Ka paqartësi, shtyhet afati i procesit të fiskalizimit për bizneset

October 9, 2019 08:24

Ka paqartësi, shtyhet afati i procesit të fiskalizimit për bizneset

Pas kërkesave të vazhdueshme të grupeve të interesit, procesi i fiskalizimit është shtyrë dhe nuk pritet më të fillojë nga 1 janari, siç ishte parashikimi fillestar në projektligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.

Zv.ministri i Financave, Elton Harxhi, konfirmoi për Monitor se janë lënë edhe tre muaj kohë tranzitore.

Pas konsultimit publik me grupet e interesit, bizneseve u është lënë afat tre muaj që të përshtaten me atë që kërkon raportimi ditor elektronik.

Ndërkohë ka nisur pilotimi, në 40 kompani të softuerëve që të përshtatin programet për kasat fiskale. E më pas, brenda vitit, do të nisë faza testuese.

Faturat elektronike, me kod skanimi do të mund të aksesohen nga klientët, të cilët mund të shikojnë në kohë reale nëse blerja e tyre është raportuar apo jo te Tatimet. Për këtë, Ministria po diskuton edhe për një shorte me çmime shpërblyese për konsumatorët.

Projektligji synon krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend. Ai parashikon që, tashmë duke nisur që nga data 1 mars 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen tek Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga mesi i vitit 2021, të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëri – tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike.

Drafti i fiskalizimit u publikua në fillim të gushtit dhe kjo periudhë ishte lënë për konsultime me biznesin dhe grupet e interesit.

Bizneset, ndonëse e mbështetën si nismë, kërkuan më shumë kohë për fillimin e zbatimit të tij, pasi ka patur shumë pikëpyetje në lidhje me sistemin, që nga mënyra e funksionimit dhe deri te kostot ekstra që duhet të përballet ai. Bizneset janë ende të paqarta nëse pajisjet aktuale janë të përshtatshme me sistemin e ri.

Pas konsultimeve të shumta me bizneset janë bërë dhe disa rishikime në draftin e ri që është përgatitur nga Ministria e Financave.

j.l./ dita

October 9, 2019 08:24
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*