Java e 40-të e pandemisë / Shqipëria nuk ndryshon renditje, e fundit për testet ndaj COVID. Na e kalon ndjeshëm në shifra Kosova dhe Maqedonia e Veriut

September 30, 2020 14:31

Java e 40-të e pandemisë / Shqipëria nuk ndryshon renditje, e fundit për testet ndaj COVID. Na e kalon ndjeshëm në shifra Kosova dhe Maqedonia e Veriut

Shqipëria vijon të mbetet e fundit në rajon për numrin e testeve të kryera në raport me popullsinë, një renditje që e ruan që prej fillimit të pandemisë.

Duke iu referuar të dhënave të “Worldometers”, rezulton që në vendin tonë janë kryer vetëm 28 779 teste për një milion banorë. Ndërkohë, në vendet e rajonit nivelet e testimit janë disa herë më të larta. Në Greqi, në total janë kryer 1,296,795 teste, thënë ndryshe 124,568 teste për një milion banorë. Në Maqedoninë e Veriut numri i testeve për një milion banorë është 89,798, në Serbi 129,194 dhe në Malin e Zi 108,675.

Larg jemi edhe në raport me Kosovën ku për një milion banorë rezultojnë të jenë kryer 37 385 teste. Teksa kemi hyrë në javën e 40-të të pandemisë, pragu i testimeve luhatet në shifrat 800-870 teste në harkun e 24 orëve. Këtu përfshihen edhe testet që kryhen në strukturat private përkundrejt pagesës.

Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu, tha të hënën se janë fuqizuar kapacitetet testuese, ndërkohë që situata mbetet ajo më sipër. Për ekspertët, gjurmimi, testimi dhe trajtimi mbeten trinomi me anë të të cilit mund të kontrollohet pandemia. Por ky rekomandim duket se ka rënë në vesh të shurdhër për sa kohë nuk është marrë në konsideratë.

RASTET

Të martën, referuar të dhënave zyrtare, janë kryer 820 teste në total, nga ku kanë rezultuar 127 raste të reja. “Janë kryer 820 testime dhe janë konfirmuar 127 të prekur me virusin Sars-COV 2 në këto bashki: 75 raste në Tiranë; 8 në Korçë; nga 5 raste në Fier, Gramsh; nga 4 raste në Lushnjë, Berat; nga 3 raste në Shkodër, Kavajë, Mirditë; nga 2 raste në Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Kuçovë; nga 1 rast në Durrës, Devoll, Has, Vlorë, Pukë, Librazhd, Dibër, Roskovec, Patos. Në 24 orët e fundit, 103 qytetarë e kanë fituar betejën me COVID-19, duke e çuar numrin e të shëruarve në 7732 që nga fillimi i epidemisë”, tha Mirela Cami, drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.

NË SPITAL

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 190 pacientë, 16 në terapi intensive, nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar. “Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e ka humbur betejën me COVID-19, një 65-vjeçar nga Vlora dhe 3 qytetarë nga Tirana: një 59-vjeçar, një 75-vjeçar, një 76-vjeçar, me sëmundje bashkëshoqëruese”, tha Cami. Gjithsej, janë 384 persona që kanë humbur betejën me sëmundjen që nga fillimi i pandemisë. Ministria e Shëndetësisë ka apeluar qytetarët që të përdorin maskat, duke i konsideruar ato domosdoshmëri për t’u mbajtur kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh. / Panorama

j.l./ dita

September 30, 2020 14:31
Komento

3 Komente

  1. Ani September 30, 14:48

    Normal fare sepse ka shendetesine me katastrofe……

    Reply to this comment
  2. A September 30, 17:33

    Kuptohet me sharlatanin EDI PIS RAMA, edhe shendetesia eshte katastrofe. Gjithçka qe flet e ka pallavra dhe broçkulla. Vetem nje gje e ben mire, sakte me pergjegjesi qe mbush thaset me PARE per vehten e vet. Sa me pare kete pis-pisi duhet hequr qafe.

    Reply to this comment
  3. Gzim Kulufi September 30, 18:18

    Te marten 820 teste dhe 127 pozitive! Pra mbi 15% te te testuarve. Keto shifra jane me te larta nga ato te prillit, ku dilnin e shumta 13% te te testuarve pozitive. Po te kemi parasysh qe te vdekurit jane mbi 90% vetem ne te dy spitaliet, (sidomos tek senatoriumi), i bie qe ky virus ne kete kohe prezantohet akoma i bute tek te prejurit. Ngelet vetem qe te ndalojme shtrimet ne te dyja spitalet, sidomos tek senatoriumi!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim