Kalendarë të arsimit shqip

Nga Ardian Vehbiu November 12, 2012 13:42

Kalendarë të arsimit shqip

Ditët e fundit pati në shtyp një polemikë mes studiuesve David Luka dhe Rami Memushaj rreth fillimeve të shkollës shqipe. Intervista e Lukës, që u bë edhe pikënisje për këtë debat, mund të lexohet këtu, replika e Memushajt këtu dhe kundërrreplika e Lukës këtu.

Në thelb, Luka flet për shkollat shqipe në veri të vendit, dhe veçanërisht për shkollën e Kurbinit; ndërsa Memushaj përmend shkollat shqipe në zonën e Himarës. Në të dy rastet, bëhet fjalë për data që i paraprijnë me shekuj 7 marsit të vitit 1887, ose datës kur u hap e famshmja Mësonjëtore në Korçë.

Shtatë marsi është një nga ato data rreth së cilave është ndërtuar historia jonë kombëtare, prandaj vënia në diskutim e saj është pjesë e orvatjeve për rishkrim të historisë, të cilat nuk kanë munguar këtë vit jubilar, sikurse nuk kanë munguar as më parë.

Që si në veri, ashtu edhe në jug të vendit, ka pasur shkolla ku është zhvilluar mësim në gjuhën shqipe shumë kohë para vitit 1887, kjo vështirë se mund të vihet në dyshim. Megjithatë, këto shkolla kanë qenë para së gjithash në funksion të përhapjes së fesë – sipas rastit katolike ose uniate, në rrethanat kur katolicizmi në trojet shqiptare kërkonte të gjente dhe të përdorte mënyra të reja për të mbijetuar nën sundimin osman.

Nuk gabojmë gjë, nëse supozojmë se shqipja, në këto shkolla, u shërbente interesave të Vatikanit dhe përdorej si një mjet për të tërhequr dhe mbajtur të lidhur pas fesë popullsitë lokale, duke komunikuar me to në gjuhën e vendit.

Megjithatë, para se të rendim e të ndryshojmë kronologjinë absolute të arsimit shqip, duhet të vendosim, më parë, nëse shkolla të tilla si ajo e Kurbinit, shkolla të tilla si ato të Bregut dhe Mësonjëtorja e Korçës u përkasin të njëjtave sisteme referimi kronologjike.

Në këtë rast, datimi kalendarik nuk mjafton, duhet edhe një përbashkësi kulturore, të cilën vetëm gjuha nuk mundet ta sigurojë, as ta garantojë.

Çfarë e dallon 7 marsin 1887 nga datat e tjera të mëparshme është se që nga ajo datë mund të heqim një vijë të pandërprerë, nga ajo kohë deri më sot, të traditës së shkollës shqipe si shkollë kombëtare, në të cilën jo vetëm zhvillohen mësimet në shqip, por edhe mësohet shqiptaria.

Përkundrazi, datat e sjella në vështrim nga profesorët Luka dhe Memushi dhe shkollat më të hershme shqip në veri dhe në jug të Shqipërisë i përkasin një kalendari abstrakt, të cilin mund ta përdorim ne sot dhe ta shtrijmë arbitrarisht sa të duam në histori, por që është në të vërtetë një artific.

Tradita e shkollave katolike shqip në veri u ndërpre, për arsye të ndryshme e gjithsesi të mirënjohura; nuk mbijetoi dot aq sa të na lejojë të shohim gjurmë organike dhe të drejtpërdrejta të saj në fillimet e shkollës kombëtare shqipe gjatë Rilindjes. E njëjta vërejtje vlen edhe për shkollat në zonën e Himarës. Në të dyja herët kemi të bëjmë me orvatje që kanë interes për historinë e kulturës shqiptare, por jo aq interes sa të na detyrojmë ta rishikojmë kronologjinë e arsimit tonë kombëtar. (Peizazhe të Fjalës)

Nga Ardian Vehbiu November 12, 2012 13:42
Komento

1 Koment

Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*