Kadareja dhe Kosova

February 19, 2021 12:23

Kadareja dhe Kosova

Bedri Islami

13 vite më parë, pikërisht në 17 shkurtin e vitit 2008, pasi kisha qenë në kullat e Jasharëve, me të cilët më lidhte një miqësi e vjetër, e një natë më parë kisha bujtur në Drenas, në  shtëpinë Fehmi Lladrovcit, njerëzit që rrinin në mendimin tim si përsonifikime të lirisë së Kosovës, ecja në rrugët e Prishtinës duke kërkuar një njeri. Ndoshta ai ishte luftëtari më i pazakontë i Kosovës, por ndërkohë ndër më të rëndësishmit. Më frymëzuesi, pa dyshim.

Njerëzit ishin në dalldinë e festës, tupanët binin në një valle të çmendur, rrugët ndjenin se nuk e përmbanin dot vërshimin njerëzor, që, sapo kishte cikur koha minutën e parë të 17 shkurtit, ishin tejmbushur, si të derdheshin nëpër to llava e pandalur e furisë së një populli që kishte pritur një ëndërr, e cila, edhe pse dukej tejet e largët, befas, krejt befas, ishte bërë e afërt.

Njeriu që kërkoja ishte nga përçuesit e parë të Ëndrrës, bartës dhe ndjellës i saj; i brishtë në pamjen e tij, i vrullshëm dhe marramendës në vizionin e pafund; vullneti i tij i prirë nga mençuria dhe fjala në momentin dhe vendin e duhur, e kishte bërë atë të vetëdijshëm dhe, në të njëjtën kohë kishte bërë të tjerët të vetëdijesuar, me forcën e pashembullt të talentit, qartësisë dhe mendimit. Për më shumë se një gjysmë shekulli pasioni i pasioneve të tij kishte qenë Kosova; ndjeshmëria e pakufi e kishte bërë trumbetar të së vërtetës, të cilat i kishte shpallur edhe në kohra të vështira, pikërisht atëherë kur heshtja mund të dukej më e arsyeshme. Ai kishte mbetur i revoltuar deri në fund, i papërmbajtur, tronditës në dëshmitë e sakta,  gjenial në hetimin e tij të ftohtë dhe të pamëshirshëm ndaj krimit serb në Kosovë,  duke shpërndarë reflekset shkëndijuese të së vërtetës.

Dita e Pavarësisë së Kosovës do të ishte e mangët pa atë, njeriun që rastësisht kishte emrin e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail, por që jo rastësisht do të njihet në të gjithë botën si Kadare!

Kërkoja të takoja Ismail Kadarenë, dhe, si ndodh zakonisht në këto raste, përsërisja me vete gjithë fjalët që do të mund t’i thoja në çastin e shkurtër të një bisede, që, askund tjetër, më shumë se në Prishtinë, në sheshet e zhurmshme të saj, ishte në vendin e duhur. Nuk do të kisha mundur të gjeja asnjë mjedis tjetër më të përshtatshëm  për të biseduar me të dhe, askush tjetër si ai , nuk kishte bërë vendin e tij në këtë ditë, që, e pritur prej qindra viteve, e shumë dëshiruar, fundi i një ankthi të vjetër ballkanik, përmbysje e një kohe dhe fillesë e një kohe tjetër, nuk e kishte pasur kaq të domosdoshme, do të thoja jetike, fjalën e këtij njeriu jugor, që ishte po aq drenicak e prizrenali, sa ishte edhe gjirokastrit e parisien.

Nëse bota shqiptare po kthehej përfundimisht drejt ëndrrës rilindase, Perëndimit, pikërisht në thyerjen e natës së 16 shkurtit, duke ardhur e shtatëmbëdhjeta, Kadare kishte qenë përçuesi më i madh i saj, Mjeshtri, duke e ditur se barrë të tilla të mëdha mund të bartin vetëm poetët dhe shkrimtarët e mëdhenj epikë.

Në mëngjesin e 17 shkurtit të vitit 2008 kërkoja Ismail Kadarenë dhe, në të njëjtën kohë shihja sheshet e prishtinës dhe mendoja se në cilin prej tyre, një ditë të ardhshme, do të jetë edhe monumenti i shkrimtarit Kadare.

Isha dhe jam i bindur se një ditë do të jetë aty, mund të gabohem për vendin, ama e përfytyroj që tani dhe askush tjetër nga bota e madhe e letrave shqipe, nuk e meriton më shumë se sa ai.

Sepse mes Kosovës dhe Kadaresë është një lidhje e gjatë, më e gjata në historinë e botës së letrave shqipe dhe, në të njëjtën kohë, më e përkushtuara.

 

***

Në tetorin e vitit 1972, Ismail Kadareja do të ishte për herë të parë në Kosovë.

Më herwt e kishte parë peizazhin e saj nga lart, të ndarë në copwra, që dukej edhe më tej gjysmëtar nga krahët e avionit. Gjithë Rrafshi i Dukagjinit, zbuluar menjëherë pasi avioni kishte kaluar Bjeshkët e Namuna, ishte i pafund, i përthyer, i afërt për secilin bashkëkombas, e njëkohësisht më i largët se viset përtejoqeanike; i njohur dhe njëkohësisht enigmë.

Ishte viti 1966. Ende gjithçka ishte e ngrirë mes dy shteteve dhe dukej se, që nga përmbytja ballkanike, ky vend, mes reve të rënda, gjëmimeve, në të cilin vetëtimat dukeshin si përshendetje, që dukej dhe zhdukej i zymtë mes gri-së së rëndë të reve, ishte e do të mbetej edhe më tej molla e sherrit mes dy vendeve.

Kishte pasur një periudhë të dyfishtë qetësie, por, si gjithçka tjetër mes dy kombeve, kishte qenë një paqe e rremë, megjithëse herën e parë gjithçka ishte shfaqur si njëri ndër aktet më të lashta të tragjedive epike, e më pas, si një butafori vrasëse. Herën e parë kur “Kosova ishte bërë Shqipëri” e herën e dytë, “ Kur Shqipëria desh bëhej Jugosllavi”.

Të dyja periudhat kishin qenë të shkurtra, nga katër vite, jo më shumë, por dallimi kishte qenë ndoshta nga më epokalët. Herën e parë, përmes shkollave, herën e dytë përmes emisarëve politikë. Ndërsa Shqipëria e vjetër kishte dërguar mësuesit e saj më të mirë, prirë, po ashtu, nga një poet i shquar, të cilit rasoja fashiste nuk ia kishte hequr enigmën dhe një brerore të habitshme, Koliqi; herën e dytë gjithçka kishte ardhur përmes emisarëve, që kishin gjithëfarë “iç- ësh” pas vetes, por më shumë kamat e dalura që  në zanafillën e saj nga ajo që njihej si , Fusha e Mëllenjave nga serbët, dhe Kosovë , nga shqiptarët.

Në këtë fushë do të rrinte Kadareja në tetorin e vitit 1972, dhe ajo, fusha e dikurshme e përgjakur, tashmë e heshtur, me pak mjegull anash, e ftohtë, si gjithçka në pragun e dimrit, ishte në të njëjtën kohë edhe fillesa e mashtrimit, ngritjes së një historie ndryshe, e që për çudi, monumenti i ngritur në mesin e saj nuk është për fitimtarët, por për të mundurit.

Mes dy popujve kishte pasur gjithnjë ashpërsim, asnjëherë zbutje. Do të jetë vendi ku, edhe një poet i shquar si Azem Shkreli do të thonte se “ne jemi të huaj këtu, më keq se të huaj. Në sofrën e tyre sllave ne jemi të tepërt”.

Një kumt i ardhur nga larg, ndoshta nga humbëtira e stepave të boshta, kishte sjellë me vete diçka tronditëse, dhe, si duket , këtu kishte nisur e Keqja.

Pagjumësia e Shqipërisë ishte në atë Fushë! Imazhet e shenjta të një kombi të lashtë ishin po aty.

