Jeni gati për të jetuar një vit në Amerikë?

September 20, 2017 11:42

Jeni gati për të jetuar një vit në Amerikë?

Entela Resuli – DITA

Jeni gati për të jetuar një vit në Amerikë? Për të mësuar për kulturën amerikane? Për të treguar për kulturën e vendit tuaj? Ka një mundësi për gjimnazistët dhe këtë e ofron Ambasada Amerikanë në Tiranë nëpërmjet programit YES (Youth Exchange and Study).

Programi YES, i financuar nga Departamenti i Shtetit dhe i koordinuar në Shqipëri nga Këshillat Amerikanë i jep mundësi adoleshentëve për të jetuar dhe studiuar një vit atje. Ky program jep bursa për nxënës të shkollave të mesme të moshës 15-17 vjeç, të cilët kalojnë një vit akademik në Amerikë.

Drejtoresha e Këshillave Amerikanë, Linda Mëniku na shpjegon se këto ditë puna është në fazë informimi në shkolla, ku një ndihmë të madhe e ka dhënë edhe Ministria e Arsimit nëpërmjet njoftimeve që ka bërë në shkollat e të gjithë vendit.

Të gjithë nxënësit duhet të regjistrohen personalisht ditën e testimit. Testi i parë do të bëhet në të njëjtën ditë dhe orë që do të përcaktohet në momentin e regjistrimit. Për të gjithë ata që kualifikohen, testimi i dytë do të bëhet të nesërmen. Një listë me pjesëmarrësit e raundit të dytë do të bëhet publike në mbrëmjen e ditës së parë të testimit.

Testimi do të zhvillohet në dy qytet, në Fier (3 nëntor, Shkolla e mesme “Flatrat e Dijes” Lagjja 1 Maj) dhe Tiranë (4 nëntor, Universiteti “Marin Barleti”, Kampusi 2, Rruga “Frang Bardhi”, Selitë, Tiranë).

Në këtë intervistë, Linda Mëniku jep më shumë detaje për këtë program dhe për mënyrën se si nxënësit të aplikojnë në të.

Linda Mëniku

-Linda, nuk është hera e parë që flitet për këtë program, sa kohë u bë që nxënës nga Shqipëria shkojnë në SHBA?

Programi YES ka filluar në Shqipëri që nga viti 2009. Është një program i cili sjell nxënës të shkollave të mesme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sigurisht që, në moshë sa më të re njerëzit të njihen me kulturën e një vendi tjetër, aq më shumë krijohet një marrëdhënie shpirtërore dhe një lidhje e fortë me këtë vend. Njohja më e thellë bën që kur këta studentë të kthehen në vendin e tyre, të përçojnë më të mirën që kanë marrë nga vendi pritës.

-A ka interes, pasi duket sikur prindërit, por edhe vetë të rinjtë i besojnë, Amerikës dhe e kërkojnë atë…

Po dhe më vjen shumë mirë që programi YES në Shqipëri ka reputacionin e një programi transparent, një program që bazohet të meritokracia. Është një synim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë në të gjitha vendet që ata punojnë që, programet e tyre të krijojnë besimin tek njerëzit. Në një shoqëri si ajo e Shqipërisë ku besimi ka humbur për shumë gjëra për fat të keq, ne synojmë të ruajmë standardet amerikane, duke i dhënë mundësi shqiptarëve, nga veriu në jug, që të informohen në radhë të parë. Pasi sa më të informuar të jenë njerëzit, aq më shumë mundësi kanë ata për t’u zhvilluar. Synimi është që çdo nxënës të jetë i informuar, nëse ata marrin pjesë apo jo në program, është në zgjedhjen e tyre.

-Ka disa kritere që duhet të plotësohen, apo jo?

Janë dy kritere bazë të cilat janë të bashkërenditura me njëra-tjetrën: nxënësit duhet të jenë të lindur nga 1 janar 2001-15 korrik 2003, por në të njëjtën kohë të jenë edhe nxënës në gjimnaz në klasën e 10 ose 11.

-Po mesatarja, ndikon?

Duhet të jenë nxënës të mirë. Nuk mund të themi që duhet të jenë nxënës absolutisht të 10-ës. Duhet t’i sqarojmë që në fazën e parë të konkurrimit mund të marrin pjesë të gjithë, pasi në këtë fazë ne nuk merremi as me listën e notave dhe as me ndonjë informacion tjetër. Ajo që bëhet në fazën e parë është vetëm një testim i thjeshtë i gjuhës angleze. Testimi është me alternativa. Janë 16 pyetje gramatikore. Testimi i dytë ka të bëjë me shkrimin e një eseje. Pra, në thelb ky nuk është një testim njohurish, por është një testim i karakteristikave të personalitetit të këtyre nxënësve dhe aftësisë së tyre për t’u përshtatur në një mjedis të ri dhe në një botë komplet ndryshe, sikurse janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

-Nxënës me aftësi të kufizuara mund të marrin pjesë në këtë program?

Po, patjetër. Ka një kriter moshe dhe klase, ndryshe. Nxënësit me aftësi të kufizuara mund të kenë lindur nga 15 shkurti i vitit 2000 deri në 15 korrik të vitit 2003. Mund të jenë edhe në klasën e tetë dhe të nëntë. Janë të lutur të marrin pjesë të gjithë nxënësit me aftësi të kufizuara dhe të testojnë veten. Ne do të kemi një datë testimi të veçantë dhe do të jetë në 6 nëntor te shkolla e të verbërve. Por mund të krijohen edhe hapësira të tjera në varësi të kërkesave që ata do të kenë.

-Edhe këtë vit është zgjedhur Fieri dhe Tirana si qytet ku nxënësit mund të vijnë dhe të testohen?

Po janë dy qendra, Tirana pasi gati dy të tretat e popullsisë sot jeton në kryeqytet dhe Fieri është zgjedhur për shkak të pozicionimit në udhëkryq, pasi zonat e jugut mund të përqendrohen aty. Këtë vit kemi një bursë më shumë. Janë 11 bursa, gjithsej.

-Kush paguan për programin?

Ky program bursash është i financuar plotësisht nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe administrohet nga Zyra e Çështjeve të Arsimit dhe të Kulturës (ECA) të Departamentit Amerikan të Shtetit. ECA synon mirëkuptimin mes njerëzve në Shtetet e Bashkuara dhe njerëzve të vendeve të tjera në gjithë botën. Programet e ECA-s përfshijnë programet e arsimit dhe të trajnimit që promovojnë lidhjet personale, profesionale dhe institucionale mes qytetarëve dhe organizatave në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë saj. Programi YES mbështetet në nivelin lokal nga qytetarët amerikane dhe shkollat e mesme amerikane, që në mënyrë vullnetare mikpresin, arsimojnë dhe mbështesin nxënësit pa pasur kompensim financiar.

-Çfarë përfitohet nga kjo përvojë shkëmbimi?

Programi YES ofron për nxënësit mundësinë për të mësuar për popujt dhe kulturën e Shteteve të Bashkuara. Pjesëmarrësit në programin YES janë ambasadorë të rinj që u mësojnë amerikanëve për kulturën dhe popullin e tyre. Nxënësit vlerësojnë kultura të tjera dhe zhvillojnë ndjeshmërinë për to, përjetojnë rritje personale dhe pavarësi, dhe bëhen më të përgatitur për një botë gjithnjë e më shumë të ndërvarur. Nxënësit krijojnë lidhje të forta me familjet e tyre mikpritëse në SHBA dhe komunitetet atje, ndërtojnë marrëdhënie që zgjasin gjithë jetën. Shumë alumni (ish-bursistë) ndjekin studimet në universitete prestigjiozë pas kthimit në shtëpitë e tyre, dhe më vonë hyjnë në punë emocionuese ku përdorin aftësitë që përfituan gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara.

 

Programi YES!

Programi i shkëmbimit të të rinjve dhe i studimit Kennedy-Lugar (YES) u krijua nga Kongresi Amerikan në tetor të vitit 2002, në përgjigje të ngjarjeve të 11 shtatorit 2001. Programi financohet përmes Departamentit Amerikan të Shtetit dhe sponsorizohet nga Zyra e Çështjeve të Arsimit dhe të Kulturës (ECA) për dhënien e bursave për nxënës të shkollave të mesme që vijnë nga vende me një numër të rëndësishëm myslimanësh, për të kaluar një vit shkollor në SHBA.

Nxënësit jetojnë me familje mikpritëse, ndjekin shkollën e mesme, marrin pjesë në aktivitete për të mësuar për shoqërinë amerikane dhe vlerat, fitojnë aftësi drejtuese, dhe ndihmojnë që të edukojnë amerikanët për vendet dhe kulturat e tyre.

Nxënësit e shkollave të mesme me aftësi të kufizuar ftohen të marrin pjesë në konkurrim. Përafërsisht 15 nxënës me aftësi të kufizuar ftohen në SHBA me këtë program çdo vit. Nxënësit me aftësi të kufizuar që përzgjidhen në këtë program, plotësojnë të njëjtat kritere si të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.

 

September 20, 2017 11:42
Komento

2 Komente

  1. Albamich September 20, 16:52

    paskan ngel amerikonet qe te mesojne kulturen shqiptare nga keta njomzaket gjimnazishta qe do qendrojn nje vit ne SHBA
    Qytetaret amerikane e njohin shume mire Shqiperine dhe kulturen shqipetare sepse ata kane kontakte cdo ore,cdo dite me shqiptaret

    Reply to this comment
  2. Albamich September 20, 16:59

    paskan ngel amerikonet qe te mesojne kulturen shqiptare nga keta njomzaket gjimnazishta qe do qendrojn nje vit ne SHBA
    Qytetaret amerikane e njohin shume mire Shqiperine dhe kulturen shqipetare sepse ata kane kontakte cdo ore,cdo dite me shqiptaret
    Ktu ka ere korrupsioni,ata qe kane ne dore per perzgjedhjen e aplikuesve do te jene me te fituarit,sepse, do te kene ne xhepat e tyre disa mijra euro te fituara ne menyre te paligjshme

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*