Jahjaga pret homologun bullgar Plevneliev: Të hiqen pengesat në Ballkan

April 21, 2015 15:02

Jahjaga pret homologun bullgar Plevneliev: Të hiqen pengesat në Ballkan

Me ftesë të Presidentes Atifete Jahjaga, Kosovën po e viziton Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev.

Pas pritjes ceremoniale dhe takimit mes dy homologëve, në një konferencë të përbashkët për media, Jahjaga dhe Plevneliev komentuan rreth themelimit të Gjykatës Speciale. Presidentja Jahjaga ritheksoi se Gjykata Speciale nuk paragjykon luftën e UÇK-së, por do të ketë të bëjë vetëm me individët.

“E kam thënë disa herë, që Kosova duhet njëherë e përgjithmonë ta largojë këtë pikë të zezë të së kaluarës së vendit tonë. Ne duhet të përmbushim këtë angazhim, që kemi marrë si shtet dhe si kryetare e këtij vendi. Kjo gjykatë, në asnjë rast dhe në asnjë moment nuk e paragjykon luftën e lavdishme të UÇK-së, por kjo ka të bëjë me individët”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Jahjaga tha se amendamentet e bëra në vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk shkelin rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Ndërsa Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev tha se krijimi i Gjykatës Speciale është pjesë e procesit të drejtësisë dhe se nuk ka asgjë të keqe, nëse rishikohet e kaluara.

“Kjo Gjykatë Speciale nuk është në emër të Brukselit, është në emrin tuaj, është pjesë e procesit tuaj. Procesit të drejtësisë, të rishikimit të së kaluarës. Ky proces do t’iu ndihmojë, që të merrni mësime nga e kaluara. Ne mund të marrim mësime, kur e kaluara lexohet në mënyrë objektive. Nuk ka asgjë të keqe nga rishikimi i së kaluarës. Këto institucione janë një mekanizëm, me anën e të cilit garantohet drejtësi brenda shtetit, por edhe në kontekst më të gjerë”, tha Rosen Plevneliev, President i Bullgarisë.

Temë e diskutimeve mes dy presidentëve ishte bashkëpunimi ekonomik dhe procesi i liberalizimit të vizave. Presidentja Jahjaga tha se Kosova ofron potenciale të mëdha për investime dhe po ofrohet një klimë e mirë për biznesin. Ajo kërkoi mbështetje nga homologu i saj në procesin e liberalizimit të vizave, duke njoftuar se brenda pak javësh institucionet e vendit do t’i përmbushin të gjitha kriteret teknike për t’i hapur rrugë këtij procesi.

Ndërsa Presidenti Plevneliev cilësoi si prioritete, realizimin e korridoreve të transportit.

“Ne besojmë se korridoret Sofie-Nish e Nish-Prishtinë janë prioritet në punën tonë. Kjo do të thotë se nuk do të udhëtojmë 5 orë, siç kemi udhëtuar sot nga Sofia deri në Prishtinë, por do ta bëjmë në vetëm 2 orë. Kufizimet duhet të hiqen, si ato të vizave dhe ato të rrugëve. Ne duhet të jemi një familje e madhe, që jeton dhe punon bashkërisht në shtëpinë e vetë. Shtëpia jonë është Ballkani”, tha Rosen Plevneliev.

Plevneliev tha se do të mbështesin projektet e përbashkëta energjetike në Evropë, pjesë e të cilave do të jetë si Bulgaria, edhe Kosova.

Jahjaga njoftoi se Presidenti Rosen Plevneliev është presidenti i parë bullgar që viziton Kosovën. Ai u prit nga Garda ceremoniale e FSK-së. Përveç takimit me Presidenten Jahjaga, Plevneliev u prit edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

April 21, 2015 15:02
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*