Jugosllavët, ankesë Hrushovit: Enveri është kundër ‘Paktit Ballkanik!

Përgatiti: Kujtim Boriçi August 20, 2013 10:08

Jugosllavët, ankesë Hrushovit: Enveri është kundër ‘Paktit Ballkanik!

Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë(23)

Arkivat sekrete ruse

 

Shqipëria dhe Kosova në arkivat sekrete ruse 1946-1961. Promemoria e 5 tetorit 1960 e ambasadorit të BRSS në Republikën Popullore Federative të Jugosllavisë, I.K. Zamçevski, drejtuar shefit të seksionit evropian (nr. 5) në Ministrinë e Punëve të Jashtme të BRSS, S. T. Astavin.

Ideja e Moskës për ‘Paktin Ballkanik’, roli i Greqisë, Jugosllavisë, kundërshtitë dhe mënjanimi i Shqipërisë nga diskutimet për projektin.

 

Ambasadori I.K. Zamçevski: Me grekët jemi dakord, marrëdhënie shumë të mira. Më 16 maj 1960 të këtij viti, krerët e ushtrive tona u takuan në Athinë. Po afrohemi dhe me vendet arabe. Shqiptarët janë kokëfortë, provokatorë dhe të pabindur. Jugosllavia konkludon se pengesë për vendosjen e bashkëpunimit ballkanik, është politika e udhëheqjes shqiptare ndaj Jugosllavisë.

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Kontradiktat në rritje mes Moskës e Tiranës në vitin 1960, kundërshtimet e Enver Hoxhës ndaj diktatit rus, veçanërisht për synimet gjeo-stategjike në bregdetin e Shqipërisë, nxisin fronti jugosllavo-grek karshi vendit tonë. Tashmë dhe Hrushovi hedh në ‘sulm’  diplomatët e vendeve fqinje me Shqipërinë për presione e akuza, me synim që udhëheqja shqiptare të zbatonte pa hezitim kursin e Moskës. Nga arkivat sekrete ruse, në vazhdim jepet Promemoria sekteret e datës 5 tetor 1965 e ambasadorit të BRSS në Republikën Popullore Federative të Jugosllavisë, I.K. Zamçevski, drejtuar shefit të seksionit evropian (nr. 5) në Ministrinë e Punëve të Jashtme të BRSS, S. T. Astavin, mbi Paktin Ballkanik e qëndrimin shqiptar, dokument që përfshihet dhe në studimin e autorëve Hamit Kaba e Ethem Çeku…

 

 

(Promemorie e ambasadorit të BRSS në Republikën Popullore Federative të Jugosllavisë, I.K. Zamçevski, drejtuar shefit të seksionit evropian (nr. 5) në Ministrinë e Punëve të Jashtme të BRSS, S. T. Astavin, mbi Paktin Ballkanik). (Jo më vonë se data 5 tetor 1960)

Sekret

Ekzemplar nr. 1.

 

Lidhur me kërkesën tuaj për materiale plotësuese, për çështjen e Paktit Ballkanik ju njoftoj sa më poshtë:

Në vitin 1960 qëndrimi i jugosllavëve ndaj Paktit Ballkanik nuk ka pësuar ndryshime esenciale. Analiza e gjendjes së marrëdhënieve të Jugosllavisë me Turqinë dhe Greqinë në vitin 1960, dëshmon për faktin se jugosllavët kanë interes për Paktin Ballkanik. Pavarësisht nga fakti se këtë vit, përsëri u bënë deklarata zyrtare se Pakti Ballkanik nuk ekziston si instrument aktiv, se ai “është i vdekur” në pjesën ku flitet për bashkëpunimin ushtarak, megjithatë mekanizmi i tij vazhdon të funksionojë.

Në vitin 1960, jugosllavët mbështetën në të gjitha aspektet marrëdhëniet me Greqinë, duke përfshirë edhe aspektin ushtarak. Gjithashtu, u ndërmorën përpjekje për të aktivizuar marrëdhëniet me Turqinë. Sipas fjalëve të këshilltarit të ambasadës turke në Beograd Meleka, jugosllavët, vazhduan të marrin pjesë në funksionimin e mekanizmit të Paktit Ballkanik, Sekretariati i Përhershëm i Paktit Ballkanik, i cili përbëhet nga përfaqësues të tre vendeve, vazhdon të funksionojë edhe në kohën e sotme, i vendosur në Athinë. Sekretariati i Përhershëm mblidhet çdo muaj në seancat e tij. Krahas kësaj, një herë në tre muaj bëhet mbledhja e përfaqësuesve të shtabeve të përgjithshme të të tri vendeve. Udhëheqja jugosllave nuk ka ndërmend të dalë nga Pakti Ballkanik. Kjo është pohuar haptazi nga zëvendëssekretari shtetëror për Punët e Jashtme Miçunoviç, gjatë bisedës me punonjësit tanë. Pyetjes, se pse jugosllavët nuk deklarohen zyrtarisht për daljen e tyre nga Pakti Ballkanik, Miçunoviç u përgjigj: “aleatët tanë nuk janë dakord për këtë”.

Sipas të dhënave të ambasadës, jugosllavët sërish do t’i përmbahen kësaj vije lidhur me Paktin Ballkanik, sepse një pozicion i tillë i përgjigjet plotësisht kursit të politikës së tyre të jashtme, kursit të manovrimit midis dy kampeve. Nga njëra anë jugosllavët, të cilët reklamojnë gjerësisht politikën e tyre “jashtë blloqeve”, nuk kanë leverdi të aktivizojnë nenet ushtarake të Paktit. Përveç kësaj, për ata tashmë nuk është domosdoshmëri praktike të tensionojnë normalizimin e marrëdhënieve me BRSS, kundër të cilëve ishte drejtuar më herët pakti. Nga ana tjetër, jugosllavët nuk dalin nga Pakti Ballkanik dhe nuk i hedhin poshtë mekanizmat e tij, sepse ata ruajnë për veten e vet mundësinë e kthimit tek nenet ushtarake të Paktit Ballkanik, në rast ndërlikimi të situatës…

Jo rastësisht në vitin 1960, marrëdhëniet jugosllave – greke jo vetëm patën zhvillim të mëtejshëm, por dhe u kurorëzuan nga një radhë bisedimesh të rëndësishme. Në përputhje me marrëveshjen ekzistuese, këtë vit, Greqinë e vizitoi M. Todoroviç, kurse Jugosllavinë – K. Karamanlis. Dihet se vizita e A. Rankoviçit në Greqi është caktuar në vitin 1960, megjithëse data e vizitës ende nuk është vendosur…

Në mes të marsit në Athinë u mbajt sesioni i parë i komitetit të përzier jugosllavo-grek për bashkëpunimin kulturor, në të cilin u miratua programi i bashkëpunimit të dy vendeve në fushën e shkencës e kulturës për vitin 1960. Në Beograd, më 10 mars të këtij viti, u nënshkrua protokolli i seancës së parë të rregullt të komitetit greko-jugosllav për zhvillimin e turizmit. U caktua shtimi i komunikimit turistik dhe vendosja e linjave të rregullta turistike.

Kontaktet jugosllavo-greke u mbajtën edhe në aspekte të tjera. Dihet, për shembull, se në sesionin e konferencës së përhershme të qyteteve të Jugosllavisë, e cila u zhvillua në Banja Luka, nga 12 deri më 14 maj të këtij viti, krahas delegacioneve nga Austria, Italia, RFGJ dhe Britania e Madhe, asistuan edhe delegacione të bashkive të Greqisë.

Krahas kësaj, ndërmjet Greqisë dhe Jugosllavisë edhe në vitin 1960 u realizua një bashkëpunim tepër aktiv ushtarak. Ky bashkëpunim u shpreh veçanërisht qartë në kushtet e acarimit të situatës ndërkombëtare, pas dështimit të mbledhjes së sferave të larta në Paris. Ngjarjet, që patën vend në fundin e majit të vitit 1958, demonstruan edhe njëherë sesa e lidhur është Jugosllavia me NATO-n dhe SENTO-n përmes Paktit Ballkanik.

