Java e 8-të, thyhet “miti Skënderbeu”

October 27, 2015 09:28

Java e 8-të, thyhet “miti Skënderbeu”

Derbi Partizani – Tirana me të drejtë është etiketuar sfida vitrinë e futbollit shqiptar, për të gjithë komponentët që kontribuonin në spektaklin e fushës së blertë, por edhe në shkallët e stadiumit.

E tillë ishte edhe përballja më e rëndësishme e javës së 8-të të Kategorisë Superiore, Partizani – Skënderbeu (2-1), që nxori një fitues, por edhe një kryesues të vetëm të kampionatit, një rival të denjë për skuadrën kampione të vendin në garën për trofeun më të rëndësishëm të sezonit.

Një Partizan i supermotivuar tregoi ndoshta limitet e skuadrës më të mirë të futbollit shqiptar, Skënderbeut, duke thyer edhe një mit.

Skuadra korçare duhet të përballojë ngarkesën fizike dhe psikologjike edhe të një kompeticioni shumë të rëndësishëm siç është Europa League.

Një takimin i humbur në “Qemal Stafa” ndaj një rivali direkt nuk e cënon aspak autoritetin e Skënderbeut si ekipi për t’u mundur në Superiore.

As shkarkimi i Shkëlqim Muçës për rezultate të dobëta nuk dha rezultat te Tirana, e cila në transfertë me Vllazninë shpërdoroi një mundësi të artë për të përfituar nga përplasja direkte mes Partizanit dhe Skënderbeut.

Goli i Smajlit në fund të pjesës së parë dha iluzionin se në kampin bardheblu ishte kthyer harmonia, ndërkohë që kuqeblutë e një mijë e një problemeve me golin e Arbërit në fund të sfidës, morën një tjetër pikë shpresë për ndryshimin e situatës.

Kukësi brazilian ka humbur shumë nga shkëlqimi i ndeshjeve në Europa League, megjithatë arriti të merrte maksimumin e pikëve ndaj një skuadre modeste si Tërbuni, falë golit të Mateus Limas, por që nuk i përmbushi pritshmëritë e presidentit Safet Gjici.

Nuk njeh limite kriza e gjithanshme te Flamurtari, e reflektuar me një barazim pa gola me Bylisin në Vlorë në një terren të mrekullueshëm.

Largimi i disa futbollistëve për shkak të rrogave të prapambetura dhe kriza administrative e kalon në plan të dytë aspektin sportiv, aq sa kuqezinjtë kanë braktisur edhe nga publiku vendas.

E fundit në radhë por jo për nga rëndësia mbetet përballja e “Niko Dovanës” mes Laçit dhe Teutës, ku kurbinasit në letër ishin organizatorët e ndeshjes.

Një barazim spektakolar, që për nga mënyra sesi rrodhën ngjarjet kishte shijen e fitores për “djemtë e detit”, të cilët arritën të përmbysnin në 6 minutat e fundit golat e Gocajt dhe Adeniye.

Pozicioni në renditje por edhe niveli i lojës i shfaqur në këto tetë javë të para u jep të drejtë të dyja skuadrave të pretendojnë zonën UEFA, duke qenë rivale të denja për Kukësin dhe Tiranën.

October 27, 2015 09:28
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*