Vite protofashizmi në qarqe të mendimit shqiptar

Joni Shanaj - INTERVISTË June 22, 2013 11:57

Vite protofashizmi në qarqe të mendimit shqiptar

“Në kushtet e sotme të Shqipërisë, të mos votosh dhe të mos kesh guxim të mbash qëndrim është barbari. Kush nuk e kupton se Shqipëria ndodhet jo përpara një palë zgjedhjeje të zakonshme, por përpara një zgjedhje kursi, që shkon përtej rëndësisë politike, por hyn dhe përbën një imperativ në rradhë të parë mbi orientimin kulturor të vendit, mjerë për të…”

“Vite protofashizmi në qarqe të mendimit” – thotë Joni Shanaj në këtë intervistë në DITA ku bën një analizë mbresëlënëse të shoqërisë së sotme shqiptare. “Të mos kesh guxim të mbash qëndrim sot është barbari – shton ai i pyetur në cilin krah qëndron lidhur me debatin për të mos votuar në 23 qershor. Më poshtë, intervista e tij për DITA.

 

-Z.Shanaj, filmi “Pharmakon ishte nje nga prodhimet me te fundit kinematografike shqiptare, filmi u mireprit jo pak nga publiku. Filmi solli një histori dashurie mes dy të rinjve, duke i bashkëngjitur dhe shumë tema të aktualitetit shqiptar. Kur shkruat skenarin e tij, cfare patet parasysh, cfare donit ti tregonit publikut me filmin tuaj?

Mendoj se nqs media konsiderohet si klishe si pushteti i katërt, arti dhe kultura duhet të jenë i pesti. Nqs këtë pushtet nuk na ta jep njeri, duhet ta marrësh vetë. Duke qenë pushteti i pestë, ama, siç e konceptoj unë, jo detyrimisht duhet të jemi të gjithë në seri kolonë e pestë. Çështja e qëndrimit publik,  është në bindjen time, përgjegjësia më e madhe morale dhe etike që mund të kesh kundrejt një vendi.

Flasim këtu për një sotme dhe të ardhme kolektive ku fatet tona janë të ndërlidhura e të pandara.

Patjetër që gjithçka mbetet çështjë vokacioni personal, por nuk besoj seriozisht se qëllimi i vetëm teleologjik i këtij aktiviteti është fryrja e egove personale në një botë virtuale. Në këtë pikë, morali dhe etika e njeriut të kulturës ndahet nga ajo e politikanit, apo medias të themi, sidomos ne raport me ndikimin ndaj realitetit. Por nëse nga njëra anë për politikanin një veprim politik përkthehet dhe gjykohet duke marrë në konsideratë efektet që ai pritet të sjellë në realitet, pra ka një kut tjetër gjykimi final, për njeriun e kulturës, ose të themi të mendimit, steka është shumë më e lartë, pasi ky i fundit mbetet përbrenda një realiteti kulturor e rrjedhimisht abstrakt e teorik. Janë dy qënie që luftojnë në drejtime të kundërta, njëri për pushtetin e drejtpërdrejtë për ndërhyrje në realitet, ndërsa tjetri për të reformuar dijen.

Fatkeqësisht, çfarë ka ndodhur në këto vite protofashizmi në qarqe të mendimit, është se sistemi ka infiltruar nëpërmjet mbjelljes së një individualizmi ekstrem të përkthyer në cinizëm kolektiv, eskapizëm të kudogjendur  e të mbartur me frikë thelbësore deri në palcë për reagim dhe qëndrim. Gjithçka është zëvendësuar në pritshmëri për shpërblim vetëm me para në dorë për çdo akt e çdo gjë. Pra mendoj se ka një zvetënim të përgjegjësisë morale, etike dhe shoqërore dhe zëvendësim të saj me përulësi ndaj dorës së pushtetit.  Natyrisht qëndrimi zyrtar i çdo kohe do të jetë, sado artikuluar apo jo, se intelektualët nuk duhen të ‘përzjehen’ sidomos në çështje të përditshmërisë politike dhe i takon më shumë heshtja.

