Kaledoiskopi i subjekteve të përjetshme

May 16, 2019 10:45

Kaledoiskopi i subjekteve të përjetshme

Moikom Zeqo

FJALA SHPËTIMTARE

Subjekti i një miti sumer është intriga për gjetjen e një Fjale Shpëtimtare.

Pra arritja e mundimshme e një apoteoze tragjike.

Princi i ri Hurgurxax kapërcen lumenjtë plot krokodilë jeshilë dhe zbuloi në një mol në lartësi Kështjellën Sferike të quajtur si Kragruksal,- dmth Kështjellë e Mosqenies.

Rreth e qark Kragruksalit kishte kaktuse me kthetra leopardi dhe që klithnin si leopardë. Princi kupton se askush nga të gjithë ata që kanë ardhur këtu nuk është kthyer më.

Heziton disa çaste përpara një porte të vetme (përherë të hapur) të kështjellës.

Hyn brenda.

Mjedisi ka një dritë gati blu, që s’dihet nga vjen. Nuk sheh pishtarë të ndezur.

I del përpara befas një njeri me veshje mbretërore, madje edhe me mjekër mbreti, por nuk ka kurorë, mban në dorë një pasqyrë argjendi dhe i thotë se është Gzakuri,- dmth Berberi i Vdekjes.

E shoqëron princin në qendrën e kështjellës që është një banjo graniti të purpurt në formën e një ylli me dymbëdhjetë cepa. Nga banjoja del avull me aromë aloe dhe mirre.

Princi futet në banjo.

Nën këmbët e tij shpërthyen ujërat.

Dëgjohet një gjëmim rrufeje, por pa rrufe. Figura e Berberit të Vdekjes zhduket.

Ujërat rriten me lëvizje nervoze. Katrahurë.

Princi noton i dëshpëruar mbi nivelin e ujërave që arrin deri në majën e kupolës. E pushton një tmerr vdekjeje, por ende pa vdekje. Princi lutet pa zë dhe përpiqet të kujtojë diçka. Në fakt një lloj fjale. Një fjalë që nuk e di askush. Fjala që përfshin gjithçka: pafundësinë dhe kotësinë, grimcën dhe ekstazën e paarritshme. Përpiqet ta gjejë këtë fjalë, ose ta shpikë.

Dëgjohet sërish gjëmimi tronditës në çastin kur gati po mbytej i sforcuar nga ankthi. Gjithçka ndryshon.

Princi befas gjendet në një shkretëtirë kuarci që i ngjante një kujtese bosh.

Mbas një ecje rraskapitëse Princi sheh shumë statuja mbi rërë vendosur në formë rrethi në mes të cilit është një papagall brenda një kafazi floriri.

Ndigjon një zë nga sipër, nga qielli që Princi nuk e sheh dot. Zëri është i heroit Gilgamesh, por Gilgameshi gjithashtu nuk duket.

Zëri i thotë: “O Princ! Ti je ende në ujërat e banjos, ndonëse të ngjan se je në shkretëtirë. Dikur Gruglaurgi, që do të thotë Paranjeriu e gjeti një diamant që shkëlqente më shumë se Dielli dhe Hëna. Ai vendosi ta fshehë në një vend, në një pikë sekrete, ku të mos ta gjente askush. Papagalli që t’i sheh është papagali i mbretit të mbretërve Nembrotit të nëmur nga një magji e tmerrshme. Poshtë teje është një hark dhe tri shigjeta. Ti ke tri herë mundësi për ta goditur papagalin. Nëse s’arrin dot do të ngurosesh, pra do të shtosh numrin e statujave. Ky është shansi yt! Nëse e godet magjia do të prishet!”

 Princi e bëri përpjekjen e parë, por i shkoi bosh. Menjëherë këmbët deri tek gjunjët ju bënë gur.

Qëlloi me shigjetën e dytë dhe dështon përsëri. Nguroset deri në mes të trupit.

I ka mbetur vetëm shigjeta e tretë. Ah, shigjeta e tretë!

Vendos të qëllojë duke i mbyllur sytë (dy shigjetat e para i hodhi syhapur.).

E tendosi harkun fatal.

Pa parë asgjë jashtë vetes, pa gjithçka brenda vetes.

Pa lëvizjen e planetëve dhe rritjen e fijeve të barit, djersën e kuajve në vrapim dhe kalbëzimin e trupave viganë të elefantëve, pa qytete të panjohur në një mjegull inkandeshente dhe një përmbytje ujërash në Hënë, pa fëmijët e porsalindur të disa popujve të panjohur, por edhe të këlyshëve të luanëve, por edhe të salamandrave si dhe shumëfishimin e milingonave, pa plakjen e shkëmbinjve dhe të dritës, të deteve, pa pafundësinë e kohës dhe fragmentarizimin pa rregull të hapësirës, pa idhujt e gdhendur në dru kamfori dhe kafkat e të vetëvrarëve të mbyllur në qelibar, pa lëvizjen e rruazave të gjakut nën lëkurën e korracuar të hipopotameve dhe këndet e mjeteve të merimangave, pa mbirjen e farave të thekrës dhe të shegëve, pa fytyrën e vetë Nembrotit dhe shkrimet e humbura të gjuhës së vetme, parake të botës, pa veten e tij të mbytur dhe mushkëritë plot ujë, pa ditën e tij të parë të lindjes dhe muzgun kur vrau për herë të parë një dre hyjnor dhe qau me dënesë mbi të.

Pati një shkëlqim të pamatë, të brendshëm, tendosi sërish harkun dhe klithi pa vetëdije dhe si në trans: “Klaumricxam”! dhe qëlloi.

Shigjeta e godet papagallin.

Përsëritet gjëmimi i mistershëm.

Shkretëtira ngrihet drejt lartësive në formën, e reve prej rëre.

Princi çlirohet nga pjesa e ngurosur e trupit.

Kullon i tëri i njomur nga ujërat e banjos së padukshme.

Statujat ringjallen, kthehen në njerëzit e shekujve të ndryshëm. Ata e falënderojnë Princin që i shpëtoi.

Papagali i vrarë qe zhdukur dhe në vend të tij qe diamanti, që shkëlqente më shumë se Dielli dhe se Hëna.

Diamanti si thelbi i të tërë rëndesave, pikë e rrethrrotullimeve të botëve dhe boshllëqeve kozmike, e paemërsisë së materies dhe shpirtrave, i prizmave gjeometrikë dhe lirisë së papërmbajtshme të erërave por edhe e rrymave nënujore, i zjarrit të vullkaneve dhe i ritualeve me djegie të kufomave të njerëzve por edhe të kafshëve toteme, i pikës së lotit dhe i yllit Sirius, i spermës dhe i tryezës prej smeraldi të magjistareve babilonas, i etjes dhe i mbingopjes, i simboleve dhe i pakuptimësisë universale.

Fjala e beftë, tepër e vonuar,- më e stërlashta “Klaumricxan”.

Princit i erdhi nga e Panjohura, -një fjalë nga gjuha e humbur nembrotase, fjalë që tregon tërë ringjalljen e zotave të mëdhenj e të vegjël por edhe zhdukjen e tyre, fjala e Pasigurisë, që është vetë Fati, fjala e moskuptimeve që nën trysninë e pakufishme dhe të pamendueshme dot të Heshtjes qe kthyer në një diamant.

 Fjala Shpëtimtare! (Durrës, 12 qershor 1999)

 LISI MITIK

Poeti i lashtë kinez Czi Zu, që ka jetuar në kohën e Mbretërisë e Tri Feniksëve dhe Njëqind Muzgujve e tregon parabolën poetike të një Lisi Mitik.

Një zdrukthëtar, mjeshtër plak dhe shumë i famshëm bashkë me nxënësin e tij riosh e pa në mal një lis të rritur drejt qiellit, tepër shekullor.

I tha nxënësit:

– Shihe këtë lis! Ky është një dru i padobishëm. Po të bësh prej tij një lundër – ajo shpejt do të kalbet; po të bësh vegla pune – ato do të thyhen. Ky dru nga që është krejt i padobishëm prandaj ka rrojtur kaq gjatë!

Atë natë kur zdrukthëtari ra për të fjetur pa në ëndërr lisin.

Lisi i tha i pikëlluar fjalë të çuditshme:

– O njeri mjeran! Ke folur marrëzira! Pse më krahason me drurët e pemët e tjera që ti njeh, me mollën, kajsinë, kumbullën? Qysh më përpara se sa ato t’i pjekin frutat njerëzit u sulen, i dëmtojnë duke u këputur lastarët e duke u thyer degët. Ata synojnë frutat ende të pabëra – ky është shkaku i dëmtimit dhe pemët e dobishme nuk jetojnë aq gjatë sa u ka caktuar natyra. Ja pse unë përpiqem të mos jem në dukje i padobishëm dhe njerëzit s’më prekin. Si mund të gjykosh për mua ti krijesë e përkohshme dhe e vdekshme, njeri që nuk mendon thellë dhe nuk kupton asgjë?

Mjeshtri zdrukthëtar u çua nga gjumi i tronditur plot djersë.

Të nesërmen u rikthye tek lisi.

Pa se nën hijen e tij qe një altar me gur të pagdhendur, ku njerëzit sillnin flitë rituale kushtuar zotave.

Simboli i altarit qe simboli i individualizimit të nënvetëdijes së njerëzve për  Jetën e Për-tejme.

Nën hijen e Lisit Mistik.

Lisi ishte i dobishëm shpirtërisht megjithëse qe krejt i padobishëm për artin dhe mjeshtërinë e zdrukthëtarit, i cili më në fund kuptoi diçka të përjetshme për vetë përkohshmërinë e gjërave por edhe të zotave. (Tiranë, 2009)

 EOLI I NGJYRAVE, SUBLIMJA

Ku është kufiri i blusë qiellore?

Dua të thyej këtë kufi të blusë!

Pilot pa emër, eja në të bardhën!

Eoli e lidh thesin e qiellit dhe e ve mënjanë.

Askush mos ta prekë!

Askush mos ta hapë!

Aty i kemi mbyllur ngjyrat: blunë, të kuqen, të verdhën, jeshilen, të zezën. Ka mbetur vetëm e bardha. Pyje të bardhë, shkëmbej të bardhë, tokë e bardhë, muzg i bardhë, agim i bardhë. Ah, deti i bardhë, kuajt e bardhë!

Kasimir Maleviçi në 1915 e pikturon një katror të bardhë mbi një telajo të bardhë.

Jean-François Lyotard-i u shpreh se kështu se Maleviçi « paraqet sublimen e paparaqitëshme dot ». Ah.

A thua është se e bardha kapërcen të bardhën ? Se e bardha polare është gjithçka ? Se një ngjyrë e vetme është më shumë se të gjitha ngjyrat ?

A është Borëbardha e përrallës me flokë, sy, lëkurë të bardhë, madje edhe me gjak të bardhë ?

Ç’Borëbardhë e përbindshme! S’bën dot seks me të Maleviç! S’munden as arinjtë polarë!

Ah, Maleviç, Maleviç! Po e godas me thikë telajon tënde si një kukull Vudu!

Çahet thesi i trupit tënd dhe çlirohen ngjyrat e mbyllura: bluja, e kuqja, e verdha, jeshilja, e zeza etj.! Bota e rigjen ekuilibrin! Natyralizohen pamjet, gjësendet, gjallesat!

Ah, rikthimi i madh! Lavdi Zotit! Ikonat dhe semaforët pa ngjyrë janë njësoj. Me ngjyrat janë të ndryshëm! Kjo është sublimja që nuk shprehet lehtësisht, si duhet, një çast apo amëshimërisht!

Ad infinitum! (Deri në pafundësi!)  ( 1995)

OLESTA, MITI POST-MODERN

Olesta është produkt laboratorik (industrial) i dhjamit poliester, pra hiper-real. Një kopje, një fantazmë e dhjamit natyror.

Kujdes, olestra vepron si dhjamë në gatim, shijon si dhjamë, madje mund të njollosë kravatën, këmishën.

Por olesta në asnjë mënyrë nuk është ushqim, se enzimat tona treten nuk funksionojnë në të. Në pikëpamje të tretjes Olesta është inerte.

E tmerrshme! Ushqimi që s’është ushqim! Simulacrum-i i mallkuar! Njerëzit kinse hanë! Kinse shijojnë! Haluçinacion! Biologjia e ushqimit pa vlerë! Vetëgënjimi i shqisave! Artificialiteti i natyrores!

 Ah, olesta!

Ah, letërsia si olesta! Kultura si olesta! Bota kibernetike si olesta! Seksi si olesta! Madje dhe jeta si olesta ! Dhe vdekja si olesta ! Absolutja si Olesta ! Infinitizimi i olestas !

Olesta, olesta !

Gruaja e martuar me një burrë si olesta !

Fëmijë të (pa)lindur nga prindër si olesta !

 Dulcia non meruit, qui non gustavit amara ! (Ai që s’e ka shijuar të hidhurën, nuk e ka merituar të ëmblën !) (1996)

KUAJ PA KALORËS

U mishtuan ëndërrat dhe u bënë kuaj të gjallë

Kuaj, kuaj, të arratisur, pa kalorësit e çuditshëm që i zotëronin në gjumë !

 Intellegitur concenssum, quod non est prohibitum ! (Ajo që nuk ndalohet, lejohet !) (1997)

NË Ç’SARKOFAG ALABASTRI ?

Në ç’sarkofag alabastri do të ruhen eshtrat e vogla të trumcakut të vetëvrarë të Migjenit ? Mbase pranë eshtrave, që nuk u gjetën kurrë të Aleksandrit të Madh !

Leones non sunt papilionibus molesti ? (Për luanët fluturat nuk janë asnjë shqetësim !)(1998)

 UDHËTARI I SHPIRTIT

Rruga është strall. Me gjëmba.

Rruga është enigma ime, – por edhe shumë herë më e pakufishme se enigma ime. Rruga nuk lëviz.

Por unë do të eci nëpër të, mbi të, ose nën të.

Do të eci, do të eci, edhe pa këmbë.

Udhëtari i shpirtit!

Këmbëenjtur!

Do të eci, do të eci nën një shi me vetëtima – trëndafila mbretërorë!

 Ignotas orbis regiones perquirere! (Të kërkosh viset e panjohura të rruzullimit!)(1999)

FOSILI I ZOTIT

Heshtja, vendlindja e humbur e fjalëve!

Heronjtë janë faret tona, tashmë të shuara!Dhe unë hesht, i futur thellë në vetvete si në pafundësinë kozmike fosili i Zotit!

Auscultare disce, si nescis loqui! (Nëse nuk di të flasësh, mëso të heshtësh!)(1999)

HAPE GUACKËN

Hape guaskën e një ylli të gjesh një flutur!

Carum est, quod rarum! (E çmuar është ajo që është e rrallë!)(1999)

SHIRAT

Bjeshkët e mëdha, shtrëngata të gurëzuara. Hone dhe humnera, ku muzgjet rrinë pezull, pa gravitacion. Shirat shpëlajnë klithmat e drerëve!

Digitus Dei est hic! (Këtu është gishti i Zotit!)(1999)

KISHËZË BLATIMI

Zogu i rrëzuar përdhe bëhet një kishëzë blatimi për popujt pa numër të milingonave.              

 Hodie mecum eris in Paradiso! (Sot do të jesh me mua në Parajsë!) (1999)

TIGRAT MË LËPIJNË KËMBËT

I shtrirë në shtrat shoh në murin përballë dritares hijet diellore të grilës si vijat e tigrave të Salvator Dalit, që kanë ardhur të më lëpijnë këmbët e zbathura!

 Intelligentia est forma et esse! (Inteligjenca është forma dhe të qenurit!) (1999)

 DITAR ËNDËRRASH

Shënoj fjalë të shqisuara si objekte konkretë. Ja një kometë e aksidentuar !

Pse nuk vjen për të një ambulancë urgjence ?

Ku jeni mjekë të kozmosit ?

Kronika e zezë në planetin Mars flet për pesë yje mafiozë që e grabitën Walt-Street-in ! Një pelikan kamikaz shpërtheu mbi Kullën Ejfel !

Mbi autostradat e metropoleve vërtitet piktura e lëvizshme e trafikut të gjëmshëm të Zotit, Zotit !

Udhëtar, udhëtar !

Mos ju afro varrit tim ! Se varri hapet dhe të gëlltit edhe ty !

Ali Pashë Tepelena e ngre kokën e tij të prerë me dorën e djathtë si një lampadar drite mbi terrin e të tërë tragjedive !

Dhe bulkthi është matësi i ritmit në disa muzika të humbura të Moxartit njëqindvjeçar !

Po e shtroj detin Adriatik si një mbulesë tryeze për Darkën Mistike të Krishtit me apostujt e pabesë !

Dhe ora e murit në shtëpinë time të vjetër në Durrës është mulliri fantastik që bluan sëprapthi kohërat për miellin e së ardhmes si një e kaluar e ripërtëritur, por nga ky miell nëna ime e vdekur s’i pjek dot bukët e festave të harruara.

Si mund të rri në shtëpi kur muret mërgojnë në Askund ?

Insektet gëluan përqark si fjalëkryqe gazetash, ku fshihet emri im sekret !

Të vdesësh s’do të thotë të heshtësh !

Po më grish e magjepsur Vdekja ! Po më grish, po më grish si deti parajsor në agimin e Currilave !

Sfinksi i madh i Egjiptit është në kërkim të një Marsejezë të Re !

Ç’lutje të thekshme, ç’pasione shekspiriane do të vononin Fundin e Botës ?

Ah, De Rada, De Rad

S’jam Kipsi i Milosaos!

Interdum lacrimae pondera vocis habent1 (Nganjëherë lotët kanë peshën e fjalës!) (1999)

DËBORA PA PROPORCION

Dëborën që bjen nga lart poshtë e kthej mbrapsht në kozmos, të bjerë mbi marsianët beduinë që po çmenden dhe po vdesin të etur nga thatësirat.

 Inter finitum et infinitum non est proportio! (Mes asaj që është e kufijshme dhe asaj që është e pakufishme nuk ka proporcion!) (1999)

HARIKIRI I ZEMRËS

Zemra, ah zemra ime gjakoset si demi nga shpata e toreadorit, apo edhe nga pena ime e shkrimit vetëvrasës !

 Magni artifici est clusiss totum in exigno ! (Është mjeshtëri që tek e vogla të përfshish të madhen !)

ILIRIA E MOTSHME

Mbi tryezën heraldike të detit Adriatik Iliria e motshme ka mbështetur brylat e rëndë dhe mediton në një heshtje lemeritëse.

Katër erërat janë ulur edhe ato me të, por sytë i kanë të mbyllur dhe i ka zënë gjumi, një gjumë i pafund. Ah! Ç’gjumë!

 Littera scripta manet! (Ajo që është e shkruar mbetet!)(1999)

KULLA EJFEL – MAKINË QEPËSE

Ç’të bëjmë me Kullën Ejfel i dashur Jacques Prevert?

Le t’i kthejmë këto hekura të palëvizshëm në një makinë qepëse vigane për rroba për lypësit lakuriqë të planetit, për profetët anonimë budistë krejt të zhveshur!

Si thua Jasques Prevert?

Dakort Jacques Prevert?

Urbanistika ka shpikur kaq shumë çudi të botanikës prej xhami dhe betoni! Në Djall urbanistika! Eja të shkojmë në pyje!

Aty do të gjejmë Adamin dhe Evën, me trupat nudo, që padyshim do t’i refuzojnë rrobat e qepura në Kullën Ejfel!

Sermo datur cunctis, animi sapientia pancis! (Gjuha i është dhënë gjithkujt,por mënçuria pakkujt!) (1999)

 LARG, SHUMË LARG

Unë do të iki, do të iki, larg, shumë larg, në brigjet e errta të Belfegarit, a në brigjet e flakta të Pandemoniumit.

