Ka ende shpresë…

July 31, 2017 09:04

Ka ende shpresë…

Një sërë deklaratash kanë tërhequr vëmendjen kohët e fundit, në lidhje me daljen e Britanisë së Madhe nga Unioni.

Në një intervistë, katër ditë më parë për të përditshmen holandeze “Gazeta e Popullit”, kryeministri i Maltës Zhozef Muskat do të shprehte besimin e tij se Breksit nuk do të ndodhë, duke orientuar politikën britanike drejt një mundësie për t’i lënë sërish hapësirë popullit për të votuar.

“Po filloj të besoj, se Breksit nuk do të ndodhë realisht. Po shoh shenja inkurajuese se, pllaka po kthehet…Referendumi ishte demokratik, por rezultoi në një situatë ku çdokush humb! …. Do të ishte mirë, nëse një drejtues politik në Britaninë e Madhe, të shfaqej i guximshëm për të kapur momentin dhe për të thënë, le t’ia lëmë marrëveshjen finale të Breksit, sërish popullit.”

Pak kohë më parë, më 22 qershor, do të ishte presidenti i Këshillit Evropian, polaku Tusk, që do të habiste tek deklaroi se: “Miq britanikë më kanë pyetur, nëse është e mundur të tërhiqemi nga Breksit. Iu thashë, se Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi ëndrra, që ngjanin të pamundura. Atëherë, kushedi? Ju mund të thoni që jam një ëndërrimtar, por nuk jam i vetmi! Politika pa ëndrra do të ishte një makth…dhe me eksperiencën time, andej nga unë vij, dimë që mrekullitë ndonjëherë, ndodhin!

Po në të njëjtën ditë, me Tusk, kryeministri i Holandës Mark Rutë, do të deklaronte gjithashtu se: “Ajo çka shpresoj, dhe për të cilën ëndërroj pak, është që hap pas hapi britanikët të arrijnë në pozicionin që të dëshirojnë të qëndrojnë të lidhur me Tregun e Përbashkët, apo me Unionin Doganor evropian. Do të ishte e bukur!”

Dhe pikërisht kjo e fundit, Tregu i Përbashkët, është dhe pika më e ndjeshme për Britaninë e Madhe.

Tek Evropa e pas Luftës së Dytë Botërore, do të bashkohej për të mundësuar paqen në kontinent, Britania e Madhe, nuk pranonte të bëhej pjesë e Komunitetit Ekonomik Evropian, pikërisht për këtë arsye, ngaqë nuk pranonte të kishte një tarifë doganore të jashtme të përbashkët, pasi me hyrjen në KEE, shkëmbimet e saj me vendet e Komonuelthit do të vështirësoheshin.

Dhe nuk ndenji duarkryq !

Iu kundërvu KEE-së, përmes një iniciative rivalizuese, duke krijuar Shoqatën Evropiane të Shkëmbimit të Lirë (EFTA), në të cilën u përfshinë Austria, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Zvicra dhe Portugalia. Në këtë mënyrë, ajo i linte të paprekura lidhjet e saj me ish perandorinë e saj koloniale. Në vitin 1961, asaj do t’i bashkohej edhe Finlanda, një vit më vonë më 1970, Islanda dhe Lihtenshtejni, në vitin 1991.

Por, dështoi!

Arsyeja, lidhej me faktin se popullsia e vogël e EFTA-s nuk mund të krahasohej me atë të KEE-së. Në vitin 1960, Britania e Madhe bënte tregti më tepër me KKE, se sa me EFTA-n dhe përqindja e rritjes së saj ishte më e vogël se, ajo e KEE-së. Federata e industrive britanike, kërkonte me ngulm në ato vite, futjen patjetër në KEE. Të gjendur në këto rrethana, kryeministri britanik Mekmillëni do të kërkonte për herë të parë në vitin 1961, që vendi të bëhej pjesë e KEE-së.

Por, gjenerali francez Dë Gol, do të vendoste veton në vitin 1963. Pasi, Britania e Madhe ishte në sytë e tij shumë e lidhur ekonomikisht dhe ushtarakisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj nuk mund të ishte një partnere e besueshme. Edhe kërkesa e dytë e britanikëve, që mbarte të njëjtin synim për domosdoshmërinë e ekonomisë britanike, do të refuzohej sërish nga Franca.

Teksa në vitin 1973, Britania e Madhe do të bëhej pjesë e KEE-së, ajo do të linte EFTA-n, duke u ndjekur nga pas jo vetëm nga Danimarka, por edhe nga Portugalia në vitin 1986, Austria, Finlanda dhe Suedia, në vitin 1995. Duke e lënë EFTA-n përfundimisht vetëm me 4 anëtarë, Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtejnin.

Reflektim

Sot, përveç kërcënimeve, që shfaq në mënyrë të pashmangshme dalja nga Tregu i Përbashkët dhe mungesa e garancisë për një marrëveshje ashtu siç Londra do të preferonte, vendit i shtohet edhe rreziku i largimit të aktorëve dhe shërbimeve financiare, që e kanë shndërruar Britaninë e Madhe në një prej qendrave kryesore financiare në botë.

Publiku britanik, e shprehu vullnetin e tij për të dalë nga BE dhe është më se e logjikshme të respektohet mendimi dhe vullneti i tij. Por, po aq i logjikshëm është edhe fakti që kjo zgjedhje nuk mund të jetë e patjetërsueshme.

Historia e integrimit evropian ka treguar se janë një sërë referendumesh, tërësisht të pakënaqshme në lidhje me zhvillimet e politikave të BE-së. Por, se këto referendume negative, janë prapësuar përmes një tjetër referendumi të dytë.

Në vitin 1992, danezët votuan 50.7% me 49.3% kundër ratifikimit të traktatit të Mastritit, që krijoi Bashkimin Evropian. Dhe vetëm një vit më vonë, më 1993, ata votuan sërish, për ta ratifikuar atë me 56.8% në favor kundrejt 43.2%, që votuan kundër.

Irlanda do të votonte dy herë kundër zgjerimit të pushteteve të BE-së. Fillimisht në vitin 2001, me 53.9% të publikut që kundërshtonte Traktatin e Nisës, dhe sërish në vitin 2008, me një refuzim ndaj Traktatit të Lisbonës, që kapte nivelin e 53.4%. Por, se në të dy rastet, Irlanda ka mbajtur gjithashtu një referendum të dytë dhe ka ratifikuar traktatet, dhe madje me një përqindje të kënaqshme, 62,9% dhe 67,1%.

Kritikët e referendumeve, argumentojnë se ata i detyrojnë votuesit të marrin vendime mbi çështje komplekse, mbi të cilat ata nuk mund të kenë dije të plota. Dhe se, referendumet tentojnë të krijojnë iluzionin se një çështje komplekse mund të prezantohet në një formë të thjeshtë duke e zvogëluar në një platformë përgjigjeje, po ose jo. Për më tepër, vota e britanikëve në referendumin e qershorit 2016, nuk ishte veçse një votë këshilluese dhe jo rekomanduese apo detyrimisht dhe ligjërisht e zbatueshme.

Por, ashtu siç e drejta e qytetarëve të Britanisë së Madhe për të vendosur mbi anëtarësimin në BE duhet të respektohet, tashmë janë një sërë zërash që vlerësojnë se, po në të njëjtën mënyrë duhet respektuar dhe e drejta e tyre për të ndryshuar mendim. Opinioni publik britanik, nuk ka shfaqur shenja kënaqësie ndaj një rezultati që ka tronditur vendin, dhe aleatët e Britanisë po tregohen të duruar, me deklarata të herë pas hershme, që mund të lexohen si lehtësim mbi një ndryshim të mundshëm pozicioni. Në fund të fundit, askush nuk ka interes të mirëfilltë që Britania ta lërë përfundimisht Unionin, as vetë Britania e Madhe, as BE dhe as SHBA.

Përtej pasigurive, një gjë është e sigurt, ikja nuk është më opsioni më i preferuar dhe i dëshiruar.

Në fund të fundit, siç edhe Tusk thotë: “Politika pa ëndrra do të ishte një makth…dhe me eksperiencën time, andej nga unë vij, dimë që mrekullitë ndonjëherë, ndodhin!

DITA

July 31, 2017 09:04