 

Kemi ndjekur aktivitetet tuaja në lidhje me filmin Pharmakon. Ndërkohë qëndrimi juaj gjatë konferencës të shtypit me rastin e daljes së filmit, në deklaratën që keni lëshuar për shtypin disa ditë përpara premierës dhe në trailerat që keni nxjerrë në media, duket se ka patur një qasje politike. Sot një vit më pas, si jeni i pozicionuar në prag të zgjedhjeve? Jeni për votën e bardhë, rotacionin apo vijueshmërine? Do të votoni?

Në kushtet e sotme të Shqipërisë, të mos votosh dhe të mos kesh guxim të mbash qëndrim është barbari. Kush nuk e kupton se Shqipëria ndodhet jo përpara një palë zgjedhjeje të zakonshme, por përpara një zgjedhje kursi, që shkon përtej rëndësisë politike, por hyn dhe përbën një imperativ në rradhë të parë mbi orientimin kulturor të vendit, mjerë për të.

Ka një tendencë sot për të kthyer oportunizmin në virtyt. Ndërkohë çfarë kam vënë re, është se një nga problemet e diskursit publik në Shqipëri, mbetet fort në trajta marksiste. Marksizmi në mënyrë të pavetëdishme, tashmë i super përbrendësuar, vazhdon të jetë triumfatori numër një ne çdo analizë shqiptare. Me këtë dua të them, të parit të rëndësisë të interesave dhe shtysave ekonomike si primare. Ndërkohë kemi te drejtë që gjithçkaje t’i bëjmë dhe një analizë pak me Ëeberiane, pra të shohim se çfarë orientimi kulturor dhe konceptual kanë këto dy palë, dhe çfarë përfaqësojnë.

Ka një dallim esencial që i bën alternativat të papajtueshme. Nga njëra anë kemi një pale që i mëshon idesë se duhet të jemi të kënaqur me këtë ritëm dhe me këtë gjendje që kemi sot, nga ana tjetër një palë që ka 25 vjet në rezistencë me ecurinë e deritanishme të shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Ka të drejtën të besojë në një Shqipëri tjetër, nuk na ia heq dot njeri këtë liri.

Unë nuk besoj se këtu ka nevojë për ndonjë mrekulli. Thjeshtë nevojitet nje elektrizim i përgjithshëm i shoqërisë. Alternativa e vetëkënaqësisë dhe mefshtësisë me çfarë kemi dhe çfarë ka ndodhur është diametralisht kundër çdo aspirate që shqiptarët kanë këto 150 vitet e fundit.

Ajo çfarë vërej në përgjithësi është se një nga problemet më të mëdha tonat është tek perqasja që kemi ndaj limiteve tona njerëzore në gjykim, në mendim e në kritere. Një problem i madh që më duket se kemi, eshte se nuk merremi me argumentin e tjetrit por kalojmë në transgresione metapsikologjike, apo ku e di unë se çfarë, ku nuk dimë ku fillon e ku mbaron limiti i egove tona personale sidomos kur ato janë disi të prekura në sedër. Mendoj se na lipset një shkalle e madhe vetëdisplinimi për të ditur, njohur dhe pranuar limitet tona.

Do të ishte ndoshta akti i vetëm etik për të dalë nga e keqja, dhe e kam fjalën këtu për mendjengushtësinë, xhelozitë tona të vogla shqiptare, cmirën, inatin dhe miopinë. Kulturës shqiptare do t’i duhet në rradhë të parë të kultivojë veten e më pas në mënyrë të ndërsjelltë edhe ata që perceptohen të ndryshëm. Jam i vetëdijshëm se ‘qytetaria’ shqiptare, ka vite nëmos shekuj, që ndodhet ne pozita mbrojtëse, por mendoj se rruga më mire nuk është mbyllja e saj në muret e qytetit abstrakt kulturor, por hapja ndaj ‘tjetrit’ dhe të resë brenda vetes. Nuk duhet të harrojmë, mendoj, se njeriu formohet dhe konstruktohet nga realiteti të cilin ai e bën të mundur vetë, si pasojë dhe si proçes i kreativitetit të tij.

 

Ç’mendim keni për propozimin e votës së bardhë ose votës së protestës?

Kam bindjen se është vetëm rotacioni bën që gjërat të lëvizin, të ecin përpara dhe në çdo drejtim është pozitiv. Çdo pretendim tjetër, sidomos ai për votën e pavlefshme më duket sureal, sidomos kur  këtyre sugjerimeve u bashkangjitet ideja e ndonjë mekanizmi magjik, pothuaj me atribute alkimiste dhe të paqenë në horizont, të ndonjë pastrimi eventual të ardhshëm të politikës.

Nuk paragjykoj njeri për zgjedhjen personale që bën, po krijimi i kësaj ‘nisme’, më duket  një hile e stërmadhe e shpikur në këtë moment, për të neutralizuar një pjesë sado të vogël njerëzish të pastër dhe të sinqertë. Më duket si një rreng i hajdutëve të votave që bëjnë përpjkjen e fundit për të qëndruar mbi kokat tona edhe njady vjet.

Çfarë është e sigurt me votën e pavlefshme është së nëse njerëzit nuk marrin qëndrim të shprehin vullnein e tyre,  në bazë të zgjedhjeve që janë të dhëna, fitimtarë do të vazhdojnë të jenë ata që vjedhin, vrasin, trembin, manipulojnë, kërcënojnë dhe paguajnë më shumë.

Nuk mendoj kurrsesi, se është realiste të mendosh seriozisht se në Shqipëri do të mund të aplikojmë dot, ndonjë sistem më të lirë dhe më të drejtë e të përshtatshëm se demokracia liberale, apo më të kulluar se në vende të tjera në perëndim. Kjo është bindja ime. E kam patur gjithë jetën, e kam dhe sot. Problemi tek ne është, se jo vetëm nuk kemi një demokraci liberale funksionale, por tendeca është të jemi vazhdimisht shumë pranë fashizmit. Duket sikur ka një mall të madh për luftën e dytë botërore në Shqipëri. Në 90-tën kishim një konservatizëm të plakur komunist, sot kemi një konservatizëm tjetër amorf në një mishmash konceptual me petk neoliberal, karakteristik për këdo që ka njohuritë më elementare për sisteme korrupsioni në të gjithë Afrikën post-koloniale. E vetmja fantazmë që ekziston në Shqipëri është fashizmi, asnjë tjetër.

Pikëpyetja se çdo të ndodhë më pas, do të mbetet gjithmonë. Pushtetet e deritanishme me apo pa dashje na ka lënë dëme e pasoja të thella dhe shumë të rënda në rradhë të parë në planin konceptual dhe kulturor . Është rrënjosur një mendësi shkatërrurese përsa i perket kohezionit shoqëror dhe riformatimit e rimëkëmbjes së qytetërimit të rënë në Shqipëri.

Për këdo që do të dojë të reformojë vërtetësisht Shqipërinë, do të duhet punë titanike për të rikonsktruktuar dëmet e ka bëra në thelb të mendësise së shqiptarit. Pushtetet e shkuara kanë arritur të mbijetojnë politikisht vetëm duke manipuluar me pikat më të ndjeshme e të dobëta të njerëzve; vetëm kaq mjafton për të shkatërruar shpirtin e një vendi.

Arritja më e madhe e tyre është se kanë futur bindjen vetë-përçmuese për një popull të tërë, se kjo situatë do të vazhdojë njësoj e njëtrajtshem. Fatkeqësisht kjo mund të jetë edhe e vërtetë, përsa kohë askush nuk merr mundimin të luftojë për diçka tjetër. Unë kam bindjen se gjithçka është në dorën tonë. I vetmi shans per t’u shkëputur nga kjo murtajë është instrumenti i sistemit që ende kemi në këmbë ndonëse me paterica dhe i mbajtur në krahë nga asistenca perëndimore. Ky eshte rotacioni politik.

