Historia e fotografisë makabre të Kajo Karafilit

Jovan Jano January 27, 2016 03:56

Historia e fotografisë makabre të Kajo Karafilit

Një çerek shekulli më parë, aty nga muaji prill i vitit 1987, ndërsa gjendesha në zyrën e punës, dikush më troket. U ngrita, hapa derën dhe përballë meje qëndron veterani i LANÇ –it, Novruz Gjergjova.

Meqë në ato kohë ishim në valën e punës për ngritjen e Muzeut Historik të rrethit menjëherë më shkoi mendja se veteranin duhej ta kishte shqetësuar diçka që lidhej me muzeun. Ky veteran, përveçse kishte qenë në formacionet partizane të çetës së babë Myslimit unë e respektoja edhe për faktin se ishte edhe mik i babait tim.

Pasi u përshëndetëm, futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës kadife dhe më vuri përpara syve një fotografi, e cila gati më bëri të shtangesha. Në celuloid pashë një njeri të vrarë, të mbështetur pas murit të një godine me tulla e i fiksuar me dy dërrasa. Ishte një fotografi makabre e Heroit të Popullit, Kajo Karafili, njerit prej heronjve të Luftës së Dytë Botërore dhe prej luftëtarëve më të sprovuar të Çetës së Parë Partizane të Europës në luftën kundër fashizmit.

“Kur kisha Kajon në krah, më dukej sikur kisha një batalion”, thoshte shpesh Myslim Peza.

Kur ia tregova fotografinë babait tim, ai ndjeu keqardhje për Kajon dhe më rekomandoi të shkoja në Tiranë ku të takoja shokët më të mirë të Kajos, Safet Kurtin ose komisarin e batalionit të tretë, Sali Verdhën, për t’ua treguar këtë foto. Safeti kishte një arkiv të mrekullueshëm për luftën dhe i ruante ato me shumë kujdes. Ai më tregoi disa fotografi të Kajos, i veshur si milic, xhandar e i maskuar për të kryer atentate. Më dhuroi një fotografi më të pastër, më të madhe dhe më të qartë, që po botojmë sot.

Kur takova veteranin Sali Verdha, më habiti elokuenca e të treguarit. Ai e ndjente atë që më thoshte. Mësova se në ç’rrethana u vra Kajo, si u zbulua pas 11 ditësh pas vrasjes varri i tij dhe kush ia tregoi varrin komandantit ballist, Ram Habili.

Partizanët dhe disa fshatarë nga Cikalleshi e kishin varrosur Kajon në një lëndinë të vogël të rrethuar me pemë. Pasi e ç’varrosën, komandanti ballist, Ram Habili me të vetët dhe gjermanët, e shëtitën trupin nëpër rrugët e Kavajës e Shijakut me karrocë, e ekspozuan atë katër ditë në një faqe muri me tulla, atje, ku sot gjendet kinemaja, në mes të qytetit dhe një ditë në Shijak.

Falë të ftohtit të madh, ngricave të atij janari të vitit 1944, falë varrit të thellë, që i bëmë ne shokët e tij dhe shëndetit të tij shumë të mirë, kufoma e tij rezistoi shumë ditë, pa marrë erën e të vdekurit – vazhdon rrëfimin komisari i partizanëve Sali Verdha.

Ato ditë egërsie, kjo ishte një nga shfaqjet më të shëmtuara, jo vetëm për qytetarët e thjeshtë të Kavajës dhe Shijakut, por edhe njerëzit e pasur të qytetit. Emrin e tij e njihnin që të gjithë, por për së gjalli nuk e kishin parë.

Kajo Karafili ishte kthyer në mit. Populli i Pezës, Kavajës, Durrësit, Shijakut e Tiranës nuk besonte në vrasjen e tij. Prandaj e ca më shumë kjo fotografi i duhej propagandës për ta çmitizuar në popull. Në kundërshtim me normat dhe traditat morale të popullit shqiptar, në bashkëpunim edhe me forcat naziste, kolaboracionistët e përdhunuan varrin e tij.

Por në fakt ky mit nuk u thye. Populli i Kavajës, duke mos përfillur urdhrat e autoriteteve pro naziste të qytetit, e ngriti trupin e Kajos dhe e vendosi në varrezat e qytetit.

 

********

*Marrë nga suplementi Memo-Enciklopedik që botohet çdo të dielë e të hënë në DITA

Jovan Jano January 27, 2016 03:56