“Kabareja e Shallit të Kuq”, piktura që u vlerësua nga Rama

Entela Resuli October 6, 2013 08:47

“Kabareja e Shallit të Kuq”, piktura që u vlerësua nga Rama

Në konferencën e parë si kryeministër në Twitter, Edi Rama, përmendi dhe një ekspozitë pikture,  në të cilën një javë më parë mori pjesë për ta parë atë, duke i dorëzuar kështu fituesit çmimin e parë.  Dikush e pyeti për këtë aktivitet në konferencë Ramën dhe për cilësinë e pikturës, të cilën ai e vlerësoi.  Edi Rama është kryeministri i parë artist në vendin tonë. Gati në çdo shkrim të medieve të huaja theksohet ky fakt.  Po sot nuk do flasim për piktorin Rama, por për piktorin e ri që Rama i dorëzoi çmimin.  Ai është Enkelejd Zonja. Një djalë i ri që fëmijërinë e ka jetuar në fshat,  jetës të cilën e kujton me shumë nostalgji duke theksuar se ka lënë gjurmë në artin që ai sot realizon. Vite më vonë e kuptoi që piktura do të ishte rruga e tij duke vazhduar Akademinë e Arteve në Tiranë e më pas ka ndjekur një master në Suedi. Sot, në këtë intervistë në Dita ai na rrëfen rrugën e vështirë të artit dhe çfarë mendimi ka ai, tani që kryeministri është një artist… shpresat e tij për të ndryshuar diçka në këtë fushë janë të mëdha.

 

Enkelejd, në një konkurs pikturash të organizuar gjatë këtyre kohëve, ju morët çmimin e parë. Si u ndjetë?

Të them të drejtën u ndjeva  shumë  mirë dhe në të njëjtën kohë  pak i emocionuar.  Është një vlerësim dhe motivim që i bëhet punës time.

 

Piktura fituese, “Kabareja e shallit të kuq” edhe nga emri duket si frymë e realizmit socialist.  Nga se jeni frymëzuar?

Puna në fjale rrodhi dhe u ngacmua krejt rastësish . Po kërkoja disa foto të fëmijërisë time në arkivin e albumeve fotografike të prindërve të mi. Dhe duke u  marrë me shfletimin e tij e   duke fshirë pluhurat, kisha të dy prindërit në krah që filluan me një ndjenjë nostalgjie të komentonin mbi fotot e mbrëmjeve dhe  ballove rinore që ata kanë përjetuar në të kaluarën e tyre. Kryesisht më ngacmuan disa foto interioresh  shumë të vjetra e të turbullta ku tek tuk dukeshin dhe zhdukeshin figura personazhesh që mbanin shallin e kuq të pionierit. Ditë më pas duke pasur në mendje gjithë këtë informacion nga albumet fillova të thërras dhe të pres blloqe nga memoria ime dhe sigurisht e prindërve të mi  për krijuar një situatë  sa aksidentale dhe deri diku fantazmagorike mbi gjithë atë përjetim. Në fakt kjo erdhi krejt rastësore, nuk e kisha si qëllim të arrija në këtë rezultat. Por e lashë në një moment që ndjeva që s’kisha çfarë i shtoja më.

 

Kryesisht çfarë ju frymëzon të pikturoni?

Po mendoj se motivi apo inspirim të themi mund të të bëhet çdo gjë që të rrethon apo jo. Mund të jetë historia ,mund të jenë librat ,ambienti ku jeton, diskutimet me miqtë,  media, situatat  rastësore apo ndonjëherë edhe vënia e vetes  në një plan bosh për të shpikur diçka që as ti vetë nuk e di ku do dalësh.  Frymëzimin  duhet ta kërkosh edhe vetë.

 

Mbrëmjen e ndarjes së çmimeve ka qenë në ekspozitë edhe kryeministri i vendit nga i cili keni marrë edhe çmimin. Si u ndjetë që kupën në dorë ia u dha ai, duke pasur parasysh që edhe ai vetë është piktor?

Po sigurisht që u ndjeva mirë. Vetë prezenca e kreut të shtetit pavarësisht profesionit apo profilit që ka të bën më të nderuar.  Është një vlerësim  jo vetëm për mua si fitues, por për organizimin, gjithashtu për vetë skenën e artit në përgjithësi.

 

Një kryeministër që është edhe piktor është më mirë për ju si artist?

Fakti që kryeministri aktual vjen nga një formim artistik besoj që jep shpresë për më shumë vëmendje ndaj artit dhe kulturës në tërësi, pasi mendoj se ndjeshmëria ndaj problematikave që ka sot kultura mund të jetë me doza më intensive.  Por gjithsesi, në të njëjtën kohë, mendoj se nuk ka shumë rëndësi se nga çfarë profili vjen një drejtues, rëndësi ka se sa vizion dhe dëshirë ka për t’i drejtuar gjërat në kahun e duhur. Dhe kjo është më e rëndësishme mendoj.

 

Cilat janë hapat tuaja të para në drejt rrugës së artit?

Nuk e shikoja artin dhe në këtë rast pikturën si diçka që do të merresha ndonjëherë kaq seriozisht, megjithëse vazhdoja ashtu kot, të vizatoja nëpër mure dhe faqe librash. Më kujtohet në gjimnaz që  nuk lija cep banke dhe muri pa vizatuar me majën çelësit të shtëpisë edhe pse në atë kohë kisha pasion dhe luaja futboll me skuadrën e të rinjve të Tiranës. Dhe ashtu si papritur vendosa të aplikoja për të vazhduar Akademinë e Arteve. Dhe për fat fitova artet figurative në Tirane dhe mbasi kisha bërë 2 vite studimi këtu më doli e drejta e një burse studimi në Akademinë Mbretërore të artit figurativ në Stokolm, Suedi. Gjithashtu mbas studimeve më është dhënë mundësia të jem pjesë në disa rezidenca arti në vende të tjera jashtë vendit.

 

Në Shqipëri, arti nuk është shumë i vlerësuar, jeni ndjerë ndonjëherë në dilmë për degën që ke zgjedhur?

Jo vetëm këtu, por gjithandej në botë shumica e artistëve,  e sidomos ata të rinjtë luftojnë me dilemën e vazhdueshme  midis përkushtimit, fokusimit të pasionit  dhe krijimtarisë së tyre kundrejt trysnisë që ushtron vete jeta. Personalisht jam munduar t’i rezistoj duke pasur disa shitje,  por edhe me ndihmën e të afërmeve. Arti  përgjithësisht  e sidomos këtu në Shqipëri të kërkon të sakrifikosh disa gjera të tjera në emër të kënaqësisë shpirtërore që të jep.  Nuk kam pasur asnjëherë ndonjë dilemë apo dyshime për drejtimin që kam marrë. Kam qenë dhe jam i vetëdijshëm për zgjedhjen që kam bërë pavarësisht arsyeve që të privojnë nga disa gjëra të tjera dhe stresit financiar që të shkakton ndonjëherë.

 

Le të kthehemi pak në të kaluarën, si ka qenë fëmijëria juaj?

Unë rrjedh nga në familje me 2 prindër arsimtarë. Im at ka qenë  profesor i Ciklit të Ulët, po ashtu edhe ime më. Kam një vëlla prokuror dhe një motër  stiliste. Prindërit  i dërgoi vet sistemi i asaj kohe për të punuar e jetuar një periudhe në një fshat të Fierit  në cilin linda edhe unë dhe kalova fëmijërinë time deri në moshën 10 vjeçare. Më pas rreth viteve 90 u transferuam në Tiranë,  ku edhe jetojmë e punojmë akoma. Nuk e di, por ruaj kujtime shumë të bukura nga ai vend i vogël dhe kam arsye për të qenë nostalgjik. Ruaj kujtime për shtëpitë për kodrat me ullinj për gjembat që me futeshin këmbë të zbathura, për pellgjet dhe kanalet  me ujë të turbullt ku lahesha, për fushat e grurit, për qerret me lopë e sidomos për shkollën dhe shokët. Sigurisht fëmijëria si pjesë e memories sonë lë gjurmë të forta  dhe ka  qenë burim i madh në krijimtarinë e shumë  artistëve.

 

Tani keni një çmim të rëndësishëm në komodinën tuaj. Planet tuaja të mëtejshme?

Në fakt unë sapo jam kthyer nga një ekspozitë dhe prezantim që kam pasur së fundmi në “Kunst Halle Bank” në Berlin, ishte goxha e rëndësishme për mua. Jam në komunikim të vazhdueshëm me një institut të artit bashkëkohor në Honk Kong , i cili ka tashmë në koleksionin e vet 2 nga punët e mia për t realizuar dhe për të qenë i ftuar në përurimin dhe hapjen e një aktiviteti ndërkombëtar.

 

Entela Resuli October 6, 2013 08:47
Komento

1 Koment

  1. Egli October 6, 15:42

    Faleminderit DITA qe keni marr nje gazetare si Entela Resuli nga ‘Shekulli’. Me eshte dukur perhere nje person qe sjell gjithnje argumeta dhe personazhe interesant. Bravo ju qoft!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*