“Ja pse nuk pranova të bëhesha profesor!”

August 1, 2018 12:05

“Ja pse nuk pranova të bëhesha profesor!”

Sipas bisedës me Z. Luan Hajdaraga, psikolog e politikan

Nga Xhevair Lleshi

Mua më dukej se Luan Hajdaraga po bënte kohë që fliste me një njeri të padukshëm. Me shëndetin e vet (ashtu sindozot edhe unë!) të paskrupullt. Nuk ishte punë fantazie kjo, po një fakt i padryshueshëm që ia dinim mirë njëri-tjetrit, që kur, në një leksion psikologjie në vitin e largët 1982 e pyeta për raportin e interesave shpirtërore dhe ato materiale, dhe ai, si më pa thellë, bëri thjesht një përgjigje të nënkuptuar, por amá në vitet kur ishte ministër mbrojtjeje mbajti makinën në mes të rrugës dhe më tha: «A e more vesh se interesat shpirtërore dhe ato materiale shkojnë mjaft mirë me njëra-tjetrën?»

Dhe po ashtu shtoi: «Unë jo e jo, po edhe ti besoj, nuk do të pranojmë kurrë të bëhemi profesorë! Dhe qeshi me një ngrohtësi të hatashme. Në hotel «Kontinental» ku rrinte zakonisht mëngjeseve të gjata merrej me shtypin si një diplomat i vërtetë, më tha se kjo puna e të shpallurit profesor derisa blihet e shitet dhe është kthyer në mall, më duket si vallëzim folklorik dhe balet modern i mbështetur në mo­tive popullore ku… malli shndërrohet në karakter.

Atij malli ia kishin ngulur sytë gjithë ç’mbaheshin të ditur, madje duke u rrotulluar edhe me lëvizje të epshta, ndonëse të plogëta e ngashënjyese, duke ndjellë pjesët e bryllëta të femrës, që shkaktonin pse jo edhe një tundim mun­dues. Kjo është pamja e plotë e kësaj katastrofe intelektuale dhe po se po edhe kombëtare.

Sepse, i dashur mik, ajka intelektuale e vendit na kish ardhur gjithnjë nga jashtë (në të gjithë shekujt, madje edhe sot!) dhe nuk i mbetej kohë të fëlliqej, të bëhej pis me tituj të blerë. Një turp i pakrahasueshëm! M’u bë se në shpirtin që i vlonte rrëqethej e fërgëllonte, duke rrënjuar fort dhe dukej që s’donte të shkulej, me gjithë ngulmin e hatashëm që i dukej sheshit…

Nuk di pse por atyre mëngjeseve kisha dëshirë të papërmbajtur për të qenë me të. Kryesisht ngaqë e ngacmoja fort për raportin midis politikës dhe psikologjisë, sepse, i thosha, ti je një psikolog i madh, që ato vite, kur, i lirë dhe krenar, bëheshe një me motoçikletën tënde rrugëve të Tiranës.

Dhe ai ia shkrepte të qeshurës me vrull përplot rrufe e vetëtima finoshe, që ktheheshin në shkreptima tundëse të cilat i zbrazte dhe i shndërronte sërish ashtu si i pëlqente, në diçka fluturuese që sikur shtegtonte në erën e vet psikologjike, kur këtyre anëve gjallonin amazonat e shpirtit.

Në skenë (nuk e shikon?) rrokulliset malli i turpit, diploma, provime anglishteje, master, doktoratura dhe tema e CV profesoriale të blera dhe TUNDEN para hundës sime me zjarr dhe forcë dhe unë të bëhem një me ta? Tmerr! Ç’katandisje fenomenale, që të duket thjesht një lavdi e mjerë.

Kurse unë do të jem i lumtur që ditën kur të lexohet në radio, televizione, gazeta e portale, CV ime e fundit, nuk do të thuhet kurrë që ai qenka «profesor», por amá s’mund të mos thonë që ai ishte një psikolog i njohur, që ka shkruar këtë e këto vepra dhe sigurisht që ka qenë edhe politikan! Po, po, një njeri që nuk e bën pis veten me biografinë e punës, në profesion, nuk mund të fëliqet as në politikë.

Mund të stërpikesh nga vetëtimat e saj, mund të jesh nën shiun e saj, mund të hash edhe drurët e saj frushullues, mund të ndodhesh edhe përballë shkallëve të saj të boshatisura, si edhe mund të mbetesh atje në mes të skenës, i vetmuar, ku duket se përvëlohesh nga zjarri i vetvetes dhe kjo dihet se bën përshtypje të skajshme te njerëzit, ndonëse mund të strukeshe diku dhe të lakmoje hiret e plota të natyrshme që të gjithë i dëshirojmë. M’u bë se atë çast u dëgjua një klithmë, një vuajtje që zbulonte një intimitet të ndrydhur, një flagrancë të turpshme! Ai sërish po qeshte me një ngrohtësi të rrallë…

Luan Hajdaraga më duket se po bënte kohë që fliste me një njeri të padukshëm. Me shëndetin e vet të papërfytyrueshëm në tepri, ashtu si edhe imi. Por ne ndoshta na bashkonte kjo fatkeqësi, veç ama brenda në shpirt përvëlonim nga idetë dhe zotërimet e pafundme.

Kjo që po ndodhte me hatarat e vendit tonë, kësaj kështjelle të pamposhtur që nga socializmi komunist po kridhej keq e më keq në socializmin kapitalist, me të njëjtët njerëz veç me flamuj e ngjyra të tjera, s’mund të thoshe se kishe të bëje me pjellë fantazie, po me tmerre që përpinin njeriun dhe shndërroheshin papritur në karaktere.

Shikoje mirë atë deputet, ai s’ka shkollë dhe tund diplomën, ai tjetri ka nxjerrë në tryezë emrin duke shtuar para «Prof. Dr.» kur s’ka bërë gjësendi, asnjë rresht të shkruar, dhe e tundin këtë, përfitojnë prej saj, vdesin pas efektit ngashënjyes të saj.

Dhe për më keq u është mbushur mendja se janë njerëz të ditur! S’ke ç’thua më tepër! Qepe gojën dhe hesht! Është koha e… maskarenjve! Po perifrazoj një varg të njohur. Pa t’i shohësh kur hidhen e shkunden me lëvizje të epshta, kur bë bëjnë isharete të plogëta dhe ngashënjyese…

Kam parë aq shumë prej tyre sa jam velur! Zoti më ndjeftë! Nuk ua heq të drejtën të marrin frymë. Edhe ti kështu mendon, të njoh, të lexoj, ta përpij ironinë, ndonëse në politikë kemi qëndrime të ndryshme. Ne, mik, kërkojmë pronën dhe ligjin! Kaq vetëm! Ka burra (edhe gra; në mos sot do të ketë nesër!) që t’i mbrojnë ato? Duket se ka, por heshtin.

Burrat e vërtetë këtu duken. Shikoji, po, po, shikoji si kalamenden dhe rrëzohen në skenën e politikës (që është nga skenat më të bukura në botë!), si vijnë vërdallë këmbadoras dhe zvarriten drejt pushtetin, si kapen, jargaviten, luten symbyllur e syhapur, si ulen shesh, si këqyrin përplot buzëqeshje të bujshme, si ngrejnë sytë lart drejt shkreptimave, si fshihen brenda hijes së tyre para vetëtimave, rrufeve të tmerrshme, si puthin veten pa pasqyrë, si thërrasin nëpër atë batërdi, si vazhdojnë të duken (ç’lojë e fëlliqur!) të dashuruar, pastaj t’i shohësh (ç’komedi bajate!) si ngatërrohen keq me veten e tyre, pa lëre fare kur lëshohen me hare e babëzi deri në marrosje drejt coftinave që po t’i shihte Aleksandri i Madh do t’i lyente vetëm me zift e katran për t’i nxjerrë lakuriq rrugëve…

Shí këto çaste ndahesha me Të. E në këto kulme të krijimtarisë së tij ai u nda prej nesh të gjithëve. Por na la edhe duke medituar me fjalët e Tij, me qëndrimet kundër rrymës, nën qiellin e mrekullueshme të buzëqeshjes së Tij të bukur e të hijshme…

Tiranë, më 31 korrik 2018, një ditë pas ikjes së Tij.

 

August 1, 2018 12:05
Komento

5 Komente

  1. Ibrahim Kabili August 1, 15:34

    Bravo z.Lleshi! Njerëz të tillë janë të pavdekshëm.Mua më ka dhënë provimin e psikologjisë.Njeri dhe profesionist shumë i mirë.I përjetshëm kujtimi i tijë.Me shumë konsideratë e rrespekt, ngushëllimet e mija për humbjen e profesorit familjes së tijë.Ibrahim Kabili,mësues.

    Reply to this comment
  2. Alban August 2, 11:25

    Luani ishte psikologu me I mire I kohes ne Shqiperi, por aai beri gabim qe hyri ne politike. E vute re? To gjithe politikanet qanin me lot krokodili…

    Reply to this comment
  3. MH August 2, 11:49

    Mos dushesh te shpreheshit te kunderten “malli shndërrohet në karakter.”
    Ku per mua ploteson ma bukur iden.”Karakteri shndërrohet ne mall.”
    Sepse,nga shitja dhe blerja e mallit e peson karakteri.Kruse malli mbetet mall per tu tregetue ne karakteret e dobet te pakarakter.

    Reply to this comment
  4. Guri Naimit D August 2, 14:20

    Iperjetshem kujtimi ketij njeriu,qe u mundua te ishte NJERI.(.VO.Eshte injorance te pergojosh te ndarin nga jeta, diten e lamtumires).
    Lamtumire o NJERI i kohes qe jetuat e ne jetojme !…
    Guri Naimit D.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*