Kadilli: Drejtuesit aktualë të PD e kanë mbyllur ciklin e tyre

Isuf Kurtaj May 7, 2014 21:41

Kadilli: Drejtuesit aktualë të PD e kanë mbyllur ciklin e tyre

Ish-deputeti i PD-së, Fatbardh Kadilli, shpjegon situatën e krijuar në kampin e djathtë pas ‘përjashtimit’ të disa prej figurave të rëndësishme të partisë. Kadilli thotë se Basha do të krijojë një elitë të re në parti. Sipas tij, në PD është mbyllur cikli  i politikanëve që kanë drejtuar partinë nga viti ’97. Këto figura, sipas Kadillit, kanë drejtuar PD-në tetë vite në opozitë dhe tetë në pushtet. Por ai nuk harron të kujtojë se ideologjia dhe filozofia e Berishës do të jetë prezent fuqishëm në parti. Përmes një interviste në gazetën ‘Dita’, Kadilli, sqaron mospjesëmarrjen e opozitës në komisionin për reformën administrativo-territoriale. Ai po ashtu, rikonfirmon qëndrimin e opozitës se politika është implikuar në çështjen e trafikimit të drogës.  

 

Z. Kadilli, Lulzim Basha, është para një sfide të re, rikrijimit të opozitës, a do të mund të sjellë një frymë të re në parti dhe sa do të mund të largojë hijen e Berishës, i cili ka drejtuar që nga krijimi?

Berisha e ka drejtuar këtë parti që nga themelimi dhe padyshim ka lënë gjurmën e vet të pashlyeshme në gjithë sjelljen politike të Partisë Demokratike gjatë gjithë kësaj periudhe. Profili i tij është tipizuar në gjithë sjelljen politike të PD. Sjellja e PD-së i është përshtatur atij dhe anasjelltas, ai i është përshtatur sjelljes dhe kulturës së anëtarësisë dhe mbështetjes së PD. Sot kemi një proces të promovimit të një gjenerate të re në PD dhe Basha është ikona e kësaj gjenerate të re dhe besoj që do të jetë patjetër një lider i fortë dhe shpresëdhënës jo vetëm për gjeneratën e re, por për të gjithë partinë.

 

A do ta ketë të vështirë të qeverisë Basha PD duke ditur se nuk ka mbështetjen e shumë prej figurave të vjetra të PD-së?

Ata që kanë menaxhuar Partinë Demokratike, pra elita politike e PD-së që ka drejtuar këtë parti së bashku me Berishën, është konsoliduar pak a shumë në 16 vitet e fundit. Pas vitit ’97 ka përballuar dhe drejtuar tetë vitet e opozitës dhe ka drejtuar dhe 8 vite të qeverisjes, PD në pushtet. Pak a shumë është mbyllur një cikël. PD-ja ka nevojë për një elitë të re politike, e cila do të duhet të jetë frymëzuese, e fortë dhe e vendosur mbi vlerat e PD. Figurat politike me përvojë, si dhe profilet e reja duhet të akomodohen në parti që të japin kontribute, impulse dhe që të propozojnë një opozitë të përshtatshme në kushtet e kohës tonë.

 

Ku ndryshon Basha nga Berisha ?

Janë dy njerëz të ndryshëm kanë stile të ndryshme. PD po riorganizohet, ne ende nuk kemi ekip të konsoliduar me funksione dhe pozicione të përcaktuara. Do të duhet të shohim se si do të dalë ky ekip. Vetëm në atë moment do të mund të bënim krahasime midis metodës së të punuarit në drejtimin e PD-së. Kjo vlen po të krahasojmë stilet, pasi sa i takon gjykimit politik, kjo është e njëjta parti që ka qenë, bazohet në të njëjtën ideologji dhe filozofi dhe do të ketë të njëjtën trashëgimi që është ndërtuar nga Berisha.

 

Aktualisht kush e drejton Partinë Demokratike?

Nuk mund t’ju kënaq me një përgjigje përjashtuese. Kemi Bashën, i cili është kryetari i partisë dhe natyrisht ai udhëheq partinë. Por, për këdo është e qartë që, qenia në parti e Berishës si një politikan me një protagonizëm të lartë natyrisht që e pasuron lidershipin dhe nuk e le thjesht një lidership që fillon e mbaron tek kryetari. Çdo parti do të ishte mirë që të kishte një lidership me më shumë profile se sa vetëm me profilin e një kryetari.

 

Basha ka tre vjet në krye në Bashkisë të Tiranës, si po e menaxhon kryeqytetin në krahasim me ish kreun e saj?

