Jehona e një epopeje në vargje

August 31, 2016 15:00 Updated

Jehona e një epopeje në vargje

Nga IDAJET JAHAJ

Lufta e Vlorës ishte një model aksioni total popullor, pa përçarje e kundërshti në radhët e popullit. Si një përrua a lumë, që mblodhi e vuri në lëvizje, i bëri ortek, gjithë forcat e gjalla luftarake të masave, prej disa vjetësh të shtypura nga pushtuesi. Në këtë drejtim, ajo luftë është vlerësuar nga historia jonë si një vullkan çlirimtar.

Shumë përcaktime e vlerësime i janë bërë asaj epopeje, gjer në poetikë e ekzaltim. Folklori që rezultoi nga ajo epope, qe një pasqyrë e madhe dhe e gjerë e saj. Si një ekran i madh, të cilit nuk i shpëtoi asnjë: që nga përgatitja e luftës, fitoret e para, sulmet e mëvonshme mbi Vlorë, betejat e njëpasnjëshme, hedhja mbi tela, dridhja e pushtuesit në qytet, heronjtë e shumtë e të sprovuar, gratë – ujkonja për liri, dënimi i atyre pak tradhtarëve të asaj lufte, konkluzionet e asaj beteje, e deri tek vallja e fitores në sheshin e Flamurit dhe jehona në Evropë.

Të gjitha këto, folklori i pasqyroi me besnikëri e afsh llogoreje. Që nga përgatitjet e luftës, nga udhëheqësit e demonstratave të para: Jani Minga, Osman Haxhiu, Halim Xheloja, Barjam Hallkua:

Tre djema, tre zemërhekur,
Atdhetarë, mëndjepjekur,
Çdo herë gati për të vdekur…
Folë, o Jani Minga, folë,
Deh, t’u lumtë ajo gojë!…

Oratoria e këtyre burrave ndezi zjarr radhët e revoltuesve e ky vullkan lëshoi kongjijtë e mëdhenj të ndezur – demonstratat e 1918-19-tës:

Kush ia bëri proto forra?
Osman Haxhiu nga Vlora,
“Marshallë me shkop qëllova!”

Pastaj kuvendet e mëdha popullore – parlamentet e famshme të organizimit si Baçallaja, Mesapliku, Beuni, etj, ku u bënë betimet deri edhe me puthje mbi kuran – si element i besës Shqiptare. Këto ishin gjestet e mëdha të vendimit të pakthyeshëm për fitore. Ishin në skënderbejadën shqiptare.

Baçalla, në mal të shenjtë,
Shtroi pllan e bëri betë:
Vdesin për atdhen’ e shenjtë…
…Në Beun kur u mbëlodhë
Dymbëdhjetë komisionë…

Iu dërgua ultimatumi komandës së pushtuesit në Vlorë. Edhe atë akt e mori kënga: “Mehmet Selimin e folë / Ti Mehmet do veç në Vlorë /. Çdo fshat e zonë kishte formuar çetat e veta, të betuara deri në vetmohim. Të gjithë me zjarrin e lirisë në zemër. Si lumenj zjarri jepen në folklor lëvizjet e krahinave:

Rrëz’ e Kudhësit e Smokthinë,
Me vrap sulen, posht’ po vijnë…
Alem Aga me Haminë,
Murat Miftar e Halimnë,
Beqir Velo në Kaninë,
…Nga Beuni vjen një kartë,
Dërgon komisioni i lartë:
Të mbëlidhenë dukatë,
Si janë mbledhur dhe prapë…
…Spiro Kolekë Vunoi
Bregut të Detit i dërgoi:
-Do vini në luft’ a ç’thoi?