Më 16 maj të këtij viti, me ftesë të Shtabit të Përgjithshëm të Flotës Luftarake Detare Greke, admiralit Panajotopullos, shkoi në Greqi komandanti i Flotës Luftarake Detare të Jugosllavisë, admirali M. Jerkoviç. U sqarua se, ai ishte ftuar në manovrat e SENTO-s, që bëheshin në pjesën lindore të detit Mesdhe dhe që kishin për qëllim të demonstronin forcën e gatishmërinë luftarake të Perëndimit, gjatë periudhës së acarimit të marrëdhënieve Lindje – Perëndim. Përveç kësaj, sipas të dhënave që ne kemi, admirali Jerkoviç zhvilloi bisedime ushtarake me komandantin e NATO-s në Greqi.

Në përgjigje të vizitës së M. Jerkoviçit në Greqi, në fundin e majit të këtij viti, pala greke dërgoi delegacionin e vet ushtarak, me në krye gjeneralin e ushtrisë P.Sakellariu. Ai vizitoi një sërë institucionesh ushtarake të Jugosllavisë dhe u prit nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë, gjeneral-lejtnant L.Vuçkoviç dhe zëvendës Sekretari i Shtetit për Çështjet e Mbrojtjes Popullore, O. Kreaçiç.

Është e natyrshme, se bashkëpunimi ushtarak i Greqisë me Jugosllavinë nuk bëhet hapur, me qëllim të mos komprometohet në sytë e vendeve të Azisë dhe Afrikës, para të cilave Jugosllavia del në rolin e një vendi jashtë blloqeve…

Çfarëdo që të thonë jugosllavët, pikërisht në këtë periudhë si koincidencë e çuditshme, na vjen vendimi i qeverisë amerikane, për t’i dhënë Jugosllavisë një hua prej 14.8 milion dollarësh, për të blerë lokomotiva diezel, për nevojat e transportit hekurudhor; vendimi i Fondit të Zhvillimit Ekonomik të qeverisë amerikane, mbi dhënien hua për financimin e importit të pajisjeve për ndërtimin e uzinës së plasmanit në Zagreb në shumën e 23 milion dollarëve; nënshkrimi i traktatit ndërmjet SHBA dhe Jugosllavisë mbi furnizimin e kësaj të fundit me disa mallra bujqësore me vlerë 600 mijë dollarësh, si edhe vendimi, mbi ndërtimin në afërsi të Lubjanës, të reaktorit të 2-të atomik me ndihmën e SHBA.

Në dritën e kritikës së shokut N. S. Hrushov, bërë politikës së jashtme jugosllave, këta të fundit, nuk u përpoqën të reklamonin së tepërmi vizitën e K. Karamanlisit në Jugosllavi (30 qershor – 3 korrik të këtij viti). Kryetari i GSID, më 24 qershor të këtij viti deklaroi se “qëllimi i vizitës së kryeministrit grek Karamanlis, konsiston në shkëmbimin e mendimeve, për të gjitha çështjet me rëndësi dypalëshe dhe të përgjithshme, për të cilat palët janë të interesuara”. Pas bisedimeve 3 ditore u publikua një komunikatë, e hartuar me shprehje të përgjithshme dhe që përmbante dëshirën, për të zhvilluar edhe më tej bashkëpunimin dypalësh, dhe për të mbështetur me çdo mënyrë përpjekjet paqedashëse të vendeve të tjera.

Sipas të dhënave tona, gjatë bisedimeve u diskutua mundësia e aktivizimit të kursit të politikës së jashtme greke, në drejtim të afrimit me vendet arabe, në dritën e vizitës së Naserit në Greqi. Përveç kësaj, u diskutua çështja mbi gjendjen në Turqi dhe u shpreh dëshira për të zhvilluar më tej, marrëdhëniet me qeverinë e re turke. Duke pasur parasysh fjalën e N. S. Hrushovit dhe kritikën mbi Paktin Ballkanik, palët ranë dakord të theksojnë më me vendosmëri anët ekonomike dhe kulturore të kësaj marrëveshjeje. Lidhur me këtë, palët u interesuan për domosdoshmërinë e zgjerimit dhe intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik e kulturor ndërmjet të dy vendeve. Jugosllavët, nga ana e vet, treguan pamundësinë e thirrjes së ndonjë konference të vendeve ballkanike, deri në rregullimin e marrëdhënieve dypalëshe me vendet e tjera ballkanike. Gjatë zhvillimit të bisedimeve jugosllavët i njohën grekët me gjendjen e marrëdhënieve jugosllavo- shqiptare.

Vlen të vihet në dukje, se gjatë bisedave me ne, përfaqësuesit e vendeve neutrale të Azisë dhe Afrikës, pranuan se pas fjalimit të N. S. Hrushovit dhe vizitës së Karamanlisit në Jugosllavi, jugosllavët filluan t’u kushtojnë këtyre vendeve vëmendje veçanërisht të madhe, duke siguruar, se Pakti Ballkanik, në esencë nuk vepron, se Jugosllavia realizon vetëm një bashkëpunim ekonomik e kulturor me ish aleatët e vet të Paktit Ballkanik.

Në kohën e tanishme bashkëpunimi i dy vendeve vazhdon. Në fillim të shtatorit të këtij viti, sekretari për industrinë, H. Brkiç vizitoi Selanikun dhe Greqinë veriore, ku mori pjesë në festimet kushtuar vendosjes së lidhjes midis sistemeve energjetike jugosllave e greke. Pas kësaj, ai vizitoi ekspozitën industriale në Selanik. Së bashku me ministrin e Industrisë të Greqisë, Martis, ai vizitoi pavionet greke dhe jugosllave. Krahas kësaj, vazhduan punën komitetet greko – jugosllave.

Kështu, në Shkup, në fillim të korrikut, vazhdoi punën komiteti jugosllavo-grek për çështje esenciale të qytetarëve jugosllavë në Greqi dhe atyre grekë në Jugosllavi.

Më 15 shtator në Beograd filloi seanca e parë e komitetit të përzier jugosllavo-grek, për çështjet e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Ndihmës Teknike. Delegacionin jugosllav e kryeson ndihmëskryetari i komitetit për çështjet e Tregtisë së Jashtme, N. Shushner, kurse atë grek, drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë, A. Triandafillos. Në këtë seancë, Komiteti përpunoi konkretisht tezat kryesore që përmban komunikata me rastin e vizitës së Kanellopullosit në Jugosllavi (vjeshtë e vitit 1953), dhe Todoroviçit në Greqi (pranverë e vitit 1960). Përveç kësaj, iu nënshtrua diskutimit çështja mbi tregtinë afatgjatë të dy vendeve, si dhe çështja e kooperimit industrial të ndërmarrjeve jugosllave e greke, dhe çështja e akordimit të ndihmës teknike. Komiteti do të diskutojë edhe mundësitë e pjesëmarrjes së Jugosllavisë në realizimin e planit 5- vjeçar të zhvillimit ekonomik të Greqisë, duke ndërtuar një apo disa objekte industriale. Më 28 shtator të këtij viti, në Beograd, mbërriti për vizitë zyrtare ministri i Industrisë së Greqisë, N. Martis. Gjatë kohës së qëndrimit në Jugosllavi, ai do të zhvillojë bisedime mbi bashkëpunimin ekonomik me Jugosllavinë, si edhe do të nënshkruajë marrëveshjen mbi bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimin e mallrave afatgjatë, midis Jugosllavisë dhe Greqisë. Ai u prit nga anëtari i SIV, H. Brkiç dhe S. Krajger…

Vlen të thuhet se, qeveria jugosllave i komplikon dhe i ndërlikon me ndërgjegje marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, ndonëse nuk mund të thuhet, se edhe shqiptarët nuk japin pretekst për këtë. Megjithatë, kjo gjendje në marrëdhëniet jugosllavo – shqiptare i jep mundësi udhëheqjes jugosllave, që ta heqë fajin nga vetja dhe të maskojë mungesën e dëshirës për të pasur një bashkëpunim të gjerë ballkanik.

Ky pozicion i jugosllavëve u shfaq qartë, gjatë kohës së vizitës në Jugosllavi, të kryetarit të lëvizjes greke për bashkëpunim ballkanik, Merkuris, e zhvilluar në fund të qershorit të këtij viti.

Ai shkoi në Jugosllavi si mik i Ligës për Mbrojtjen e Paqes, të pavarësisë dhe barazisë. Ai zhvilloi bisedime me K. Bullaniçin, mbi rritjen e bashkëpunimit midis të dyja vendeve. Pasi u kthye në Greqi, Merkuris, gjatë bisedës me ambasadorin sovjetik Sergejev, tha se jugosllavët kanë deklaruar se janë dakord me qëllimet e lëvizjes për bashkëpunim ballkanik, janë dakord të realizojnë një zhvillim të gjerë kulturor midis të dy vendeve. Jugosllavët, gjithashtu ranë dakord për thirrjen dhe krijimin e një komisioni, për diskutimin e çështjeve lidhur me mbajtjen në nëntor të këtij viti, të mbledhjes ballkanike, të përfaqësuesve të komiteteve për bashkëpunim ballkanik.

Në këtë rast, jugosllavët shpjegojnë se pengesë për vendosjen e bashkëpunimit ballkanik, është politika e udhëheqjes shqiptare ndaj Jugosllavisë. Duke marrë parasysh mendimin e qeverisë greke, jugosllavët e pritën ftohtë propozimin e Rumanisë, për të shtruar për diskutim çështjen e bashkëpunimit ballkanik në Sesionin VI të Asamblesë së Përgjithshme. Sipas fjalëve të ambasadorit rumun në Beograd, Raba, gjatë vizitës së Brilea-s, me porosi të qeverisë rumune, ky i fundit do të deklaronte, se Jugosllavia nuk është e interesuar në ngritjen e kësaj çështjeje për diskutim në Sesionin XV të Asamblesë së Përgjithshme, duke iu referuar faktit se ka çështje më të rëndësishme, zgjidhjen e të cilave e pret gjithë bota.

Siç dihet, me aleatin tjetër të Jugosllavisë në Paktin Ballkanik – Turqinë, jugosllavët nuk kanë marrëdhënie të tilla, siç kanë me Greqinë. Udhëheqja jugosllave, gjithnjë ka deklaruar se i vjen keq, lidhur me kontradiktat midis Greqisë e Turqisë, për çështjen e Qipros, të cilat e kanë bërë të pamundur mbajtjen e lidhjeve të ngushta, që ekzistonin më parë, ndërmjet Turqisë e Jugosllavisë.

Pas zgjidhjes së problemit të Qipros do të lindte mundësia e përmirësimit të marrëdhënieve të Jugosllavisë me Turqinë. Në fundin e vitit 1959, jugosllavët ndërmorën hapa për aktivizimin e marrëdhënieve jugosllavo – turke. Më 29 nëntor, duke folur në Nish, Tito do të deklaronte se, ndërmjet Jugosllavisë e Turqisë nuk ka çështje të diskutueshme dhe nuk ka më shkaqe, të cilat, do të mund të justifikonin marrëdhëniet e këqija jugosllavo-turke…

