Po ju atje, në Boston, dhe unë këtu në Florida, ç’dreqin kemi që nuk flemë?!

Pëllumb Kulla May 23, 2016 15:00

Po ju atje, në Boston, dhe unë këtu në Florida, ç’dreqin kemi që nuk flemë?!

 

“Dikur thuhej se puna është nder, sot, turpi të sjell lavdi”

Përafërsisht me këtë titull, Moza Demiri, një mike fort e afërt e jona solli dje një lajm paradoksal mbi kërkesën e ish guvernatorit Fullani për një dëmshpërblim të majmë për shkak të dëmeve psikologjike që i ka sjellë mikroburgimi që vuajti. Unë i bëra shënimit të Mozës një koment, por meqënëse aventura e Fullanit ka qenë një nga temat e mia të preferuara, kam shumë dëshirë ta vendos komentin tim, si vëzhgim, edhe në këtë faqen time kryesore.

Bukur, Moza, po ne, ne, ne, …përse nuk flemë, dreqi ta marrë?!… Më kujtohet se të gjithë krerët e politikës, atëherë kur e prangosën, shqiptonin një frazë, të mësuar në kor, por që e këndonin veçmas nëpër intervista: “Fullani ka meritën që e zbuloi vjedhjen vetë!”

Ja, këtu ishte dhelpëria e Fullanit.

Së pari e ujdisi punën që banka të vidhej, vetëm e vetëm që ai ta zbulonte!

Po të mos e kishte zbuluar vjedhjen e bankës (atë të gjorë bankë që ishte ngarkuar dhe paguhej që ta ruante!), ne dhe të dashurit tanë, krerët e politikës, nuk do të merrnin vesh gjë dhe jeta do të rridhte e qetë.

Por Ardian Fullani, me gjenialitetin e një ekonomisti të mirë të këtyre kohërave në Shqipëri, për të fituar këta milionët që po kërkon sot, e zbuloi! E dinte që pas zbulimit, detyrimisht, do ta burgosnin pakëz, pastaj do ta falnin. Se që do ta falnin, këtë ai e dinte qëkur e emëruan!

Dhe pas faljes, ajo dihet që vjen dëmshpërblimi i majmë!

Ti, lexues i shtrenjtë, e di që aty, në atë vend të bekuar, nuk të lënë kurrë pa dëmshpërblim. Veç teje tërë bota, Uashingtoni, BE-ja, Izraeli dhe Zanzibari e me radhë, e dinë që Shqipëria paskomuniste ka marrë vendimin human, më të rrallin në historinë e njerëzimit, atë të dëmshpërblimit të atyre që kanë vuajtur prapa hekurave dhe është zotuar që t’ua shndrrrojë borxhin moral në material: drënk, në para të thata, këst pas kësti, brënda shekullit që sapo hymë! Por Fullani nuk është futur dot në ato listat, ku paratë jepen me këste dhe është i detyruar t’i marrë ato të tëra menjëherë!

Megjithatë, Moza, unë rikthehem te pyetja e parë: po ju atje, në Boston, dhe unë këtu në Florida, c’dreqin kemi që nuk flemë?!

 

Pëllumb Kulla – FB

Pëllumb Kulla May 23, 2016 15:00