Unë mendoj që është model suksesi. Ka një dallim nga periudha e Ramës, i cili kishte më shumë veprime që synonin dukjen dhe më pak veprime ose aksione që ndryshojnë cilësinë e jetës. Po t’i referohemi periudhës së qeverisjes së Bashës dua të evidentoj dy tregues suksesi: Tirana është më e gjelbëruar dhe është më e pastër. Këto nuk janë të bujshme si ngjarjet selektive që preferonte Rama, si lyerja e një pallati ose ndriçimin e një pjese monumentale te qytetit, apo të një rruge qendrore. Por, këto janë ndryshime që përmirësojnë cilësinë e jetesës në qytetin tonë të përbashkët. Njëherësh Basha ka investuar vëmendjen në një projekt madhor, siç është Bulevardi i Ri, i cili është një projekt që synon shumë më tepër se një mandat. Tirana po riformatohet me këtë Bulevard

 

Si po e drejton vendin kryeministri Rama?

Në vlerësimet e mia politike unë konstatoj se Rama po bën një qeverisje shumë arbitrare. Për të ilustruar këtu duhet të kujtojmë angazhimin për të sjellë armët kimike, shkeljen e konsensusit për ligjin për administratën civile, shkarkimin e drejtueses së ILDKP-së dhe kufizimin e kompetencave të Presidentit, si dhe nisma për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme hartën e ndarjes administrative. Arbitraritetin e ka treguar edhe në mungesën e transparencës. Dua të provokoj kujtesën e shqiptarëve dhe ta gjykoj Ramën nga krahasimi me Berishën. Në të dy këto aspekte ata dallojnë shumë. Sa i takon arbitraritetit, Berisha, të cilit i është faturuar si arbitraritet retorika, nuk ka në rekordet e tetë vjetëve si kryeministër asnjë gjë të ngjashme me shembujt që rendita. Ata janë të ndryshëm edhe në një gjë tjetër, dallim që vjen nga filozofia në të cilën bazohen, në transparencën dhe në mënyrën e komunikimit me publikun. Po të shikoni qeverinë sot, dallohet teknika e komunikimit tip mas-propaganda, e natyrshme nga trashëgimia e partisë socialiste, ndërsa te komunikimi i qeverisë së z. Berisha ka pasur spontanitet në sjellje dhe komunikimin me publikun. Këto janë dy elementët që më ngjallin bezdi tek Rama si drejtues i qeverisë, arbitrar dhe obskur.

 

Pas ftesave dhe shkëmbimit të letrave mes dy drejtuesve të forcave politike për tu ulur në tryezën e diskutimeve për reformën administrative, në fund, puna nis pa opozitën?

PS-ja po përpiqet të përdorë ndarjen e re territoriale për qëllim elektoral. Letra e Ramës nuk qe ftesë qoftë dhe për faktin se kjo reformë paraqitej si një objektiv e qeverisë. Po të kujtoni, që në krye të letrës Rama thotë se ky është një objektiv i qeverisë. E para, opozita nuk është për të mbështetur objektivat e qeverisë dhe nuk mund të ftohet për këtë. E dyta, Rama e kërkon këtë ndarje me ngut, në mënyrë të pajustifikuar. Do të duhej të ishte një proces gjithëpërfshirës ku të merrnin pjesë të dyja palët politike. Duhet të kishte një konsultim më të gjerë edhe me ekspertizën, me të zgjedhurit lokalë dhe me komunitetet lokale. Nuk mund t’i ndash dhe t’i bashkosh komunitetet lokale pa i konsultuar dhe pa marrë një miratim nga ata. Partia Socialiste qëllimin e ka elektoral, për t’i dalë përpara datës së zgjedhjeve vitin e ardhshëm. Për të krijuar ‘salamandra’ elektorale, pra për të bërë harta në mënyrë që të maksimizojë votën e saj të përkthyer në njësi administrative dhe për të pasur numër më të kufizuar njësish vendore në mënyrë që të ketë më të lehtë negociatat me pjesëtarin e vogël të koalicionit të saj në ndarjen e zonave të tyre. Objektivat e tyre elektorale nuk janë objektivat e shqiptarëve. Të gjithë biem dakord që është momenti për të rishikuar ndarjen, por këtu nuk bëhet fjalë thjesht për një ndarje dhe një vizatim në hartë. Ka disa probleme që unë do t’i shtroja, së pari, ndarja e re administrative duke bashkuar shumë komuna në një të vetme largon administratën që jep shërbimin nga qytetarët, duke e larguar komprometohet cilësia dhe sasia e shërbimit që do të ofronin ndarjet e reja. Për të rritur cilësinë dhe sasinë duhet të rishikohet i gjithë ligji i organizimit dhe funksionimit të pushtetit lokal dhe sidomos shpërndarja e kompetencave brenda nivelit ta parë të pushtetit, Komunë / Bashki, si dhe në raport me nivelin e dytë Qarkun.

 

Njohësit e reformës territoriale kanë raportuar këto ditë se PD-ja nuk i është bashkuar komisionit për të bërë reformën territoriale, pasi me ndarjen e re në zgjedhjet lokale PD do të humbasë në shumë komuna për shkak se në zonat rurale e majta ka më shumë votues ?

Unë mendoj se parimi i zvogëlimit apo i zmadhimit nëse zbatohet në mënyrë korrekte nuk favorizon njërën apo tjetrën. Unë mendoj që këto ndryshime shkaktojnë fenomene tërësisht neutralë. Përshtatja e ndarjes më synim përfshirjen ose lënia jashtë në mënyrë të qëllimtë të një komuniteti që tradicionalisht voton njërin krah apo tjetrin është ajo që njihet si salamandra elektorale. Këtë e kemi parë dikur në ndarjen e zonave elektorale kur kishim sistem mazhoritar. Në atë kohë, PS-ja me forcën e pushtetit e ka synuar ndarjen në mënyrë të tillë që të kishte një fshat, apo një tjetër vetëm për të garantuar mundësisht fitoren në çdo zonë. Kjo është ajo që dëmton këtë reformë.

 

Pak ditë më parë për strukturat e PD është shpërndarë udhëzimi, mbi procesin e zgjedhjeve brenda saj. Mendoni se do të sjellin diçka ndryshe këto zgjedhje, nga sa jemi mësuar të shohim në këto vite në PD?

Udhëzimi është vazhdim logjik i një procesi që ne kemi nisur pas ribërjes së databazës të anëtarësisë së PD, ku përfshihen anëtarët ekzistues, por edhe anëtarë të rinj. Më pas është e natyrshme të futemi në procesin e analizës dhe zgjedhjeve. Pas udhëzimit janë organizuar zgjedhjet në të gjithë territorin me përjashtim të Tiranës, e cila sapo ka filluar fazën e regjistrimit. Të paktën, në rrethin ku unë jam i deleguar tashmë janë kryer në masën 60 përqind votimet në nivel seksioni. Do të vazhdojnë procedurat për të përfunduar zgjedhjet në nivel seksioni dhe më pas të njëjtën gjë do të bëjmë për nivelin e grupseksionit dhe të degës së Partisë Demokratike në rrethe. Një parti e ka gjithmonë të nevojshme ripërtëritjen. Për ne, ky është më i rëndësishëm se sa një rinovim rutinor. Është rinovim që vjen pas një periudhe qeverisje 8 vjeçare dhe daljes në opozitë. Dhe në këtë moment merr një vlerë të veçantë rinovimi që ka të bëjë me promovimin e një gjenerate të re në drejtimin e partisë, në promovimin e një elite të re lokale dhe qendrore, si dhe me propozimin se si do të ndërtohet profili i PD-së për të ardhur sërish në pushtet.

 

Faktori ndërkombëtar ka apeluar që dy forcat politike të gjejnë konsensus për reformat, a do të penalizohet në qershor vendi nga refuzimi që i bëtë ju komisionit për reformën territoriale?

Reforma duhet të arrihet me konsensus. Ne kemi një përvojë të konsensusit për këtë çështje që në vitin 2002. Që nga ajo kohë të dyja partitë kanë pasur mundësinë e vetos. Sot Rama fshihet pas një argumentimi sipas të cilit, atë nuk e lejon kushtetuta që të shtrijë veton e opozitës edhe në Parlament. Ne nuk po i themi Ramës ndrysho kushtetutën, por po i themi Ramës garanto publikisht atë që do të biem dakord si palë me të drejtë vetoje në Komision. Ky është konsensusi që kemi kërkuar nga Rama, nuk është çështja e thotë kushtetuta s’e thotë kushtetuta. Kushtetuta është një marrëveshje politike, dhe një marrëveshje politike e posaçme krijon hapësira të mjaftueshme. Si i ka krijuar komisionet për ndryshimet elektorale, ashtu mund të ndodhë dhe për ndarjet territoriale. Ky është një ndryshim që ne e kemi bërë, dhe në atë rast kjo ka qenë kushtetuta. Thjeshtë i kemi kapërcyer reformat duke respektuar angazhimin politik pasi kemi bërë marrëveshje.

 

Implikimi ushtrisë në trafikimin e drogës, sajesë e opozitës, apo sipas jush ka diçka të vërtetë në të gjithë këtë histori?

Përgjigjen më të mirë e dha qeveria ku para pak ditësh vendosen blloqe betoni dhe pengesa fizike për ta mbajtur nën kontroll aeroportin e Gjadrit. Mospërgjegjshmëria e qeverisë konfirmon atë pikëpyetje të ngritur nga ne, që infrastruktura ushtarake po përdorej për trafikimin e drogës. Nuk ka thënë njeri që po e bën ushtria, por infrastruktura ushtarake është përdorur. Kjo tashmë është konfirmuar nga qeveria dhe forcat e armatosura që bllokuan aeroportin e Gjadrit. Nuk ka të bëj me shashkë. Injorimi i cështjes dhe mosreagimi në kohë ishin të pafalshme.

 

Fatbardh Kadilli për…

 

… kryeministrin Rama

“Është njeriu më i papërshtatshëm për të qenë kryeministër. Më shqetëson mungesa e respektit që ka ai për ligjin. Arrivizmi më të cilin ai i është qasur politikës. Ai e ushtron politikën përtej kornizës së funksionit të vet. Ai ka treguar që ushtron pushtet dhe jo qeverisje.”

 

…Ilir Metën

“Meta dëshiron t’i veshë vetes një rol prej një njeriu të urtë, i matur dhe me një gjuhë ndryshe. Gjë që nuk ka asnjë lidhje me aksionin e tij politik që do të tregojë se është një balancues apo kontrollues nga brenda i pushtetit aktual. Ai është thjesht pjesë e pushtetit madje në pjesët më të kompromentuara.”

 

…Ben Blushin

“Blushi është një nga zërat e fortë të Partisë Socialiste, i cili mundohet të identifikojë edhe më qartë një qëndrim të vetin dhe një aksion të vetin politik. Një oponent i brendshëm i spikatur dhe një rival i mençur për të sfiduar në rastin më të parë Ramën.”

 

…Rexhep Qosen

“Qosja kur shprehet për Berishën nuk është në rolin e tij prej akademiku, por në rolin e tij prej politikani. Akademikun do ta dëgjoja me dëshirë po të fliste për letërsi, për historinë herë pas here, apo për krijimtarinë e tij. Kur flet për politikë, në këto momente atij i bie titulli akademik, ai është politikan. Si politikan Qosja për mua ka qenë gjithmonë në anën e të majtës si në Shqipëri edhe në Kosovë, dhe nuk është lajm që një i majtë lavdëron një politikan të majtë dhe të sulmojë një të djathtë. Unë do të befasohesha nëse do të lavdëronte të kundërtin.”

 

Isuf Kurtaj May 7, 2014 21:41
Komento

8 Komente

  1. e verteta May 7, 11:10

    Ciklin duhet ta mbyllnin ne burg ne fakt…Aq te keqija kane bere!

    Reply to this comment
  2. true May 7, 11:56

    Kadilli nje budall.

    Reply to this comment
  3. dorela May 7, 13:37

    Ish keshilltar i Berishes… ia ka vjel frutet PD.

    Reply to this comment
  4. gegetoske May 7, 14:11

    WOW! Edhe ky di me dhene opinione???????????????? Po te kish qene burre i mire, -ju si mendoni,- nuk do ta benin deputet????????????? hahahahahahh Kadilllllllllll VAFFANCULO!

    Reply to this comment
  5. lejleku May 7, 14:46

    Prej nga e ke prejardhjen o z Kadilli ,duhet te shprehje me shume mencuri e fisnikeri sic edhe i ka hije radhes tuaj.Por te imitosh ,e te thuash ato qe i degjojme perdite nga te njejtet marioneta te PD eshte fatkeqesi .
    Po si o nuk doli njeri nga ju e te mos perrallise kot me kot ?!
    Po pse si kujtoni ju se do i hane pallavrat tuaja .Nuk e kuptoni se jeni para miliona degjueseve e shikueseve qe vleresojne cilindo ,edhe Ramen ,Meten , por edhe te majten e te djathten .
    Keni goje te perflitni QOSEN ….hahahahahaha…….!

    Reply to this comment
    • iriu May 7, 16:41

      Ah mor Kadill!,,,,,,, po nuk ishte ai Berisha ne te dy mandatet qeverisese nje here si mender president e nje here si palo k.minister qe ja uli koken Shqiperise e shqipetareve?……..?????? Tani si funksionon kjo nje p.d. e re me Berishizmin brenda?…?????? Mjere ju ku ini katandisur pika ty e p.d.se tende uuuuuuuuuhh

      Reply to this comment
  6. fat man May 7, 16:56

    Ne cdo fjale qe flet Kadillit (Kandil i Fikur) i do matur gjatesia e hundes, po i krijon probleme, eshte bere me keq se Pinoku.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*