Kagere: I kënaqur me startin, me Flamurtarin duam 3 pikët

August 27, 2014 09:43

Kagere: I kënaqur me startin, me Flamurtarin duam 3 pikët

Pas suksesit të arritur ndaj Apolonisë në fundjavë, triumf që i dha dhe kreun e klasifikimit për efekt golavarazhi, Tirana rikthehet në fushën e stërvitjes për të nisur javën anti-Flamurtar. 24 herë kampionët kanë qenë të gjithë në urdhrat e trajnerit Magani, dhe sigurisht më të qetë pas atij starti perfekt të kampionatit. Një nga futbollistët që spikati ndaj Apolonisë ishte sulmuesi nga Ruanda, Meddie Kagere pavarësisht se u aktivizua në pjesën e dytë të takimit në minutën e 55. 27-vjeçari shpreh kënaqësinë e tij për debutimin me fanellën bardheblu, teksa mbeti i befasuar për mbështetjen e tifozëve.

“Ndeshjet e para në një klub të ri janë gjithnjë të vështira. Unë isha i çliruar pasi ishim në avantazh kur hyra në fushë dhe kjo e bëri më të lehtë detyrën. Më kanë habitur tifozët, pasi është hera e parë që shoh një tifozeri të tillë. Kjo është diçka e mirë, sepse na përkrahën për të arritur atë që kërkojmë të gjithë, fitoren”, tha afrikani në një prononcim të dhënë për “Supersport”.

Kagere erdhi tek Tirana me statusin e një futbollisti cilësor, teksa sulmuesi i përfaqësueses së Ruandës bën të ditur se për të nuk ka objektiva personal, por objektiva të skuadrës.

“Erdha të punoj me skuadrën dhe jo si individ. Ajo që mendoj është të bëj mirë për ekipin, pastaj vjen gjithçka. Kur paraqitesh mirë kërkon të bësh një paraqitje akoma më të mirë. Unë dëshiroj të bëj punën time, të punoj për ekipin, pasi nëse mendon për vete atëherë vjen fundi i karrierës”, thekson sulmuesi.

E shtuna rezervon një përballje të vështirë me Flamurtarin, që ashtu si Tirana pretendon të fitojë titullin kampion. Kagere vlerëson kundërshtarin por kërkon që ekipi të dalë sërish me pikët e plota. “E kam parë Flamurtarin, është një ekip i mirë por edhe ne jemi një ekip i mirë. Duhet të marrim tre pikët. Vetëm këtë duhet të kërkojmë, 3-pikëshin”, shtoi Kagere.

Në fund, numri 7 i Tiranës thekson se është një qendërsulmues, por që mund të luajë edhe në krah të sulmit.

 

August 27, 2014 09:43
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*