Ja çfarë i shkakton dhimbjet e qafës, këshillat si duhen trajtuar

March 19, 2018 17:37

Ja çfarë i shkakton dhimbjet e qafës, këshillat si duhen trajtuar

Pranvera Kola- DITA

Dhimbjet e qafës janë ndër shqetësimet e shpeshta me të cilat përballemi gjatë përditshmërisë. Shpesh herë janë kalimtare, e në raste të tjera kërkojnë trajtime të specializuara mjekësore.

Mjekja Ilda Xhelili, thekson për “Dita”, se zona e qafës, ashtu si edhe zona e belit, janë dy pjesë të shtyllës kurrizore që kryejnë më shumë lëvizje se pjesët e tjera gjatë gjithë ditës.

“Qafa kryen aq shumë lëvizje, madje edhe kur flasim dhe ne nuk e vëmë re. Pas dhimbjeve të mesit, në vendin e dytë vijnë dhimbjet e qafës, të cilat ne i hasim më shpesh në praktikën tonë të përditshme’, thekson mjekja.

Janë një sërë faktorësh që ndikojnë në shfaqjen e këtyre dhimbjeve të qafës, të cilat i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit, bashkë me këshillat që duhet të ndiqni për lehtësimin e pasojave të tyre.

Nga se shkaktohen dhimbjet e qafës?

Arsyet se pse dhimbjet e qafës janë kaq të shpeshta janë nga më të ndryshme. Ato mund të jenë që nga mënyra se si ulemi, për shembull në vendin e punës, si flemë, nga probleme të ndryshme shëndetësore, por edhe si rezultat i procesit fiziologjik të plakjes. Por le t’i përmendim me radhë disa nga arsyet kryesore që ndikojnë në dhimbjet e qafës.

Mbajtja e një pozicioni jo të rregullt

Së pari dhimbjet e qafës mund të shkaktohen nga pozicioni jo i rregullt i mbajtjes së qafës kur na zë gjumi gjatë udhëtimeve të gjata me makinë, ose me avion. Në këto raste që flemë ulur dhe e mbështesim kokën diku, qafa qëndron në pozicion shtrembër dhe kur zgjohemi perceptojmë dhimbje. Por këto dhimbje nuk janë serioze, edhe pse duhen disa ditë që të kalojnë. Në këto raste përgjithësisht kemi të bëjmë me dhimbje muskulore të zonës së qafës.

Qëndrimi kur flemë

Mjaft i rëndësishëm është edhe pozicioni i trupit në krevat gjatë gjumit të natës. Për shembull pozicioni i

të fjeturit përmbys nuk është shumë komod, pasi theksohen harqet e shpatullave dhe harku i qafës duke krijuar një pozicion të palëvizshëm përgjatë natës dhe shpesh zgjohemi me dhimbje në zonën e qafës. Pozicioni më komod për qafën është ai me shpinë. Në këtë pozicion qafa ka më pak presion dhe ndihet më e relaksuar.

Ndikimi i jastëkëve që përdorim

Po ashtu i rëndësishëm është edhe jastëku, i cili nuk duhet të jetë shumë i lartë dhe as i fortë.

Do të ishte i rekomandueshëm një jastëk ortopedik, i rrumbullakosur në një anë, që plotëson boshllëkun e qafës që krijohet midis jastëkut dhe shpatullave. Jastëkët e lartë dhe të fortë e theksojnë më shumë harkun e qafës duke shkaktuar dhimbje kur ngrihemi.

Portrait of a woman sleeping on the bed at home

Gjithashtu, duhet të dini se nëse qafën e mbajmë në pozicione të pazakonta për kohë të gjatë, atëherë do të perceptojmë dhimbje, pasi muskujt qëndrojnë për një kohë të gjatë në një pozicion që nuk janë mësuar.

Kjo mund të ndodhë për shembull kur shikojmë lart për kohë të gjatë, ose anash, por edhe përpara kompjuterit. Nëse këto pozicione janë të domosdoshme (për shembull për arsye profesionale), atëherë rekomandohen pushime të shpeshta, si edhe lëvizjet e qafës në drejtimet e tjera. Kjo do të na ndihmojë që të mbajmë muskujt të relaksuar.

Ushtrimi i sporteve

Një arsye mjaft e shpeshtë për dhimbjet e qafës janë edhe ushtrimi i sporteve të ndryshme, sidomos ato të rënda (boksi) për shkak të dëmtimeve që ndodhin. Prandaj është e rëndësishme që sportet të ushtrohen nën drejtimin e trajnerëve specialistë, të cilët rekomandojnë edhe përgatitjet e posaçme fizike në mënyrë që prej sportit të marrim vetëm përftime.

Dëmtimet nga sportet e kontaktit  (boksi, futbolli, basketbolli) në përgjithësi nuk janë të lehta dhe kërkojnë trajtime të specializuara mjekësore. Ato mund të jenë dëmtime të muskujve, ligamenteve, vertebrave, apo kockave të tjera.

Dhimbjet e shkaktuara nga hernia diskale

Një ndër shkaqet më të rëndësishme të dhimbjeve të qafës janë edhe herniet diskale në atë zonë. Në këtë rast kemi rrëshqitje nga njëra-tjetra të disqeve vertebrore të vertebrave të qafës. Kur disqet rrëshqasin, atëherë shtypen nervat që dalin nga të dyja anët e kolonës vertebrale dhe që janë mjaft të ndjeshme edhe nga presionet më të lehta.

Rezultati në këtë rast është dhimbja, dobësia dhe mpirja e qafës dhe krahëve. Natyrisht që këto zhvendosje disqesh vertebrale mund të ndodhin në çdo pjesë të shtyllës kurrizore dhe simptomat do të përjetohen në zonën përkatëse.

Trajtimi në këtë rast përfshin medikamente që qetësojnë dhimbjen dhe relaksojnë muskujt, pushim i zgjatur, por edhe ndërhyrjet kirurgjikale në disa raste janë të nevojshme (kur kanë dështuar procedurat e tjera).

Ngushtimi i kanalit të shtyllës kurrizore

Mjaft serioz është edhe ngushtimi i kanalit të shtyllës kurrizore në zonën e qafës, të belit, por edhe në zona të tjera. Ky është një problem që rrallë ndodh tek moshat e reja (nën 50 vjeç) dhe kur ndodh është rezultat i lëndimeve, ose traumave të ndryshme. Kjo vjen më shpesh si rezultat i degjenerimit të vertebrave me rritjen e moshës (procesi fiziologjik i plakjes).

Ngushtimi (ose stenoza) është një problem mjaft serioz dhe dhimbja është vetëm një nga simptomat. Ju mund të ndjeni dobësi, mpirje duarsh, këmbësh, çrregullime të ekuilibrit. Në këto raste, kirurgjia është alternativa më e mirë.

Dobësimi i kockave si rezultat i osteoporozës

Si shkaktarë të tjerë të dhimbjes së qafës përmendim degjenerimin kockor të vertebrave si rezultat i osteoporozës (në moshat e vjetra), apo të sëmundjeve të ndryshme reumatizmale. Këto kërkojnë një trajtim të gjatë e të vazhdueshëm nga mjeku specialist.

Tumoret e shtyllës kurrizore

Nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe tumoret e shtyllës kurrizore, të cilat japin dhimbje të forta të qafës dhe të kokës (në varësi të vendit të lokalizuar), si rezultat i shtypjes (komprimimit) të fijeve nervore te palcës së kurrizit.

Problemet me disqet vertebrale

Së fundi do të përmendja sëmundjen degjeneruese të disqeve vertebrale, e cila mund të zhvillohet si në moshat e vjetra, ashtu edhe në moshat e reja. Shumica e njerëzve përjetojnë disa etapa të tilla nëse jetojnë gjatë.

Sipas statistikave rreth moshës 35 vjeç, gati 30 për qind e njerëzve rezultojnë të prekur nga ky problem. Ndërsa mbi moshën 60 vjeç gati 9 në 10 persona e referojnë këtë problem. Disqet degjeneruese nuk janë domosdoshmërisht të dhimbshme, por kur kjo sëmundje shkakton dhimbje, mund të sjellë edhe probleme të tjera.

Disqet mund të forcohen e të fryhen dhe të shkaktojnë mpirje krahësh dhe këmbësh. Sipas lokalizimit në shtyllën kurrizore mund të kemi edhe humbje të kontrollit të urinimit dhe të defekimit. Këto lloj dhimbjesh kanë tendencë të jenë më të këqija kur lëvizni kokën, ose kur qëndroni në këmbë. Po ashtu mund të përjetohet ndjenja e djegies, ose e shpimit.

E rëndësishme është në të gjitha rastet ndjekja e kontrolleve të vazhdueshme te mjeku sipas protokolleve të përcaktuara, e jo të shkoni vetëm kur keni dhimbje konkrete dhe të dukshme. Terapia konsiston në qetësimin e dhimbjeve me medikamente dhe procedura fizioterapeutike.

p.k/dita 

March 19, 2018 17:37
Komento

2 Komente

  1. Gentjan September 1, 04:00

    Jam nje djale 19 vjecar,por po beje 2 vite qe vuaj nga acarimi i grzkeve dhe dhimbja e qafes,jam vizituar tek ortopedi dhe me ka thene qe nuk keni ndonje gje serioze,vecse duhet te rregulloni qendrimin e qafes,ku si per pasoje me tha qe te mbaja qafore,por dhimbja e qafes shoqerohet me acarimin e grykeve,sepse ka raste qe nuk e mbaje dot qaforen sepse eshte e larte,dhe detyrohem te mbaje bluze me golf,por tashme eshte bere e bezdisshme,si me duhet te shpetoje nga kjo gje? Ju lutem!

    Reply to this comment
  2. Agro September 1, 04:02

    Jam nje djale 19 vjecar,por po beje 2 vite qe vuaj nga acarimi i grzkeve dhe dhimbja e qafes,jam vizituar tek ortopedi dhe me ka thene qe nuk keni ndonje gje serioze,vecse duhet te rregulloni qendrimin e qafes,ku si per pasoje me tha qe te mbaja qafore,por dhimbja e qafes shoqerohet me acarimin e grykeve,sepse ka raste qe nuk e mbaje dot qaforen sepse eshte e larte,dhe detyrohem te mbaje bluze me golf,por tashme eshte bere e bezdisshme,si me duhet te shpetoje nga kjo gje? Ju lutem!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*