Pasqyrohen fitoret – rrufe të Kotës, Llogorasë e Gjormit, me bukuri:

Obobo, se ç’qënkej Kota,
Më e bukur se Evropa
Bytym mitraloz’ e topa!…

 

Aty u vra dëshmori i parë i asaj lufte-heroi Zigur Lelo. Si një kronikë e vërtetë, e imtë e besnike ngjarjesh, kënga pasqyron luftimet në unazën e kodrave rreth Vlorës, në vijën Dukat-Shashicë-Vreshtat e Mëdha-Qafë e Koçiut e deri në Kodrat e Bestrovës e Panajasë. Kjo unazë e darë zjarri do të mblidhej, do të mblidhej, deri sa të shpërthente si llavë nëpër qytetin e Vlorës, ku nuk do të linte këmbë armiku.

Sulmet e tërheqjet e luftëtarëve do të vazhdonin për më se dy muaj e kjo periudhë e luftës do të përbënte edhe pjesën më të madhe të pasqyrimit artistik në këngët e shumta. Ato përshkruajnë të rënët, trimat e papërmbajtur, vrasjen e Selam Musait, plagosjen e Sali Vranishtit, vajtimin heroik të të rënëve e të plagosurve, betimin sipër kufomave të tyre.

Më shumë se vezullim metaforash, këngët dhe vargjet e shumta të asaj epopeje mbajnë erën e barutit e të dheut të djegur, erën e djersës së luftëtarëve, heroikën e llogores e të hendekut, dritën e betimit të pakthyeshëm për liri.

Një rilindas i vonë e quajti atë luftë “Skënderbejada e tretë e kombit”. Nëpër piskamat e luftës Halim Xheloja do të shkruante mbi varrin e një dëshmori: “O luani malësor / o i pavdekuri kurrë! / Luftëtarët nuk bëjnë gjumë, as ditë, as natë:

…Do këndojmë a ç’do bëjmë?
Hall’ i madh që na ka zënë,
S’na lë gjyleja të flëmë…

Heronjtë shkëlqejnë nëpër sulme me dritën e tyre të madhe:

Ç’u vra Ziguri te porta,…
Kanan Mazeja ç’u bë copa,…
…Selami përmbi spitalë,
Zu’ një kolonel të gjallë!…

Zjarri i luftës ndriçonte vendin:

Nga ato majat e larta,
Nga dukej Vlora dhe Narta
Hapej tymi e dukej flaka…
Gjylja, plumbi, batareja,
Tundej vendi nga rrufeja.

Portretet e heronjve ndritin nga figuracioni.

Selami i Salarie,
Si yll’ i bukur kur bie.

Sali Vranishti thotë:

-S’kthehem i gjallë përpjetë,
Do digjem me gjithë çetë!

Ndërsa heroi i Kudhësit:

-Kanan, t’u prish bukuria?
-Le të rrojë Shqipëria!

Luftëtarë të tjerë pikturohen:

Sokëllin Spiro Koleka,
Kapedan me të vërteta,
Trim i zgjedhurë në çeta.
…Në Brataj kush komandoi?
Dif Memo Mete dragoi.

Ndërsa Selman Hyseni i Tërbaçit:

Vetëtimë shënëndreu,
Si ujku në dhen kërceu
Italianët i çqeu…

Heroizmi s’ka fund. Flakët e tij ngjiten deri në qiell e freskojnë flamurin. Pushtuesi dridhet, i strukur në një qoshe të qytetit. Osman Haxhiun kënga e ngre mbi të gjithë:

Hajde, mor Osmën Haxhi,
Të qenë dy-tre si ti…

Në atë luftë shkëlqeu edhe heroizmi dhe sakrifica e grave. “Edhe ato suleshin si ujkonja!” – do të shkruante në ditarin e tij një korrespondent i armikut.

Po sokëllin Sadoja,
Burra, yxhym përmbi ta!
Trimëreshë Sadoja,
Që ish grua përmbi gra.
…Rubie Hose një pallë,
Seç zbriti në Qishbardhë:
-Mos patë burrin e kunanë?
-Ata të dy janë vrarë!
-Më jepni dyfek’ e kamë
O burra t’u marrim haknë!…

Vargjet kushtuar heroizmit të grave në atë luftë, formojnë një poemth heroik. Aty shkëlqyen Zekine Krasta, Safie Musai, etj. Dhe populli përgjithësoi:

Aferim, more vlonjatë,
Trima ju e trima gratë,
Me dyfek’ e me sëpatë,
I thanë armikut: alt!

 

Një nënë nga Bashi i tha të birit: “Mos u kthe sa të fitosh / edhe nënën ta nderosh! / Dhe n’u vrafsh, vritu më këmbë / Vdekja mos të të trëmbë! / Ai u vra vërtet, dhe nëna sërish: “U vrave siç të tha nëna, / astrit i bukur me rrëmba!/. Skicimet e shumë të vrarëve e të plagosurve të tjerë janë nga më të bukurat: Zyber Bejto trim i mirë / U plagos Caush Tafili – sorkadh mali e zë bilbili / O Sino takëm ergjëndi, edhe Toto zemërshkëmbi/…

Moj e bukura kaza,
Gjysm’ e popullit u vra,
Të bukur trima që ka…

Rapsodit, më në fund, nuk do t’i shpëtonte edhe qortimi për gabimin e madh (krimin) e një fuqie të tillë, siç ishte Italia, që pushtoi një pjesë të Shqipërisë – Vlorën:

Itali, moj, qofsh lanet,
S’pate turp, goxha dovlet,
Luftove me një milet,
Të patop, të pa – dyfek,
E që rron, moj, në gazep,
Me një çikë bukë në xhep,
Mbledhur si foshnja në djep!

Dhe pastaj shpreh forcën:

…Po ne jemi një milet,
Që s’ka frik’ e s’ka haxhet,
Se e ka zemrën kuvet,
Të hodhi, moj, mu në det!

Vargjet kanë forcë të madhërishme. Ato nënvizonin faktin që s’kishte nevojë për gjykatë ndërkombëtare…

28.8.2016

 

August 31, 2016 15:00 Updated
Komento

2 Komente

  1. Lufter August 31, 18:35

    Lufta e Vlores eshte me vlera te vecanta, e pa imagjinueshme te nje organizimi te persosur popullor,pa ndihmen e shtetit qe ishte inekzistent se kishte3-4 muaj qe ishte formuar.Si eshte e mundur qe nje organizim i popullit pa armatimet e duhura te mposhti e shpartalloj nje ushtri prej rreth 10.000 ushtaresh nga Saranda gjer ne vlore e armatosur gjer ne dhembe? kjo lufte duhet vleresuar larte e duhet analizuar thelle e me detaje. Eshte nje cudi si nuk vleresohet sa e si duhet kjo lufte sepse vlerat dhe momenti historik e permbajtja pse u realizua jane me vlera te jashtezakonshme per ekzistencen e popullit shqiptar dhe te shqiperise. Ajo eshte perforcim dhe ngritja fuqishem e vlerave te pavaresise te vitit 1912. Zogu e fshiu nga kujtesa kete lufte pasi kreret e saj u bashkuan me qeverine e Nolit si dhe hodhen ne det ushtrine e mikes se tij Italise fashiste te Duces.Kjo lufte tronditi fqinjet grabitqar dhe i tregoi botes se ky vend ka zot,ka nje popull qe te merr gjake ne vetull,prandaj kini kujdes. Te lufta e vlores kemi percaktuar themelet e se ardhmes se Shqiperise dhe kombit Shqiptar.Prandaj vlerat e kesaj lufte ende nuk jane nxjerre e vleresuar si duhet.

    Reply to this comment
  2. intelektuali September 1, 13:47

    SOKELLIN SPIRO KOLEKA
    VAJZEN E KA GJET PA BREKA
    BUMCIN NE BURG E FUTI
    SE KURVEN E TIJ NUK E LUTI

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*