Justiniani i Madh: Kush ishte perandori ilir që ndryshoi Romën

May 19, 2017 11:42

Justiniani i Madh: Kush ishte perandori ilir që ndryshoi Romën

 

Kush ishte perandori ilir që drejtoi Romën. Pse cilësohet si një nga perandorët më të mëdhenj të historisë romake e bizantine. Ilirizoi kastën perandorake dhe i dha Ilirisë një status të veçantë dhe më të privilegjuar se rajonet e tjera.

Nga Will Wyeth

Perandori Justiniani I lindi rreth vitit 482 në Tauresium, një fshat në Iliri. Xhaxhai i tij Perandori Justin I, ishte një truprojë që arriti në fron pas vdekjes së Anastasit në vitin 518. Justiniani që mbretërori nga viti 527 deri në vitin 565 konsiderohet si një nga perandorët më të rëndësishëm bizantinë dhe romakë. Ai nisi një fushatë ushtarake shumë domethënëse për të rimarrë Afrikën nga vandalët dhe Italinë nga gotët.

Ai gjithashtu urdhëroi rindërtimin e kishës së Shën Sofisë si dhe manastire, kala, ura e rezervuare uji të shumta. Arritja e tij tjetër e madhe ishte përfundimi i “Codex Iustinianus” mes viteve 529-534, për të bashkuar të gjitha ligjet romake që ishin lëshuar nga koha e perandorit Hadrian. Justiniani mbahet gjerësisht si një nga perandorët më të mëdhenj romako-bizantinë në histori.

Jeta e hershme

Shumë pak njihet për jetën e hershme të Justinianit. E ëma e tij Gigilantia ishte motra e një truproje perandorak. Justin adoptoi nipin e tij dhe e solli në Kostandinopojë për t’i garantuar arsimim. Gjatë regjimit të Justinit, Justiniani shërbeu si këshilltar, konsull dhe më pas u bë komandant i ushtrisë lindore. Në vitin 525 u martua me Theodoran. Edhe pse jo një ushtar aktiv, Justiniani nisi një ndërmarrje të madhe ushtarake me qëllim për të marrë Italinë, Siçilinë dhe Afrikën. Karriera e tij ushtarake filloi në lindje. Lufta Iberike u bë kundër Perandorisë Sasaniane për kontrollin e mbretërisë së Iberisë në malet e Kaukazit.

Justiniani dhe vandalët

Vandalët kanë qenë në kontroll të kryeqytetit të Afrikës Catrthage që nga viti 439 dhe pas kësaj përhapën ndikimin e tyre në Afrikë, Tripolitani, Korsikë, Sardenjë. Në vitin 533 Justiniani nisi një përpjekje ripushtimi të këtyre zonave për Perandorinë Bizantine. Revoltat anti-Vandale në Tripolitani ishin të parat, por gjithashtu anije me ushtarë të shumtë përmes detit Egje ndaluan në Sicili dhe Afrikë. Pas betejash të shumta, në dimrin e vitit 534, mbreti i Vandalëve Gelimer u dorëzua.

Lufta kundër gotëve

Gotët ishin në kontrollin e Italisë dhe Siçilisë që nga viti 476, kur u rrëzua perandori i fundit romak në perëndim Romulo Augusti. Edhe pse mbreti i gotëve në Itali Odoacer e njihte autoritetin e perandorit në Kostandinopojë, regjimi gotik filloi politikat e pavarura në sferën romake. Aristokracia romake e Italisë qëndroi në një pozicion të privilegjuar edhe pas pushtimit gotik, por konflikti dhe mosmarrëveshjet u shtuan kur u ekzekutua politikani romak Boethius. I pakënaqur me regjimin gotik, Justiniani u përpoq të rimerrte Italinë dhe Sicilinë. Pushtimi i shpejtë i Afrikës kishte nxitur perandorin dhe dërgoi një forcë të vogël për të sulmuar Sicilinë e cila ra shpejt. Pas një serie fitoresh kundër gotëve, Italia u rimor nga romakët.

Jeta e Justinianit sipas Prokopit

Justiniani është unik në mesin e perandorëve romakë. Autori Prokopi i Çezaresë, ka regjistruar sukseset dhe dështimet e disa prej fushatave ushtarake të nisura nga perandori. Ai gjithashtu përshkruan me hollësi të madhe shumë projekte të ndërtimit që perandori ndërmori gjatë mbretërimit të tij. Prokopi gjithashtu kompozoi anekdota që zbulonin realitetin e jetës në oborrin perandorak. Aty detajohen aktivitetet e supozuara seksuale të perandoreshës Theodora, vendosmërinë e dobët të perandorit, dhe fuqinë që gratë kishin në gjykatën perandorake.

Justiniani cilësohet si një nga perandorët më të mëdhenj të historisë romake e bizantine. Arritjet e tij në fushën e artit, arkitekturës, reforma ligjore dhe pushtimet janë disa nga arritjet e këtij lideri historik.

Justiniani në histori

Justiniani konsiderohet si njeriu më i kulturuar i shekullit të vet. Është konsideruar si i fundit ndër perandorët e mëdhenj. Ai ishte frymëzuesi më i madh i të gjitha sipërmarrjeve të kohës së tij. Kodi i Justinianit hodhi themelet e të drejtës moderne. Gjithashtu në atë periudhë u krijua arkitektura bizantine, u ndërtuan dhjetra qytete, qindra kështjella, ujësjellës, ura, kisha, bazilika dhe katedrale, përfshirë Katedralen e Shën Sofisë që është konsideruar si njëra ndër mrekullitë e botës së vjetër.

 

Si askush tjetër para dhe pas tij, Justiniani u përpoq të ndalë vrullin oriental të Perandorisë, për t’i u kthyer madhështinë dhe lavdinë e Perandorisë Romake. Me Justinianin përfundon një epokë. Ai u bë Perandori i fundit romak i ulur në fronin e Bizantit, jo thjesht se e fliste keq greqishten, por sepse kishte mendësitë e një latini dhe arsyetonte me logjikën e Perandorisë së lashtë Romake. Në një kuptim, Justiniani ishte perandori i fundit romak. Dante e percepton Justinianin si përfaqësuesin e denjë të Perandorisë së Romës. Si përfundim, shekulli VI mbizotërohet nga personaliteti i Justinianit, kurse sundimi i tij shënon pikën kulmore të Perandorisë Romake të Lindjes. Justiniani i Madh është njëri ndër personalitetet më të shquara historikë të Kohës së Vjetër dhe padyshim sunduesi më i lavdishëm i Perandorisë njëmijë e njëqindvjeçare të Bizantit.

***

Justiniani dhe ilirët

Justiniani ka qenë shumë i lidhur me vendlindjen dhe popullin që i përkiste. Kjo nuk ishte thjeshtë lidhje shpirtërore dhe nostalgji për prejardhjen.

Ai u mbështet shumë në rrethin e vet familjar dhe bashkëkombasit e vet ilirë, që përbënin një forcë kryesore në ushtri dhe në aparatin shtetëror.

Në një nga mbishkrimet e gjetura në Itali bëhet fjalë për numrin e madh të ilirëve (numerius felix Illyrianorum), që shërbenin në ushtrinë perandorake. Kujtojmë edhe rolin e madh të tre gjeneralëve ilirë: Belisari, Mundi dhe Germani (kushëri i tij) për mbrojtjen e Perandorisë dhe realizimin e ambicieve të Perandorit. Por ndryshe nga perandorë të tjerë ilirë, Justiniani nuk u mjaftua me ilirizimin e kastës imperiale dhe u përpoq që Iliriku të kishte një status të veçantë dhe të ishte më i privilegjuar se rajonet e tjera.

Në jug të Nishit gjendej fshati i tij i lindjes Tauresium, i cili për lavdinë e djalit të vet u bë qytet i madh me emrin Justiniana e Prima. Me Nouvellae 11, Perandori Justinian vendosi ta tërheqë qendrën e prefekturës së Ilirikut nga Selaniku dhe ta vendoste në Justinianën e Parë. Me të njëjtin ligj e bëri qytetin qendër patriarkale. Justiniana e Parë u bë krahas Selanikut qendra më e rëndësishme kishtare e administrative e Prefekturës së Ilirikut.

Justiniani ndërtoi vetëm në Dardani tetë qytete të reja dhe meremetoi pesëdhjetë e një qytete të tjera. Po kështu në Epirin e Ri, që i përkiste Shqipërisë së Mesme, Perandori ndërtoi tridhjetë e dy kështjella të reja dhe meremetoi tridhjetë e gjashtë ekzistuese. Ndërsa në territorin e Epirit të Vjetër, që i përket territorit të Shqipërisë së Jugut u ndërtuan dymbëdhjetë kështjella të reja dhe u meremetuan dyzet e shtatë kështjella të tjera. Perandori rindërtoi krejtësisht qytetin e Singidinumit dhe e rrethoi me fortesa shumë të rëndësishme. Po kështu ngriti një fortesë të madhe në afërsi të këtij qyteti.

