Janaq dhe Milton Manaqi, pionierët e parë të filmit në trevat e Ballkanit

May 8, 2016 16:00 Updated

Janaq dhe Milton Manaqi, pionierët e parë të filmit në trevat e Ballkanit

Arti nuk njeh kufij territoresh e shtetesh, ai u shërben të gjithë popujve. Aq më tepër kjo vlen për vendet ballkanike ku ka një përzierje kombësish, besimesh dhe kulturash që i japin njëra tjetrës dhe nuk mund t’i ndash dot. E tillë është edhe historia e dy vëllezërve Manaqi, fotograf dhe kineastë, që vepruan në një territor mes tre shteteve, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë.

Sa shqiptar janë Manaqët!?…

Është folur që Manaqët janë me origjinë shqiptare, por nuk ka dalë ndonjë dokument që të provojë origjinën e tyre. E vetmja gjë që i afron ata pranë kësaj hipoteze, është gjuha shqipe, dialekti jugor, që e flisnin bukur dhe rrjedhshëm jo vetëm dy vëllezërit, por edhe të gjithë pjesëtarët e familjes së tyre.  Pavarësisht se flisnin shqip, kjo nuk do të thotë se ata ishin shqiptarë, pasi popullsitë e kombeve të ndryshme që jetojnë në të njëjtin territor flasin gjuhën e njëri-tjetrit. Por ata që janë marrë me studimin e veprimtarisë së fotografëve të shquar, japin edhe dëshmi të tjera: si ajo që të gjithë dokumentarët e realizuara nga Manaqët në Maqedoni me kamerën 300, kanë për protagonistë njerëz të veshur më kostume as greke dhe as maqedonase, por vetëm  shqiptare ose dëshmia e intelektualit të njohur shqiptar, Irfan Tërshana, i cili në një intervistë të dhënë për Televizionin Publik Shqiptar, ka thënë se ka takuar vëllezërit Manaqi në Manastir në vitin 1935, pasi donte të dinte se a ishin ata që i kishin fotografuar të atin në Kongresin e Dibrës. Tërshana dëshmon se Milto Manaqi, jo vetëm që ia siguroi këtë fotografi, por i kishte shtuar: “Unë jam shqiptar dhe nuk mund të marrë para për patriotët”. Vazhdon edhe sot e kësaj dite të kombëtarizohet përkatësia e tyre midis tre vendeve, Greqisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Edhe dy studiuesit tanë, megjithëse kanë prova dhe bindjen që Manaqët janë shqiptarë, tregohen të rezervuar për të dhënë një definicion. Ata ia kanë lënë kohës, kolegëve të vendeve fqinje, me besimin se një ditë do të dalë e vërteta e origjinës së mjeshtërve të mëdhenj fotografë me përmasa ballkanike. Studimet më të fundit për origjinën dhe identitetin e tyre peshon në anën shqiptare, gjë që të dy vëllezërit e kanë pohuar më se një herë.

Kush janë Manaqët

Vëllezërit Janaqi e Milton (Miltiadh) Manaqi u lindën: i pari në vitin 1878 dhe, i dyti, më 9 shtator të vitit 1882, në fshatin e vogël Avdela, që ndodhet midis trekëndëshit të përbërë nga qytetet e Konicës, Grebenesë, e Meçovës, rreth 15 km në jug të Samarinës. Historia e tyre drejt kinemasë nis fillimisht me pasionin ndaj fotografisë. Miltiadh (Milto) Manaqi futet në gjimnazin e Janinës dhe më pas do të punojë në laboratorin fotografik, që i kishte hapur vëllai Janaq në Janinë, në vitin 1897. Shpirti i tij poetik do të bënte atë një nga fotografët më të njohur të kohës. Kur, një përfaqësues i njohur i asaj kohe i shoqërisë angleze “Çarls Urban Company” u duk në Shqipëri, që në vitin 1903, ai do të ndalonte në studion e vëllezërve Manaqi, që do të bëheshin udhërrëfyesit e tij në rrethinat e Manastirit. Shoqërimi i këtij kineasti të huaj do të ndikonte shumë në të ardhmen e vëllezërve Manaqi, pasi prej këtij kineasti ata do të mësonin përdorimin e kamerës.