Shqiptarët, asnjëherë hakmarrës, i quajnë fqinjë komshitë e tyre serbë. Asnjëherë nuk e kanë ndjenjën e hakmarrjes; miti i tyre nuk është ngritur mbi heronj të rremë e as mbi mbretër të vetshpallur. Çka, janë, po ashtu, të rremë. Nuk e kanë në genin e tyre mëkatin e pafalshëm të gënjeshtrës, mashtrimit, dëshmues të së vërtetës ata nxjerrin nga jugi i vendit të tyre një dëshmues të madh, që është në të njëjtën kohë edhe Luftëtar i Madh, prijës i shqiptarëve drejt Perëndimit përmes fjalës.

Nëse Pjetër Bogdani, një ndër dijetarët më të mëdhenj të kombit , udhëheq kryengritjen e shqiptarëve në shekullin e XVII, Ismail Kadare është lideri i fjalës së dëshmisë së , një komb që i takon perëndimit, duhet të jetë përsëri aty, dhe se , “Zoti President, populli shqiptar nuk ka bërë asnjë krim ndaj askujt, për t’u trajtuar ndryshe nga çdo popull tjetër. Edhe në qoftë se bashkimi i tij paraqet vështërsi, tani për tani për Europën, askush nuk ka të drejtë që, në mëyrë cinike e provokative, t’i deklarojë atij se nuk ka të drejtë asnjëherë, as në perspektivë, të gëzojë atë që nuk i mohohet asnjë populli n botë: jetën e lirë, bashkarisht. Aq më pak , askush nuk ka të drejtë, që lirinë e tij imediate, ta quajë të rrezikshme”. ( Ismail Kadare , letër drejtuar Presidentit të Francës, Zhak Shirak, Paris, 26 gusht 1998)

Për mendsinë serbe , e jo vetëm për atë, Kosova është diçka tjetër. “ Kosova është fjala më e shtrenjtë”, thotë shkrimtari Matija Beqkoviç, ndërsa Vuk Drashkoviq, në një letër të gjatë, drejtuar shkrimtarit Ismail Kadare, do të shkuajë se “ Kjo fushë për shqiptarët shtë gjeografi, kurse për serbët gurra e kulturës së tyre, epi dhe Feja, Alfa dhe Omega e ekzistencës së tyre”.

12 vite pas letrës s Drashkoviçit, në Kosovë ka ndodhur mrekullia. E ndërsa shqiptarët pajtohen në vete për të qenë njerëzorët ndaj të mundurve, në anën tjetër gjithçak ndodh ndryshe.

Dhe të mundurit, ashtu si në vitin 1389, edhe disa shekuj më pas, pas humbjes, kishin nxituar të shkruanin një histori tjetër, veçse kësaj rradhe nuk kishin pasur përballë turmat çallmë laramane të osmanëve, por një strukturë ushtarake, më të fuqishmen e kohës, që , për herë të parë ishin ngritur për të mbrojtur një popull që ishte drejt asgjësimit dhe që do të provonte gjenocidin.

Nëse nuk u bë masakra e dëshiruar, kjo ka të bëjë me zgjimin e ndërgjegjes së botës, ringritjen e dëshmisë së ndëshkimit të së keqes, rikthimin në kahun e së mbarës të 28 qershorit të vitit 1389, dhe ndodhi mrekullia, “ Mbi Fushën e Mëllenjave është ngritur Flamuri i Evropës!”

***

Plini plak, në të famshmen “Naturalis Historiae”, sjell dëshminë për një burrë të zakonshëm, Straboni , që posedonte një aftësi të jashtëzakonshme.

Ky njeri u bë i famshëm, sepse duke qëndruar mbi Kepin Limbeu të Siçilisë arrinte të shikonte brigjet e Kartagjenës, rreth 200 kilemetra larg dhe sinjalizonte saktësisht lëvizjet e anijeve luftarake që dilnin nga portet kartagjenase për të sulmuar flotën romake.

Të gjithë krahasimet çalojnë, thonë gjermanët, ndoshta edhe krahasimi im është i mangët, pasi Kadare nuk është një burrë i zakonshëm, por njëri nga shkrimtarët më të shquar të shekujve ku jetoi, por, si Straboni i Plinit plak, që në gjenezën e saj dalloi krimin serb mbi Kosovë.  E bëri këtë si askush tjetër dhe në lartësi ku nuk mund të shkonin të tjerët, ose fjala e tyre nuk kishte të njëjtën mençuri  dhe mirëbesim.

Në korrikun e vitit 1989, i ftuar ne Elize për mëngjes nga Presidenti francez Miteran ,  ndoshta njëri nga kujtimet e çmuara të shkrimtarit, Kadare, pa asnjë ngurrim, i bindur se duhet thënë e vërteta dhe ky është vendi i duhur, pasi përballë tij është një nga mendjet më iluministe të kohës, europian i shquar dhe një njeri i ndërgjegjes dhe kulturës botërore, por edhe përfaqëuesi i një kombi që shpesh herë ka mbyllur sytë ndaj krimit serb në gadishullin e vjetër ballkanik.

Është e vështirë të gjesh hapësirën në një bisedë ku krijimi si dhunti dhe përpjekje është ftesa e menduar si e tillë dhe, në vend të tyre, të sjellësh çështjet e vështira etnike, me ndërlikime të papritura, të cilat mund të prishin, apo të supozohet se mund të prishin harmoninë e arritur me aq vështërsi, e megjithatë, kjo duhet bërë. Nuk ka asnjë njeri tjetër kombi që mund ta bëjë këtë. Në Shqipërinë londineze ku diktatura është në rrokupujë , pak vetë e kanë mendjen te Kosova, që duket e largët, e beftë dhe përtej mjegullave. Në Kosovë , viti 1989 është ende nën rëndesën e zakonshme të krimit shtetëror serb , që tani bëhet edhe më i rëndë e mizor, pasi është piku i kohës së Millosheviqit dhe lëvizjet e mëdha të shqiptarëve do të ndodhin disa muaj më vonë, nëntorin e vitit 1989.

Njëri nga të vraët në Kodrën e Diellit, në 2 nëntor 1989, do të jetë lideri kryesor i lëvizjes çlirimtare. Quhej Afrim Zhitia. Një fjalë i hequr në fytyrë, organizator i shkëlqyer, lexues i madh.

Në lëvizjen ilegale ka marrë një emër të dytë. Quhet Ismail. Frymëzuar nga Ismail Kadare do të bartë emrin e tij të luftës deri në ditërënien e tij. Nipit do i vërë emrin Dritëro.

Kadare, që nuk besoj ta ketë ditur këtë fakt real, ndoshta deri ditën që në një bisedë të gjatë në Tiranë i fola për Afrim Zhitinë, është ndoshta nga të vetmit , emrin e të cilit në luftë e kishte njëri ndër heronjtë më të shquar të saj.

Është njeriu i vetëm që, i adhuruar në kombin e tij, është po aq i adhuruar edhe në Francë; i lexuar nga të gjithë, që nga të burgosurit politikë që presin vajtjen e tij mes tyre , deri tek Presidenti i mënçur francez. Kombi i heshtur ka ndërgjegjen e tij, kjo ndërgjegje nxjerr një zë, i cili ka, në të njëjtën kohë edhe vështrimin e mprehtë. Kush bart këtë vështrim, sheh të vërtetën, atij i nënshtrohet e drejta për ta shpallur atë.

Sado që një gjë e tillë tingëllon mesjetare dhe e kapërcyer nga koha, më besoni Zoti President, se në gadishullin ballkanik, mesjeta është ende e pranishme. Unë ju lutem që ta vlerësoni këtë paralajmërim, këtë klithmë për ndihmë, përpara se tragjedia të ndodhë dhe përpara se të jetë vonë.

Dhjetë vite më vonë tragjedia ndodh. Ajo do të kishte qenë më katastrofike nëse nuk do të kishte qenë zëri i i një njeriu që, shumë kohë më përpara, ka guximin dhe burrrinë , jo vetëm të hulumtojë, por edhe të shpallë atë që botës i dukej e largët, e mistershme dhe e pabesueshme.

Është viti 1989. I nëjti kur, me mikun e tij, laureatin e çmimit Nobel të Paqes, Elia Weisel, i shkruan presidentit amerikan Georg Bush,  kur diktatura ishte ende në këmbë dhe, dihej nga të gjithë se, binaja e madhe në të shembur e ka rrezikun dhe ai vetë, nëse do të dihej ky letërshkrim,  do të ishte nën pluhurin e gërmadhës, apo edhe më tej, i dënuar me vdekje. Ai e ndjen për detyrë t’i shkruajë presidentit të shtetit më të fuqishëm të botës, përsëri në shtatorin e vitit 1991, duke bërë paralajmërimin tragjik.

“Dhurata që iu bë terroristëve serbë…, duke iu dhënë si shpërblim gjysmën e Shqipërisë, është një nga krimet më të mëdha në historinë e njerëzimit. Sa më shpejt që bota e qytetëruar ta çlirojë veten e saj nga ky krim, aq më mirë do të jetë”.

***

I pamatë është pasioni i Kadaresë për Kosovën. Ai e ka dashur atë në të gjitha stinët e jetës së tij , shumë më tepër nga çka mund të merret me mend. Është një dashuri pasionante mes poetit numur Një të kombit dhe Vuajtjes më të madhe të tij. Rrallë herë është ndeshur një përkushtim i tillë, deri në vetëvuajtje: në çështjen e Kosovës ai është më vizionar se të gjithë artistët, të gjithë njerëzit e politikës, në të gjithë trojet shqipfolëse; ai e ndjen deri thellë në veten e tij vuajtjen e saj, e përkdhel atë, e rrok , e dëshmon, përgjërohet, ndjen ngashërim, rri i pagjumë, shkruan, dërgon mesazhet e tij kudo ku mund të jetë i pranishëm dhe është i pranishëm kudo; shqetësohet për krenarinë e boshtë shqiptare, por edhe përcakton saktësisht atë çfarë po ndodh në Kosovë; ai saktëson ngjarjet e vitit 1981 më qartë se secili prej nesh, i sjell  tronditshëm në dy romanet e tij; njëri nga të cilët “ Krushqit janë të ngrirë” tronditi të gjithë piramidën e shtetit ku jetonte, edhe më përtej saj, tërmetoi , nëse kjo është fjala e duhur, një botë tjetër, atë të shtypjes, nxorri nga kafazet e pista gjëmën e kolegëve shkrimtarë, të cilët e akuzuan rreptë, duke e ndjerë më shumë se kushdo tjetër se ai, pikërisht ai, shkrimtari i namun, si Bjeshkët e Veriut, do të ishte në të njëjtën kohë gjëma e tyre, piskama e krimit që kishte ndodhur dhe po ndodhte.

Kadare është hapësirë e krijuar për Kosovën. Hapësirë , vende- vende si rrafhultat e saj dhe më së shumti si rrafshlartat e Kosovës. Tek ai njeriu gjen fushën e Dukagjinit dhe bjeshkët e Sharrit, përdëllimin e ndjenjës ndaj asaj pjese të kombit, në skajintjetër, që vuan, përpëlitet, gjakoset, shtypet, ngrihet pësëri, trazohet shpreson, ëndërron, ndjen se si i përgjaket ëndrra dhe kërkon një dishepull të lirisë, ama një dishepull të madh dhe e gjen këtë tek Kadare.

Ai i përkdhel plagët kur duhet, por edhe i zbulon ato, me qartëpamësi të habitshme, që vjen nga një thirrje e brendsh,e e furishme, e paepur, dhe, duke qenë më i përkryeri nga rrëfimtarët tanë dhe njëri nga më të mrekullueshmit e botës, ai është edhe më reali.

Kur një herë, në një ndjenjë në Tiranë, po i tregoja se sa me ankth dhe , në të njëjtën kohë me ngazëllim priteshin deklaratat e tij në ditët e luftës në Kosovë dhe se, asgjë tjetër, asnjë deklaratë zyrtarësh, politikanësh, qeveritarësh të lartë nuk pritej dhe nuk kishte ndikim si fala e tij, ai më tha se askush nuk i kishte thënë se duhej të vepronte ashtu, gjithçka i kishte ardhur nga brenda, kishte qenë shtysa e tij, vetëdija, bindja, rruga që kishte zgjedhur, meraku i madh dhe dëshira për të qenë sa më i pranishëm.

Ai , për Kosovën, ka ngritur një konstruksion të mahnitshëm me gjërësi dhe gjithanshëmëri të pazakontë; për këtë ai nuk ka thirrur në ndihmë asgjë tjetër, veçse përjetimit të tij, njohjes së thellë të shpirtit të popullit të tij dhe dëshmitë e brezave ballkanikë: është i paanshëm, ndaj i besuar; frymëdhënës, ndaj jetësor; i shpejtë, do të thotë në kohën e duhur; i përpiktë, sepse është gjenial; tokësor, sepse e ndjen dhimbjen; i pazakontë, pasi përcaktimet e tij i takojnë së ardhmes.

Në kohën kur i gjithë arsenali medial e politik i shtetit serb e quan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës një aksiomë terroriste me theks islamik, dhe jo rrallë gjen vend edhe në median e Kosovës, e shtrydhur nga shitja; dhe kur media në Shqipëri , më tepër ironizon se sa e kupton luftën, ai, Kadare, bën dy përcaktime të sakta, frymëdhënëse dhe ushtuese edhe përtej shtetit shqiptar .

“Kur një popull ndodhet në gjendjen e një grigje të pambrojtur përball ujkut, ëndrra e tij më sublime është shfaqja e një shpëtimtari, e një dalzotësi. Kur populli i Kosovës u gjend kështu, grigjë e pambrojtur përpara kasapit serb, UÇK-ja u bë dalzotëse e saj….Askush s’mund tIa heqë dot kurrë asaj emrin e madh dalzotës”.

Vetëm ata që kanë qenë pjesë e luftës e dinë se sa përcaktuese ishin prononcimet e Kadaresë në një kohë të tillë dhe, njëkohësisht, sa frymëzuese.

Pikërisht ato ditë, përcaktimi i Kadaresë ishte më i vyer se qindra deklarata politike të selive në Tiranë a Kosovë.

Kadare merr mbi vete rolin dhe misionin e artistëve të mëdhenj të kombeve që synonin lirinë, si të Shilerit, Gëtes, Bernsit; ai vringëllon me nervin e tij të furishëm në shkrimet e tij si Dostojevski; bën analizën e milimetruar të ngjarjeve dhe përsonazheve si Balzaku; zbret në ferrin e krimit terrorist serb si Dante; ai është në luftë pa qenë në front, ngjall kuptimin e lirisë si Pëtef, sjell tragjeditë si në skenat shekspiriane; pra është njëri nga sivllezërit e tij, pararendës të lirisë.

Ai ndërton për Kosovën kufijtë e artit të tij, që nuk janë arritur deri më tani nga askush tjetër nga përsosmëria e shprehjes, tragjizmi i jetuar, dhe, nëse ka një njeri që nuk tronditet nga vrasja e Gërvalljave, paraqitur  madhërishëm në romanin e tij kronikë, atëherë ai nuk do të mund të kuptojë kurrë të vërtetën e asaj që ka ndodhur.

Prania e Kadaresë ngjall alrm në shtetin serb, në piramidën e tij, në të gjithë atë sistem zingjiror strukturash ku krimi projektohet të paraqitet si mirësi, ku gjaku nuk ka ngjyrën e kuqe, dhe shteti i thërret në ndihmë të gjithë kundër Kadaresë.

Kadare është memorja – kjo memore duhet zhdukur!

Kadare është dëshmia e besueshme – kjo dëshmi duhet djegur!

Kadare është e vërteta dhe e bukura- këto duhen nxirë!

Vuk Drashkoviq, më i njohuri prej tyre, shkrimtar e politikan, dy ë një, do i shkrunate Ismail Kadaresë me 18 qershor 1987, se “ Ju shpesh deklaroni, se ngjyra e kuqe e flamurit shqiptar simbolizon gjakun që pandreprerë duhet të derdhet për bashkimin e të gjithë shqiptarëve, kurse ngjyra e zezë shënon zinë për heronjtë, të cilët do të flijojnë jetën për këtë qëllim të shenjtë”.

Interesant është se edhe një studjues shqiptar, sabri hamiti, megjithëse e di krejt mirë se shkrimtari Kadare ka botuar më shumë se 1.000 faqe për Kosovbën, në disa gjuhë të botës, se romani i tij “krushqit janë të ngrirë” është tronditës për qeverinë serbe, sa që detyrohet të nxjerrë Drashkoviqin e të dërgojë letra e artikuj kudo për të denigruar të vërtetën, ai, hamiti, bashkohet me këtë zë të Vuk-ës dhe e cilëson “ një roman pa vlerë”.

E pabesueshme për filozofët, shkrimtarët dhe politikanët serb, por Kadare nuk është nacionalist. Asnjë dell nacionalizmi nuk ka në veprën e tij. Asnjëherë ai nuk merr pozën e një nacionalisti dhe nuk kërkon shtizë për flamurin e tij të urtësisë.

Kadare është një njeri i letrave, për të cilin nuk janë të panjohura raportet e tmerreve të rrokshme me ato të përfytyrimit; tek i cili ndjenja për kombin e tij nuk kalon nëpër gardhet e prishur të kombeve të tjerë; adhurues i gjuhës së tij, ai bën vend për lartësimin e vlerave njerëzore; e keqja e trondit,  por nuk e zpraps; nuk ndjell kore fantazmash, por si në tregjeditë e lashta greke e vrteta ka zënë vendin e korit dëshmues; thelbi i fjalës së tij është Kosova në hallet e saj dhe pamundësinë e njerëzores nga një shtet çnjerëzor, por kurrë denigrimi i atij tjetrit, kushdo të jetë; mbrojtës i vlerave sipërore, ai nuk bie në batakun e përbuzjes dhe të urrejtjes, ndaj është më i besuar në kancelaritë e larta të botës më shumë se kolegët e tij serbë; ai nuk blen mashtrimin dhe nuk e shet të vërtetën – kjo përbën rrënjën e një shkrimtari serioz, hijerëndë, qartësisht largpamës.

vijon nesër

 

 

 

February 19, 2021 12:23
Komento

2 Komente

  1. demo February 22, 19:20

    I gjithe ky shkrim vjen ere fshatarizem,diletantizem,adhurim folklorik.
    Vertet nuk mban tirqe dhe xhoke,po i ke ne tru.
    Ti nje,Gjekmarkaj,dy,,eshte dhe nje tjeter mirditor,jeni MUTANTE.
    Kur shkruani per Zeqon shkruani si Zeqo,,Kur shkruani per Kadarene,,shkruani si Kadareja..
    Fuste Zeqo,Synoptika,Palimpseste,,fut edhe Gjekmarku Synoptika,Palimpseste.
    Te pakten Kadare nuk ka imituar kerrkend ne letersine shqipe.

    Reply to this comment
  2. DRENICA E KUQE February 24, 16:46

    Populli shqiptar thote: Qeni, ku han edhe leh!… Kjo i shkon fort per ‘ftyre’ Bedri Islamit i cili qe prej 20 vjetsh ka zgjedh t’i lavdoje e t’u thur lavde udbashav e kosistav ‘shqiptare’ te ‘Kosovs e Metohis’ e tash te “Republiks se Kosovs’ dhe kjo esht per marre t’zotit!…
    Po a e din Bedri Islami se elementi ma anti shqiptar e edhe ma anti shqiptar se ballistat, zogistat e ilegalitetistat asht elementi ‘shqiptar’ i pushtetit teTitos qe per tradhti ua kalon tre te parve prnadaj shkrimtari Kadare eshte i lidhur kambe e krye me ate element pushtetor ‘shqiptar’ te ‘Kosovs e Metohis’…
    Do te kthjellen ujnat qe i ka turbulluar e po i turbullon moti i keq ‘shqiptar’ i sistemit jugosllav e po u dalin ndihme shume ‘analista’ si puna e Bedri Islamit…

    DRENICA E KUQE

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim