Jorgji & Co, “bilbilat” kthehen në protagonistë

February 4, 2014 10:07

Jorgji & Co, “bilbilat”  kthehen në protagonistë

Rregullorja e shpikur nga ana e gjyqtarit Enea Jorgji në ndeshjen midis Besës dhe Kavajës ishte gabimi më skandaloz i javës së 17-të, por ai nuk ka qenë protagonisti i vetëm. Sipas Supersport, televizioni që transmeton ndeshjet e Kategorisë Superiore, edhe Kridens Meta e Ditmar Jubica kanë bërë gabime të shumta në ndeshjet e kësaj jave. I pari ka gjykuar takimin midis Kastriotit e Tiranës, mbyllur në barazim pa gola. Gjithmonë sipas asaj që raporton Supersport, gjykimi ka qenë i njëanshëm në favor të vendasve.

Për më tepër, ka qenë ndeshja e gjashtë që ky gjyqtar drejton një ndeshje të Kastriotit, edhe pse në këtë rast nuk është përgjegjësi e tij. Në Ballsh, gjyqtari Jubica është treguar i butë karshi ndërhyrjeve të rënda të lojtarëve vendas. Nëse gjyqtari do të kishte zbatuar rregulloren, atëherë Bylisi do të shkonte në pushim me dy lojtarë më pak, për shkak të faulleve të kryer. Edhe në këtë rast, ashtu si në Krujë, i dëmtuar ka qenë ekipi udhëtues.

Gjithsesi, edhe pse të dukshme, asnjë nga gabimet e Metës dhe Jubicës nuk krahasohet me “kryeveprën” e Jorgjit, i cili nuk vlerësoi si të rregullt gjuajtjen e Fatjon Sefës nga pika e penalltisë, por as nuk urdhëroi rigjuajtjen e saj, me pretendimin absurd se “rregullorja është ndryshuar dhe jepet faull”, duke u bërë, po të ndjekësh etiketimin që i bën Supersport, “gazi i botës”. Mbi Jorgjin rëndon edhe episodi i golit të barazimit të Besës, në minutën e 90-të. Brenda aksionit, para gjuajtjes së Muriqit që përfundoi në rrjetë, ka dy faulle në zonë.

Fillimisht ka pasur faull nga një mbrojtës i Laçit kundër lojtarit të Besës, çka duhej ndëshkuar me penallti, ndërsa një sekondë më pas, lojtari vendas, tashmë i rrëzuar përtokë, rrëzon brutalisht një tjetër lojtar të Laçit. Jorgji nuk fishkëllen në asnjë rast, topi shkon te Muriqi që gjuan e shënon. Sigurisht që goli i mohuar për Besën në rastin e penalltisë nuk mund të kompensohet duke bërë një tjetër gabim, gjë që vetëm e rëndon pozitën e gjyqtarit, i cili mban stemën e FIFA-s dhe dikur është cilësuar si e ardhmja e gjykimit në Shqipëri.

February 4, 2014 10:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*