Jeta në burg e Gentian Dodës, mes purove kubaneze e kanavacave

November 14, 2017 11:17

Jeta në burg e Gentian Dodës, mes purove kubaneze e kanavacave

Si ka qenë jeta në burg e të kërkuarit Gentian Doda, pazari për favorizimin e të cilit ka vënë  pas hekurave gjyqtarin e Apelit, Shkëlqim Miri.

Më 28 gusht të vitit 2015, gjatë një reportazhi që do përgatisnim për “Gazeta Shqiptare”, në burgun e Fushë-Krujës, takuam në bibliotekën e burgut Gentian Dodën, emër i cili është lakuar bujshëm së fundmi pas përgjimeve që çuan në arrestimin e gjykatësit Shkëlqim Miri. Këtij të fundit iu gjetën në shtëpi 300 milionë lekë, që sipas përgjimeve të policisë, janë ryshfete të marra nga puna e tij. Sipas akuzës, më 23 maj 2017 gjyqtari Miri ka marrë një zarf me 30 mijë euro, ndërkohë që kjo përkon me kohën kur kushëriri i tij, Kujtim Miri ishte në lokal me personat e dërguar nga Gentian Doda.

Kush është Gentian Doda

Gentian Doda u ekstradua nga SHBA-të për në Shqipëri në vitin 2012, i akuzuar për vrasjen e Gazmir Dedjas dhe Asllan Gjokës, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 1997. Doda dhe viktima Gazmir Dedja kanë qenë anëtarë të grupeve rivale në Burrel, konflikti ndërmjet të cilëve ka vijuar për shumë vite dhe me shumë viktima. Sipas prokurorisë, nga hetimi i çështjes ka rezultuar se nga viti 1997 e në vazhdim shkak i konfliktit me pasoja të rënda ka qenë përplasja e vazhdueshme ndërmjet dy familjeve.

Nga hasmëritë mes dy fiseve në Mat numërohen të vrarë të paktën 16 persona që prej vitit 1997 e në vazhdim. Në vitin 2010, në Tiranë është vrarë edhe vëllai i viktimës, Halil Dedja, i cili u gjet i vdekur në hyrje të pallatit ku banonte. Ditën e ngjarjes së vitit 1997, autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja janë konfliktuar verbalisht dhe më pas, i pandehuri e ka qëlluar me automatik, duke e plagosur rëndë. Nga plumbat ka mbetur i vrarë aksidentalisht Asllan Gjoka. Menjëherë pas krimit, i pandehuri është larguar jashtë Shqipërisë dhe është arrestuar në vitin 2012 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare. Pas ekstradimit, i akuzuari kërkoi rivendosjen në afat dhe rishikim të dënimit të dhënë më parë ndaj tij për këtë vepër penale. Ndonëse vrau dy persona në ’97-ën, Gentian Doda fitoi lirinë vetëm pas 5 vitesh burg.

Takimi në burg

Gentian Doda ka trup mesatar e aso kohe, në gusht 2015 mbante mjekër pak më të gjatë shkruan gazeta shqiptare. Në dukje ishte i qetë si tip e nuk bezdisej aspak nga prania e të huajve. “Me puro në gojë e penela në duar, Gentian Doda, i dënuar 20 vjet për vrasje të dyfishtë kryer në vitin 1997, hedh imazhe të fiksuara në kanavacë. Jemi shkëputur kështu në godinën e bibliotekës, aty ku të burgosurit merren edhe me krijime. I riu u ekstradua nga Amerika disa vite më parë e sot vuan dënimin në Burgun e Fushë-Krujës. Në cohën e bardhë të ngjyer krejtësisht me blu e nuancat, ka vizatuar oqeanin e pafund, duke rikthyer kështu nostalgjinë për të shkuarën, e siç e thotë edhe vetë, jetën në Los Angelos”. Këtë përshtypje la tek ne Gentian Doda, matjani i shumëpërfolur së fundmi, i cili tashmë ka lënë qelinë për të jetuar i lirë.

Përgjimet

Tri ditë para arrestimit të gjyqtarit Shkëlqim Miri dhe të afërmit të tij, Kujtim Miri, mes të dyve, të akuzuar për korrupsion, ka pasur një takim poshtë shtëpisë së gjyqtarit të Apelit në lagjen “Myslym Shyri” në Tiranë. Në dosjen hetimore rezulton se më datë 7 tetor 2017, Kujtim Miri është thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për t’u pyetur si person ndaj të cilit kryen hetime. Kujtim Miri rezulton se nuk ka dhënë shpjegime, dhe sapo ka lënë ambientet e prokurorisë, është ndjekur nga agjentët e fshehtë. Fillimisht sipas vëzhgimit që i është bërë, ai ka lëvizur në drejtim të Rinasit e pasdite në ora 19:40 po më datë 7.11.2017 ulet në një bar kafe në rrugën “Islam Alla” ku është dhe shtëpia e gjyqtarit dhe aty takohet me këtë të fundit. Po sipas dosjes, Kujtim Miri mbajtës i numrit të telefonit 0682088xxx si dhe gjyqtari i Apelit, Shkëlqim Miri mbajtës i telefonit 0692069xxx, janë përgjuar mes tyre teksa kanë folur në datat 23, 24, 25 dhe 26 maj 2017 si dhe në datat 4, 5 dhe 8 qershor 2017, që korrespondon me një ditë pas shpalljes së vendimit në Apel, vendim i cili është shpallur më 7 qershor 2017. Një tjetër provë, sipas të cilës gjyqtari Miri ka qenë i përfshirë në këtë akt korruptiv është edhe fakti se ai është përgjuar teksa komunikon me Kujtim Mirin 6 minuta para se ky i fundit, i njohur si sekseri, do të takonte në lokalin në Fushë-Krujë ku u paguan 30 mijë euro shtetasin Alban Bucin dhe shtetasin me iniciale N.A.. Mes tyre sipas akuzës, më 23 maj 2017 ka pasur tri telefonata në 18:57, minuta e cila ka zgjatur 72 sekonda, në 21:05 telefonatë që ka zgjatur 32 sekonda dhe një telefonatë prej 1 sekonde. Më pas ka qenë gjyqtari Miri që ka telefonuar të afërmin e tij, Kujtim Miri dhe kjo bisedë ka qenë rreth orës 21:36 minuta, ka zgjatur 21 sekonda dhe nga pamjet filmike të lokalit të ndodhur në Fushë-Krujë ku është dorëzuar zarfi i bardhë me 30 mijë euro, përkon me kohën që Kujtim Miri ishte në lokal me personat e dërguar nga Gentian Doda. Më 25 maj 2017 rezulton se është përgjuar dhe Alban Buci, shtetas në kërkim po për të njëjtin hetim dhe mëngjesin e 25 maj 2017 në ora 09:45 minuta Buci njofton të afërmit e Gentian Dodës duke u shprehur “u dhashë atyre një thes me dokumente”. Ndërkohë, vendimi për lënien në fuqi të ndryshimit të akuzës nga vrasje në plagosje me pasojë vdekjen ndaj Gentian Dodës ishte planifikuar të jepej në Gjykatën e Apelit më datë 6 qershor 2017, por kjo seancë është shtyrë për më datë 7 qershor. E pikërisht për këtë shtyrje një person telefonon Gentian Dodën dhe e njofton se: “U shty më datë 7 në ora e 15:00, për dy arsye: mos formim të trupit gjykues dhe mosparaqitje të prokurorit, se ai kryesuesi i seancës është shumë korrekt, ai iku me gjyq tjetër. Këtë të hënë Gjykata e Krimeve të Rënda vlerësoi masën e sigurisë ndaj Kujtim Mirit të njohur si ndërmjetësi i parave, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg, e njëjta masë e dhënë edhe për gjyqtarin Miri ditën e diel. Rezulton se për Alban Bucin dhe për Gentian Dodën Krimet e Rënda kanë dhënë masën e sigurisë arrest me burg në mungesë dhe ata janë në kërkim nga policia për llogari të këtij hetimi./ GSH.al

November 14, 2017 11:17
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim