Ja si do jetë struktura e testit të gjuhës angleze!

May 2, 2019 12:51

Ja si do jetë struktura e testit të gjuhës angleze!

Përgjatë muajit qershor maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara do të nisin zyrtarisht provimet e Maturës Shtetërore 2019, ku testi i parë do të zhvillohet në lëndën e gjuhës së huaj.

Maturantët kanë nisur tashmë me konsultimet në lidhje me temat që duhet të përgatisin për këtë provim.

Bazuar në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zhvillimin e provimeve të maturës së këtij viti, bëhet e ditur se testi i gjuhës së huaj do të hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor trajtohet si gjuhë e huaj e parë dhe niveli i njohurive synohet të jetë B2, sipas Kuadrit të Përbashkët Evropian të Referencave për Gjuhët.

Pjesa dërrmuese e maturantëve do të zhvillojnë si testim të detyruar të gjuhës së huaj lëndën e anglishtes. Sipas autoriteteve të arsimit, testi i gjuhës së huaj ndërtohet mbi bazën e dy aftësive dhe vlerësimin e njëkohshëm të tyre që janë:të kuptuarit dhe të shprehurit me shkrim.

Sipas strukturës së përcaktuar në udhëzimin e MASR, testi i gjuhës së huaj do të jetë i strukturuar në tre pjesë, të cilat janë: Të lexuarit dhe të kuptuarit e një teksti të shkruar që do ketë në përmbajtje rreth 50 për qind të pyetjeve, përdorimin e drejtë i gjuhës ( njohuritë rreth gramatikës dhe leksikut) që do ketë rreth 28 për qind të pyetjeve, si dhe të shkruarit me 22 për qind të pyetjeve.

Teza e provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm përkatës. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar strukturën e këtij provimi të detajuar nëpërmjet një modeli testi të hartuar nga ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit, se si do të jetë teza e provimit të gjuhës angleze.

Të lexuarit dhe të kuptuarit e një teksti të shkruar

Pjesa dërrmuese e pyetjeve të testit do të jenë rreth të lexuarit dhe të kuptuarit të një teksti të shkruar. Vlerësimi i kësaj aftësie do të bëhet mbi bazën e disa teksteve të panjohura me tema aktuale, që lidhen me interesat e të rinjve, mbi të cilat do të ndërtohen pyetje që do të testojnë aftësinë e nxënësit për të kuptuar një pjesë letrare ose joletrare, apo një gjini tjetër të të shkruarit (reklama, informacione, letra, pjesë nga broshura të ndryshme turistike,etj).

Kështu, duhet të jeni në gjendje të lexoni dhe të kuptoni në mënyrë të përgjithshme dhe të detajuar informacionin e dhënë në pjesën e leximit, të mblidhni informacionet që kërkohen rreth tekstit, si dhe të jepni një vlerësim, ose opinion të mbështetur mbi faktet e pjesës që jepet në test.

 Përdorimi i drejtë i gjuhës

Pyetjet rreth gramatikës dhe leksikut do të përbëjnë rreth 28 për qind të përmbajtjes së testit. Njohuritë kryesore që nxënësi ka marrë mbi përdorimin e gjuhës ndër vite, do të testohen përmes ushtrimeve që e shohin gramatikën dhe leksikun si pjesë të integruara në situata të gjuhës së përdorur në përditshmëri, pra si një gjuhë funksionale”, bëjnë me dije ekspertët e Institutit të Zhvillimit të Arsimit, rreth përgatitjes që duhet të kenë maturantët rreth kësaj pjese të testit.

 Të shkruarit

Kjo pjesë e testit i përket shkrimit të një eseje. Nëpërmjet përdorimit të duhur të gjuhës në të shkruar, maturanti duhet të grumbullojë rreth 22 për qind të pikëve finale të testit. Sa i takon kësaj pjese të testit, specialistët e Qendrës së Shërbimit të Arsimit thonë se: “Nxënësi mund të prodhojë me shkrim një tekst të detajuar rreth temave me subjekte që lidhen me fushën e tij të interesit duke bërë analizë dhe sintezë, si dhe të shpjegojë këndvështrimin e tij rreth temës duke dhënë avantazhet dhe disavantazhet e opsioneve të ndryshme që ai rendit në këtë pjesë të shkruar”.

Rregullat për provimet

Sipas kushteve të përcaktuara më herët në rregulloren e miratuara nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, lëndët e provimeve të Maturës Shtetërore 2019 për shkollat e arsimit të mesëm të lartë janë: 3 provime të detyruara, përkatësisht në lëndët gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje nga lista e 11 lëndëve të miratuara për shkollat e mesme të përgjithshme dhe ato artistike, teksa është detajuar edhe lista e lëndëve të provimit me zgjedhje për shkollat e mesme profesionale. Referuar ndryshimeve të bëra saktësohet se testi i lëndëve të detyruara dhe atij me zgjedhje do të vlerësohet në total me 60 pikë. Koha për zhvillimin e pyetjeve të testit do jetë 2 orë e 30 minuta. Secila tezë e provimi do të ketë në përmbajtje 20 pyetje me zgjedhje (alternativa) dhe pyetjet e tjera do jenë me zhvillim dhe arsyetim. Sa i takon vlerësimit të testeve, për provimet e këtij viti është menduar  edhe mundësia e rikthimit të korrigjimit elektronik. Ky model korrigjimi do të zbatohet vetëm për pyetjet me alternativa, ndërsa ato me arsyetim do të vijojnë të korrigjohen nga mësues të përzgjedhur.

KLIKO: Model Testi

May 2, 2019 12:51
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*