Të besosh në Shqipëri të marrin për të marrë, por besimi ështe baza e qytetërimit, dhe unë personalisht nuk kam luks të jem dyshues. Çfarë di, është se në rast se duam të groposim rotacionin si të vetmin shans e instrument që ky sistem na jep, edhe pse sot e mot me një këmbe në varr, kjo mbetet zgjedhja jonë. Pyetja është dhe mbetet: Në një vend ku të gjithë majtas e djathtas janë të bindur se nuk ka drejtësi, a meriton të paktën një qeveri me pushtet absolut të ndëshkohet me votë në një ditë të vetme kur të paktën 3 milionë njerëz kanë të drejtën të jenë gjykatës?

 

Çfarë mendon se do të ndodhë pas 23 Qershorit?

Unë shpresoj të tejkalojmë pengesat e të sotmes dhe të mësojmë të lexojmë të sotmen në bazë të asaj çfarë thuhet dhe shprehet -sot- jo për ato që projekton mendja e ngarkuar me ngarkesën e madhe të paragjykimeve. E keqja që kam vënë re tek ne, është se për të kaluarën kemi zakon të spekulojmë se çdo të kishte ndodhur sikur të kishte qenë ndryshe, të ardhmen parapëlqejmë t’a parashikojmë me profeci, ndërsa të sotmen nuk kemi kurajën t’a shohim siç është.

Ok, cinizmi duhet, por kujdes se gërryen gjëra të vogla/të mëdha brënda. Edhe pse shume njerëz që kanë gjetur tashmë një lloj rehatie në rrëmujën Shqipëri mund të ndjehen të rrezikuar, kam bindjen se e kanë të kotë; nuk besoj se do të preket rehati i tyre. Alternativat janë konkrete dhe në këndvështrmin tim, njëra është shumë më e mirë se tjetra. Problemi i cinikëve dhe skeptikëve mbetet gjithmonë se mund të kthehen padashje në autorë profecish vetë-realizuese.

Kam bindjen se tentativa e hedhur ne ajër, për vota të pavlefshme, është një budallallëk që nuk do të ketë ndonjë efekt real, por mënyra si une e shoh këtë, qotë në rastin kur është e sinqertë, është si një përpjekje për vetë shfajësim për heshtjen dhe frikën që shumë prej këtyre njerëzve kanë patur në bark. Është një lloj gjendje mohimi e fajit që të gjithe kanë brenda dhe përgjegjesisë që ndiejnë se heshtën ateherë kur nuk duhej të heshtnin. Dhe tani, për të shpëtuar nga ndërgjegja, hajde i biem të gjithëve pa dallim.
Do të ketë natyrisht gjitmonë njerëz, qoftë edhe shumë prej tyre të ngjashëm me personazhe felinianë, që do të shpikin me virtuozitet lloj lloj idesh dhe lëvizjesh për të rilegjitimuar një pushtet absolutist. Nuk e di pse më ngjajnë në mënyrë tragji-komike me një oficer japonez të quajtur Hiro Onoda, i cili me një çetë pesë-gjashtë vetësh, të mbetur pa kontakt me botën në një ishull në Filipine, vazhdonte luftën deri ne vitin 1974 pasi nuk dinte ose nuk donte të besonte se lufta kishte përfunduar.

Më duket se pafuqia e një shtrese intelektuale, nëse ekziston, për t’u imponuar  në kohën kur Berisha në çdo etapë të karrierës së tij ka bërë mjaftueshëm për t’i dalë kundër, është drama reale e sotme.

Jo vetëm kaq, por mbetet gafë strategjike historike në raport me ndikimin e kësaj shtrese në të ardhmen.

