Ja si ndahen 6444 kuotat e Universitetit të Tiranës

July 12, 2017 11:15

Ja si ndahen 6444 kuotat e Universitetit të Tiranës

Pranvera Kola – DITA

Statusin e studentit në një nga gjashtë fakultetet e Universitetit të Tiranës për vitin e ri akademik 2017-2018 do mund ta fitojnë 6450 maturantë dhe kandidatë të tjerë që i kanë mbaruar studimet e shkollës së mesme gjatë viteve të shkuara dhe nuk rezultojnë të jenë të regjistruar në asnjë institucion të arsimit të lartë.

Kur duhen edhe pak ditë nga hapja e garës zyrtare për plotësimin e preferencave me të cilat maturantët do të konkurojnë për të fituar studimet e larta në strukturat universitare publike dhe private, drejtuesit e Universitetit të Tiranës, bëjnë me dije se rritja e kuotave të pranimit për garën e 2017 shkon nga 5-7 për qind, krahasuar me kuotat e realizuara gjatë maturës së shkuar. Konkretisht, 6444 është numri i kandidatëve që do të pranohen për herë të parë gjatë këtij viti në programet e nivelit të parë “Bachelor” në të gjitha fakultetet e këtij universiteti.

Rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni ka pohuar gjatë ditës së djeshme se këto 6444 kuota të reja pranimi, ndahen ndërmjet kuotat e të planifikuara për maturantët brenda vendit, për ndjekjen e programeve të dyta të studimit, për transferim studimesh, si dhe kuotat e përcaktuara për kategori të veçanta.

Në mënyrë të detajuar, ndarja e kuotave do të jetë e tillë: 5631 kuota pranimi për maturantët dhe kandidatët e tjerë brenda territorit të vendit tonë, 270 kuota për kandidatët që do të transferojnë studimet e ciklit të parë nga universitetet e tjera publike, apo private drejt UT-së, 98 kuota që do të jenë për kandidatët që do të vijojnë programe të dyta studimi, 50 kuota do jenë të destinuara për shtetasit e huaj, 235 kuota për kandidatët që do të vijnë nga trojet, si dhe 160 kuota për kategoritë e veçanta, si: personat me aftësi të kufizuara, jetimët, romët, fëmijët e ish policive të rënë në detyrë, si dhe ish të përndjekurve.

Ndonëse nuk është zbardhur ende vendimi zyrtar i qeverisë, Rektori Koni bën me dije se nuk parashikohet të ketë rritje të tarifave të studimit.

Aplikimi për studimet e larta nis në 20 korrik

Javën e ardhshme, përkatësisht në datën 20 korrik nis zyrtarisht edhe aplikimi online me zgjedhjen e 10 preferencave për vijimin e studimeve të larta, nga të gjithë maturantët që plotësojnë kushtin e mesatares së kërkuar për të hyrë në garën e këtij viti. Sipas udhëzimit zyrtar të miratuar nga MAS pak më herët, zgjedhja e degëve të studimit do të bëhet online në portalin www.matura.qsha.agov.al,

ku regjistrimi i preferencave do të bëhet në të njëjtën kohë, si për kandidatët që duan të fitojnë të drejtën për të vijuar studimet në një nga degët e universiteteve publike, ashtu edhe për strukturat private të arsimit të lartë që veprojnë në vendin tonë.

Kanë të drejtë që të regjistrohen në këtë sistem online vetëm kandidatët që janë pajisur me dokumentacionin ligjor që fakton përfundimin e shkollës së mesme, që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 6, si dhe që plotësojnë kriteret e tjera shtesë që mund të kenë vendosur vetë universitetet për programet që ofrojnë.

Përpara aplikimit në portalin e maturës për zgjedhjen e degëve çdo kandidat duhet të shlyejë edhe tarifën prej 2000 lekësh pranë Postës, apo bankave të nivelit të dytë. Kjo faturë duhet dorëzuar në shkollën ku kandidati ka bërë plotësimin e formularit A1 dhe A1Z, si kusht për hedhjen në sistem të notës mesatare të shkollës së mesme, që është edhe një ndër kriteret mbi bazën e të cilës fakultetet do të përzgjedhin fituesit e rinj të këtij viti.

Mbetësit e provimeve të maturës nuk kanë të drejtë që të regjistrojnë online preferencat gjatë javës së ardhshme. Këta kandidatë duhet që të presin sezonin e vjeshtës për të ridhënë provimet në të cilat kanë rezultuar mbetës, si dhe më pas  të aplikojnë në raundin e dytë që do të zhvillohet përgjatë muajit shtator.

 Mundësitë e studimit për maturantët me mesatare poshtë notës 6

Ndërsa kandidatët që do të aplikojnë për t’u pranuar në një nga programet e studimeve dy vjeçare me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare (nota mbi 6) të kërkuar nga qeveria për garën e pranimeve të 2017-ës. Këta kandidatë mund të garojnë për të fituar studimet në programet universitare profesionale.

Ndryshimet e bëra në ligjin e arsimit të lartë, i lejojnë institucionet e arsimit të lartë që të mund të ofrojnë programe studimi me karakter profesional pas arsimit të mesëm.

Programe të cilat mund të realizohen me 60 ose 120 kredite formimi, referuar nivelit përkatës të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Kohëzgjatja e studimeve në këto programe normalisht është një, ose dy vite akademike dhe në përfundim lëshohet “Certifikatë profesionale”, ose “Diplomë profesionale” në fushën përkatëse të arsimit që kandidati ka kryer.

