitha TROJET SHQIPTARE ka qene FEJA OTOMANE ISLAME dhe u brakzisen nga NDIHMA e EVROPES e BOTES KRISHTERE.por edhe sote eshte e njejta KENGE e KAQAMAK per SHQIPTARET ku bisedohet per TOKAT e TYRE,ABUZOHEN e URREHEN BRUTALISHTE nga EVROPA e BOTA KRISHTERE.

    Reply to this comment
  2. Shqiponja October 4, 20:58

    Per ‘Opinionin”!
    Pergjithesisht jam dakord me mendimin tuaj. Por ne fakt Cameria, mund te jete e vetmja krahine jo vetem shqiptare, por dhe ne Europe qe ka vjatur dhe po vuan ende nje kalvar te rende… Camet u vrane, u debuan me dhune, por nuk e kane harruar vendlindjen e tyre shqiptare… E nje dite, nuk di se kur, kjo do te ndodhe… Por eshte mire qe historia e dhimbshme e camerise te njihet, pasi me thene te drejten, pak njihet dhe nga vete shqiptaret. Keto shkrime te gazetes Dita jane shume interesante. Flm!.

    Reply to this comment
  3. Tani October 4, 22:01

    Po kur do te marrin fund hallet e Cameve!?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*