Itali, telekamera zbulon rrjetin kriminal senegalez. Furnitorë, dy shqiptarë

February 6, 2018 17:25

Itali, telekamera zbulon rrjetin kriminal senegalez. Furnitorë, dy shqiptarë

Falë një telekamere të fshehur në televizor, karabinierët e Compagnia Torino San Carlos kanë arritur të ndalin 48 persona, të cilët kishin mundur të krijonin një organizatë kriminale senegaleze trafikantësh droge.

Trafikantët kishin krijuar madje edhe një “seli të përgjithshme” të tyren, në një apartament të rrugën “Vigevano 52”.

Tani për tani janë 7 masat e sigurisë “arrest me burg” për përgjegjësit e zotërimit dhe shpërndarjes së drogës, por hetimi ka identifikuar gjatë muajve të fundit edhe 41 bashkëpunëtorë të tjerë, nga të cilët 18 të arrestuar dhe 23 të akuzuar për posedim dhe shitje të narkotikëve, posedim dhe prodhim të dokumenteve false, favorizim të emigracionit klandestin dhe shfrytëzim prostitucioni.

Ajo që “i mbërtheu” trafikantët, duke zbuluar dhe dokumentuar aktivitetet e tyre të paligjshme, ishte një telekamera e fshehur në televizorin e apartamentit, që shërbente si laborator për paketimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.

Furnizuesit e drogës, edhe në këtë rast thuhet të jenë dy shtetas shqiptarë, edhe pse nuk dihet gjë për identitetin e tyre.

Në organizatën senegaleze, secili kishte detyra të përcaktuara qartë: logjistikë, menaxhimin e korrierëve, përgatitjen e dozave dhe shpërndarjen nëpër shtëpi. Trafikantët ishin në gjendje të përmbushnin kërkesat e qindra klientëve në ditë, në periferitë e Torinos.

Karabinierët kanë mundur të identifikojnë bashkëpunëtorët e grupit kriminal, që kujdeseshin për fshehjen e parave që vinin nga shitja e drogës. Këto para riinvestoheshin për blerje kokaine, ndërsa një pjesë mbahej për të mbuluar shpenzimet ligjore të bashkëpunëtorëve të paraburgosur tashmë.

Gjatë operacionit u sekuestruan mbi 160 mijë euro “cash”, e një sërë dokumentesh identifikimi, mes të cilave pasaporta reale dhe të falsifikuara. e.k/dita

 

 

February 6, 2018 17:25
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*