Me emrin e vet, Justinianopolis, Perandori pagëzoi edhe qytetin Adrianopolis në Epir. Gjithashtu pranë Justinianës së Dytë, u ndërtua një qytet i ri, i quajtur Justinopolis, për nder të dajës së Augustit, themeluesit të dinastisë, Perandorit Justin I.

Justinani u kujdes që Iliriku të ndihej i sigurtë dhe e bëri mbrojtjen e territoreve ilire prej sulmeve të barbarëve një çështje personale. Në territoret ilire u ndërtuan 43 fortesa të reja dhe u riparuan 50 fortesa të tjera.

Kur në vitin 540 hordhitë bullgare dhe sllave sulmuan Ilirikun, Justiniani ndërtoi, ose meremetoi rreth 400 vendfortifikime, shumica prej të cilave shumë larg kufijve.

May 19, 2017 11:42
Komento

7 Komente

  1. Sue May 19, 15:07

    Jo kurre perandor “Ilir” kurre… turp me deformim te historise!… ishte DARDAN shqiptar ortodoks !!! … jo kurre Ilir !!!

    Reply to this comment
  2. Arben May 19, 21:18

    DARDAN NGA LINDUR NE NJE FSHAT AFER SHKUPIT SOTSHEM.

    MBERRITI NE KOSTANDINOPOJE NE MOSHEN 20 VJECARE ME USHTRINE.

    PERMBLODHI TE GJITHA LIGJET E PERANDORISE NE KODIN E JUSTINIANIT, QE EDHE SOT STUDIOHET NE TE DREJTEN ROMAKE.

    I SHTRIU KUFIJTE E PERANDORISE DUKE RRETHUAR TE GJITHE MESDHEUN, SI NE KOHEN E ARTE TE ROMES.

    GJAKFTOHTE E I PAMESHIRSHEM.

    KUR POPULLI I KOSTANDINOPOJES U NGRIT NE PROTESTE PER SHPENZIMET E SHUMTA QE KUSHTONIN FUSHATAT USHTARAKE,
    ME DINAKERI I THIRRI NE HIPODROMIN E QYTETIT, DHE THERRI NJE E NGA NJE 30,000 KUNDESHTARE TE VETE, BRENDA NJE DITE.

    ME PAS E SHEMBI HIPODROMIN DHE ATY NDERTOI KISHEN E SHEN SOFISE, SOT XHAMIA BLU.

    PAS RENIES SE TIJ FILLUAN FURISHEM DYNDJET SLLAVE KETEJ DANUBIT, DHE ASIMILIMI I ILIREVE, DARDANEVE ETJ.

    SA ISHTE GJALLE I MBAJTI MATANE DANUBET, BARBARET SLLAVE.

    Reply to this comment
  3. demo May 19, 22:29

    Po Dardanet ilire ishin or -kurre.
    Fati i keq,qe i ka ndjekur shqiptaret.Qe nga Diokleciani e deri tek Justiniani te gjithe perandoret romake kishin lindur ne Iliri .Themeluesi i perandorise bisantine Konstandini i madh lindi ne Nish,;paraardhesi i Justinit,ishte Perandori Anastas ishte nga Durresi,;ky e fortifikoi Durresin me dy pale mure,qe ishin ne kembe deri ne 1912,,Po ku ta dinte i shkreti Anastas se katunaret e Haxhi Qomil Xhametes dhe buldozeret e Tomor Golemit,Arqile Gorrese,Mir Hotit,Lefter Kokes,dhe Gjushos,Vangjel Dakos do ja rrafshonin qytetin e lindjes.Ne vend te kullave te Anastasit kemi shumekateshet e rrumpallave.Mos i gezofshi!

    Reply to this comment
  4. Landi May 20, 12:07

    Shteti romak pas 312 e Me vone ishte i ndare ne dy pjese. Ne Orient dhe iliricum. Orienti fillonte nga ngushtica e dardaneleve r ne azi e afrike, nga kostandinopoja qe ishte kryeqyteti e ketej deri ne brigjet e italise Se adriatikut quhej iliricum. Iliria nuk ishte e priviligjuar por ishte vete perandoria romake

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*