Po sipas ligjit, këto studime mund të përdore më pas për të vijuar më tej formimin universitar. Kjo pasi, kreditet e grumbulluara gjatë studimeve profesionale të larta mund të transferohen në studimet e ciklit të parë, që referohet në nivelin 6 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, sipas kritereve të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë.

Pranimi në programet e ciklit të parë

Vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 6 mund të vijojnë me plotësimin e preferencave dhe ndjekjen e kritereve të veçanta të miratuara nga vetë universitetet, për të qenë fitues në degën përkatëse që preferojnë.

Sipas kritereve të zbardhura nga Universiteti i Tiranës, për të shpallur fituesit në degët e Fakultetit të Histori-Filologjisë, do të përdoret kjo formulë sipas të cilës 80 për qind të peshës në përzgjedhje do ta ketë mesatarja e shkollës së mesme, ndërsa 20 për qind të ndikimit nota e Maturës Shtetërore.

Ndërsa në programet e gjuhëve të huaja, kriteri i vetëm që do të zbatohet në përzgjedhjen e fituesve është mesatarja e shkollës së mesme. Në degët e ekonomikut do të vijojnë të zbatohen të njëjtat kritere si ato të aplikuara gjatë vitit të shkuar.

Ndërsa për pranimet në programet e Drejtësisë, apo të Shkencave të Natyrës, krahas notës mesatare të shkollës së mesme, do të merret në konsideratë edhe vlerësimi për gruplëndët prioritet. Programet e ciklit të parë të studimit, organizohen me jo më pak se 180 kredite evropiane dhe kohëzgjatja normale e tyre është tri vite akademike.

Studentët në programet e ciklit të parë të studimeve diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Janë vetë universitetet ato që përcaktojnë në rregulloren e tyre pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të ciklit të parë të diplomohet, duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome.

Në përfundim të programeve të ciklit të parë lëshohet diploma “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.

 Ndryshimet për programet e mësuesisë

Programet e studimit në fushën e mësuesisë për arsim parashkollor dhe arsim fillor do të organizohen në dy cikle, program i ciklit të parë “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor, si dhe program i ciklit të dytë “Master profesional”, që formon mësues të arsimit fillor.

Programet e studimit për formimin e mësuesve të arsimit të mesëm të ulët dhe të lartë organizohen si programe të ciklit të dytë të studimeve “Master”, me 120 kredite sipas fushave përkatëse të formimit. Referuar përcaktimeve të detajuara në ligjin e arsimit të lartë, programet e ciklit të dytë të studimit në fushën e mësuesisë duhet të përmbajnë 25 për qind të krediteve në shërbim të formimit të përgjithshëm psiko-pedagogjik.

Ndërsa programet e ciklit të dytë të studimit, që formojnë mësues të së njëjtës fushë të mësuesisë, duhet të kenë së paku 80 për qind të kurrikulës me përmbajtje të ngjashme.

Si ndahen kuotat për të 6 fakultetet e Universitetit të Tiranës

  • Në total për ciklin e parë “Bachelor”, do pranohen 6444 studentë të rinj, prej të cilëve:
  • 5631 është numri i kuotave të miratuara për maturantët dhe kandidatët e tjerë brenda territorit të vendit tonë.
  • 270 është numri i kuotave që janë të destinuara për kandidatët që do të transferojnë studimet e ciklit të parë nga universitetet e tjera publike, apo private drejt Universitetit të Tiranës.
  • 98 është numri i kuotave që do të jenë në dispozicion të kandidatëve që duan të vijojnë studimet në një program të dytë.
  • 50 është numri i kuotave të miratuara për shtetasit e huaj që do vijnë të studiojnë në vendin tonë.
  • 235 është numri i kuotave të miratuara për kandidatët e trojeve, gara për të cilët do të jetë më vete.
  • 160 kuota për kategoritë e veçanta, si personat me aftësi të kufizuara, jetimët, romët, fëmijët e ish policive të rënë në detyrë, si dhe ish të përndjekurve.

 Datat e përzgjedhjes së preferencave për të gjitha rrethet

Udhëzimi zyrtar i miratuar më herët përcakton se përzgjedhja e 10 preferencave për studimet e larta do të zhvillohet në datat 20-29 korrik, ku maturantët do mund të aplikojnë online, sipas datave të përcaktuara nga kalendari zyrtar i Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.

Për të shmangur mbingarkesën në sistem, është vendosur që plotësimi i formularit të bëhet në data të veçantë për secilin rreth në vend, të cilin e gjeni të detajuar në tabelën bashkangjitur shkrimit.

Më mbarimin e fazës së aplikimeve online për listimin e preferencave, si dhe në varësi të kritereve të vendosura nga vetë fakultetet, këto të fundit do të bëjnë kalkulimet përkatëse në lidhje me kandidatët që plotësojnë kushtet për të qenë fitues.

Shpallja e fituesve të fazës së parë do të bëhet me 28 gusht, teksa një ditë më pas, në datën 29 gusht do të nisë edhe procesi i regjistrimeve për të përzgjedhurit si fitues të raundit të parë.

Ky regjistrim do të bëhet brenda një raundi, që ndryshe nga viti i kaluar do të pasohet nga 7 minifaza regjistrimesh 48-orëshe.

Regjistrimet duhet të bëhen detyrimisht brenda secilës fazë, në të kundërt humbisni të drejtën për të vijuar studimet në degën e fituar.

July 12, 2017 11:15
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim