VIDEO / Izet Haxhia: Viti ’97, Droga dhe Azemi, Tropoja

May 13, 2018 13:59

VIDEO / Izet Haxhia: Viti ’97, Droga dhe Azemi, Tropoja

Shënim i redaktorit:

Kjo intervistë e gjatë tekst dhe Video është marrë nga DITA në shtator 2014 dhe është botuar në 4 pjesë.

Është ridalja e parë në publik e Izet Haxhisë pas arratisjes së tij nga Shqipëria në 1999.

Fillimisht askush nga mediat veç Ditës nuk u mor me Izetin.

Berisha kishte arritur të impononte censurë dhe autocensurë mbi rrëfimet shokuese të ish-truprojes dhe njeriut të tij të afërt.

Më pas daljet e tij në media dhe rrjete sociale e veçanërisht në DITA kanë qenë të shpeshta.

Tashmë edhe pjesës tjetër të medias, por edhe politikës më në fund u është rikthyer goja.

Izet Haxhia është estraduar këto ditë nga Turqia dhe mbahet në Burgun 302 në Tiranë.

Ky rrëfim është rrëfimi i parë pas 19 vitesh arrati dhe përmbledh gjithçka ai di lidhur me ngjarjet që shenjuan Shqipërinë e dekadës së parë pas ’90-s.

 

VIJON NGA: KLIKONI KËTU

 Mira Kazhani: Pse sipas jush bënte këto zgjedhje Berisha?

Izet Haxhia: Berisha nuk zgjedh njerëz që nuk i përdor dot. Pse vetëm në Shqipëri nuk u hapën dosjet? Sepse këto janë përdorur gjithmonë nga Berisha. Kur dikush sillet urtë dhe i bindet, është shumë mirë më të; nëse dikush ngre kryet me të, ai nis e tund dosjet!

 

Mira Kazhani: Pavarësisht gabimeve, a mendoni se zoti Berisha pati gjithë vullnetin e mirë për të bërë shtet, por ndoshta thjesht nuk ja doli, për një mijë arsye dhe atë më kryesoren se fundja edhe ai vetë vinte nga një kulturë komuniste? Ndoshta nuk ishte as ai gati për demokracinë dhe për të kuptuar sesi respektohen institucionet e një shteti?

Izet Haxhia: Ne vinim nga regjimi komunist. Nuk u bë ai kalimi i butë nga regjimi. U bë ai kalimi i menjëhershëm, i dhunshëm. Dhe kuptohet jo të gjithë kuadrot e komunizmit ishin të këqinj, ka patur atdhetarë, të ndershëm, po njerëz të tillë u nxorrën jashtë loje.

Shiko sistemin e drejtësisë. Gjëja më e shenjtë e një shteti është drejtësia. Si mund të bëhet gjyqtar një njeri më 6 muaj kurs? Këto janë pasojat që vijnë për mosndërtimin e shtetit. Çdo gjë fillon e mbaron tek drejtësia. Ajo u duhet të gjithëve. Mu ka dash mue, nesër të duhet ty, i duhet nesër Berishës, Ilir Metës, Ramës, të gjithëve.

Një drejtësi me njerëz të kapur nuk është drejtësi. I kapuri, sot të mbron ty dhe nesër të shet. Dhe sigurisht nuk them që të gjithë janë të korruptuar. Ka edhe njerëz të ndershëm, profesionistë, por them se duhet pastruar nga e keqja, drejtësia.

 

Mira Kazhani: Do të flasim për drejtësinë dhe dosje të rëndësishme të saj që lidhen edhe me ju, por nuk m’u përgjigjët: A kishte Berisha dëshirë për të bërë shtet? Ju keni qenë afër tij, keni dëgjuar kur fliste në telefon, kur takonte njerëz. Mundet kaq gjë ta keni kuptuar!

Izet Haxhia: Shiko, vetë fakti që shteti u shemb ashtu si u shemb në 1997, tregon shumë. Edhe në Uganda e Ruanda, shteti nuk ka falimentu plotësisht nga një konflikt civil. Në Shqipëri ndodhi ama. Simboli i një shteti që ekziston është burgu. Shqipëria në ’97-ën ka ndenjur një muaj e sa pa burg. Burgu është mjet ndëshkimi, po tregon që në atë vend ka shtet, rregulla, ligje.

Unë mendoj se kanë patur mundësi që ta mbajnë shtetin, por është bërë me qëllim. Sot kur i mendoj me mendjen time… Në atë kohë nuk mund të gjykoje në mënyrë të shëndoshë, aq më tepër me një njeri që i kishe besuar. Por dëmi më i madh që Berisha ka bërë, është shkatërrimi i shtetit. Me qëllim pa qëllim, këtë s’e di, por nuk ka dashur të bëjë shtet.

Në Shqipëri ekzistonin klane, por jo shteti. Klanet në dukje ziheshin me njëri-tjetrin, por pas krahëve flisnin dhe binin në marrëveshje me njëri-tjetrin, për të nda pronat, lekët, postet. T’ju jap vetëm një shembull. Në ’97-ën kur po krijohej qeveria e Pajtimit Kombëtar, ata takoheshin dhe mendonin si të ndanin poste. Më kujtohet Kurt Kola, Neritan Ceka e ca të tjerë. Mbaj mend shumë që kur i çonim me makinë te shtëpia, të thonin se çfarë posti kishin kapur. Politika shqiptare kjo është.

 

Mira Kazhani: Berisha çfarë thoshte në atë kohë?

Izet Haxhia: Berisha dihet, është fajtori kryesor. Në atë kohë ndodhi një revoltë. Lekët i vodhi qeveria, apo dikush tjetër, unë këtë nuk e di kush i ka vjedhur, se s’jam as prokuror e as hetues. Por aty ishte një revoltë popullore. Gjëja e parë që ai duhet të bënte ishte të dorëhiqej, të mos zgjidhej President. Kur po shihte se vendit po i vihej flaka, çdo politikan atdhetar që e do popullin e vet, vendin e vet, gjëja më e parë që duhet të bëjë është dorëheqja. Kjo është demokracia, do e lirosh kolltukun, jo t’i ngjitesh nga mbrapa. Po kjo është fatkeqësia e shqiptarëve, që këta nuk dinë ta lëshojnë kolltukun.

 

Azem Hajdari dhe Izet Haxhia

Azem Hajdari dhe Izet Haxhia

Mira Kazhani: Çfarë roli keni patur ju zoti Haxhia në konfliktin e ‘97-tës?

Izet Haxhia: Do ju them një gjë interesante për pikënisjen e konfliktit, sepse gjithmonë është kujtuar se ai nisi nga Vlora. Në fakt ka nisur në Lushnje, edhe në ’91-in, edhe në vitin ‘97. Revolta e parë kundër shtetit ka nisur në Lushnje. Lushnjarët i mbajnë për njerëz të qetë e të urtë. Por po ju them se në ’91-in reparti famëkeq 326 që ka ngrënë dru, ka ngrënë në Lushnje. Edhe forcat e sigurisë së Berishës herën e parë që kanë ngrënë dru, e kanë pas në Lushnje.

 

Mira Kazhani: Po si shpjegohet?

Izet Haxhia: Dëgjo, shtypja aty ku është më e madhe, edhe zemërimi aty është më i madh. U bë një raprezalje e madhe edhe pas marrjes peng të Tritan Shehut në Lushnje. Më kujtohet kur po shkonim për të bërë një miting në Lushnje. Kuptohet, në një sallë të mbyllur rreth 300-400 veta. Berisha mori zemër dhe kur dolëm, pamë që ishin mbledhur jashtë shumë njerëz. Aty kam parë atë zemërimin e njerëzve, urrejtjen.

Kuptova që qeverisja jonë kishte marrë fund. Berisha vdiste për turmat dhe u bë gati të shkonte drejt tyre për t’i takuar. I thashë të mos shkojmë se janë të revoltuar, por ai kur shihte turma e humbte veten dhe u nis drejt tyre. Kur ja nisin sharjet, gurët, etj. Mezi e kam marrë dhe e kam futur në makinë. Aty pashë që shteti kish marrë fund. Ajo urrejtje ishte kthyer në një uragan kundër nesh.

 

Mira Kazhani: E kuptoi këtë edhe zoti Berisha?

Izet Haxhia: Nuk e di. Duhet ta ketë kuptuar. Por ai e kuptonte dhe s’e kuptonte njëkohësisht.

 

Mira Kazhani: A ka meritë Berisha që ndryshe nga Fatos Nano i cili iku në 1998, ai qëndroi në Presidencë, nuk u arratis?

Izet Haxhia: Në atë kohë kur po krijohej qeveria e Pajtimit Kombëtar, në kohën e negociatave vazhdimisht vinin informacione, do vijnë nga Vlora, do sulmojnë Tiranën, kështu përhapej paniku. Të gjitha ata, politikanët e PD, me ministrin e Mbrojtjes, me të Brendshmin, të gjithë morën arratinë. Kulmi i kësaj revolte ka qenë nata e 13 marsit. Që është një pikë kthese, ma merr mendja mue në historinë e Shqipërisë. Fillimisht Berisha tha se do t’i shtypë revoltat dhe u mblodhën gjitha ata njerëz në mbështetje të tij. Vëllai im ishte komandant me vullnetarët dhe po prisnin në Fier. Pastaj me një urdhër të beftë, tërhiqen dhe këtu njerëzit që kishin ardh për të, u zhgënjyen.

Në 13 Mars, përfundimisht shteti shqiptar mori fund. Atë ditë 4 vëllezërit e mi më thanë “çdo gjë ka marrë fund, ikim e shohim punën tonë”. Jo, u thashë, Berishën nuk e le. Po Berisha na tradhtoi, na shiti – më thanë ata. Jo, u thashë, sikur i fundit të mbetem, do qëndroj me Berishën. Edhe për hatrin tonë, kanë ardh me qindra vetë që ka mbledhur vëllai im dhe unë, dhe vendosëm të mbronin Tiranën, Presidencën se vetëm ajo qendër kishte mbet. Atë ditë, rreth orës 5 pasdite më duket, kam parë pas Presidencës një autoblind. Pyeta ç’donte ai mjet aty dhe më thanë që Presidenti po ikën. Ku do ikë? – pyeta unë. Do ikë më thanë, ka rregullu një vilë atje në Laç, më duket se ishte dikush me mbiemrin Ulaj, s’di si e kishte emrin ai, më duket se Bashkim, ka qenë një doktor që kishte një vilë trekatëshe në Laç.

Kam shku e jam fut në zyrën e Berishës. “Çdo gjë mori fund”, më tha ai. Si mori fund? – i thashë unë. Shqipëria mori fund, tha ai. Në atë kohë familja e tij ishte e sigurt. Liria ishte në një bazë të sigurt, djalin dhe vajzën e mbesën, bllokuam tragetin për Itali dhe i nisëm. I thashë që gjithë njerëzit e tu, ata me të cilët drejtove, u larguan si minjtë. Ti ku do me shku, i thashë. Ti kërkon të bësh një hap, këtu do vritesh. Ne mbledhim njerëz që ty të të mbrojmë dhe ti do të largohesh? Asgjë s’ka marrë fund. Kur të vritemi ne të gjithë, atëherë do ketë marrë fund dhe ik ku të duash. Atëherë ai është mbyllur në zyrë.

Pak më vonë erdhi Agim Shehu që tha se tanket po sulmojnë Tiranën. E përzura edhe atë nga Presidenca, sepse të gjithë vinin për të përhapur panik. Atë natë jemi sulmuar të gjithë dhe u jemi kundërpërgjigjur atyre që sulmonin Presidencën. Berisha ndërkaq kërkoi një armë. “Më sillni edhe mua armën, se edhe unë do qëlloj”, tha ai. Nuk ke nevojë për armën i thashë. Nuk do vijë deri tek ty ajo punë, sa kohë jemi ne këtu.

 

Mira Kazhani: Dinte Berisha ta përdorte armën?

Izet Haxhia: Po të gjithë që vijnë nga komunizmi dinë të përdorin një armë, kanë ditur edhe gratë. Ka ditë edhe ka qenë i majtë, Berisha gjuan me të majtën.

 

Mira Kazhani: E keni parë?

Izet Haxhia: Më duket se njëherë kur po shkonim për Tropojë kemi bërë qitje.

 

Mira Kazhani: Çfarë ndodhi në raportet e zotit Berisha me Amerikën?

Izet Haxhia: Fillimisht Berisha ishte i zgjedhuri i Amerikës, përderisa e sollën në pushtet në ’92-in, fillimisht me lobin shqiptar, nga Elez Biberaj etj. Por rasti i parë i thyerjes së marrëdhënieve të Berishës ishte rasti i Omonias, i arrestimeve që u bënë në jug për futjen e armëve pa leje. Në atë kohë kish ardhur në Shqipëri një ambasador në pension, Richard Shifter, i cili është përdorur gjithmonë nga amerikanët për zgjidhjen e konflikteve në zona të vëshira. Ai ka qenë ndërmjetësues edhe në Kili, mes diktatorit Pinoçet dhe qeverisë amerikane, që çoi në dorëheqjen e Pinoçetit.  Ishte një njeri me shumë ndikim në Departamentin e Shtetit. Në atë kohë ai vjen, por Berisha nuk e pret. Aty nisi thyerja me Amerikën.

 

Mira Kazhani: Pse nuk e priti? Me çfarë argumenti?

Izet Haxhia: Nuk e di. Duhet pyetur Berisha. Diçka duhet të ketë pasur në kokën e tij. Më pas thyerja përfundimtare ishte me zgjedhjet e vitit 1996, kur kuptohet, me kontributin e të gjithëve ne, opozita u shtyp, nuk u la të bënte fushatë.

Dhe po ta flasim drejt, edhe të kishte bërë fushatë në atë kohë opozita nuk do fitonte, sepse shqiptarët ishin të kënaqur me firmat piramidale. Si pak dembelë që janë, të gjithë ishin të kënaqur sepse ishin mirë ekonomikisht. Në atë kohë kishte bum ekonomik në vend, nuk kishte askush arsye të ndryshonte qeverisjen. Por thyerja ishte e madhe sepse të mos lejoje opozitën të hynte në disa qytete nuk ishte pak, ta shtypje atë. Mentalitet i atëhershëm, mentalitet i gabuar shumë, që i përket jo një shteti demokratik, por vendeve diktatoriale.

 

Mira Kazhani: Po pse duhet ta shtypnit opozitën, kur fitorja ishte e sigurt për partinë në pushtet, PD-në. Pse një sjellje e tillë?

Izet Haxhia: Po sa më tepër pushtet të kesh, njerëzit i rrëmben ajo grykësia. Mundohesh që të dobëtin ta shtypësh, ta eleminosh. Kjo ishtë ajo psikologjia e shqiptarëve të rritur me dhunë, të shtypur.

 

Mira Kazhani: Ka shumë skenarë për ’97-ën, po ju cilin besoni?

Izet Haxhia: Firmat piramidale që dihet kush i stimuloi, paratë e pista dhe tërheqja e menjëhershme e këtyre financave për ta çuar vendin në kolaps total. Doli më vonë në skenë se kush i tërhoqi paratë dhe solli rrëzimin e tyre. Kushdo që e ka bërë, e ka ditur dhe ka qenë pjesë e një skenari për të mbërritur tek viti ’97 (jashtë kamerës Haxhia foli për përshirje të shërbimeve sekrete greke të cilat sipas tij kishin interes në destabilizimin e Shqipërisë). Sepse njerëzit vetëm për një gjë mund të ngriheshin, për paratë.

Me mungesën e demokracisë ishin të mësuar dhe as që e njihnin mirë. Shqipëria ishte pa liri. Kishe media të pavarura të cilat shtypeshin, gazetarë që dhunoheshin dhe futeshin në burgje, televizion e radio të pavarur nuk ka pas. Bumi i tyre është bërë pas viteve 2000 më duket. Edhe kjo intervistë e imja me ju është produkt i kësaj lirie dhe pavarësie.

Mira Kazhani: Ju besoni që ka media të pavarur në Shqipëri tani?

Izet Haxhia: Po ashtu besoj. Nuk them se ka pavarësi të plotë, por është më mirë sesa ka qenë.

 

Mira Kazhani: Frikë që do më rrahë ndonjë truprojë e një politikani, nuk kam, me thënë të drejtën…

Izet Haxhia: Ah ma hodhe mua këtë. Po e pranoj që kam rrahur edhe gazetarë. Ke të drejtë!

 

Mira Kazhani: Keni bërë gabim?

Izet Haxhia: Ka ndodhur, por është diçka që s’e kthej dot mbrapsht. Të dhunosh njeriun e fjalës së lirë është gabim i madh, kuptohet. Por mentaliteti i kohës i tillë ishte.

 

Mira Kazhani: Roli i Azem Hajdarit në ‘97-ën cili ka qënë?

Izet Haxhia: Azemi në atë kohë ka qenë i tërhequr. Iu bë ai përjashtimi dhe fillimisht bënte ato grevat. A ju kujtohet, kur donte me djeg veten? Më tregoi dikush që kishte marrë shishen e benzinës dhe thoshte “do djeg veten”. Njëri i kish thënë: Të jap unë shkrepësen, po deshe ndize vetë. Ishin ato show-t e tij që bënte.

Aty ka patur një spekulim në media. Atë ditë kam qenë me vëllain e Mirit të Xhikes duke bërë një shëtitje me makinë, se na kishte ardhur një mik. Kur kaluam nga stadiumi Dinamo, pashë një grup tropojanësh me hunj e hekura në duar. I pyeta, çfarë ka ndodhur? Më thanë, do vijë Azemi të bëjë miting dhe do e rrafim. Ku ndodhet, u thashë. Tek Ujëvara, më treguan ata. Nuk e dija që kishte kamera, por sigurisht që nuk doja që me një njeri që kam kaluar vite dhe kam një të shkuar, të bëhej ajo figurë, tropojan me tropojan. Se në përgjithësi ne tropojanët jemi të përdorur shumë.

Pashë forcat e policisë që talleshin me Azemin. I thashë Azemit, çfarë je duke bërë? Po fëlliq veten. “Jo”, më tha, “unë jam kundër qeverisë, unë kështu e ashtu”. Ore s’ka lidhje kundër qeverisë a kundër Salës, nuk më ka çu Sala këtu, kam ardh vetë me inisiativën time, – i thashë. Dhe e kam marrë si me gjysmë forcë dhe e kam futur në makinë. Hajde shkojmë e pimë kafe e i sqarojmë këto gjëra. Unë thjesht e kam shpëtu nga druri që do hante atë ditë, nga ata tropojanët që tash bërtasin: O Azem, o hero.

 

Mira Kazhani: Si e shpjegoni që zoti Berisha nuk e përfshiu kurrë Azem Hajdarin në poste të rëndësishme. Si shpjegohet ai raport dashuri-urrejtje mes tyre.

Izet Haxhia: Ju siguroj që kurrë s’ka patur dashuri mes tyre. Azemi gjithmonë është munduar që t’i pëlqejë Berishës. Dalja si kandidat për kryetar partie në ‘91 krisi raportin mes tyre. Hajdari ishte njeri i përdorshëm, e përdornin. Kundër Berishës dhe të tjerëve.

Mira Kazhani: Kush e përdorte atë?

Izet Haxhia: Klane të ndryshme e kanë përdorur, sepse ishte i predispozum vetë. Asnjëherë se ka dashur Berisha Azemin, dhe anasjelltas. Vetëm një fakt po ju them, pas plagosjes në Parlament i shkuam për vizitë në shtëpi Azemit. Pas dy muajsh ishte kongresi i PD në ‘97 dhe Azemi më tha mua: “Unë do të vendos kandidaturën për kryetar partie dhe dua të më përkrahësh”.

Në asnjë mënyrë, i thashë. Mos e bëj atë gabim. E ke provu njëherë, mos e bëj më. Pavarësisht se ai tek Berisha sillej ndryshe, i thërriste Marshall. Por gjithmonë ai priste momentin e caktum që të hakmerrej për gjithçka me të.

Në ’92-in kur kemi fituar zgjedhjet, tregonin si batuta por janë të vërteta. Azemi kishte mbledhur ish shefa të policisë, sepse ka pas lidhje shumë të forta në kohën e regjimit komunist me policët e shtetit, Sigurimin. Gjithmonë me ata rrinte. Azemi kur ka qenë student, ishte i vetmi student që kam dëgju unë që mbante pistoletë me leje. Nuk e di për çfarë shërbimesh mund t’ja kenë dhënë, por e kishte me leje. Tani në vitin 1992 Azemi ndante poste sepse ishte i sigurt që do të bëhej Ministër i Brendshëm.

Por fatkeqësisht apo fatmirësisht, këtë s’e di, ai nuk bë asnjëherë, nuk arriti ta realizojë atë ëndrrën e tij. Berisha nuk e zgjodhi atë. Edhe në ‘97 pas ikjes së Behlul Çelës, edhe aty ka kërkuar të bëhet Ministër i Brendshëm, prapë nuk e bëri që nuk e bëri Berisha.

 

Mira Kazhani: Pse nuk e bëri?

Izet Haxhia: Nuk ka patur besim ai. Asnjëherë!

 

Mira Kazhani: Ju si mendoni? Si do ta kish bërë ai Ministrin e Brendshëm. Do kish qenë më i sigurt vendi me zotin Hajdari?

Izet Haxhia: Në asnjë mënyrë. Tani, ne themi për njerëzit që kanë vdekur vetëm fjalë të mira. Por më duhet të flas të vërtetat. Azemi ka qenë njeri i guximshëm. Ka qenë i shkathët, ka qenë nga fundi edhe orator, mësoi të fliste, u poq si politikan.

Por ka pas shumë vese. Vese morale dhe shumë gjëra që s’dua t’i flas. Ka qenë i lidhur me trafikun e drogës. Nuk e di nëse keni dëgjuar për rastin e Mirush Matit, i cili është vrarë në Moldavi. Kanë qenë ortakë bashkë me Azem Hajdarin, që kanë bërë trafikimin e heroinës nëpër Shqipëri, bashkë edhe me një person tjetër nga Fieri që s’po ja them emrin. Dhe vrasja e këtij Mirush Matit nuk është ordinere, por është për ndarje pazaresh.

Edhe personin unë e di, dhe e them. Ka qenë një Fazlli Ballkan, me origjinë shqiptare. Ai ka qënë furnizuesi i këtyre, i linjës së trafikut të drogës. Është marrë me kontrabandë nafte. Azemi ka qenë pas ’97-ës, drejtuesi i linjës së tritolit. Shumë hedhje në erë që janë bërë, kanë qenë direktivat e tij. Berisha i dinte këto dhe e dinte gjithashtu që ai ishte i pakontrollueshëm. Azemi u doli jashtë kontrollit atyre që e sollën në krye të Lëvizjes së Studentëve, ashtu do i dilte jashtë kontrollit edhe Berishës dhe njeriu i parë ndaj të cilit do hakmerrej, do ishte Berisha.

 

Mira Kazhani: Kisha menduar t’ju pyes nëse i besoni akuzat se zoti Hajdari ka qenë pjesë e agjenturave etj, por edhe i lidhur me klane kriminale. M’u duk se gjatë fjalës tuaj ju aluduat për diçka të tillë.

Izet Haxhia: Sa për grupet kriminale, ka patur lidhje me shumë grupe kriminale. Mund t’ju tregoj një histori në fillim të viteve ‘90. Ka qenë një Gaz Muça, i fortë atëherë. Azemi doli e foli kundër tij në parlament, dhe në darkë takohej me të, bënte bisedime dhe i thoshte “e thashë për kështu e ashtu”. Azemi ka qenë i atillë.

Sa për agjenturat e huaja, unë këtë s’e di se nuk jam i shërbimeve sekrete. Por di një rast. Në kohën e luftës së Kosovës, janë vra dy persona. Ka qënë shefi i logjistikës UÇK-së me qendër në Tropojë. Një burrë i mirë, patriot shumë i madh, dhe që e njihja personalisht, Ilir Konushevci, është vra megjithë doktor Hazir Manen. Këtu është një fakt interesant, sepse personat që kanë marrë pjesë në pritë… nëse e mbani mend pas ish Muzeut të Enver Hoxhës ka qenë një dyqan qoftesh me një kosovar. Ai ka qenë një agjent i shërbimeve sekrete jugosllave. Aty Azemi shkonte shpesh dhe aty është bërë takimi me këta personat që kanë marrë pjesë në pritë. Sepse kush e ka ditur atë udhëtimin e atij atë ditë, me armët që çonin për UÇK-në? Është bërë prita dhe fatmirësisht një person ka mbet i gjallë, dhe historia nuk mbeti një enigmë.

Këtu historia është shumë interesante sepse në gusht të ‘98-ës në gazetën “Rilindja” ka dalë një shkrim me firmën e Afrim Krasniqit, ku shkruante: “Tropoja mes Nanos e Millosheviçit”, dhe në këtë shkrim akuzoheshin Haklajt sikur kishin vrarë këtë Ilir Konushevcin (me pseudonimin Mërgimi) megjithë Hazir Manen. Në atë kohë vëllai im Isamedini me Halil Haklajn, janë kapur në Gramsh me 15 kallashnikovë, me akuzën e trafikut të armëve. Se çfarë trafiku armësh po bënin ata, më 15 copë automatikë kallashnikov kur në gjithë Shqipërinë armët ishin sheshit, po nejse.

Në atë kohë plaku i Haklajve ka ardhur në Tiranë për të takuar Afrim Krasniqin, se si ishte e mundur që ai e kish thënë atë gjë. “Afrim Krasniqi ka qenë familje bajraktarësh të Nikaj Mërturit, me tradita”, -më tha Muharremi, “si ka mundësi ta ketë bërë këtë për ne? Ne kemi miqësi me ata”.

Ta gjejmë, i thashë, dhe ta pyesim si është puna. Mesa kujtoj unë tek Hotel Dajti është takue, kanë folë dhe Afrim Krasniqi i ka thënë kështu Muharrem Haklajt: “Shkrimin e kam bërë me direktivën e Azemit, unë kam hedhur vetëm firmën”. Ai më kërkoi ta takoja me Azemin. Në atë kohë nuk flisja me Azemin dhe i thashë që nuk e ndërmjetësoja dot atë takim, por i sugjerova të shkojë tek selia e PD se aty me siguri do ta thirrte vetë ai.  Janë takuar dhe kur ka dalë nga takimi, plaku i Haklajve më tregoi se çfarë i kish thënë Azemi në zyrë.

“Djalin nuk ta kam vrarë unë, por djalin ta ka vrarë ai që është në katin e dytë aty tek zyra e cepit”.  “Ja ka fut kot”, i thashë unë plakut të Haklajve, “nuk ka dorë Berisha në vrasjen e djalit tuaj”.

Haklajt më besonin mua, e dinin që nuk gënjeja. Unë jam mundue që mos ta nxis këtë problem. Sepse kur është vrarë vëllai i parë i Haklajve, unë kam qenë në Fier dhe të nesërmen Azemi kishte një takim në Fier. Pas një takimi atje, kemi dëgjuar se në qafën e Luzhës është vrarë filani. Ka qenë paradite, ndoshta ora 9 ose 10. E kam ndjerë dhe thashë me vete se këta që e kanë bërë këtë vrasje, i kanë vënë flakën Tropojës. Kur shkova dhe i thashë Azemit kështu, ai reagoi shumë i qetë. “Ça ka dashtë atje”, tha Azemi. Kjo është një gjë shumë e rëndë, i thashë unë atij, në Tropojë do fillojë lufta. Nuk i bëri përshtypje. Kisha atë ndjesinë që e dinte, apo ndoshta nuk e dinte. S’e di… Unë besoj se kushdo që bëri atë vrasje, ishte me qëllim shkatërrimin e Tropojës.

 

Mira Kazhani: Mundet të ketë qenë Azem Hajdari një protagonist, porositës, urdhërues, i përfshirë në këtë vrasje? Dyshoni?

Izet Haxhia: Këtë nuk mund ta them me garanci. Por tensionet mes familjes Haklaj dhe Hajdarit kanë nisur në vitin 1991, sepse nuk e ka përmendur askush deri tani. Një vëlla i Azemit që është më i madh sesa Azemi, sa ishte krijuar PD, ka qenë i pirë dhe ka shkue e ka sha një çun xhaje të këtyre Haklajve. E ka sharë mbarë e mbrapsht.

Pastaj Fatmiri, Shkëlqimi e këta e kanë rrahur keq vëllain e Azemit, i cili ka ndenjur 3 javë në spital me fraktura. Aty ka nisur edhe armiqësia mes tyre. Plus që është edhe rasti i tragetit në Fierzë, kur Feriz Kërnaja ka vrarë Isuf Halucën. Aty është edhe diçka enigmatike. Ai kur është vrarë, mbante veshur pardesynë e bardhë të Azem Hajdarit. Isufi ka qenë miku i Azemit. Isufit nuk guxonte t’i ngrihej njeri kundër atje, çfarë të thoshte ai, bëhej. Isuf Haluca ka qenë një antikomunist, ka bërë burg, ka vuajtur por ishte një njeri që e respektoja.

 

Mira Kazhani: Ndalemi pak tek vrasja e Shkëlqim Haklajt; ajo që thoni se është edhe pikënisja e gjakderdhjes në Tropojë…

Izet Haxhia: Ai që e bëri atë vrasje i vuri flakën Tropojës. Futja e kësaj vëllavrasjeje ishte shkatërrimi i Tropojës. Unë nuk e di se kush e ka bërë, unë kam patur miqësi edhe me ata që janë akuzuar, dhe me ata që janë vrarë. Nuk e di kush e bëri.

Kur kam shkuar për ngushëllim tek Haklajt, ka qenë vëllai i madh Hamdiu, dhe Halili, dhe ata thanë kështu: PD-ja, Sali Berisha na ka vra djalin. U thashë që nuk është e vërtetë, që nuk e besoja këtë gjë. Po të kishte dash me ju vra, ju vriste.

Në rrëmujat e ’97-ës një grup operativ i SHIK-ut që ka qenë i lidhur me Xhahit Xhaferrin, etj, ka ardhur dhe ka thënë se është një grup i rrezikshëm nga Tropoja, Haklajt, për të cilët kishin urdhër t’i vrisnin. Dhe u thashë në mënyrë absolute Jo.

Kjo ishte përgjigja ime, por që ja vura edhe Berishës, se nuk doja që ata të kishin këto dyshime. Ndërsa për Azemin, ju tregova që atë ditë ka qenë në Fier. Sa u është mbushur mendja nga unë, nuk e di, por ata prapë e kanë pas atë dyshimin se vrasja e tyre ka ardhur nga PD.

Dua të them se pala tjetër (i referohet qeverisë së majtë, M.K) e ka nxitur gjithmonë këtë konflikt. Një nga njerëzit më negativë që i ka nxitur këto konflikte ka qenë shefi i Shërbimit Sekret, Fatos Klosi. Ai ka një rol shumë negativ tek ngjarjet e Tropojës. Ka qenë palë.

 

Mira Kazhani: Po zoti Berisha kishte këtë interes? Ai ishte edhe ai palë për këtë konflikt?

Izet Haxhia: Zoti Berisha më vonë është bërë palë. U bë kundër Haklajve. U bë palë me ata që ekzekutuan Haklajt, me në krye Anton Gjergjin.

 

mira-izet-1-1024x657Mira Kazhani: Pse ishte kjo marrëdhënie e Berishës me Haklajt dhe çfarë e shtynte një President të hakmerrej me disa 20-21 vjeçarë, të kishte probleme me ta?

Izet Haxhia: Kjo është një pyetje shumë e drejtë. Unë e kam pyetur vëllain e madh, Hamdiun. Ai më pat thënë që Berisha na urren neve. E kisha pyetur se pse duhet t’i urrente? Ju s’keni patur ndonjëherë ndonjë konflikt.

Hamdiu më tha se gjatë kohës që ai kishte qenë student në Kamëz, ka pas një histori dashurie me kunatën e Berishës. Që në atë kohë ai e ka njohur personalisht Hamdiun që atëherë ka nisur ajo urrejtja e tij. Ndoshta? Por kështu e shpjegoj faktin që Berisha është munduar t’i zhdukë ata qëkur ishte president.

Mira Kazhani; Si t’i zhdukë, t’i eleminojë? Berisha? Çfarë kishin bërë ata?

Izet Haxhia: Po po, kuptohet, qeveria e zotit Berisha, me urdhrat e tij. Dhe po ta them ty tani, se atyre në atë kohë nuk ua thoja se nuk doja të nxisja konfliktin, por e tregon vetë historia. Hamdiu ka kryer një vrasje që nuk duhet të kryhej në 1991 për një sherr, tek vendi i quajtur “Vorri i mirë” në Shkëlzen. Dhe me këtë rast edhe vëllezërit e tij që kanë qenë pa asnjë faj, janë futur në këtë kalvar për 5 vjet në mal.

Pastaj është diçka interesante që është e pazgjidhur. Pasi është mbyllur çështja dhe Hamdiu ka marrë pësipër krimin dhe këta kanë dalë në lirim, vëllai Shkëlqimi ka ardhur në Tiranë me pistoletë dhe e kanë futur në burg për armëmbajtje pa leje.

Në atë kohë Fatmiri vjen e më kërkon. Nuk e njifsha atëherë, se ka qenë më i vogël. Në orën 6 të mëngjesit vjen një djalë me flokë të gjata tek dera. Jam filani, Fatmir Haklaj. Bujrum, i thashë unë, çfarë keni? Vëllain tim, Shkëlqimin, e kanë kapur me pistoletë. Ndoshta është në dorë të atij Prelë Martinit, ai mund ta lirojë. I thashë që do shkoja të flisja me të.

Shkuam dhe folëm të dy me Prelë Martinin. Por Prela i tha, kaq ta bësh dhëmbin se nuk do ta liroj vëllain tënd. Dhe më vonë, pas 15 ditësh, hidhet në erë shtëpia e Prelë Martinit. Këtë atentat e ka bërë Fatmir Haklaj, unë e di; dhe ndihmësi i tij ka qenë një njeri që mori poste në qeverinë Berisha, Dem Dollapi ka qenë shoqëruesi i tij atë ditë në makinë. Ai ka qenë servili i Haklajve, që ruante lopët.

 

Mira Kazhani: Çfarë karakteri ishte Fatmir Haklaj? Thuhen përshkrime kontradiktore për të. Hero apo kriminel?

Izet Haxhia: Pas ngjarjeve të Tropojës kemi ndenjur shumë bashkë. Fatmiri fillimisht ka qenë një djalë me ato virtytet e malësorit që ka trashëguar nga gjyshërit e tij, një djalë i qetë, trim, ka qenë i besës, por që fatkeqësisht vrasja e vëllait të tij, Shkëlqimit që e kishte si binjak, e shndërroi në një kriminel përbindësh. Filloi të vriste njerëz pa faj, për variacion.

 

Mira Kazhani: Kur e keni takuar për herë të fundit? Keni biseduar me të për këto ngjarje?

Izet Haxhia: E kam takuar një ditë para se të vija në Turqi. Pimë një kafe afër spitalit. I thashë që të bënin kujdes, sepse ishte koha kur misioni i OSBE u tërhoq nga Tropoja, pas vrasjes së dy përfaqësuesve të saj. Tërheqja e tyre nga ajo zonë, është sinjal që aty do të ketë ndërhyrje të dhunshme me qëllim për ta vënë nën kontroll.

Sepse Tropoja ishte jashtë kontrollit të qeverisë qëndrore. I këshillova të kishin kujdes dhe të tërhiqeshin tek shtëpia e tyre në fshat. I tregova që unë do të shkoja në Turqi, por që do kthehesha. Më tha se nuk do shiheshim më kurrë bashkë. A të them një gjë, më tha, dëgjo: “Jam bërë kriminel, fatkeqësisht. Nuk jetoj dot pa gjak. Nëse nuk shoh të derdhet gjak, pëllcas!”

Në atë shkallë kishte arritur. Vrasja e pabesë që iu bë vëllait të tij, e çoi atë në atë pikë. Nga një djalë fisnik, e shndërroi në një djalë të tillë, është fatkeqësi…çfarë të them…

 

Mira Kazhani: Kush e vrau Azem Hajdarin, zoti Haxhia?

      

Vijon nesër në Dita

May 13, 2018 13:59
Komento

123 Komente

  1. RRESHEN September 13, 11:43

    Gjithmone ne ket bote jane me te keqij sekretari e partise se se PPSH…se sa kryetari se ky SALI spiuni i ENVERIT ka vra shume njerez ne ate kohe biles sa ka vra vete ne “DEMOKRACINE”e vet sepse ENVERI nuk e dinte se cfare u bente prsh.ne kukes,shkoder,lezhe,sarande,gjirokaster,berat,elbasan,vlore,durres etj…po i spiunonte ky te ENVERI…e cfa do prisnim te mira ne shqiperi ne nga ky exta KOMUNIST….

    Reply to this comment
    • giuliano September 13, 14:50

      o shoku Rresheni , a ma nicz te kutem ket linkun e intervistes. se ket prointin nu e marr vesh farre

      Reply to this comment
      • Dielli mbi KORAB September 13, 20:21

        Nje INTERVIST MADHESHTORE.
        qe duhet te shkunde nga gjumi te gjithe demokratet dhe te PASTROJNE sa me shpejt Partine Demokratike nge Krye-Krimineli Sal Berisha dhe vegla e tij Lul Basha.

        Reply to this comment
    • adri September 13, 16:06

      Te shfuqizohet vendimi qe i ka dhne titullin atij azem hajdarit dhe te hiqet busti i tij se eshte turp. pas kesaj interviste dhe berisha duhet te jape doreheqjen si deputet.

      Reply to this comment