Përmbysja e regjimit të Bajar – Menderesit në Turqi, në fund të muajit maj të këtij viti, shkaktoi shqetësim tek jugosllavët. Për këtë qëllim shkoi menjëherë në Ankara, D. Julins – gazetar i shquar dhe njeri i afërt i udhëheqjes jugosllave. Sipas të dhënave tona, Julinsi duhej të mësonte nga Gjurseli[1]në mënyrë jozyrtare, për qëndrimin e qeverisë së re turke ndaj Jugosllavisë. Lidhur me këtë, më 4 qershor 1960 ai zhvilloi një bisedë me Gjurselin, i cili e siguroi atë se qeveria e re turke do të mbajë lidhje miqësore me Jugosllavinë. Siç shkruante “Politika” më 5 qershor të këtij viti, gjoja Gjurseli i kishte deklaruar D. Julinsit, se marrëdhëniet midis dy vendeve në kohën e tanishme janë “miqësore dhe të mira”, duke shtuar se: “Qeveria ime do të bëjë përpjekje, që marrëdhëniet me Jugosllavinë do të zhvillohen më tej, në dobi të të dy vendeve tona”.

Për faktin se D. Julinsi, me porosi të udhëheqjes jugosllave mati pulsin e qeverisë së Gjurselit, në lidhje me perspektivën e zhvillimit të marrëdhënieve jugosllavo-turke, dëshmon edhe deklarata e kryetarit të GSID, e bërë në konferencën e shtypit, të datës 10 qershor të këtij viti. “Ndërmjet të tjerash, ne vëmë re me kënaqësi deklaratën “politike” të presidentit Gjurasel, në të cilën ai u shpreh se, qeveria e tij edhe më pas do të bëjë përpjekje, që marrëdhëniet me Jugosllavinë të zhvillohen me leverdi për të dy vendet. Qeveria jugosllave e ka njohur qeverinë turke dhe ne, nga ana jonë, do të bëjmë edhe më tej përpjekjet për një zhvillim mundësisht më të mirë, të marrëdhënieve me Turqinë” (“Borba”, 11 qershor 1960).

Në periudhën nga 15 deri më 22 shtator të këtij viti, në Ankara u zhvilluan bisedime mbi përfundimin e konventës veterinare, ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë, e cila u nënshkrua më 23 shtator të këtij viti. Për palën jugosllave (u nënshkrua – red.) nga drejtori i drejtorisë për çështjet veterinare S. Mihajlloviç, ndërsa për palën turke nga V. Halefogllu, shef i seksionit të parë politik, në MPJ të Turqisë.

Sipas të dhënave tona, udhëheqja jugosllave e vlerëson pozitivisht kthesën e Turqisë, dhe lidhur me këtë mendon, se janë përmirësuar ndjeshëm perspektivat e një bashkëpunimi më të ngushtë midis Jugosllavisë dhe Turqisë. Në Jugosllavi, u prit me kënaqësi lajmi i agjencisë “Athina”, se ministri turk i Punëve të Jashtme, Selim Sapor, duhet të mbërrijë për një vizitë zyrtare në Greqi, më 20 tetor të këtij viti. Lidhur me këtë, supozohet një afrim i shpejtë i Turqisë me Greqinë dhe një aktivizim i përgjithshëm i marrëdhënieve midis tre vendeve anëtare të Paktit Ballkanik.

Ne, nuk disponojmë të dhëna të tjera për marrëdhëniet e tanishme të tre vendeve brenda kuadrit të Paktit Ballkanik.

I. Zamçevski, ambasador i BRSS në Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë.

(Burimi: KPSS, RGANI, F. 5, Op. 49, D. 325, L. 280-293. Nr.76. Kopje e vërtetuar).

 

(Vijon nesër)

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Proces-verbalin e në mbledhjen urgjente të Sesioni i Komitetit Politik Konsultativ të shteteve pjesëmarrëse të Traktatit të Varshavës, për statusin e Bazës Ushtarake Detare të Vlorës zhvilluar në Moskë më 29 maj 1961

-Debatin mes Nikita Hrushovit që kërkoi miratimin e vendimit të Traktatit për marrjen e komandës nga rusët në Pashaliman dhe Beqir Ballukut që kundërshton prerë këtë akt.

-Kërcënimet e Hrushovit e mbështetësve të tij për mosbindjen e shqiptarëve.

Përgatiti: Kujtim Boriçi August 20, 2013 10:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*