Julinda Dhame: Gati për turizëm dimëror

Entela Resuli December 6, 2013 11:24

Julinda Dhame: Gati për turizëm dimëror

Një vajzë që ka shkelur Shqipërinë në të gjithë territorin e saj, jo vetëm me këmbë, por mbi të gjitha me rrotat e makinës, sot menaxhon hapësirën e vendit tonë, nga ana turistike. Julia Dhame, ajo goca e “Rally Albania”, prej më shumë se një muaji mban postin e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Nuk ka ndryshuar asgjë nga zhdërvjelltësia, madje edhe punën në AKT e ka filluar me të njëjtin temp që piloton makinën… Duke njohur të gjitha potencialet që mund të gjenerojnë turizëm në Shqipëri, ajo e ka shumë të thjeshtë të tregojë se ku duhet ndërhyrë dhe si. Por, meqë jemi futur zyrtarisht në stinën e dimrit, Juli këtë të diel vjen me një panair. Agjencia Kombëtare e Turizmit do të na japë 45 mundësitë e turizmit malor në vend. Ajo ka ftuar restorante, hotele, biznese, shoqata sportive që të paraqesin ofertën e tyre për këtë dimër. Në datën 8 dhjetor do të keni mundësi të shihni Panairin e Parë të Turizmit Malor në në Shqipëri. Aty do të merrni informacione nga operatorët lokalë për vendet më të bukura ku mund të kaloni pushime të mrekullueshme. Për më tepër do të mund të përjetoni eksperiencën reale të këtyre vendeve nëpërmjet një ekrani LED. Në këtë takim tonin me drejtoreshën, kuptuam diçka më shumë se çfarë do të bëjë ajo në drejtimin turistik në vend, për planet e së ardhmes dhe vendet që vetë Dhame i ka pikë të dobët. Sipas saj, promovimi i Shqipërisë duhet të fillojë nga të gjithë ne…

 

Juli, për një person si puna juaj, që e ka shkelur territorin e Shqipërisë, në mos me këmbë, me rrotat e makinës, ç’do të thotë të jetë në postin e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Turizmit?

Në fakt edhe nga e kaluara ime, kuptohet që e kam pasur gjithmonë qejf turizmin dhe jam mundur që në të gjitha aktivitetet e mia të mëparshme të reklamoj Shqipërinë. Në këtë detyrë që jam do të doja t’u tregoja, si shqiptarëve, por edhe të huajve, që ka gjëra shumë të bukura në këtë vend. Gjëra që nuk i shohim. Siç ka vende të pazbuluara, siç ka male të pazbuluara, liqene, siç ka njerëz të jashtëzakonshëm në këtë vend. Siç është mikpritja shumë e mirë, kudo. Siç janë ushqimet, në të gjithë Shqipërinë. Dua, ato pak gjëra që kemi ne, t’i tregojmë dhe të bëjmë një promovim për Shqipërinë me ato çka kemi. Më vjen keq për një gjë: Ne shqiptarët, vetë e shajmë vendin tonë, dhe impaktin e keq që kemi jashtë e kemi pikërisht nga vetja jonë. Këtë duhet ta ndryshojmë.

 

Çfarë do të bëni ju, që këto potenciale që ne kemi dhe që ju i përmendet, t’i promovoni?

fotojaBrenda kuadrit  të financës që ne kemi në agjenci, unë mendoj që do të bëj patjetër, shumë më shumë se sa është bërë deri më tani. Por, mendoj që do të bëj një strategji komplet ndryshe të promovimit të Shqipërisë, pasi ky vend ka nevojë për një reklamim të fuqishëm dhe dëshiroj ta kanalizoj në dy rrugë këtë ide. Një do të jetë: njohja e Shqipërisë për shqiptarët dhe gjithë trevat. Ndërsa në fokusin e dytë, janë të huajt dhe mënyra se si do të reklamohet Shqipëria, jashtë. Në raste të tilla, nuk është e thënë që të shpenzohet shumë. Sigurisht duhet një buxhet, por po të menaxhohet mirë, ia del. Mbi të gjitha i qëndroj idesë që, reklamën e mirë, një vendi ia bëjnë vetë njerëzit.

 

Ne sapo kemi hyrë në stinën e dimrit, ndërkohë flasim vetëm për verën në Shqipëri dhe për mundësitë e shfrytëzimit të saj, por a mund të bëhet turizëm në Shqipëri, edhe në këtë stinë që ndodhemi?

Të gjitha stinët duhet të kthehen në qendër të vëmendjes, për sa i përket turizmit. Ndaj si AKT jemi duke realizuar një panair për dimrin, për të treguar se çfarë kapacitetesh ka Shqipëria në këtë stinë. Këtu futen, jo vetëm restorantet dhe hotelet, por edhe agjencitë që organizojnë ture apo shoqata sportive. Ne mund të flasim për pushime katër ditë, por flasim edhe për fundjava, që mund të jenë të organizuara shumë mirë. Në panair do të marrin pjesë edhe ato shoqata që organizojnë sporte në dimër. Këtu nuk është e rëndësishme që të jesh patjetër një tip sportiv apo profesionist, por mjafton të kesh dëshirën e mirë që të bësh një gjë ndryshe.

 

Në këtë panair, çfarë do të zbulojmë?

Në këtë panair ju do të zbuloni shumë gjëra. Unë po mundohem që edhe arredimi i stendave të bëhet nga agjencia në mënyrë që të dalim të gjithë me një pamje. Do të ketë oferta shumë interesante dhe disa njerëz që merren seriozisht me këtë punë. Natyrisht, për bizneset kjo është një rrugë fitimi dhe ata e shohin si një ndihmë që jep shteti.

 

A do të mësojmë nga panairi se ku mund të shkojmë në këtë stinë të ftohtë e të kalojmë një fundjavë?

Patjetër që idetë do të jenë aty. Do të mësoni se ju mund të shkoni në Tamar, mund të shkoni në Korçë dhe aty ka disa vend. Mund të shkoni në Llogora, mund të shkoni në Dajt. Të dielën do të keni 45 mundësi përballë.

 

Juli, ju njohim si vajzën e “Rally Albania”, a  keni ardhur ju te AKT me atë shpejtësi që i jepni makinës. Ka të njëjtin temp puna juaj këtu?

Unë kam ardhur me një temp që nuk e di sa do të vazhdoj (qesh). Ndoshta është edhe tempi i njeriut që di t’i bëj punët ndryshe nga shteti. Megjithatë, mendoj që edhe unë, avash-avash do të qetësohem pak, për të ngritur tempin e rezultateve, në fund.

 

Flitet për projekte, ide, por kur mund do të kemi një ndryshim real të turizmit në Shqipëri?

Unë mendoj që për shërbimet turistike, shumë shpejt do të fillojnë reformat nga Ministria e Turizmit. Një nga reformat është edhe klasifikimi dhe standardizimi i hoteleve, do të bëhet një data-bazë për gjithë kapacitetet që ekzistojnë në Shqipëri. Do të reformohet totalisht sistemi i shërbimit për turizmin. Do të ketë një call-center për turizmin, do të ketë info-point në pika turistike. Sigurisht, këto janë iniciativa dhe në gjashtë muajt e ardhshëm do të keni mundësi të shihni ndryshimin.

 

Ka ndryshuar mënyra juaj e jetesës që nga momenti kur morët postin e drejtoreshës?

Në fakt, unë jam munduar gjithmonë të merrem me punë, por ka ndryshuar vetëm në pjesën që ha më pak dhe rri më shumë në zyrë. Shpresoj që shumë shpejt të dal jashtë zyre, pasi promovimi kërkon që unë të lëviz, por jam duke u organizuar dhe kjo më mban këtu.

 

E braktisët relly-n?

Duhet ta braktisja sepse kam konflikt interesi me vendin e punës, por si pilote mund të jem përsëri, po jo si organizatore.

 

Keni një plan tjetër për të ardhmen si AKT?

Ne po mundohemi që të realizojmë nga një panair çdo muaj, me tema, në vende të ndryshme, jo vetëm në Tiranë. Duke filluar që nga kulinaria, kultura, plazhet, për malet. Të gjitha këto do të jenë në vende të veçanta. Gjithashtu po mendojmë edhe për propagandën që do të bëjmë jashtë Shqipërisë, duke marrë pjesë në evente ndërkombëtare. Një nga ato janë edhe karnavalet e Venecias që bëhen shumë shpejt, me gati 1 milion shikues, ku duam të bëjmë një reklamë të shkurtër për Shqipërinë.

 

Keni ju një vend që e keni pikë të dobët për nga ana turistike?

Korçën edhe Vlorën.

 

Drejtoreshë e AKT-së. Ky është pozicioni që ju donit?

Po. Jam në vendin e duhur. Është gjëja që di të bëj më mirë dhe kam gjithë energjitë e duhura për ta bërë. Dua të merrem me turizëm, pasi Shqipëria ka nevojë jo vetëm për punë, por edhe për ide e mirëmenaxhim. Kemi shumë fusha që mund t’i zhvillojmë dhe tërheqim vëmendje. Sapo kemi filluar.

 

 

Panari

E dielë, 8 dhjetor tek salla “Iliria”, Sheraton

Panairi i parë i Turizmit Malor, i cili organizohet në Shqipëri. Informacione nga operatorët lokalë për vendet më të bukura të Shqipërisë, ku mund të kaloni pushime të mrekullueshme. Për më tepër do të mund të përjetoni eksperiencën reale të këtyre vendeve nëpërmjet një ekrani LED.

Entela Resuli December 6, 2013 11:24
Komento

4 Komente

  1. Bora December 7, 08:23

    Julinda eshte nje vajze e shkelqyer dhe shume e zonja.Urime!

    Reply to this comment
  2. berti December 7, 11:19

    Per punen qe ka bere e admiroj dhe per panairin qe po organizon bravo.Por fotone saj me flamurin kombetar te deformuar nuk ja fal.Tani eshte bere zyrtare e shtetit dhe nuk duhet te valvise flamuj te deformuar ne simbol.

    Reply to this comment
  3. Matias February 13, 21:58

    Jul, kam nje projekt ne dore, nje projekt qe mund t a vendos Shqiperine ne vendin e pare ne ballkan persa i perket xhirove turistike,nese mund t a quaj keshtu.do te jete shum me interes per Shqipetaret dhe te huajt. Kam nevoj per ndihmen tuaj , te Lutem me kontakto. [email protected]

    Reply to this comment
  4. Klodi April 3, 09:40

    Jul, bashkepuno fort me Sonia Popen se do te te nxjerre ne selamet. eshte shume “e papertueshme”, “kreative” dhe sidomos “korrekte”. Se mos i lesh afer portofolin se cifti te rruan parc e mbrapc.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim