Jashtë krizës nuk ka poezi

March 22, 2018 17:06

Jashtë krizës nuk ka poezi

Moikom Zeqo

Homeri flet diku, se zotat kishin bërë të pamundurën: kishin burgosur Muzikën.

Hermesi, lajmësjellësi, rrugëqiellori, hyjnorlajmëruesi e ç’burgosi Muzikën më në fund.

Kështu rravgon edhe ungjillëzimi i Poezisë.

Muzika është sekreti dhe substancë e Poezisë.

Të ç’burgosësh Poezinë është mrekulli e intelektit njerëzor.

Kështu poetët janë hermesiake.

Poezia që kam shkruar në vitet ’70 të shekullit të kaluar ka qenë liria ime për të tjerët.

Më pas jam dëshpëruar nga Poezia.

Poezia burimsohet nga kriza.

Jashtë krizës nuk ka Poezi.

Pakënaqësia lind vizione të mëdha.

Kujtesa është sytë ende të gjallë tek një kafkë e historisë.

Zotin mund ta duan të gjithë, po varet se kë do ai vetë.

Poeti krijon epet e tij në funksion të një uni imagjinar. Poeti artikulon me sy fytyra shekujsh.

Ai i jeton në një kohë të gjitha kohërat.

Ai është egërsisht i gjallë, pa asnjë Post Mortum.

Të gjitha elementet e universit janë pseudonime të brishta dhe të kërthnesta të tij.

Si Shehrezadja, Poeti mbijeton çdo natë, duke thënë përrallën e Artit.

Statujat për Poetin janë gjumi metaforik i të gjallëve. Për Poetin edhe një luledielli është ora e engjëjve pa kronologji.

Por sot Poeti është si një detar fenikas mes makinave të bujshme të trafikut frikëndjellës të metropoleve.

Filozofi i atomizmit logjik L. Wittgenstein ka shkruar se nuk është e rëndësishme ajo që është thënë, por ajo, që nënkuptohet, pa u thënë, madje asnjëherë.

Këtu është Shpresa, ose Utopia marramendëse e Poezisë.

Idetë kompjuterizohen, por jo shpirti i gjuhës poetike. Poeti nuk klonohet dot.

Në globalizmin virtual, Poeti nuk tjetërsohet nga imazhet.

Poezia është një herezi e amëshuar dhe e papërballueshme.

Si mund të gjendet një metaforë e re, – metal i panjohur që nuk e di as Tabela e Mendelejevit?

Vdekatarë të papërsosur, poetët projektojnë Njerëzimin e Ri! Amen!

Durrës 15 korrik 2006

March 22, 2018 17:06
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*