Josa: Kampionati, më i rëndësishëm se Europa League

September 9, 2015 14:00 Updated

Josa: Kampionati, më i rëndësishëm se Europa League

Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, harron ndeshjen e Europa League me Beshiktashin dhe fokusohet te kampionati. Ai ka paralajmëruar edhe një herë lojtarët se duhet të jenë të përqendruar te ndeshja me Vllazninë, që do të luhet sot në stadiumin e Pukës, e vlefshme për javën e parë të Kategorisë Superiore, por e shtyrë për shkak të impenjimit të skuadrës korçare në “play-off” të Champions League kundër Dinamos së Zagrebit. Kujtojmë që në javën e dytë Skënderbeu fitoi 1-0 kundër Kukësit, duke marrë 3 pikët e para në kampionat.

“Titullin nuk na e jep Europa”, ka thënë trajneri i Skënderbeut. Numri një i stolit kërkon fitoren e dytë radhazi, pas asaj me Kukësin. “Mund të themi që ndeshja jonë më e rëndësishme është ajo kundër Vllaznisë. Normalisht që të gjithë objektivat i kemi në kampionat dhe ndeshjet e kampionatit për ne janë më të rëndësishme se ato të Europa League”, shprehet ndër të tjera numri një i pankinës korçare.

Fatmirësisht, Skënderbeu edhe në ndeshjen e fundjavës, që përkon me javën e tretë të Superiores (kundër Tërbunit), do ta luajë po në Pukë dhe ndeshja e sotme kundër Vllaznisë do t’i shërbejë për të njohur fushën, ndërsa pozitive është se shkodranët nuk do të luajnë në shtëpi dhe nuk priten shumë tifozë kuqeblu.

Skënderbeu ka një kalendar shumë të ngjeshur, por duket se trajneri Josa di t’i ndajë mirë gjërat, duke vlerësuar secilën. Pas arritjes historike të Skënderbeut në Europë, ku për herë të parë një ekip shqiptar do të marrë pjesë në fazën e grupeve të Europa League, kampionët e Shqipërisë kanë bërë mirë edhe “detyrat e shtëpisë”. Kanë fituar me rivalët direkt të tyre në kampionat dhe po ashtu, kanë fituar pastër ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë (3-0 me Tomorin). Një fitore e mundshme ndaj shkodranëve do t’i jepte akoma më shumë moral Skënderbeut për ndeshjen e 17 shtatorit kundër Beshiktashit.

September 9, 2015 14:00 Updated
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*