Ja kur kur nisi historia jonë e armëmbajtjes me leje…

February 6, 2015 15:52

Ja kur kur nisi historia jonë e armëmbajtjes me leje…

Qeveria ka nxjerrë një vendim lidhur me mbajtje arme nga disa individë, të cilët u përkasin kategorive delikate për të qenë të kërcënuar. Po a përligjet kjo me kohën që po jetojmë?! Referuar dialogut të mëposhtëm, marrë nga filmi ‘Përtej murreve të gurta’, po:

-U moj zonja Jalldyz, edhe ju mbakeni armë?

-Eshtë e Ramizit, e bleu dje nga një ushtar italian.

-Po ç`i duhet Ramizit arma?

-Epo luftë është, e një armë në shtëpi gjithmonë duhet!

Vërtet luftë është: Shqiptarët kacafyten çdo ditë me njëri-tjetrin, në të gjitha nivelet. Bile kacafyten dhe me veten kur nuk kanë punë. Eshtë një (ç)edukatë që ua ka injektuar politika. Por arma në duart tona, edhe kur është me leje, e sigurisht për vetëmbrojtje, përbën një problem jo të vogël. Dhe ja përse: Sapo dikush të pajiset me të, politikan a biznesmen, atij nuk do i rrijë (bytha thuhet në të tilla raste), dora rehat derisa të gjejë arsye për ta shkrehur, ose më saktë shijuar. Derisa e ke brez, nuk mund ta lësh të heshtë, e do gjendet arsye nga hapësira e pamatë e mosarsyes ku enden shqiptarët, për t`ja bërë bam. Kujtojmë që, kush rrëmbeu armë në depot e ushtrisë më `97, për vetëmbrojtje thoshte se armatosej, por që ajo kohë e vitet që pasuan, treguan se veç larjes së hesapeve, të mbartura apo të atypëratyshme, ato armë nuk u përdorën për gjë tjetër. Por urojmë që kjo mos ndodh. Sakaq, duhet kujtuar se dhe vetë shteti shqiptar, si akt të parë – ndonëse jo zyrtar – ka patur armatosjen e dikujt. Kjo ndodhi para ngritjes së flamurit e shpalljes së mëvetësisë. Ishte Lym Kepi ai që i dhuroi karrocier Hakiut një revole, kur ky i fundit ia kërkoi si nder:

-Shko t`flsh or xhaje se sonte Ismail Qemali nuk ka për`dal mo…

-Jo or zotni do t`rri ktu!

-Atëhere futut mrena t`hash nji çap buk a t`çlodhesh…

-Mos ki merak se jam msu t`fle përjashta, nuk jam kot qerraxhi! Pse m`shef? Nuk mund ta lej vetëm karrocën! Po ti, po pate m`jep një kobure, se gjith`kta dreqën t`verdh e t`zinj që vijnë këtu n`mes t`natës e i prishin gjumin Ismail Qemalit, nuk sillen rrotull për t`mirë!

Dhe pas këtij çasti, Lymi nxjerr koburen e tij dhe ia jep Hakiut, kuptohet, pa e shoqëruar me akt protokollar, firmë e vulë, por së këndejmi, mund të thuhet se zu fill shteti ynë. Pra, i pari shtetas shqiptar që është pajisur me kobure, me termat e sotëm, është shoferi dhe shoqëruesi i Ismail Qemalit. Por nuk ka të dhëna që Hakiu të ketë bërë ndonjë të pabërë me të. Dhe le të shpresojmë se dhe “hakinjtë” e sotëm që do të pajisen këtej e tutje me armë, as ndonjë pulë pa dashje nuk do vrasin!

February 6, 2015 15:52
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*