Në maj të vitit 1905, vëllezërit Manaqi zhvendosin laboratorin e tyre nga Janina në Manastir. Në fund të vitit 1904, Manaqët blen nga një shoqëri angleze një kamerë kinematografike, “Bioskop kamera nr. 300”, të cilën Miltua filloi ta përdorte në fillim të vitit 1905 dhe me të cilën më pas xhiroi edhe kronikën e parë kinematografike duke i bërë kështu vëllezërit Manaqi si kineastët e parë në Ballkan.

Filmi i parë i vëllezërve Manaqi, që quhet “Tjerrëset” është prodhuar në vitin 1906. Ai ka në qendër gratë e fshatit të tyre të lindjes, sidomos gjyshen dhe të ëmën, të cilat janë të veshura me kostume popullore shqiptare. Dhjetëra dokumentare të bëra në Maqedoni, të cilat nxjerrin në pah kostumet e filmuara nga “Kamera 300”, nuk janë maqedonase, por shqiptare, gjë e cila nuk është pohuar deri më sot.

Atje zhvilluan një veprimtari të gjerë në fushën e kinematografisë dhe të kulturës në përgjithësi. Më vonë vëllezërit Milto dhe Janaq Manaqi u morën me veprimtari pedagogjike dhe studime, duke u bërë kështu nga intelektualët më të njohur të kohës. Janaq Manaqi edhe pas edhe pas internimit për veprimtari patriotike në Bullgari (1916-1917), vazhdoi sërish profesionin fotografit në Plovdiv të Bullgarisë. Në vitin 1906 Milto Manaqi mori pjesë në konkursin ndërkombëtar të fotografisë artistike, që u zhvillua në Bukuresht, Rumani dhe u nderua me Medaljen e Artë për fotografinë “Gruaja nga Klisura me foshnjën”.

Avdela, dashuria dhe dobësia e Manaqëve

слика-520x325Vendlindja e Manaqëve është Adela, një fshat ndërmjet Kolonjës, Grebenesë e Meçovës, treva këto që populloheshin kryesisht nga shqiptarë, të cilët jetonin në harmoni të plotë me grekët dhe arumunët, por që u la jashtë territorit shqiptar pas vendosjes së kufijve në vitin 1913. Sot ky fshat është i boshatisur, ku njerëzit kthehen vetëm në muajt e verës. Pranë një çezme janë statujat në bronz të vëllezërve Manaqi. Në lagjen ku janë lindur, një tabelë tregon pronat e tyre të paprekura, ca livadhe në rrëzë të pyllit. Sipas asaj që duket, baza e jetës në këto anë prej shekujsh ka qenë blegtoria. Peizazhet përreth janë me një bukuri tronditëse. Pyjet shekullore, kope të mëdha që shtegtojnë për kullota. Mjafton të shohim fotot e rralla e të vjetra të Manaqëve për ta përfytyruar deri në detaje jetën e kësaj zone. Edhe filmi i parë i vëllezërve Manaqi, që quhet “Tjerrëset”, i prodhuar në vitin 1906, ka në qendër gratë e fshatit të tyre të lindjes. Në këtë prodhim ata kanë filmuar gjyshen e tyre të vjetër dhe të ëmën, të cilat janë të veshura me kostume popullore shqiptare.

Mes shqiptarëve, për shqiptarët

Në dokumentarin  e realizuar bukur dhe profesionalisht të Petrit Rukës, ajo që bie në sy është se vëllezërit Manaqi, pavarësisht trevave të gjera dhe mikpritëse ballkanike, kanë preferuar dhe janë ndjerë mirë në ato vende që janë banuar me shqiptarë. Janaqi shkollohet dhe merr zanat, mësues vizatimi dhe hap studion fotografike në Janinë.  Janina ishte një qytet ku ishin bashkuar tërë racat e Ballkanit, grekë, shqiptarë, arumunë, çifutë, evgjitë në një harmoni absolute. Janina kishte qenë qendër e vilajeti dhe çerdhe e madhe e dijes, por edhe me një ndikim etno-kulturor shqiptar. Shtrohet pyetja! Përse Manaqët nuk u vendosën në qytete të mëdha si Selaniku ose Athina?…Sepse ata kanë zgjedhur qytetet ku dominojnë shqiptarët, ku nisën dhe bitisën jetën dhe punën e tyre. Ata kishin miqësi me figura të shquara shqiptare si me shkrimtarët Haki Stërmilli dhe Migjenin, si dhe shoqëri të ngushtë me shqiptarët Kosta Çomo, Mihal dhe Athanas Pema, Mihal Zega etj. Veç kinemasë së tyre të çelur në Manastir me emrin Kino “Manaqi”, ata çelën edhe kinema të tjera si në Ohër, Veleshtë, Prilep etj.

Kronikanë të ngjarjeve historike më në zë të kohës

Shkollat shqipe në Tetovë 1941-1944 2Vëllezërve Manaqi u takoi të vepronin në një periudhë historike me ngjarje të mëdha. E kishin filluar duke xhiruar shembjen e një perandorie, siç ishte perandoria osmane. Kishin filmuar rilindjen e Shqipërisë “tek bënte shkronjat e saja të gjuhës së lashtë pellazgjike dhe Kongresin e Dibrës një vit më vonë, 1909. Këto dëshmojnë se vëllezërit Manaqi kanë qenë njerëz të brendshëm e të besuar dhe të interesuar për fiksimin e këtyre ngjarjeve të figurave historike. Në 1911 filmojnë sulltanin turk, Mehmet Rashidi V në Manastir. Ishin të zakonshme për ta kronikat nga luftërat dhe dasmat, nga paradat dhe tubimet. Ruhen filmime të tyre në arkivat filmike të Rumanisë e Bullgarisë, vende ku udhëtuan deri në fund të Luftës së Parë Botërore.

Me kamerën “…300” u fiksuan shumë ngjarje që u zhvilluan në këto troje në fillim të shekullit të 20-të, si dhe ato që kanë të bëjnë me historinë e popullit tonë. Një dokument i rëndësishëm filmik dhe me vlera të jashtëzakonshme për historinë e popullit tonë, është padyshim xhirimi në fillim nga vëllezërit Manaqi i Kongresit të Manastirit, që zhvilloi punimet nga 14-22 nëntor 1908, i cili hodhi bazat e një alfabeti unik shqiptar. Në këtë kronik kinematografike, të filmuar nga vëllezërit Manaqi, jepen figurat më madhore të kulturës shqiptare të asaj kohe, patriotët dhe revolucionarët demokratë që shkrinë jetën e tyre për mëmëdhenë. Filmi përfshin parakalimin festiv të patriotëve shqiptarë me rastin e kongresit, i cili mbetet një nga kongreset tona historike. Shumë fotografi që vazhdojnë të ruhen në arkivat tona si të Gjergj Fishtës, Mihail Gramenos, Bajram (Bajo) Topullit, Ndre Mjedës etj, mbajnë firmën e vëllezërve Manaqi. Një pasqyrim i plotë dhe me detaje i vëllezërve Manaqi është edhe Kongresit të Dibrës më 1909. Milto Manaqi gjatë mbajtjes së Kuvendit të Dibrës punonte në Dibër. Me aparatin dhe kamerën e tij Milto Manaqi fiksoi Akademinë Ushtarake të Manastirit, djegien nga andartët grekë të fshatrave shqiptarë, midis tyre edhe fshatin tij, Avdelën. Në arkiva kanë mbetur pamje nga Korça, Erseka, Leskoviku, Këlcyra, Negovani, Konica, Mecova, Pogradeci etj.

Një vend nderi më i gjerë dhe më i mirë se deri sot

manaki_06Një vit para vdekjes së Milto Manaqit, arkivi i tyre u mor prej shtetit dhe u arkivua në Kinotekën Maqedone, ku ruhen mbi 17 mijë negativë dhe qindra mijë metër film. Në fondin vëllezërve Manaqi, të shpërndara dhe të grumbulluara në muzeume të ndryshme në Maqedoni janë edhe qindra fotografi të identifikuara, por edhe ende të paidentifikuara që presin studime të mëtejshme.  Meqenëse veprimtaria e tyre shtrihet në tre shtete, për njohjen më të mirë të vlerave të fotografive të vëllezërve Manaqi, duhet një bashkëpunim shkencor e artistik ndërshtetëror. Bashkëqytetarët e tyre ballkanas, të bien në një mendje, të “harmonizojnë apo rregullojnë hapin” dhe të botojnë një album serioz e të plotë të veprës së tyre. Festivali i filmit “Manaqi”, i organizuar nga institucionet e larta të kulturës maqedonase, është një aktivitet i mirë, por, fatkeqësisht i kufizuar, pa një marrëveshje ndërinstitucionale me shtetet fqinj ku kanë vepruar vëllezërit Manaqi. Për këtë, më e udhës do të ishte krijimi i një komisioni të përzier me specialistë nga vendet që “i mbulon” krijimtaria e tyre.

Me veprimtarinë e tyre, në fushën e fotografisë, vëllezërve Manaqi, ju përket një vend nderi edhe më i gjerë, edhe më i mirë se deri sot.

Mirënjohje dy studiuesve tanë me emër, Abaz Hoxha dhe Petrit Ruka

Kanë shkruar edhe shumë të tjerë, por ata që i janë futur me themel dhe tepër seriozisht ndriçimit të jetës dhe veprës së  vëllezërve Manaqi, pionierëve të parë të filmit në Ballkan, janë, studiuesi dhe kritiku i filmit shqiptar, Abaz Hoxha dhe skenaristi i mirënjohur, Petrit Ruka. I pari që s’ka lënë vend ku ata kanë vepruar pa shkelur, dokument, film e foto pa kaluar nëpër duar, dhe, i dyti, me një dokumentar, që, edhe pse gjysmëorësh, të çon në një udhëtim  të këndshëm historik dhe artistik, duke prezantuar gjithë veprimtarinë profesionale, por, mbi të gjitha, patriotike të dy vëllezërve në fjalë. Ndërsa Abazi i ka quajtur vëllezërit Manaqi “Lymierët e Ballkanit”, Petriti, i ka quajtur “Homerët e filmit ballkanik”, asnjë nga këto cilësime nuk e përjashton njëri-tjetrin, përkundrazi, ato  të çojnë në një të përbashkët të pamohueshme, se ata qenë të parët që sollën në Ballkan filmin dokumentar dhe artistik dhe hapën të parët studio filmike dhe kinema.

 

 

May 8, 2016 16:00 Updated
Komento

2 Komente

  1. Uauuu May 8, 19:42

    Sipas kujtimeve të Myftar Tares ish zëvendësministër i brendshëm në vitet e para të çlirimit Manaqët ishin me origjinë nga një fshat i zhdukur i Kolonjës, Badër afër kufirit grek.

    Reply to this comment
  2. Alban Hamzai May 10, 16:39

    Vellezerit Manaqi jane vllehe.Nuk punuan kryesisht ne Janine e Manastir se kishte shqiptare.Me kete llogjike do te thote tjetri se ishin slave se aty kishte shume slave,ishin greke se aty kishte shume greke…Vellezerit Manaqi shumicen e filmimeve nuk I kane per shqiptaret.P.sh. me 1912 filmojne hyrjen e mbretit grek Konstandin ne Selanik dhe Manastir,Filmuan zjarrin e madh ne Selanik etj.,Sulltan Mehmet Reshatin…

    Reply to this comment
  3. erion veliu January 25, 09:50

    Ore, duhet me I nxjerr se sbën shqipëtarë se për ndryshe si njohim fare! He pik e zez, në atë zonë ku kanë Linder këtë është popullsie lëmsh.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*