Ja kur konsiderohet i shëruar plotësisht i infektuari me Covid-19?

March 25, 2020 21:45

Ja kur konsiderohet i shëruar plotësisht i infektuari me Covid-19?

Përgjatë kësaj jave hartës së infektimit me koronavirus i janë shtuar edhe gjashtë qytete të tjera, çka flet për një shpërthim të shpejtë të virusit edhe në vendin tonë, duke paralajmëruar në këto kushte një tjetër rritje të numrit të të infektuarve gjatë ditëve në vijim.

Në listën e qyteteve të prekura tashmë përfshihen edhe Vlora, Shkodra, Lezha, Berati, Hasi, si dhe ditën e sotme edhe Kruja, teksa në rritje ka ardhur edhe numri i infektimeve në qytetet e tjera të prekura më parë, si: Tirana që mbart tashmë numrin më të lartë të të infektuarve, Fieri, Durrësi, etj.

Situata tashmë po rëndohet edhe në vendin tonë, çka shihet edhe tek fakti se rreth gjysma e të infektuarve janë vënë nën mbikëqyrjen e mjekëve të Shërbimit Infektiv në QSUT. Në këtë shërbim ndodhen aktualisht 72 pacientë të shtruar, 4 prej tyre janë në terapi intensive ku 3 prej tyre janë të intubuar pasi janë në gjendje të rëndë. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon paraqesin gjendje të stabilizuar.

Sipas autoriteteve të shëndetit krahas shifrave në rritje të numrit të infektuarve dhe zgjerimit të hartës së qyteteve të prekura, lajm i mirë është se 17 qytetarë janë shëruar (të shtruar dhe të vetëizoluar) pasi dy testet e tyre kanë treguar se ata janë negative për Covid-19.

Por, kjo nuk do të thotë ende se ata janë shëruar plotësisht. Bluzat e bardha bëjnë me dije se këta persona duhet të vijojnë të qëndrojnë në vetizolim në kushtet e shtëpisë edhe për dy javë të tjera, pasi edhe në këtë periudhë mund të jenë burim infektimi për të tjerët, për shkak të ndonjë mbetjeje të virusit ende në trup. Këta persona mund të konsiderojnë veten të shëruar plotësisht dhe të parrezikshëm për të tjerët që kanë përreth vetëm në përfundim të kësaj periudhe dy javore të karantinimit në shtëpitë e tyre.

Të dhënat e raportuara tregojnë se deri sot në mesditë, numri i të infektuarve të konfirmuar me Covid-19  ka mbërritur në 146 raste, teksa janë me qindra raste të tjera të dyshuara, për të cilat priten përgjigjet e analizave nga laboratori i Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik gjatë orëve në vijim. Vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 23 raste të reja me Covid-19 dhe janë kryer 111 testime. Ndërkohë që në total  deri më tani janë testuar 1041 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me koronavirus 146 qytetarë, teksa pesë pacientë kanë humbur jetën.

Kundrejt kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme që po kalon vendi, mjekët dhe Ministria e Shëndetësisë vijojnë t’u luten qytetarëve që të respektojnë rregullat e distancimit social, higjienës, si dhe të mos shkojnë menjëherë në spital!

Ministria ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër falas për çdo qytetar që kërkon informacion apo këshilla në lidhje me Covid-19. Kjo linjë do të shërbejë edhe për pacientët kronikë që të marrin informacion se si të lidhen me mjekun e familjes, se si mund të përfitojnë barnat me rimbursim dhe për çdo shqetësim tjetër që ata kanë. Por është e rëndësishme të sqarohet se nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes dhe për rastet e urgjencave duhet të telefonohet numri unik i urgjencës kombëtare 127!

 

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

Tiranë              83 qytetarë

Durrës             9 qytetarë

Lushnje            4 qytetarë

Elbasan            3 qytetarë

Fier                  14  qytetarë

Rrogozhinë      2 qytetarë

Kavajë             4 qytetarë

Korçë               11 qytetarë

Vlorë               5 qytetarë

Shkodër           3 qytetarë

Lezhë               4 qytetarë

Berat               1 qytetar

Has                  2 qytetarë

Krujë                1 qytetar

 

p.k\Dita

March 25, 2020 21:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Tirana Bank