Aty, ku kriminelët nuk i dënojnë me vdekje… por me jetë të detyrueshme!

Aty ku Kujtesa është si të ngrohesh nën dritën e Hënës mes acarit të mijëvjeçarëve.

 Leniter, ex merito quidquid patiare, ferendum est quae venit indigno poena, dolenta venit! (E duron lehtë dënimin ai që është dënuar me të drejtë, por rëndë ai që është dënuar pa të drejtë !)(1999)

S’DINI TË QANI !

Të poshtër, të pashpirt, që s’dini të qani !

Nga sytë nxirrni urinë miu !

 (Pede poena claudo! (Drejtësia ecën duke çaluar !) (1999)

GOJA E AMËSHIMIT

Deti, deti !

Tek buzët shkëmbore të brigjeve jam.

Ah, buzët e hapura!

Goja e humnertë e Amshimit, gati për të më gëlltitur skeletin tim prej peshku të tokës!

 Mare carlo miscere! (Të përzihet deti dhe qielli!) (1999)

VEZUVI MENDOR

Një kalë në galop të ngrirë është një Pompe fjalësh nën llavën e një Vezuvi mendor.

 Jovi Omnia plena! (Jupiteri e mbush gjithësinë!) (1999)

ZËRI FLAKËRUES

S’do të jem përherë, s’ka pse të jem përherë!

Por zëri im do të flakërijë në ajër në vend të reklamave mbi fasadat e arkitekturave të Durrësit.

 Libertati viam facere! (T’i hapësh rrugë lirisë!)(1999)

TROJA IREALE

Lufta e Trojës në të vërtetë s’ka ndodhur!

Flota e Agamemnonit u shkatërrua nga stuhitë dhe u mbyt në Lepanto. Elena u grind me Paridin dhe u kthye sërish tek Menelau. Odiseu mbeti tek ishulli i magjistares Kalipso. Paridi e vrau pabesisht Hektorin, për t’u bërë trashëgimtari i vetëm i Trojës. Laokoonti zbuti gjarpërinjtë dhe krijoi me to një tempull profecish duke fituar pasuri përrallore nga pelegrinët e pafund.

Lufta e Trojës s’u bë asnjëherë.

Vërtetë, një farë skulptori (s’di si quhej Pigmalion apo Mikelanxhelo?) e bëri një kalë të madh druri. Por kjo nuk bëri asnjë përshtypje. Mbas shumë kohësh u copëtua dhe me fragmentet e tij u ndezën zjarre për të ngrohur në pole arinjtë e bardhë si dhe pinguinët e Anatol Fransit. Madje disa copa dërrasash u përdorën për të shkrumbuar Jan Husin në autodofenë e famshme dhe të përzishme. Amen!

Qyteti i Trojës fillimisht quhej Sodoma dhe u shkrumbua nga meteorë qiellorë jahovajas. Më pas një arkitekt i fandaksur strukturën e kalit të drunjtë e modeloi (e modernizoi) në formën e kullës katërkëmbëshe prej hekuri të Ejfelit!

Pluris est oculatus testis unus, quam auriti decem! (Më shumë vlen një dëshmitar okular sesa dhjetë vetë që kanë dëgjuar diçka!) (1999)

NËSE

Nëse luanët do të kishin pendë mjellmash ahere lulet do t’i nxirrnin kthetrat e tyre prej shqiponjash për të na çjerrë fytyrat!

Arti bimor i kaktuesve është kubizëm më përpara Brakut dhe Pikasosë!

 Nemo potest nudo Vestimenta detrahere! (Askush s’mund t’ia heqë rrobat atij që është lakuriq!) (1999)

ORA EFEMERE

Në një breg të Jonit një kaktues sheh një pellg të vogël – orën e tij efemere për të matur shekujt.

 Non sum ego, qui fueram! (Nuk jam më ai që kam qenë!)(1999)

 

May 16, 2019 10:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim