Luksin apo lirinë? Jeta sekrete e princeshave të kamura arabe

March 25, 2019 21:43

Luksin apo lirinë? Jeta sekrete e princeshave të kamura arabe

Kur Sheikha Latifa, Princesha e Dubait, u largua nga vendi i saj në shkurtin e vitit të shkuar, duke hipur në një jaht në pronësi të një francezi, babai i saj Sheikh Muhamed bin Rashid Al Maktum, ngriti shpejt një ekip për ta gjetur atë.

Brenda pak ditësh, ajo u kthye forcërisht në shtëpi.

Kjo ngjarje do të kishte mbetur e fshehtë, po të mos ishte për një video 39-minutëshe, e regjistruar nga princesha 33 vjeçare para se të arratisej, e cila u publikua pasi ajo u kap.

“Nëse jeni duke e parë këtë video, kjo nuk është diçka e mirë”- i këshillon ajo shikuesit, me një lutje për të shpëtuar jetën e saj. “Ose do të kem vdekur, ose do të jem në një situatë shumë, shumë të keqe”.

Sheikha Latifa, Princesha e Dubait

Parashikimet e Princeshës Latifa, duket se janë vërtetuar, tashmë që familja e saj e ka vënë nën arrest shtëpiak. Por sjellja e saj meriton vëmendje.

Bashkë me detajet e arratisjes së saj të pasukseshme, videoja ofron një panoramë të rrallë të jetës sekrete të princeshës në botën arabe, dhe grave të tjera të privilegjuara, si dhe hedh dritë në hendekun e hapur midis imazhit të tyre në publik, dhe realitetit që përjetojnë çdo ditë – shkruan Ola Salem në një shkrim të botuar nga Foreign Policy, sjellë në shqip nga Bota.al

Shumica e grave në botën arabe, janë të disavantazhuara në aspektin social. Familjet tradicionale, vendosin në përgjithësi kufizime të ashpra ndaj grave; në varësi të statusit që kanë, nëse janë apo jo të martuara, se sa liri kanë për të dalë jashtë shtëpisë, nëse mund të përdorin apo jo mediat sociale, nëse mund të udhëtojnë dhe ku, nëse mund të punojnë dhe çfarë mund të studiojnë, kur martohen, dhe kush mund të shohë fytyrat e tyre.

Sipas “sistemit të kujdestarisë” në Arabinë Saudite, një bashkëshort, burri, vëllai ose babai në disa raste, ka autoritetin e plotë për të marrë vendimet më të rëndësishme për një grua, që nga lindja e saj deri në vdekje.

Deri pak kohë më parë, universiteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, i sponsorizuar nga qeveria, ua ndalonte nxënseve femra mbajtjen e një celulari me kamera. Kampusi për grate, është i izoluar nga një mur i lartë, mbi të cilin janë vendosur tela me gjemba, ndërsa portat ruhen rreptësisht.

Universiteti është ende i ndarë, dhe studentet femra mund të lënë kampusin të shoqëruara me dikë tjetër, për këtë bien dakord kujdestaret e tyre, të cilat pastaj njoftohen përmes një mesazhi sapo të largohen.

Princesha Latifa, në videon e shpërndarë në rrjete sociale

“Ata përdorin formulime të ndryshme, por sistemi i kujdestarisë, është atje. Nuk është aq ekstrem sa Arabia Saudite”- thotë Hiba Zajadin, një studiuese pranë organizatës Human Rights Watch.

Në veçanti në Emiratet e Bashkuara Arabe, nuk ka ligj kundër dhunës në familje kundër gruas. Përdhunimi martesor nuk është një krim, dhe gratë që punojnë pa miratimin e bashkëshortëve të tyre, etiketohen si të “pabindura”.

Për t’i shpëtuar këtyre kufizimeve, shumë gra arabe praktikojnë mashtrimin; përdorin emra të rremë online, veshin mbulesa në fytyre për të fshehur identitetin e tyre në publik, i fshehin telefonat e tyre celularë nga familjet e tyre, dhe bëjnë plane për të dalë fshehurazi nga shtëpitë e tyre.

Dënimi për ato që kapen mat është i ashpër. Nëse një grua zbulohen në një lidhje të fshehtë me një burrë, kjo do të nxiste dënimin më të rëndë, duke përfshirë rrahjen, burgosjen apo edhe vrasjen për nderin e nëpërkëmbur të familjes.

“Gratë e privilegjuara të botës arabe, qofshin anëtare të familjes mbretërore, apo pjesë e familjeve me lidhje të forta politike, ia kalojnë në shumë mënyra më keq nga të gjitha. Për ta, kjo situatë është e padurueshme”- thotë Hala Al-Dosari, një aktiviste dhe studiuese e njohur saudite.

Ato i kanë mjetet për të jetuar ndryshe, por nuk munden. Jashtë pallatit, ndërveprimet me të huajt janë të shpeshta në shkollat ​​private, dhe gjatë udhëtimit për në resortet e tyre familjare jashtë vendit. Por këto janë vetëm përkujtues të një jete, që nuk u lejohet ta kenë. Për shumë nga këto gra, pasuria nuk është ngushëllim. Nuk munden të bëjnë zgjedhjet që dëshirojnë.

Ajo që e ngatërron më shumë këtë problem, është hipokrizia ekstreme.

Sheiku Muhamed

Shumë familje të privilegjuara arabe, preferojnë të paraqiten në botën e jashtme si liberale dhe me nivel. Për shembull, princesha Latifa, është vajza e njërit prej sundimtarëve më të hapur arabë të Gjirit Persik, që shihet shpesh me gruan e tij Princeshën Haja bint Al-Hussein dhe vajzat pa mbulesa koke.

Sheiku Muhamed flet kundër dhunës në familje dhe ka kërkuar një mbrojtje më të madhe për të miturit në vend. Por trajtimi që u bën vajzave të tij, e kundërshton këtë imazh ndërkombëtar.

Çdo grua që kërcënon imazhin patriarkal të familjes, ose rendin e saj patriarkal publik, izolohet qoftë në shtëpi apo nga shteti.

Nuk është e pazakontë që gratë të përballen me arrestin shtëpiak, si ai që është imponuar tani ndaj princeshës Latifa. Prandaj, nuk duhet të jenë aspak të çuditshme përpjekjet e arratisjes së princeshave arabe, dhe madje nuk është një dukuri e re.

Kjo nuk ishte as edhe përpjekja e parë e princeshës Latifa. Në vitin 2002, kur ishte 16 vjeçe, ajo u përpoq të shkonte në Oman, por më vonë u burgos, u torturua dhe iu mohua ndihma mjekësore. Motra e saj më e madhe, Princesha Shamsa, kishte dështuar gjithashtu të arrastisej, dhe më pas ishte burgosur në pallatin e familjes për vite me rradhë.

Por ky problem shtrihet përtej Dubait.

Jahja Asiri, drejtor i grupit të të drejtave të grave ALQST me seli në Londër, që ka punuar në emër të grave arabe që kërkojnë t’i ikin shtypjes, tha se u kontaktua në vitin 2013 nga 3 vajzat e mbretit Abdullah të Arabisë Saudite të cilat ishin të interesuara të arratiseshin nga vendi. Të treja vajzat ndodheshin nën arrest shtëpiak.

Mbreti Abdullah

Pasi gjysmësvëllai i Abdullahut, mbreti Salman u ngjit në fron, Asiri humbi të gjitha kontaktet me te treja vajzat dhe nënën e tyre, e cila po përpiqej t’i ndihmonte të largoheshin.

Ndërkohë, Asiri vazhdon të marrë telefonata nga princeshat e tjera në familjen mbretërore saudite, që kërkojnë ndihmën e tij për t’u larguar nga vendi. Problemi më i madh, është se kujdestarët meshkuj të grave, zakonisht ua kanë marrë pasaportat. “Nuk mund të bëhet ndonjë gjë e madhe, nëse ato nuk i kanë pasaportat e tyre”- thekson ai.

Ndonëse arratisja e princeshës Latifa dështoi, kjo nuk i ka penguar gratë e tjera në rajon të largohen, duke lënë pas pasurinë dhe privilegjet e tyre mbretërore, vetëm për të mundur të jenë të lira në Perëndim.

Muajin e kaluar, Rajaf Muhamed, vajza e guvernatorit të Sulaimit në veriun e Arabinë Saudite, fitoi azil në Kanada, pasi u ballafaqua me kthimin e detyruar në shtëpi nga Tajlanda ku dhe ishte arratisur.

Ajo u burgos duke tërhequr vëmendjen e botës, përpara se të ndërhynte Kanadaja.

Muhamed ishte me fat, tha Zajadin. Për çdo histori të suksesshme shpëtimi, ka shumë të tjera që dështojnë dhe mbeten të panjohura.

o.p. / dita

March 25, 2019 21:43
Komento

4 Komente

  1. Gani USA March 25, 21:49

    Keto jane te krimbura ne leke, por nuk u mjafton nje burre, ky eshte problemi i madh i femrave
    Dhe i meshkujve.
    Kurse ne Perendim mund te shkojne me gjithe burrat e dynjase, por shesin edhe shpirtin per ca leke me shume.
    Te parat duan te vijne tek te dytat, te dytat duan te jene si te parat?
    E kuptoni pse?
    Sepse femra do edhe ti garantohet luksi dhe rehatia nga burri, ama te rrije vetem me kete burre nuk e ben dot.
    Te rralla jane ato qe e bejne
    Dhe vetem ato e meritojne emrin Njeri

    Reply to this comment
  2. Rezbat beu March 26, 07:12

    Nuk mbahet dot gruaja e mbyllur o princ nuk pyet gruaja futi djallin qe mbahet si me gangsteri ne shishe

    Reply to this comment
  3. Prokurori March 26, 13:58

    Duhet lexuar me kujdes kodi penal(sheriati) per sqarime me te hollesishme per bjodet e Saharase.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*