Rama ka kusuret e veta në këtë pikë, nuk diskutohet. Por problemi shqiptar është më i thellë psikologjik. Shqiptari pret me kapadaillekun tonë tipik, t’a marrë njeri në telefon në shtëpi personalisht, apo të nisë dikush ndonjë autobuz apo veturë t’a marrë tek dera. Më ka bëre vetëm një gjë pershtypje nga ngjarjet në Turqi keto 2 javë: Njeriu i fundit protagonist në gjithë atë revolte është kryetari i opozitës. Shoqëria Shqiptare nuk ka patur  fuqi të bëjë kurrfarë rezistence ndaj kapjes së shtetit. Tani, jo vetem kaq, por ka dhe disa njerëz që në masë jo të vogël janë gati të peshtyjnë këdo që ka treguar sado pak guxim.

Arritja më e madhe e obskurantizmit është të krijojë frikë për të ecur përpara dhe ndryshuar. Patjetër që për të ardhmen nuk mund të ketë garanci, por ama nëse reshtim së paturi besim jemi të mbaruar.

Në rast se njeriu do të kishte patur frikë nga stuhitë dhe nga monstra gjigande imagjinare të detit, nuk do të ishin zbuluar kurrë kontinente të reja dhe as rrumbullakësinë e tokës.

Kemi historinë që kemi të satrapëve dhe diktatorëve që kanë zëvendësuar njëri-tjetrin, patjetër, por triumfi më i madh i obskurantizmit të sotëm, është jo vetëm se ka mbytur jetën akademike, intelektuale dhe kulturore duke e kthyer ne shërbëtore e çingije të qejfeve të veta, por mbi të gjitha sepse përpiqet me nje propagandë gëbelsiane të mbysë çdo ëndërr e aspiratë kolektive duke na i vizatuar si të pamundura me refrenin: ‘mbyll gojën, shpëto veten’.  Garancia e vetme është trysnia dhe lufta e vazhdueshme e një shoqërie të tërë, për rifreskim dhe rotacion.

 

Kush është problemi ynë më i madh si shoqëri?

Problemi i shqiptarizmës, thotë diku Branko Merxhani, është problem krijimi; kombet e reja kanë detyrë të bëjnë vetëm një punë ndërtonjëse. Për Merxhanin, historia që ka njëfarë rëndësie në jetën e një kombi, s’është historia e kohës së shkuar, por historia e ardhshme si prodhim i ëndrrave të tanishme. Nëmos gaboj, në një shkrim tjetër ai citon Niçen kur thotë se çdo njeri, çdo popull, që të rrojë e të tregojë vetveten, më parë nga të gjitha duhet të organizojë Kaosin që gjendet brenda tij.  Në nje ese të 1935 të titulluar ‘Ndryshim në Tiranë’ në një dialog retorik me qytetin ai shkruan, ‘-Po je njeri i çuditshmë! A sheh gjëkund gjurma të ndonjë ndryshimi të tillë?’ Dhe i përgjigjet vetes duke thënë, ‘Po! E shoh dhe e shoh mirë. Jemi në fillim të një të kthyerë të re.’ Pothuaj një shekull më pas, sot, shpresoj të jem më realist se Merxhani i 35-sës, por edhe pse për arsye të shumë forcave të tjera shumë më të forta se ne, ndoshta nuk ndaj të njëjtën shkallë optimizmi, vazhdoj të ndaj të njëjtin besim. Po e mbyll, duke shpresuar që këto ditë gjithçka të shkojë mirë dhe vetëkontrolli e vetëdisiplinimi i të gjithëve ne të jetë në rregull dhe normal.

 

 

BOX

 

Shanaj në lidhje me kinematografinë:

 

Kinemaja në përgjithësi në Shqipëri, në dukje, ka patur marrëdhënie të mira me shtetin por të dobëta me tregun. Në fakt mungesa e dorës rregulluese në tregun vendas është ajo që ka mbytur, jo kinemanë si art në vete, pasi ajo mbijeton edhe për shkak të një tradite të gjatë, por kineastin. Në Shqipëri sot nuk ka kineastë, pasi nuk është e mundur të jetosh si i tillë. Mund të jetë vendi i vetëm në botë, ndoshta, që nuk ka një drejtor fotografie që të mund të punojë me kohë të plotë në profesionin e tij. Nuk po flas pastaj për të tjerë. Shkak për këtë në rradhë të parë është çrregullimi i tregut privat.

Këtu nuk është fjala thjeshtë për rregullimin dhe implementimin e ligjeve të së drejtave të autorit, por mbi të gjitha për marrëveshje dhe kontrata me ndërmjetësinë e rregullatorit shtet në marrëdhënie me televizionet private. Ndonjë ditë do të arrijmë të jemi në sintoni me rregullat që sot aplikohen në të gjith hapësirën e BE, për këtë jam i bindur, por deri tani nuk kemi bërë dot asgjë.

Në bindjen time, shoqëria shqiptare ka probleme të ngjashme si në shtet ashtu edhe në privat. Përgjegjësia këtu bie natyrisht mbi shtetin, dhe politikat që ai implementon, pasi është detyrë e tij të bëjë rregullatorin. Përsa i përket prodhimit kinematografik, shteti pasi mbështet kinematografinë me një nga buxhtet më të ulëta në botë, më pas nuk bën asgjë. Institucionet flenë dhe në përgjithësi ka një mefshtësi të llahtarshme. Shteti ynë është pa asnjë dyshim, në çdo institucion kulturor, model për mefshtësi. Sot për sot çështja më akute për mbijetesën e prodhimit vendas, flas këtu për atë kinematografik, por përfshij si filmin artistik ashtu dhe atë dokumentar, është për hartimin e rregullatorëve ligjorë, të cilët do të detyrojnë televizionet private që në rradhë të parë, ashtu si në të gjithë vendet e BE, të kenë një përqindje të caktuar prodhimi vendas. Përndryshe këtu do të ketë vetëm kabare dhe estradë ku të shkojnë politikanët tashmë të bejnë edhe fushatë duke u gudulisur

Joni Shanaj - INTERVISTË June 22, 2013 11:57
Komento

9 Komente

  1. Foto Soko June 22, 12:59

    Nje mendim, analize qe shkon deri ne bindje te patundeshme dhe te pakontestueshme, te nje intelektuali qe i jep jete shpreses se Shqiperia mund dhe do te behet siç e do çdo shqiptar, pavarsisht prfshirjes se tij ose jo ne rrokpujen aktuale. Ndaj te njejtin mendim me autorin, kur thote se e vetmja fantazem qe vertitet sot ne Shqiperi eshte fashizmi. Te tjerat, si marrja apo baltosja deri ne ekstrem te se shkuares, “ushqimi” pa kurrfare karari i frikes ndaj saj, kryesisht tek brezi i ri dhe plot “shpikje” te tjera, jane jo vetem “perde” apo “perçe” per te maskuar vertitjen e kesaj fantazme groposese, por dhe “manovra”, demagogji per te mbuluar ate qe nuk mund te mbulohet, nga njera ane papunesine, varferine, rikthimin e analfabetizmit dhe injorances, korrupsionin, klientelizmin, pse jo dhe krimin dhe jo vetem ordiner. Te mos votosh, eshte nje pajtim ne heshtje me gjendjen e krijuar, edhe per shkak jo vetem se te marin per te marrë nese guxon te mbash qendrim te drejte, por dhe te nje trysnine nen dhe mbi uje te makinerise se ndryshkur shteterore, qe kerkon te siguroje pejetesine e saj. Rotacioni poitik eshte jo vetem i kerkuar dhe i domosdoshem per shoqerine e sotme (nuk dua te te bej hasape se sa prqind e kerkon kete), por rotacioni politik eshte frymarrje dhe oksigjen jetik per pushtetin, shtetin, institucionet dhe strukturat e tyre, sikunder dhe per vete forcat politike qofshin ne pushtet apo qofshin ne opozite.

    Reply to this comment
    • Juhui June 22, 15:33

      Jam totalisht dakort me Jonin. Por deri tani beri Joni.

      Fatkeqsisht Joni ka qene pjese e ketij sistemi. Qe nga Mevlani si deputet i Palrmantit Shqiptar, FAvorizimet ne emer te babait, abuzimin me fondet e QKK duke e bere farmakonin pas 3 vitesh dhe duke perfituar interesat e 230 mil lek ne banka per kete periudhe, rreth 2 shtepi dhe nje vile ne pogradec ( kui gjeti leket), te qenit me Mamane ne Suedi ne Amasaden tone si atashe kulturor.

      Dhe si kembim i ka dhene vendit nje film kot me rol kryesor 2 pseudo aktore dhe artikullin e mesiperm.
      Pse Joni nuk merret me akademine earteve qe e ka shkaterruar Artin, Pse nuk kritikon QKK per shkaterrimin e kinemase shqiptare, pse nuk denoncon vjedhjet qe i behen fondeve publike per Artin, pse nuk protestoi per 21 Janarin!
      Ky shqetesim qe tani ka eshte iu drejte, por deri dje Joni ka qene pjese e ketij sistemi, familjarisht. Tani eshte vone te besh moralistin.

      Reply to this comment
      • Joni Shanaj June 23, 03:48

        Po pergjigjem ne respekt te lexuesit ketu. Ne lidhje me lidhjet e mia me sistemin apo me sistemet ne Shqiperi ato jane shkeputur qe ne vitin 1991 kur mbarova shkollen 8 vjecare Fan Noli ne Tirane. Qe atehere e deri me sot gjithcka ne jeten time, shkollim, formim etj nuk ka ndodhur ne Shqiperi. Nje nga arsyet kryesore eshte sepse pikerisht nuk kam mundur te behem dot pjese e ndonje sistemi ketu. Kjo nuk eshte ndonje histori e vecante, pasi si une jane dhe jemi me qindra mijera te tjere. Nuk eshte turp, nuk eshte nder, por fakt i nje brezi te tere. Fakti qe nuk kam patur asnje lidhje me sistemet e ketushme, nga ana tjeter nuk do te thote qe jam shkeputur ndonjehere nga Shqiperia. Edhe ne kete pike, te siguroj se jemi te shumte qe ndihemi njesoj. As jemi shkeputur e as kemi ndermend te shkeputemi, sido te jene sistemet. Ne lidhje me ceshtjet e tjera qe rradhit, uroj qe informacionet t’i rikonfirmosh tek burimi sepse i ke teresisht te pasakta, per te mos thene plotesisht sajesa.
        Filmi Pharmakon eshte filmi me buxhetin me te ulet ndonjehere ne Shqiperi. Ne kushtet tona kohegjatja per realizimin e nje filmi me metrazh te gjate leviz mes 3-5 vjet. Ka qe kane punuar me shpejt, ka qe kane punuar me ngadale, por kjo nuk eshte per faj te kineasteve por te kushteve me te cilat ne jemi te detyruar te punojme. Nuk eshte vendi ketu per te diskutuar kete. Kinematografia shqiptare nuk eshte kurrsesi sic e kategorizon ti, perkundrazi, eshte mbajtur gjalle me shume mund dhe sakrifica nga te gjithe kush ka qene i perfshire. Keshtu ka qene qe kur ka lindur, e deri keshtu eshte deri me sot. Meqenese do prononcim timin mund te them se me Akademine e Arteve nuk me ka lidhur ende ndonjehere puna, ndersa QKK vuan ne rradhe te pare nga nje mungese e lahtarshme fondesh. Megjithate, kritikat e mia per gjendjen e kinematografise me lart, natyrisht qe perfshijne cdo insititucion kulturor, pershi ato qe ti permend.
        Ne lidhje me jeten, punen apo cfaredo tjeter qe ka te beje me prinderit e mi, kam fatin te kem prinder dy njerez publike te njohur nga shume njerez ne Shqiperine tone te vogel, dhe nuk e ndjej te nevojshme t’i dal ne mbrojtje. Nje nga gjerat per te cilat jam krenar per ta, pervec dashurise qe me kane dhene ne jete, eshte integriteti i tyre. Nuk e di se c’pritshmeri kam krijuar tek ti per cfare mund te beja une per 21 Janarin; me bere vertet kurioz ne ate pike. Te uroj cdo te mire.

        Reply to this comment
        • Dede June 23, 10:35

          I dashur joni. T duhet te nxjerresh fakte konkrete dhe jo fjale. Mos harro qe fondet qemerr jane publike dhe e ke per detyrim. Te thuash qe QKK dhe kinemaja ne shqiperi tregon qe ti ke frike te thuash te verteten, dhe ben internacionalizmin moralist. Une po flas per gjera konkrete. Nqs ti thua qe jane sajesa nxirr letrat, jo fjalet.
          Gjithsesi artikullin e vleresoj por duhej bere rretn 6 vjet perpara jo tani. Je pak vone.
          Sugjerim. Filmat beji ne baze te sa fondesh ke. De nqs nuk te dalin fondet me mire mos e bej sesa ben budallalleqe me Kastron dhe Gixharin

          Reply to this comment
        • Misamaras June 23, 10:52

          Artikull shume i bukur. Respekte per Jonin. Nga ana tjeter filmat shqiptare jane shume te dobet. Mjafton te shikosh indiferencen e publikut ndaj tyre dhe e kupton. Une jam regjizor i ri dhe aspiroj por QKK ka favorizuar gjithmone femijet e regjizoreve. Dhe nuk denoncohen vjedhjet e fondeve qe behen, sidomos nepermjet festivaleve te filmave. Me ato fondet mund te perfitonim ne per te bere filma ose dokumentare. Sigurisht qe si takon Jonit te beje gjithshka por ca gjera duhen thene.

          Reply to this comment
  2. Megjithate Shanajt e Lakot... June 22, 16:43

    …kane sjelle kontribute te urta, qytetare…
    Sigurisht, secili sjelle pamjen qe ka pare e zerin qe ka degjuar vet, dhe Shqiperia ja qe kjo eshte…

    Nuk njoh Jonin, por respektoj Tashen si poete dhe Mevlanin si njeri e regjisor qytetar.

    Por…megjithate…

    Nuk e harroj dot Sallen e Madhe tek Muzeu Kombetar, momenti kur po ravijezohej Grupi i Mocionisteve. Sala ishte “nje çike me djathtas” se sot asokohe, se Pashko e ca te tjere, qe kishin merakun se PD po zhvendosej djathtas!!!

    Aty, Azem Hajdari ka bere deklarimin me te vertete dhe me te sinqerte se çfare ishte PD dhe interesat e kujt mbronte…

    Sa here pyes veten: Si ka mundesi, qe as Preç Zogaj, madje, qe shkruan hera heres libra, as kush prej ish-deputeteve te PD apo te Keshillit Kombetar te PD-se, as Ben Imami e Neri Ceka qe iken e u kthyen tek gjunjet e Sales, askush pra, askush, nuk kujton dot fjalen e Hajdarit ne ate kino-komedi qe e nxirrte PD/Mbretin, Lakuriq!

    Tasha lako, ka qene aty dhe bente thirrje per paqetim: “Ne jemi te gjithe bashke, te njeri tjetrit, perse te grindemi?!”

    Joni natyrisht eshte vetja, dhe ka dy prinder te respektuar, qe kane investuar seriozisht per te, dhe as ka pune me te shkuaren e tyre…

    Ajo cfare shkruan Joni eshte fare afer te vertetes.

    Reply to this comment
  3. Thelma09 June 25, 15:47

    Hyra ketu duke i bere nje google search emrit te Jonit pasi pashe se ishte perfshire ne nje debat. Shoh edhe ketu qe sulmohet familj e tij dhe me vjen te cuditem!
    Shihni shkrimin e Znj. Natasha Lako ne Maj 2011, kur intelektualet e tjere rrjeshtoheshin neper peticione pro PD dhe gjykoni vete. Natasha Lako eshte ish-deputete e PD ne vitet 91-92.
    Keto nuk kane lidhje me Jonin se ai eshte i ri por shpifjet kunder njerezve jane te neveritshme kushdo qofte.
    http://static.peshkupauje.com/2011/05/degradimi-i-pd-ishtes

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*